9.2 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Sa janë të vërteta zbritjet sezonale në Kosovë?

Më të lexuarat

Në ofertat e shumta, sa ka ulje reale të çmimeve të shpërfaqura si të zbritura? Sa janë të vërteta dhe të besueshme këto zbritje sezonale në dyqanet kosovare në fund të sezoneve (verore, vjeshtore e dimërore), si dhe në fund të çdo viti, kur reklamohen vrullshëm dhe me pompozitet uljet zingjirore të çmimeve të mallrave të ndryshme, sidomos të konfeksionit?

Prishtinë, janar 2022 – Në jetën e përditshme, qytetarët ndeshen nëpër rrjete sociale, mirëpo edhe në dyqane, me reklamime të ndryshme të produkteve të cilat bëhen me qëllim të promovimit.

Ky lloj promovimi bëhet zakonisht në fund të sezoneve (verore, vjeshtore e dimërore), por është bërë tashmë trend edhe te ne që në fund të çdo viti, të reklamohen vrullshëm dhe me pompozitet uljet zingjirore të çmimeve të mallrave të ndryshme, sidomos të konfeksionit.

Po kështu, në rastet edhe kur arrijnë koleksionet e reja, tregtarët shpallin uljen e çmimeve për koleksionet e vjetra.

Gjithmonë, thuaja pa dallim, shifrat e uljeve dhe përqindjet, tregtarët i potencojnë shumë dhe në përmasa të rritura të numrave e përqindjeve për uljen e çmimeve, duke i vendosur në vende  të pashme dhe mbizotëruese në vitrinat e dyqaneve të tyre. Dhe kjo, formë e shpërfaqjes së ofertave me çmime të ulura s’ka si të mos u bie në sy klientelës dhe qytetarëve që qarkullojnë aty-pari.

Por, në gjithë këtë ofertë, sa ka ulje reale të çmimeve të shpërfaqura si të zbritura, sa janë të vërteta dhe të besueshme këto zbritje sezonale në dyqanet kosovare?

Menaxherja e një butiku në Prishtinë, në kushte anonimiteti për Buletinin Ekonomik tha se gjithmonë zbritjet që bëhen, janë reale.

Sipas saj, zbritjet në butikun e tyre vlejnë për të gjitha produktet e koleksionit të vjetër, ndërsa zbritja nuk vlenë për ato të koleksionit të ri. Ajo tutje tha se arsyeja se pse bëhen këto zbritje sezonale është për shkak të likuidimit të mallit dhe ndërrimit të stinës.

“Shitje gjatë zbritjeve sezonale ka jashtëzakonisht shumë, pasiqë të gjithë konsumatorët interesohen që të marrin një produkt më të lirë”, ka thënë ajo.

Ajo gjithashtu tha, se ekziston edhe një lloj ekstra-zbritje për produktet e dëmtuara, dhe klienti ka interes që t’i marrë. Në këto raste, siç thotë ajo, për klientin përveç zbritjes që ka artikulli, bëhet edhe një ekstra-zbritje tek arka.

Tutje, ajo tregoi edhe për mallrat të cilat përkundër zbritjes nuk shiten. Sipas saj, malli që nuk shitet, zakonisht ose ruhet për vitin e ardhshëm, ose kthehet tek shitësi fillestar i atij malli.

Një problem i tillë është ngritur edhe nga ‘Mbrojtësit e Konsumatorëve’ para disa muajve, të cilët kanë thënë se shumica e zbritjeve nuk është se bëhen sipas ligjit.

Në një njoftim të tyre, të plasuar në rrjetet sociale, ata qartësojnë se neni 36 për ‘Shitjet me zbritje dhe sezonale’ parasheh edhe formën se si duhet të reklamohen çmimet e këtyre zbritjeve.

Sipas tyre, ky ligj specifikon se nëse çmimi i një produkti të shitur në zbritjen është zvogëluar disa herë, atëherë tregtari në mënyrë të qartë, të dukshme dhe të lexueshme duhet të shënojë të gjitha ndryshimet e çmimeve gjatë zbritjes së atij produkti.

Ndërkohë, ata tutje rekomandojnë se nëse vërehet se tregtarët po abuzojnë dhe mashtrojnë me zbritje kinse-sezonale, qytetarët duhet të raportojnë rastet tek Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit online nëpërmjet linkut : https://konsumatori.rks-gov.net/complaintPost.php.

Duhet theksuar se nuk janë të pakta rastet kur tregtarët abuzojnë me kinse uljen e çmimeve të produkteve të tyre, duke ua vënë etiketave çmimet ireale, ose duke i reklamuar çmimet e mëparshme shumë më të larta se sa vërtetë kanë qenë ato deri në momentin e zbritjes.

Por, konsumatori i vëmendshëm i vëren këto abuzime dhe mbetet të vendosë vet se a do të përcaktohet për ta blerë produktin me çmim gjoja të ulur. Mirëpo, ka edhe raste kur klientët i drejtohen asociacioneve kompetente që përcjellin ecuritë e çmimeve tek tregtarët. /Buletini Ekonomik/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit