2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Shoqata e Dhomave Gjermane të Industrisë: Gjermania duhet të lehtësojë ligjet për punëtorët e kualifikuar

Më të lexuarat

Procedura tepër të gjata dhe të ndërlikuara për punëtorët e kualifikuar në Gjermani. Shoqata e Dhomave Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë bën thirrje për lehtësimin e imigrimit të e punonjësve të kualifikuar.

Peter Adrian është i pakënaqur: Sipas Presidentit të Shoqatës së Dhomave Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK) për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në Republikën Federale të Gjermanisë, kompanitë gjithnjë e më shumë po detyrohen të refuzojnë porositë dhe të reduktojnë shërbimet e tyre. Prandaj, Adrian insiston për procedura më të lehta për imigrimin e punëtorëve të kualifikuar. “Edhe në krizën aktuale, mungesa e punëtorëve të kualifikuar është rreziku i dytë më i madh i biznesit për kompanitë pas kostove të energjisë,” i tha ai Agjencisë Gjermane të Shtypit (dpa). “Shumë kompani janë duke shpresuar se fluksi i punëtorëve të kualifikuar nga vendet e treta do të bëhet edhe më i lehtë.”

Qeveria federale po punon aktualisht në reformën e ligjit për imigrimin e punëtorëve të kualifikuar të miratuar në vitin 2020. Sipas Adrianit, ligji aktual e ka lehtësuar ardhjen e specialistëve nga vendet jashtë Bashkimit Europian. “Por përvoja në kompani tregon se shumë gjëra janë ende tepër të ndërlikuara, zgjasin shumë e madje edhe dështojnë tërësisht.”


Kritika për proceset e ngadalta të autoriteteve

Nga pikëpamja e kompanive, është e rëndësishme që emigrantët të mos kenë nevojë të tregojnë dëshmi të kualifikimeve ekuivalente me ato në Gjermani, para arritjes në këtë vend. “Për shkak se përvoja e përditshme në kompani tregon se kualifikimet e munguara shpesh mund të arrihen edhe gjatë punës së përditshme. Për një fillim sa më të mirë në kompani, është e rëndësishme të promovohet më intensivisht edhe mësimi i gjuhës gjermane jashtë vendit. ”

Por proceset e autoriteteve të përfshira në ardhjen e fuqisë punëtore duhet të funksionojnë më shpejt dhe me pak pengesa. Në veçanti, koha e pritjes për një takim për të aplikuar për vizë pune është shpesh mjaft e gjatë dhe duhet të kalojnë muaj të tërë deri në marrjen e një orari takimi. Ndërkohë që për të tërhequr me sukses punëtorë të kualifikuar, duhet më shumë, thekson Adrian.

“Kjo fillon prej ofertës për vendstrehim të përshtatshëm e deri tek kujdesi për fëmijët e tyre. Nëse duam të frymëzojmë njerëz nga e gjithë bota për të punuar në Gjermani, atëherë duhet t’u japim edhe mundësinë që të ndihen të mirëpritur në Gjermani.”

Planet për lehtësimin e marrjes së shtetësisë

Planet aktuale të qeverisë federale përfshijnë edhe thjeshtimin dhe lehtësimin e marrjes së shtetësisë gjermane, pra shkurtimin e afateve për marrjen e një pasaportë gjermane, por edhe lejimin e mbajtjes së dy pasaportave. Presidenti i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW), Marcel Fratzscher i ka mbështetur këto plane: “Problemi me fuqinë e kualifikuar punëtore në Gjermani do të përkeqësohet masivisht për shkak të problemeve demografike dhe konkurrencës në rritje për punëtorët e kualifikuar. Ndaj politikanët duhet të veprojnë më me vendosmëri sesa deri tani”, tha Fratzscher për gazetën “Handelsblatt”. Një perspektivë e qartë për shtetësinë është një element i rëndësishëm për ta bërë Gjermaninë më tërheqëse për punëtorët e huaj të kualifikuar, thotë ai./businessmag

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit