-2.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

5. Rudian Zekthi – Parimi i intensitetit

Më të lexuarat

 

1.

Mund të quhej edhe parimi i progresionit apo parimi i këmbimit të vazhdueshëm të perspektivës por duke e quajtur parimi i intensitetit vihet në dukje fakti që bartësi  i të vërtetës e zotëron që herët dobësinë epistemologjike të kundërshtarëve, gjë që i lejon të jetë për çdo rast një hap para tyre, pavarësisht se ata janë dukshëm më të fortë dhe më të pacënueshëm. Përndryshe pllakos e kundërta: ai që  paraqet të vërtetën përballë sistemit, nëse nuk ia del paprerë të ndryshojë të dhënat me të cilat sistemi i pajis armiqtë e tij, pra nëse nuk arrin statusin e të qenit i pavarur prej ritmit të tyre, kjo do të thotë ose se ajo që ai quan të vërtetë nuk është e tillë, ose që ai nuk e zotëron ashtu siç duhet këtë të vërtetë, me pak fjalë, thirrja për tek e vërteta e bërë pa intensitet, si rregull është e mangët dhe joproduktive.

Po për çfarë bëhet fjalë, çfarë përfaqëson parimi i intensitetit? Vetë fjala në origjinë tregon përshpejtim dhe përforcim, përqendrim dhe vijimësi dhe gjitha këto mbeten elemente të domethënies së saj,por kur flasim për parim të intensitetit, pra kur e shndërrojmë atë në një koncept metodologjik, kemi parasysh më shumë se kaq, para së gjithash dhe  siç edhe e përmendëm, kapacitetin e bartësit të të vërtetës që të shumëfishojë pandërprerë kontaktet e veta me të vërtetën në mënyrë që të jetë në gjendje të njohë  e për to të flasë -pamjet e ndryshme të së njëjtës së vërtetë.Kështu, teknika bazë përmes të cilit bëhet i mundshëm parimi i intensitetit është aftësia prirja për të ndërruar në mënyrë të vazhdueshme dhe të natyrshme (të pasforcuar), këndshikimin.

Dhe kjo duhet të ndodhë në kohë reale, pra në ndërveprim e sipër,në përballje e sipër, ballafaqimi i mesazheve duhet të jetë asimetrik, në kuptimin që ligjërimi nuk pjesëtohet në rubrika dhe as nuk ndjek  balancimin e replikave apo skrupulozitetin e shterimit të argumentit apo merakun e detajeve ( jo se injorohen, por përfshihen në hov e sipër),por avancon duke shpalosur premisat e veta e duke nxjerrë në pah volumin dhe bollëkun e tyre. 

Në këtë kuptim, parimi i intensitetit është parim i formës së ligjërimit për të vërtetën ( sepse ne kemi folur edhe për parime të tjera të metodës profetike dhe ndër to parimi i realitetit është  parim i përmbajtjes, parimi i improvizimit është parim i formës së marrrëdhënies me elitën dhe përmes saj me systemin, parimi i autoktonisë është parim i formës së marëdhënies me kulturën dhe historinë e shoqërisë). Pra është ky parim që e shenjon së jashtmi (si një karakteristikë me të parën e identifikueshme) dhe  e veçon ligjërimin profetik nga ligjërimet e tjera, si një ligjërim që  i shumëfishon gjithmonë e më shumë kontaktet me burimet e veta dhe i sublimon gjithmonë e më tepër kufijtë e vet, duke e nxjerrë huq nevojën e ligjërimit njerëzor për simetri dhe parashikueshmëri, e duke ushqyer nevojën e ligjërimit njerëzor për vërtetësi dhe finalitet.

2.

Mirëpo kjo asimetri që lind nga refuzimi për të ballafaquar analitikisht argumenta e kundërta duket se bën të humbasë thellësia e paraqitjes së të vërtetës, por duke e thënë këtë se në fakt kështu edhe është, duhet qartësia për të kuptuar se ajo thellësi që mungon nuk humbet (pra nuk është një çast dhe pastaj braktiset), por thjesht nuk mundet të jetë fare këtu –  kështu, sepse bëhet fjalë për thellësinë meditative e cila mundësohet jashtë ballafaqimit imediat, përmes studimit dhe reflektimit të një jete të qetë kushtuar kontemplacionit. Përkundrazi, e vetmja shenjë e thellësisë së të vërtetës në aksion e sipër është pikërisht intensiteti, pra distribuimi i vazhdueshëm i ligjërimit pa u mekur ritmi dhe pa u shterur frymëzimi dhe pa ngecur argumenti: intensiteti konstant i një ligjërimi që shtyn pandërprerë kufijtë e vet është provë fuqie sigurisht, por edhe provë thellësie padyshim.

Në këtë kuptim,një mangësi që del në pah nga këto karakterisitika të parimit të intensitetit, është konstatimi se paradoksalisht rezulton e pavolitshme dhe e pavend dija shkencore – ajo që në shkencat për njeriun dhe shoqërinë njihet si dija akademike: kjo dije e mbështetur tek studimi dhe kontemplacioni është dija e kompetencës së çertifikueshme dhe kufijve zhanrorë, e referencave standarde dhe protokollit të procedurave, të gjitha të pamundshme në kohën reale të ballafaqimit të të vërtetës.Që këto attribute të përmbushen dhe të japin rezultatin e njohjes së demonstrueshme teorikisht, duhet vazhdimisht  vend bosh dhe kohë bosh,dhe nëse kjo njohje mbërrihet, edhe sikur në rastin më të mirë të jetë kundër sistemit, në vend që të mbetet jashtë, përfshihet në sistem duke e imunizuar atë prej defekteve të veta (pra duke shërbyer si antidot). Dija e bartësit të të vërtetës që synon të ndryshojë sistemin, duhet sigurisht të jetë e thellë dhe e plotë, por kjo nuk çertifikohet nga ndonjë lloj autoriteti, por manifestohet me shpengimin  me të cilën përgënjeshtron tezat kundërvënëse, me lehtësinë me të cilën shumëfishon  mesazhet  dhe shpalos pakundërshtueshmërinë e tyre. Dija akademike është dije në funksion të sistemit dhe e vetmja mënyrë për ta përdorur dijen e fituar nga kontemplacioni si dije antisystem, është shndërrimi i saj në energji për të ndërruar paprerë perspektivën e paraqitjes së të njëjtës të vërtetë, duke synuar si qëllim fundor jo thellësinë e të vërtetës, por unitetin e saj. Vetëm kështu, duke u vënë në shërbim të intensitetit dija e thellë e burimeve,(dhe jo e kundërta – konfonduese, duke e synuar intensitetin si atribut të dijes akademike) mund të legjitimohet dija contemplative – akademike.

Por është edhe një çështje tjetër që nuk ka lejuar të dalë në dritë madhështia e parimit të intensitetit, në fakt një anomali në vetvete e qartë, por përmes intensitetit akut që bart, pikërisht prej tij edhe është legjitimuar edhe pse anomali. E kemi fjalën për personalizimin e përballjes, kur shërbestari ndaj të vërtetës i përfshirë nga intensiteti (replikimi automatik, rivaliteti pa arbitër, sforcimi i sedrës, distanca e shkurtuar)e shndërron ballafaqimin e të vërtetave në polemikë me kundërshtarin konkret që ka përballë. Pra nga shërbestar  i të vërtetës rrezikon ta kthejë të vërtetën në shërbëtore të sedrës së vet, mëkat që mund të mbulohet e të mos vihet re, pikërisht se intensiteti i rëndë  i rivalitetit përmes autoiluzionit paraqitet si sacrificë për të vërtetën. (Mjafton shembulli i gjithë jetës së Profetit Muhamed a.s. për ta shmangur këtë devijim: nuk ka asnjë rast që Muhamedi a.s., ballafaqimet e tij me pabesimtarët për të vërtetën e Zotit , t’i  personalizojë dhe t’i shndërrojë në burim rivaliteti dhe mërie).

Për më tepër, në këtë rast, nuk është problemi më i madh   ky autoiluzion individual, por iluzioni kolektiv se intensiteti si atribut metodologjik realizohet përmes markimit akut të replikave. Gjë që ka bërë që një pjesë e madhe e thirrësave, duke e konfonduar metodën profetike, nuk kanë arritur tek konceptimi i kulluar i intensitetit si product i kapacitetit për të ndryshuar vazhdimisht perspektivën, pra duke e paraqitur të njëjtën të vërtetë në secilën pamje tjetër që shfaqet ajo dhe me këtë duke e relaksuar antagonistin (nëse ai është i ndershëm dhe s’ka qëllim ta refuzojë të vërtetën me çdo kusht), apo përkundrazi duke e bllokuar dhe mpirë ( “hutuar” thotë Allahu në Kuran) atë, nëse i betuar siç është për ta refuzuar të vërtetën, ngec tek e vërteta e vet pa mundur të shumëfishojë pamje të saj në univers dhe në shoqëri. 

3.  

Se çfarë kemi dashur të themi më lart, bëhet e qartë nga një shembull i shquar i ligjërimit profetik, dëshmuar përmes Fjalës së Allahut në Kuran, në suren Bekare, ku flitet për ballafaqimin mes Ibrahimit a.s. dhe mbretit të popullit të tij Nemrudit: 

“ A nuk ke arritur të dish për atë që përse Allahu i kishte dhënë pushtet, ai (Nemrudi) polemizoi me Ibrahimin rreth Zotit të tij. Kur Ibrahimi tha:”Zot im është që jep jetë dhe vdekje!” . Ai tha: “ Edhe unë jap jetë dhe vdekje!”. Ibrahimi tha :” Zoti im e sjell diellin nga lindja, sille ti pra nga perëndimi!” Atëherë ai që nuk besoi mbeti i hutuar.Allahu nuk e shpie në rrugë të drejtë popullin mizor.” 2,258.

Të vihet re sesi Ibrahimi a.s. nuk u përfshi në simetrinë e sqarimit sesi ajo që Nemrudi e paraqiti si barazi me Zotin, pra të japësh jetë dhe vdekje, është krejt tjetër nga ky atribut i Zotit, pra i iku polemikës të shndërruar në fiksacion dhe kaloi në një nivel tjetër polemike, “Zoti im e sjell diellin nga lindja, sille ti pra nga perëndimi”, që do të thotë: – unë e shumëfishoj të vërtetën e Zotit tim, shumëfishoje dhe ti të vërtetën tënde,- pamundësia e të cilit për t’u përgjigjur shoqërohet me hutim. Këtu paraqitet parimi i intensitetit në trajtën e vet më të kulluar : jo vetëm që nuk ndjek shprehinë e ballafaqimit cep për cep të argumentave, por këmben menjëherë perspektivën dhe prapë vërehet e njëjta e vërtetë, përtërin të dhënat dhe sërish arrin në të njëjtin përfundim, nuk e atakon personalisht e gjithsesi sërish e bllokon atë.

Por ne e dimë që kjo ka qenë me themel edhe metoda e Muhamedit a.s. Një shembull i madh është një nga momentet kulmore të profecisë së tij në Mekë.Kur njëri prej krerëve të mushrikëve, Utbe bin Rrabia, në një moment tensioni të lartë kur paria mekase po diskutonin çfarë të bënin, autorizohet prej tyre të negociojë me Profetin a.s.pasi e takon Muhamedin a.s. i thotë se ata janë të gatshëm për çfarëdo që ai t’u kërkojë atyre në këmbim të heqjes dorë nga Profecia, nëse do të donte të bëhej mbret  i tyre do ta bënin, nëse donte pasuri do mblidhnin të gjithë nga pasuria e tyre, duke e bërë atë më të pasurin, nëse nuk e kishte veten në dorë se mos ishte i sëmurë do të sillnin mjekët më të mire për ta shëruar. Muhamedi a.s. nuk hyn në debat, nuk replicon, nuk revoltohet, nuk i merr me radhë t’i përgënjeshtrojë, por ndryshon menjëherë perpspektivën e bisedës duke cituar drjtpërdrejt Kuranin, ajetet e para të sures Fusilet:

 “Ha,Mimë. Zbritje prej Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Libër që ajetet e tij janë të shkoqitura,duke qenë Kuran arabisht për një popull që di ta kuptojë. Është përgëzues dhe qortues, por shumica e tyre ia kthyen shpinën,andaj ata nuk dëgjojnë”. Ata thanë: “Zemrat tona janë të mbyllura nga ajo që ti na thërret dhe në veshët tanë kemi shurdhim të rëndë,kështuqë midis nesh dhe teje ekziston një perde, prandaj ti vepro sipas tëndes e ne vazhdojmë tonën” 41, 1 – 5.

Ky ndryshim evident i perspektivës, nga impostimi imanent -tokësor i Utbe bin Rrabia, tek perspektiva transhendente e një Ligjërimi Hyjnor prej Krijuesit Mëshirues, Mëshirëbërës, të vihet re që e përgënjeshtron ofertën e Utbes, pa e personalizuar por duke folur për një kategori njerëzish zemërmbyllur, sepse përgjigja e Muhamedit a.s.  ndaj Utbes,përmes Kuranit, është se oferta jote është në fakt refuzim i mirëkuptimit, dhe këmbëngulje në rivalitet. Por përse kjo ofertë ishte e kundërta e asaj që dukej, pra jo ftesë për t’u marrë vesh, por sfidim për rivalitet, jo nga pozita e Muhamedit a.s. por nga vetë pozita e mushrikëve? Përgjigja për këtë është tashmë jo tek përmbajtja e asaj që citon Muhamedi a.s. por tek rruga a forma me të cilën kjo përmbajtje vjen, dhe që është Kurani, pra fakti që Kurani tashmë ekziston mes njerëzve e bënte të pabesueshme edhe nga pikëpamja e vetë mushrikëve propozimin e tyre: ja e pranoi Muhamedi a.s. ofertën e tyre, po Kurani ishte tashmë mes njerëzve dhe oferta e tyre o duhej të kërkonte drejtpërdrejt anulimin e Kuranit, ose ndryshe ishte ofertë e pakuptimtë dhe e parealizueshme.

Dhe që prej atëherë ky është një problem i pabesueshmërisë universale të jomuslimanëve ndaj muslimanëve: nuk mund të bëhet marrëveshje me muslimanët pa përfshirë apo duke e neglizhuar  faktin që Kurani është I Zbritur në Mënyrë Përfundimtare,  pra pavarësisht vullnetit të njerëzve, Përfundimisht i Pazhdukshëm.

Dhe së fundmi, përgjigja e Muhamedit a.s. ndaj Utbe bin Rrabia, është prove se parimi i intensitetit është mrekulli derivuar prej mrekullisë së Kuranit: një njohje virtuoze kuranit, u mundëson muslimanëve nën dhjetëra shembuj të Profetit a.s. ta kenë të thjeshtë e të vetvetishme (në fakt më të lehtë ta bëjnë se ta lenë) parimin e intensitetit: recitimi adekuat i Kuranit për çdo ballafaqim me jomuslimanët është prej vetiu (nga vetë ky fakt: se flitet nga Lart dhe jo nga poshtë) këmbim i perspektivës dhe përmbushje e parimit të intensitetit.

Rudian Zekthi

 

Seria e të gjitha parimeve:

1. Parimi i realitetit – Rudian Zekthi

2. Parimi i improvizimit – Rudian Zekthi

3. Parimi i autoktonisë – Rudian Zekthi

4. Parimi i Brishtësisë – Prof. Rudian Zekthi

Rudian Zekthi – Parimi i intensitetit

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit