5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Problemi ekonomik dhe trajtimi i tij nga këndvështrimi islam – (2)

Më të lexuarat

Në artikullin e mëparshëm kemi diskutuar një aspekt se si trajton Islami një pjesë të problemit ekonomik, që është rrallësia e burimeve. Ndërkaq, në këtë artikull do të trajtojmë aspekte të tjera të trajtimit të problemit ekonomik, një aspekt që lidhet me rolin e shtetit në trajtimin e rrallësisë përmes mënyrës së shfytëzimit të burimeve natyrore e zhvillimit të tyre, ose, thënë ndryshe, me rolin e shtetit islam në zvogëlimin e ndikimit të ligjit të rrallësisë ndaj problemit ekonomik.
Prej obligimeve të shtetit është që të hulumtojë për burime natyrore. Në artikullin e shkuar kemi përmendur hadithin e Muhamedit a.s.: “Kërkoni furnizimin në fshehtësitë e tokës”. Ky hadith është sugjerim profetik për myslimanët dhe udhëheqësin mysliman, duke marrë parasysh faktin që është përgjegjës për ymetin islam. Rregulla që ndjek legjislacioni islam, është adresimi i ymetit në formë urdhrash, ashtu siç ka ardhur në Kuran, duke iu drejtuar të gjithë pjesëtarëve të ymetit, po përgjegjësia e zbatimit i takon vetë udhëheqësit.
“O ju të zotët e mendjes, kjo masë e dënimit është jetë për ju, ashtu që të ruheni (nga mbytja e njëri-tjetrit)”. (el-Bekare: 179)
“(dispozitë obliguese është që) Laviren dhe lavirin t’i rrihni, secilin prej tyre me nga njëqind të rëna, dhe në zbatimin e dispozitave të Allahut mos u tregoni zemërbutë ndaj atyre të dyve…”. (en-Nur: 2)
Siç vërehet kjo edhe në hadithet profetike, mesazhi i drejtohet ymetit, po autoriteti zbatues janë udhëheqësit myslimanë. Adresimi profetik në këtë hadith kërkon që shteti të hulumtojë për burimet e furnizimit të fshehura në brendësinë e tokës.

Hadithi profetik e shpjegon mjekimin

Prej mënyrave të mjekimit të rrallësisë së burimeve, sipas asaj që tregon hadithi, janë çështjet vijuese:
1 – Domosdoshmëria e përpjekjeve të ymetit të përfaqësuara në udhëheqësin mysliman për të punuar në hulumtimin e burimeve natyrore dhe përdo rimin e fuqisë punëtore që të punojë dhe të përpiqet. Shprehja “kërkoni” tregon rëndësinë e gjetjes së burimeve natyrore të reja, apo zbulimin e fushave të reja në shfrytëzimin e burimeve natyrore të disponueshme, që kërkon të gjitha përpjekjet fizike a mendore. Prandaj, problemi i rrallësisë nuk do të zgjidhet pa bërë përpjekje dhe pa punë. Allahu xh.sh. ka garantuar furnizimin e të gjitha krijesave të Tij. Dhe këtë të vëretë e konfirmon ajeti vijues:
“Nuk ka asnjë gjallesë në tokë së cilës Allahu të mos i ketë garantuar furnizimin…”. (Hud: 6)
Por për arritjen e këtij furnizimi, kërkohet të bëhen përpjekje, dhe nuk kërkohet sasi e madhe e disponueshme, veçse zbulimi i fushave të ndryshme të përdorimit të burimeve të disponueshme do të çojë në plotësimin e nevojave të njeriut.
2 – Koncepti i furnizimit, ashtu siç është përmendur në hadithin profetik, nuk kufizohet në një gjë pa tjetrën, por përfshin çdo gjë që realizon plotësimin e nevojave nëse çështja lidhet me prodhimin bujqësor ose mineral apo me ndonjë tjetër. Prandaj, është e domosdoshme që ymeti islam, i përfaqësuar në udhëheqësin e tij, të hulumtojë burimet e furnizimit, meqë këto burime janë të fshehura në brendësi të tokës. Nëse pakësohen a zvo gëlohen burimet e disponueshme në tokë, nuk do të thotë që furnizimi është ndërprerë. Zbulimet shkencore bashkëkohore janë argumenti më i madh që Allahu xh.sh. çdo ditë i hap njerëzimit burime të reja të furnizimit, qoftë kjo nëpërmjet gjetjes së burimeve të reja ose të zbulimit të sasive shtesë, apo zbulimit të fushave të reja për përdorimin e burimeve të disponueshme, të cilat ndihmojnë në plotësimin e kërkesave të njeriut.
3 – Hadithi i kushton vëmendje një të vërtete të rëndësishme që e kanë neglizhuar myslimanët dhe nuk i kanë kushtuar rëndësi, e kjo e vërtetë është që toka është e mbushur me të mira dhe problemi qëndron tek vetë njeriu. Toka posedon në brendi të saj shumë të mira, dhe njeriut nuk i duhet asgjë vetëm të përdorë mendjen e tij e të bëjë përpjekje në kërkimin e burimeve të furnizimit në brendësi të tokës. Dhe nuk do të ketë mungesë në burime për plotësimin e nevojave të njeriut vetëm nëse njeriu përton për hulumtimin e tyre apo devijon mendja e sjellja e tij në shfrytëzimin e të mirave që Allahu xh.sh. i ka dhënë, duke e përdorur në fusha të dëmshme për t’iu kthyer dëmi vetë atij. Praktikat bashkëkohore të shteteve janë argumenti më i madh që mungesa nuk qëndron në burime në shkallën sa qëndron në llojin e shfrytëzimit e të për pjekjeve, që kthehet si dëm tek vetë njeriu.

Domosdoshmëria e shfrytëzimit të burimeve të disponueshme

Prej shkaqeve të ekzistencës së rrallësisë së burimeve, janë mangësitë në shfrytëzimin e burimeve të disponueshme. Prandaj prej detyrave themelore për të cilat duhet të përkujdesen udhëheqësit myslimanë, është shfrytëzimi i burimeve të disponueshme dhe mosshkatërrimi i atyre me të cilat mund të plotësohen nevojat e shoqërisë. Veprimi i Muhamedit a.s. me çifutët e Hajberit, është argument i qartë për domosdoshmërinë e shfrytëzimit të burimeve të disponueshme. Është transmetuar se Muhamedi a.s. u kishte dhënë Hajberin çifutëve, që ta punonin e ta mbillnin dhe të kishin një pjesë nga ajo. E në një transmetim tjetër transmetohet që Bilal ibn Harith el-Muzni kishte ardhur tek Muhamedi a.s., për të kërkuar një pjesë tokë dhe Muhamedi a.s. i kishte ndarë një pjesë të madhe toke. Kur u bë halife Omeri r.a., i tha: O Bilal, ti ke kërkuar nga Muhamedi a.s. një copë tokë të gjerë e të gjatë, e Muhamedi a.s. ta paska dhënë, sepse Ai a.s. nuk ka refuzuar tërë atë që është kërkuar prej tij. Por tani nuk mund ta mbash tërë atë që ke. Bilali ia ktheu: Po. Atëherë Omeri r.a. i tha: Shiko, atë që mund ta punosh, mbaje, kurse atë që nuk mund ta punosh, na e kthe që t’ua ndajmë myslimanëve. Bilali ia ktheu: Për Zotin, nuk do të kthej asgjë nga ajo që ma ka ndarë i Dërguari i Allahut a.s.. Por Omeri r.a. ia ktheu: Për Zotin, do ta bësh … dhe ia mori atë që nuk mund ta punonte e ua ndau myslimanëve.
Nga këto dy hadithe kuptojmë interesimin e përkujdesjen e Islamit për zgjidhjen e rrallësisë së burimeve përmes punës për shfrytëzimin e burimeve të disponueshme dhe punës për përfitimin maksimal nga burimet e disponueshme dhe mosshkatërrimin e tyre. Muhamedi a.s. ka synuar trajtimin e mungesës në fuqitë punëtore të afta për mbjellje e bujqësi, duke u ndihmuar nga çifutët në mënyrë që myslimanët të kishin një pjesë të asaj që jep toka. Ndërsa Omeri r.a., duke qenë halife i myslimanëve, ktheu atë pjesë të tokës që ia kishte ndarë Muhamedi a.s. dhe Bilali r.a. nuk mund ta punonte. Tërë kjo konfirmon të vërtetën që trajtimi i rrallësisë në një aspekt të tij, është puna për shfrytëzimin e burimeve të disponueshme dhe ndërhyrja e shtetit sipas autoritetit që ka, për ta realizuar këtë. Prandaj kemi një realitet të keq të shoqërive islame, për shkak të pamundësisë për të shfrytëzuar burimet e saj dhe mosshfrytëzimit të tyre, qoftë kjo përmes sistemeve e legjislacioneve financiare e administrative që pengojnë nismat personale, ose përmes përvetësimit të sistemeve në planifikimin ekonomik e shoqëror, të cilat ndihmojnë në mosshfrytëzimin e burimeve dhe vendosjen e tyre në gjendje të paaftësisë së përhershme.

Ndërhyrja e udhëheqësit për interesin publik

Prej detyrave të shtetit, në rast mosshfrytëzimi të një prej burimeve natyrore për shkak të mungesës së fuqisë së personit për ta realizuar, dhe për shkak të mungesës në fuqinë e tij materiale është që të ndërhyjë në menaxhimin e tij. Në veprimin e Omerit r.a., që ktheu atë që i ishte ndarë nga Muhamedi a.s. dhe ua rindau myslimanëve, paraqet zbatimin e rregulles për të mos e lënë tokën të pashfrytëzuar. Prandaj është përgjegjësi e shtetit për të vendosur sisteme procedurale, të cilat do të ndihmojnë shfrytëzimin e burimeve natyrore të disponueshme dhe burimeve të tjera të pashfrytëzuara për shkak të ndonjë faktori të prodhimit. Në raste kur nuk punojnë fabrika prodhuese për shkak të pamundësisë së pronarëve të tyre për të shpenzuar për to, i takon udhëheqësit të myslimanëve që të ndërhyjë e të mos lejojë të ndodhë mosshfrytëzimi i këtyre burimeve. Është transmetuar nga Muhamedi a.s. të ketë thënë: “Kush gjen ndonjë kafshë të cilën pronarët e saj nuk mund ta ushqejnë dhe e lënë të lirë, e merr dhe e ushqen, atëherë ajo është e tij”. Ky hadith është porosi për udhëheqësin e myslimanëve që të ndërhyjë në rast pamundësie të pronarëve për të shfrytëzuar një prej faktorëve të prodhimit, pikërisht për ta shfrytëzuar. Është e drejtë e udhëheqësit të myslimanëve që të vendosë rregulla procedurale, të cilat të ndihmojnë ndërhyrjen e shtetit në rast nxjerrjeje të fabrikave apo fermave të mëdha nga prodhimi për shkak të pamundësisë së pronarëve për t’i shfrytëzuar. Tërë kjo duke marrë parasysh interesin publik të ekonomisë së shtetit e të drejtat e pronarëve, me kusht që të mos ndikojë negativisht në kontributin për rritjet e prodhimit kombëtar.

Mënyrat e zhvillimit të burimeve

Prej shkaqeve të rrallësisë lidhur me burimet natyrore, është edhe mënyra e keqe në shfrytëzimin e burimeve të disponueshme, sepse kjo shkakton dobësimin e pamundësinë e burimeve për të prodhuar dhe për të plotësuar nevojat. Prandaj, mënyrat e format e shfrytëzimit të burimeve natyrore, luajnë rol të rëndësishëm në humbjen e pakësimin e fuqisë prodhuese të burimit natyror. Islami është kujdesur për këtë aspekt dhe shumë hadithe profetike kanë ardhur për të na tërhequr vëmendjen për këtë. Dhe udhëheqësit e shoqërisë islame duhet t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë këtij aspekti. Është transmetuar se Muhamedi a.s. ka thënë: “O ju kurejshitë, ju i doni bagëtitë, por pakësoni ato sepse jeni në një vend ku bie pak shi. Mbillni pasi mbjellja është më e bekuar se kafkat”. Në një hadith tjetër transmetohet që Muhamedi a.s. ka ndaluar monopolin, përvetësimin, detyrimin dhe therjen e kafshëve femra”.
Nga këto hadithe mund të kuptojmë politikën për të cilën Islami i porosit pasuesit e tij, që lidhet me mënyrat e ruajtjes së burimeve natyrore dhe që është përpjekja për të ruajtur gjelbërimin, të mos priten a shkulen drunjtë, të trajtojmë burimet e disponueshme sipas natyrës së mjedisit dhe burimet t’i shfrytëzojmë sipas kushteve të mjedisit. Këtë e vërejmë nga fjalët e Muhamedit a.s. kur u drejtohet muhaxhirëve kurejshitë, që të ndryshonin mënyrën e investimit nga kultivimi i bagëtive tek kujdesi për mbjellje, sepse natyra e mjedisit nuk lejonte për këtë lloj shfrytëzimi, ndryshe nga ambienti në Mekë që mbështetet në kultivimin e bagëtive e jo në bujqësi. Bujqësia në zonën medinase është më e dobishme e më fitimprurëse. Prandaj, duhen bërë zëvendësimet e zgjedhjet kur të punojmë me burimet natyrore e të mos konsumojmë burimet prodhuese e të ruajmë ato me qëllim të shtimit të tyre, ashtu siç na porosit hadithi që na ndalon t’i therim delet, sepse, me therjen e tyre, ndeshemi me konsumim të një prej burimeve të disponueshme për plotësimin e nevojave të njerëzve. E tërë kjo vlen për çdo burim nga burimet e disponueshme të njeriut. Prandaj, obligohemi të kujdesemi për zhvillimin e burimeve natyrore dhe shtimin e tyre përmes shfrytëzimit të mirë.
Ajo për se na porosisin të gjitha hadithet e lartëpërmendura, është tregues i fortë për kujdesin e Islamit që të trajtojë aspektin që rezulton nga pamundësia e plotësimit të nevojave personale përmes trajtimit të shkaqeve të rrallësisë, lidhur me burimet natyrore.

Muhamed Abdullah el-Shebani
Përktheu nga arabishtja: Fuad Morina
Marrë nga revista el-Bejan, nr. 78

Dituria Islame / 214

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit