Shkaqet e ndihmesës kundër armiqve (1)

0
50

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut të Lartësuar, i Cili e bëri obligim haxhin për ata të cilët kanë mundësi. Salavatet qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin salallahu alejhi ue selem, familjen e tij, shokët e tij dhe gjithë muslimanët deri në Ditën e Gjykimit.

Me të vërtetë kjo dynja është vend i sprovave, ku muslimanët do të sprovohen kur janë mirë dhe kur janë keq, kur janë të lirë dhe kur nuk janë të lirë. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Çdo krijesë do ta shijojë vdekjen e Ne në shenjë sprove ju sprovojmë me vështirësi e kënaqësi, dhe ju ktheheni te Ne.” (El Enbija, 35)

Dhe ka thënë: “Në qoftë se juve u preku çka u dhemb (në Uhud), edhe atë popull (armikun) e pat prekur dhembje si kjo e juaja (në Bedër). Ne këto ditë i ndërrojmë (u japim në përdorim) mes njerëzve për t’u ditur tek Allahu ata që besuan dhe për t’i zgjedhur disa prej jush për dëshmorë (ose dëshmues). Allahu nuk i do zullumqarët.” (Ali Imran, 140)

Ibn Kethiri në komentin e këtij ajeti ka thënë: “Nëse ju jeni goditur me plagë në luftë dhe disa prej jush janë vrarë, dijeni se edhe armiqtë tuaj janë goditur me plagë dhe janë vrarë disa prej tyre dhe kështu Allahu i ndërron ditët ndonjëherë ju flitni ndaj armikut e ndonjëherë ata fitojnë ndaj jush.” (Tefsir Ibn Kethir 1/408)

Armiqësia e jobesimtarëve ndaj besimtarëve është e vazhdueshme, Allahu e Lartësuar thotë: “…ata do t’ju luftojnë juve vazhdimisht për t’ju zmbrapsur, nëse munden, nga feja juaj.” (El Bekare, 217)
Dhe ka thënë: “Ata nuk respektojnë te asnjë besimtar as farefisninë as marrëveshjen; si të tillë ata janë përdhunues.” (Et-Teube, 10)

Nuk ka dyshim se jobesimtarët janë të përbetuar t’i luftojnë besimtarët ashtu siç na ka paralajmëruar Allahu i Madhëruar dhe për këtë duhet që ne muslimanët të kemi kujdes ndaj kurtheve të armiqve të Islamit dhe për këtë duhen ditur shkaqet kryesore se si Allahu i Madhëruar do t’i ndihmojë muslimanët kundër armiqve të Islamit.

Shkaqet kryesore për të fituar ndaj armiqve:

1. Besimi në Allahun dhe veprat e mira: Allahu i Madhëruar thotë: “Ne patjetër do të ndihmojmë të dërguarit tanë në jetën e kësaj bote, edhe ata që besuan, e edhe në ditën e prezantimit të dëshmive.” (Gafir, 51)

Dhe ka thënë: “Obligim Yni ishte të ndihmojmë besimtarët.” (Er-Rum, 47)
Me këto ajete të shumta besimtarët kanë një premtim nga Allahu se do të fitojnë në luftë kundër jobesimtarëve, mirëpo ata të cilët do të ndihmohen nga Allahu janë ata të cilët kanë këto cilësi të cilat i ka përmendur Allahu i Madhëruar, që thotë: “E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve kur përmendet Allahu u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre. Dhe, të cilët falin (rregullisht) namazin dhe nga ajo, me çka Ne i furnizuam, ata japin.” (El Enfal, 2-3)

Gjithashtu Allahu i Madhëruar thotë: “Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, All-llahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’ju dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë ata më të prishurit.” (En-Nur, 55)

2. Sinqeriteti për ta ndihmuar fenë e Allahut: Allahu i Lartësuar thotë: “E, Allahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, se All-llahu është shumë i fuqishëm dhe gjithnjë triumfues. (Ai ndihmon) Ata të cilët kur Ne u mundësojmë vendosjen në tokë, e falin namazin, japin zekatin, urdhërojnë për të mirë dhe largojnë prej të keqes. Allahut i takon përfundimi i çështjeve.” (El Haxh, 40-41)

Dhe ka thënë i Gjithëmëshirshmi: “O besimtarë, nëse ju ndihmoni (fenë) Allahun, Ai ju ndihmon juve dhe u forcon këmbët tuaja.” (Muhamed, 7)

3. Mbështetja në Allahun: Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse Allahu dëshiron t’ju ndihmojë, s’ka kush që mund t’ju mposhtë, e nëse Ai ju lë pa ndihmë, atëherë kush është ai pas Tij, që do t’ju ndihmojë? Pra, vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët.” (Ali Imran 160)

Dhe ka thënë: “Thuaj: “Neve nuk na godet asgjë tjetër, përveç çka na është caktuar nga All-llahu; Ai është ndihmëtar yni”. Prandaj, vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët.” (Et-Teube 51)

Gjithashtu transmeton Buhariu nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu i ka siguruar atij që lufton në rrugën e Tij dhe del për të vetmin qëllim për të luftuar në rrugën e Tij dhe për t’u vërtetuar fjalët e Tij, se do ta shpërblejë me xhenet ose do ta kthejë atë në shtëpi nga e cila ka dalë (për të luftuar) me shpërblime dhe me plaçkë lufte.” Buhariu nr. 3123.

4. Qëndrueshmëri kur të takohet me armikun: Allahu i Lartësuar ka thënë: “O ju që besuat, kur të konfrontoheni me ndonjë grup, përqendrohuni dhe përmendni çdo herë Allahun, që ta arrini fitoren e dëshiruar.” (El Enfal, 45)

Po ashtu, transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Abdullah ibn ebi Evfa, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “O ju njerëz, mos iu gëzoni përleshjes me armikun!Dhe luteni Allahun për shëndet, por kur të përlesheni me armikun, bëhuni të qëndrueshëm dhe (çdo njëri prej jush) le ta ketë të qartë se xheneti është nën hijen e shpatave!” Buhariu nr. 2966 dhe Muslimi nr. 1742.

5. Trimëria dhe përballja me armikun duke qenë i bindur se vdekjes nuk i shmanget duke ikur nga lufta: Allahu i Lartësuar na tregon për mynafikët me fjalët: “Thoshin: “Sikur ne të kishim diçka në dorë në këtë çështje, ne nuk do të mbyteshim këtu”! Thuaj: “Edhe sikur të ishit në shtëpitë tuaja, atyre që është caktuar mbytja (vdekja), do të dilnin në vendin e flijimit të tyre!” (Ali Imran, 154)

Munafikët menduan se po të rinin në shtëpitë e tyre, do t’i shmangeshin vdekjes së shokëve të tyre, mirëpo Allahu i Lartësuar u tregoi atyre se edhe po të ishin në shtëpitë e tyre do të kishin dalë për të vdekur aty ku ua ka caktuar Allahu i Madhëruar.

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ishte trimi më i madh në mesin e besimtarëve kur takohej me armikun. Transmeton Muslimi nga Bera ibn Azibi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Pasha Allahun kur u ashpërsonte lufta kërkonim ndihmë nga ai dhe më trimi prej nesh ishte ai i cili ishte bashkë me Pejgamberin salallahu alejhi ue selem (në luftë).” Buhariu 1776.

Përktheu dhe përshtati: Eroll Nesimi/klubikulturor/kohaislame