12.4 C
Pristina
Wednesday, May 8, 2024

Shtëpia është begati – Islam Gjakova.net

Më të lexuarat

Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu ua ka bërë shtëpitë tuaja vendbanim” Ibni Kethiri rahimehull-llah, gjatë tefsirit të këtij ajeti thotë: “Allahu tebareke ue teala përmend begatitë e Tij që ia ka dhuruar robit; prej këtyre begative është edhe shtëpia që është vend ku banojnë, mbrohen dhe në të cilën kanë shumë dobi”.

Vallë çdo të thotë shtëpia për ne? A nuk është shtëpia vendi ku prehemi e mbrohemi në paqe!? A nuk është vendi ku tubohemi me familjen tonë?

Nëse shikon gjendjen e njerëzve që nuk kanë shtëpi, të cilët jetojnë rrugëve ose nëpër parqe, ose nëse shikon gjendjen e refugjatëve të cilët jetojnë nëpër kampe të ndryshme, kupton begatinë e shtëpisë. Gjithashtu e kupton rëndësinë e shtëpisë dhe se çfarë çrregullimi buron nga mospasja shtëpi kur dëgjon dikë duke thënë: nuk kam vendqëndrim të caktuar, një ditë flejë tek filani, ditën tjetër në park ose në bregdet; rrobat gjithmonë i mbaj me vete.

Allahu xhel-le xhelaluhu hebrenjtë prej fisit Benu Nadir i dënoi duke ua marrë këtë begati dhe duke i nxjerrë prej shtëpive të tyre. E tregon këtë duke thënë: “Ai është që në dëbimin e parë i nxori prej shtëpive të tyre ata nga ithtarët e librit, të cilët nuk besuan. Ju nuk menduat se ata do të dalin, e ata menduan se fortifikatat e tyre do t’i mbronin prej ndëshkimit të Allahut, po Allahu u erdhi atyre nga nuk e kishin menduar dhe në zemrat e tyre hodhi frikën ashtu që me duart e veta dhe me duart e besimtarëve rrëzonin shtëpitë e tyre; pra merrni mësim o ju të zotët e mendjes”! (El-Hashr: 2)

Ç’e shtyn muslimanin për t’i dhënë rëndësi përmirësimit të shtëpisë?

Një: Mbrojtja e vetvetes dhe familjes prej zjarrit të xhehennemit. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëj të rreptë e të ashpër që nuk kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar”. (Et-Tahrim: 6)

Dy: Përgjegjësia e madhe që ka bariu (përgjegjësi) i shtëpisë para Allahut subhanehu ve teala Ditën e gjykimit.

Pejgamberi alejhi selam thotë: “Allahu i Lartësuar do ta pyes çdo bari (përgjegjës) për tufën që e ka pasur nën përgjegjësinë e tij, a e ka ruajtur apo e ka humbur, derisa të pyetet njeriu për anëtarët e shtëpisë së vet”. Hadithi është hasen, transmeton Ibni Hibbani.

Tre: Pasi që shtëpia është vendi ku mbrojmë veten, jemi të qetë prej të këqijave dhe është vendi ku duhet ndejtur muslimani gjatë kohës së fitnes, atëherë duhet dhënë rëndësi të ndenjurit në shtëpi, ngase Muhammedi alejhi selam thotë: “Xhenneti qoftë për atë që e mbisundon gjuhën, për atë që i mjafton shtëpia e vet dhe për atë që qan mëkatin e vet”. Hadithi është hasen, transmeton Taberaniu.

Muhammedi alejhi selam thotë: “Atë që bën njërën prej këtyre pesë veprave, Allahu i Lartësuar do ta sigurojë: atë që viziton një të sëmurë, atë që del për të luftuar në rrugë të tij, atë që hyn tek imami (kryetari) për ta ndihmuar e madhëruar dhe atë që rri në shtëpi, njerëzit janë të qetë prej tij por edhe ai është i qetë prej njerëzve”. Transmeton Ahmedi.

Muhammedi alejhi selam thotë: “Shpëtimi i njeriut gjatë kohës së fitneve (sprovimeve) është të rrijë në shtëpinë e vet”. Hadithi është sahih, transmeton Ibn Ebi Asimi në librit e tij Es-sunneh. Muslimani mund të sheh dobinë e kësaj çështjeje në kohë të vetmisë, në kohë kur nuk do të mund t’i ndryshojë shumë vepra të këqija, në këtë rast shtëpia i bëhet vendbanim në të cilin e mbron veten prej veprës së ndaluar dhe shikimit të ndaluar, gjithashtu mbron familjen e vet nga lakuriqësia, e fëmijët nga shoqëria e keqe.

Katër: Njerëzit pjesën më të madhe të kohës së tyre e kalojnë në shtëpi, sidomos kur është shumë nxehtë ose shumë ftohtë, kur bie shi, pasi të kryejnë punën dhe pas mësimit. Për këtë shkak kjo kohë (që kalojmë në shtëpi) duhet harxhuar në vepra me të cilat është i kënaqur Allahu, përndryshe do ta harxhojnë këtë kohë në gjëra të ndaluara (haram).

Pesë: Shtëpia është faktor i rëndësishëm për ndërtimin e shoqërisë Islame, ngase qeliza kryesore e shoqërisë është shtëpia. Çdo shtëpi është një tullë në shoqëri, nëse këto tulla janë të mira, kjo shoqëri do të bëhej aq e fortë saqë do t’u qëndronte ballë armiqve të Allahut, në të do të përhapej e mira dhe do të ndalohej e keqja. Që të arrijmë këtë gjendje të shpresuar, duhet të dimë se cilat janë mjetet për përmirësimin e shtëpive?

Përgjigje e kësaj pyetje janë këto këshilla që do përmenden më poshtë. Lusim Allahun e Lartësuar që këto këshilla t’u bëjnë dobi muslimanëve dhe ta orientojë mundin e tyre kah ringjallja e rolit të shtëpisë në shoqëritë e tyre! Këto këshilla kanë të bëjnë me dy gjëra:

a) Arritja e dobisë, që personifikohet në të urdhëruarit në të mirë dhe;

b) Largimi i dëmeve, që personifikohet në ndalimin nga veprat e këqija.

PËRBËRJA E SHTËPISË

Ta zgjedhësh mirë gruan

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe martoni të pamartuarat dhe robërit e robëreshat që janë të ndershëm dhe të ndershme. Nëse janë të varfër, Allahu i begaton nga mirësitë e Tij, Allahu është Bujar i madh, i Gjithëdijshëm”. (En-Nur: 32) i pari i shtëpisë duhet të zgjedhë grua të mirë, e cila duhet t’i plotësojë disa kushte, të cilat i ka treguar Muhammedi alejhi selam:

1- “Gruaja martohet për katër gjëra: për pasurinë e saj, për atë se i takon familjes së ndershme, për bukurinë e saj dhe për fenë e saj. Zgjidhe atë që ka fe, të lumshin duart!” transmeton Buhariu dhe Muslimi

2- “Tërë bota është kënaqësi, kurse kënaqësia më e mirë në këtë botë është gruaja e mirë”. transmeton Muslimi

3- “Secili prej jush le të ketë zemër falënderuese, gjuhë përmendëse (që përmend Allahun shumë) dhe grua besimtare, e cila e ndihmon në veprat për ahiret”. Hadithi është sahih, transmeton Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheja.

4- Në transmetimin tjetër qëndron “dhe grua të mirë, e cila e ndihmon në çështjet e kësaj bote dhe në çështjes e fesë. Kurse kjo është thesari më i mirë që posedojnë njerëzit”. Hadithi është sahih, transmeton Bejhakiu

5- “Martoni ato të cilat i doni dhe të cilat lindin, ngase unë do të krenohem me numrin tuaj të madh në Ditën e Ringjalljes para pejgamberëve tjerë!” Hadithi është sahih, transmeton Ahmedi

6- “Pjesë e lumturisë është gruaja e mirë, e cila kur e shikon të pëlqen, kur mungon prej saj je i sigurt në te dhe në pasurinë tënde. Kurse nga fatkeqësia është gruaja, e cila kur e shikon, të dëshpëron, flet kundër teje dhe kur mungon prej saj, nuk je i sigurt në te dhe në pasurinë tënde”. Hadithi është sahih, transmeton Ibni Hibbani. Ashtu siç është gruaja e mirë njëra prej katër kënaqësive të kësaj bote, ashtu është gruaja e keqe njëra prej fatkeqësive të kësaj bote, siç thotë Pejgamberi alejhi selam: Përballë kësaj medoemos duhet të dihet gjendja e djalit, i cili i ofron vajzës muslimane martesë, kurse pëlqimi duhet të ndodhë duke pasur parasysh këto kushte: “Nëse ju vjen (për fejesë) ai, me moralin dhe fenë e të cilit jeni të kënaqura, martohuni me të. Nëse nuk e bëni këtë atëherë ndodhë çorodi dhe çrregullim i madh në tokë”. Hadithi është sahih, transmeton Ibn Maxheja. Për gjithë këtë që e thamë duhet të pyetet mirë dhe të mblidhen informata të sakta, me qëllim që të mos rrënohet shtëpia e cila do të ngrihet me martesën e këtyre dy çifteve. Burri i mirë dhe gruaja e mirë ndërtojnë shtëpi të mirë, ngase toka e mirë jep fryte të mira, kurse toka e keqe jep fryte shumë rrallë ose nuk jep aspak!

Bëje shtëpinë vend ku përmendet Zoti

Muhammedi alejhi selam thotë: “Shembulli i shtëpisë në të cilën përmendet Allahu dhe shtëpisë, në të cilën nuk përmendet Allahu, është sikur shembulli i të gjallit dhe të vdekurit”. transmeton Muslimi Pra, medoemos duhet bërë shtëpinë vend ku përmendet Allahu, pa marrë parasysh llojin e dhikrit, qoftë dhikër me zemër, me gjuhë, ose falje e namazeve, lexim i Kur’anit, përkujtim i dijeve të sheriatit ose lexim i librave të ndryshëm.

Sot, sipas hadithit të lartpërmendur, shumë shtëpi të muslimanëve janë të vdekura, ngase në to nuk përmendet Allahu. Përkundrazi, në shtëpitë e muslimanëve sot, dëgjohet muzika e shthurur (zëri i shejtanit), të marrurit nëpër gojë, shpifja, përgojimi etj! Shtëpitë tona janë përplot mëkate, siç është përzierja e burrave me gratë, ecja shpluar para farefisit që nuk është mahrem, ose para fqiut etj. A thua vallë si mund të hyjnë melekët në këto shtëpi!? Për këtë duhet ngjallur shtëpitë tona duke përmendur Allahun.

Bëjeni shtëpinë tuaj vend adhurimi

Allahu i Madhëruar thotë: “Ne i thamë Musait dhe vëllait të tij t’i bëni vend në Egjipt popullit tuaj, shtëpitë tuaja t’i: bëni faltore (kible) e ta falni namazin rregullisht dhe përgëzoi besimtarët”. (Junus: 87) Ibni ‘Abbasi radijAllahu anhu, gjatë komentit të këtij ajeti, thotë: Janë urdhëruar që shtëpitë e tyre t’i bëjnë xhamia. Kurse Ibni Kethiri thotë: “Siç duket, e Zoti e di më mirë, kur u shtua sprovimi nga Faraoni dhe populli i tij, e u ngushtuan mundësitë, u urdhëruan të falin namaz shumë, siç thotë Allahu i Madhëruar: “O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me namaz”. (El-Bekare: 153). Kurse në hadith, të cilin e transmeton Ebu Davudi me sened hasen qëndron: “Kur e shqetësonte ndonjë send Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem falte namaz” Kjo që thamë sqaron rëndësinë e adhurimit në shtëpi, sidomos në kohë kur muslimanët janë të dobët, e nuk mund të falen haptazi para kafirëve. I tillë ka qenë mihrabi (dhoma) i Merjemes, e cila dhomën e saj e kishte bërë vend adhurimi. Allahu i Madhëruar, për këtë thotë: “Sa herë që Zekerija hynte në Mihrabin (dhomën) e saj, gjente tek ajo ushqime…” (Ali Imran: 37)

As’habët, radijAllahu anhum, i jepnin rëndësi të madhe faljes së namazit në shtëpi, kuptohet namazeve nafile, sunneteve. Një gjë të tillë argumenton ky tregim. Transmetohet nga Mahmud ibn Rebi’ El-Ensariu radijAllahu anhu se I’tban ibn Maliku, i cili ishte as’hab i Pejgamberit alejhi selam, ishte Ensari dhe kishte marrë pjesë në betejën e Bedrit, një ditë shkoi te Pejgamberi alejhi selam dhe i tha: O Pejgamber i Allahut! Unë jam imam i popullit tim, mirëpo më është dobësuar shikimi, ashtu që kur bie shi, lugina që është ndërmjet meje dhe tyre mbushet me ujë, dhe për këtë shkak nuk mund të shkoj në xhaminë e tyre e tua falë namazin. Kam dëshirë, o Resulull-llah që të vish e të falesh në shtëpinë time, që këtë vend ta bëj vendfalje. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i tha: “Do ta bëj një gjë të tillë, insha-Allah. “Thotë I’tbani: Pas dreke erdhi Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe Ebu Bekri. Kërkoi leje Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, e unë i dhash leje (për të hyrë në shtëpi). Pasiqë hyri në shtëpi nuk u ul, por tha: “Në cilin vend të shtëpisë sate dëshiron të falem?” Tha (I’tbani): drejtova gishtin në një drejtim të shtëpisë. U drejtua kah kibla, mori tekbir dhe filloi të falet, kurse ne renditëm saffat dhe u falëm pas tij. I fali dy rekate, pastaj dha selam”.Transmeton Buhariu.

Ibni Haxheri duke përmendur dobitë e këtij hadithi thotë: “Në këtë hadith ka argument për caktimin e një vendi në shtëpi për t’u falur. Kurse sa i përket ndalimit të caktimit vend në xhami, sipas hadithit që e transmeton Ebu Davudi ka të bëjë nëse kjo vepër bëhet me syefaqësi. Gjithashtu nga ky hadith mësohet se përcaktimi i një vendi për t’u falur nuk konsiderohet vakëf, as që i mvishen rregullat e vakëfit, edhe pse quhet mesxhid”.

Dhënia rëndësi dhikreve dhe sunneteve që kanë të bëjnë me shtëpinë.

Për shembull: Përmendja e Allahut gjatë hyrjes në shtëpi

Transmeton Imam Muslimi në Sahihun e Tij se Pejgamberi alejhi selam thotë: “Kur të hyjë njeriu në shtëpi dhe ta përmendë emrin e Allahut gjatë hyrjes dhe gjatë ngrënies, shejtani thotë: s’keni as vend për të fjet e as darkë për të ngrënë, kurse nëse hyn dhe nuk e përmendë emrin e Allahut, shejtani thotë: gjetët vend për të fjetur, e nëse nuk e përmendë emrin e Allahut gjatë ngrënies, shejtani thotë: gjetët vend për të fjetur dhe për të ngrënë darkë”. transmeton Imam Ahmedi dhe Muslimi

Përmendja e Allahut gjatë daljes prej shtëpisë

Transmeton Ebu Davudi në Sunenin e tij se Pejgamberi alejhi selam thotë: “Kur të del njeriu prej shtëpisë dhe të thotë: “Bismil-lah, tevekeltu a’lAllah, ve la havle ve la kuvvete il-la bil-lah (Me emër të Allahut, në Allahun mbështetem, askush s’ka mundësi dhe forcë përveç Allahut), i thuhet: të mjafton; u udhëzove, të mjafton kjo nga vështirësitë dhe u mbrojte, dhe largohet në këtë rast shejtani nga ky, kurse shejtani tjetër i thotë: ç’mund t’i bësh njeriut që është udhëzuar, nuk ka vështirësi dhe është i mbrojtur”. Hadithi është sahih.

Leximi i pandërprerë i sures Bekare në shtëpi me qëllim që të largohet shejtani

Për këtë temë ka disa hadithe: Resulull-llahu alejhi selam thotë: “Mos i bëni shtëpitë e juaja varre, ngase shejtani ikë nga shtëpia në të cilën lexohet sureja Bekare”. transmeton Muslimi

Muhammedi alejhi selam thotë: “Lexoni suren Bekare në shtëpitë tuaja, ngase shejtani nuk hyn në atë shtëpi që lexohet sureja Bekare”. Hadithi është sahih, transmeton Hakimi

Muhammedi alejhi selam duke treguar vlerën e dy ajeteve të fundit të sures Bekare dhe ndikimin e tyre në shtëpi thotë:

“Allahu i Lartësuar ka shkruar Librin 2000 vjet para se t’i krijojë qiejt dhe tokën, kurse Ai ka qenë në Arsh (fron) dhe i zbriti dy ajete me të cilat përfundoi suren Bekare. Në atë shtëpi që lexohen këta dy ajete tre ditë, shejtani nuk i afrohet asaj shtëpie”. Hadithi është sahih, transmeton Tirmidhiu, Nesaiu dhe Hakimi.

Dijet e sheriatit në shtëpi dhe mësimi i njerëzve të shtëpisë

Kjo vepër është detyrë për të parin e shtëpisë dhe ai duhet ta realizojë këtë detyrë në shenjë dëgjueshmërie ndaj Allahut, i cili thotë: “O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (Et-Tahrim: 6)

Në këtë ajet bazohet domosdoshmëria e të mësuarit dhe edukimit të anëtarëve të familjes, duke i urdhëruar në të mirë dhe duke i ndaluar nga e keqja. Dëshiroj t’u paraqes disa thënie të mufesirëve rreth këtij ajeti, që t’u bëhet më e qartë detyra e të parit të shtëpisë: Katadeja rahimehull-llah thotë: “I urdhëron të respektojnë Allahun, i ndalon nga të bërit mëkat. Ai vet t’i veprojë urdhrat e Allahut dhe t’i urdhërojë anëtarët e familjes në këto urdhra dhe t’u ndihmojë në realizimin e këtyre urdhrave, kurse nëse tek ata sheh ndonjë mëkat, atëherë duhet t’i largojë nga ky mëkat dhe t’i kritikojë për këtë gjë”.

Dahhaku dhe Mukatili thonë: “Muslimani e ka për detyrë që t’ua mësojë familjes së vet, farefisit dhe shërbëtorëve, veprat që ua ka bërë obligim Allahu dhe veprat që ua ka ndaluar”.

Aliu radijAllahu anhu thotë: “Mësoni dhe edukoni (anëtarët e familjes)”. Kurse Taberiu rahimehull-llah thotë: “Detyrë e kemi t’ua mësojmë fëmijëve dhe grave tona fenë, veprat e mira dhe moralin e lartë”.

Njeriu duke pasë parasysh se është shumë i zënë me punën e tij ose me detyrat që i ka, mund të harrojë ta caktojë një kohë, në të cilën do t’i mësonte familjes së vet çështjet e fesë. Mirëpo rrugëdalje për këtë është caktimi i një dite për takim të përgjithshëm me anëtarët e familjes, bile edhe për farefisninë më të gjerë, me qëllim mësimi. Të gjithë i informon për këtë takim, e prezantimi le të bëhet i domosdoshëm për atë që ka dëshirë të jetë i pranishëm, kështu do të praktikonim atë që ka vepruar Pejgamberi alejhi selam.

Imam Buhariu rahimehull-llah në Sahihun e tij thotë: “Kaptina: A t’u caktohet grave një ditë për mësim?” pastaj përmend Hadithin që transmeton Ebu Seid El-Hudriu radijAllahu anhu, i cili thotë: Një ditë disa gra i thanë Pejgamberit alejhi selam: Burrat na e kaluan, na cakto një ditë (për mësim). Pejgamberi alejhi selam iu premtoi një ditë, në të cilën u takua me to. Në këtë ditë i këshilloi dhe i urdhëroi (në vepra të mira)”. /vizion-islam.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit