1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Shpenzimi për familjen është sadaka | Madhështia e fesë islame |

Më të lexuarat

Një trajtim interesant ja bën islami kujdesit për mirëqenien ekonomike të familjes, gruas edhe fëmijëve, saqë shpenzimet për ta nuk i llogarit vetëm shpenzime ekonomike por u jep edhe bekimin e Tij, duke i llogarit sadaka.

Në vijim do sjellim argumentet fetare edhe sqarimet e dijetarëve musliman në lidhje me këtë temë.

Shejhul-Islam, Ibën Tejmiu, Allahu e mëshiroftë, thotë:

“Kërkimi i hallallit dhe shpenzimi për familjen është një portë e madhe e veprave të mira, të cilës nuk i afrohet asnjë vepër e mirë”.

El-Iman El-Eusat, fq. 609

Shpenzimi për familjen nuk është vetëm përgjegjësi, lodhje e angazhim, por analizo edhe shpërblimin që e fiton nga kjo punë.

Pejgamberi, ﷺ, thotë:

إذَا أَنْفَقَ الرَّجُلُ عَلَى أَهْلِهِ نَفَقَةً وَهُوَ يَحْتَسِبُهَا كَانَتْ لَهُ صَدَقَةً .

Kur njeriu shpenzon diçka për familjen e tij edhe e shpreson shpërblimin, kjo i llogaritet atij sadaka, lëmoshë”. Buhariu, nr. 55 dhe Muslimi, nr. 1002.

Imam Ibën Rexhebi thotë: hadithi i saktë na tregon se shpenzimi për familjen llogaritet sadaka. (xhamiul-Ulumi vel-Hikemi, 2/63).

Pejgamberi, ﷺ, thotë:

إنك لن تنفق نفقة تبتغي بها وجه الله؛ إلا أجرت عليها، حتى اللقمة ترفعها إلى في امرأتك

Nëse shpenzon një pasuri dhe me këtë shpenzim synon të fitosh Kënaqësinë e Allahut, do shpërblehesh për te, madje edhe për kafshatën që ia ofron gruas te goja e saj”. Buhariu dhe Muslimi.

Theubani, radijallahu anhu, na tregon se Pejgamberi, ﷺ, ka thënë:

أفضل الدنانير دينار ينفقه الرجل على عياله، ودينار ينفقه على فرس في سبيل الله، ودينار ينفقه الرجل على أصحابه في سبيل الله.

Dinari më i mirë të cilin e shpenzon njeriu është dinarin që e shpenzon për familjen e tij, dinarin që e shpenzon për atin e tij që e përdorë në rrugë të Allahut dhe dinarin që e harxhon për shokët e tij në rrugë të Allahut. Muslimi.

Ebu Kulabe pas transmetimit të këtij hadithi thotë: filloi me familjen, sepse nuk ka njeri që merr më shumë shpërblime nga sadakaja e tij se sa ai që shpenzon për familjen e tij, sidomos kur fëmijët janë të vegjël, ua ruan ndershmërinë me këtë vepër dhe i pasuron ata, që të mos kenë nevojë të kërkojnë nga askush.

Pejgamberi, ﷺ, thotë:

دينار أنفقته في سبيل الله، ودينار أنفقته في رقبة، ودينار تصدقت به على مسكين، ودينار أنفقته على أهلك؛ أفضلها : الدينار الذي أنفقته على أهلك .

“Dinarin që e shpenzon në rrugë të Allahut, dinarin që e shpenzon për lirimin e një robi, dinarin që e shpenzon për kujdes ndaj një të varfëri dhe dinarin që e shpenzon për familjen tënde, më i miri është dinari të cilin e shpenzon për familjen”. Muslimi.

Pra, çdo dinar të cilin ti e harxhon për familjen tënde, duke patë qëllim të shpërblehesh nga Allahu, duke i bërë të pavarur nga njerëzit, këto dinar të llogariten sikur t’i kishe dhënë lëmoshë, sadaka.

Edhe ato dinar që ua jep më tepër se nevojaqt e tyre, edhe ato të llogariten sadaka dhe është më e vlefshme se sa dinarin që ia jept njeriut të huaj.

Imam Neveviu thotë:

Umeti islam ka rënë në ujdi se sadakaja që i jepet të afërmit është më e vlefshme se ajo që i jepet të huajit. Hadithet që flasin për këtë temë janë të shumta dhe janë të njohura. (El-Mexhmuu; 6/238).

Kurse Imam begaviu thotë: të shpenzosh për një të afërm, i cili meriton ndihmën, është më mirë se sa të shpenzosh për një të huaj”.

Këto argumente fetare edhe këto sqarime të dijetarëve e nxjerrin në shesh madhështinë e Islamit si Fe edhe kujdesin që ka në orientimin e kapaciteteve ekonomike në zhvillimin e familjeve tona.

Porosia është e qartë, puna është e vlefshme, sepse është shkak për të grumbulluar pasuri, e pasurinë që e harxhon për kujdes të familjes, ta llogarit sadaka. Domethënë përfiton edhe në këtë jetë duke i ofruar kushte të mira jetësore familjes, por fiton edhe në ahiret duke u shpërblyer për këto kënaqësi të dynjasë, me shpërblime të mëdha me xhennet.

Bekir Halimi

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit