9.2 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Popujt model

Më të lexuarat

Nga: Hoxha: Sabaudin Jashari

Popujt model

“ Do të mbetet një grup prej umetit tim të kapur pas të vërtetës dhe në përkrahje të saj deri në Ditën e Kiametit. Vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre nuk e thyejnë tradhtia dhe braktisja e njerëzve.” Sahabet e pyetën Profetin (a.s):”Ku janë ata o Profet i Allahut?” Profeti (a.s) tha: “Në bejtul-makdis (Kudsi) dhe periferitë e saj” Hadith
Materialisht, thuajse revolucioni sirian ndaj despotizmit besharian, paraqitet i vetmuar dhe i braktisur. E tillë duket se paraqitet në rangun e  brendshëm, në atë rajonal dhe ndërkombëtar.
Brenda Sirisë kemi një popull që po lufton për lirinë e tij, i vetmuar dhe i braktisur, ndaj një sistemi totalitar despotik që përdor arsenalin më shfarosës për shuarjen e zërave të ngjirur për liri që nga marsi i 2011.
Në rang rajonal, revolucionit sirian i ka rënë për pjesë të zhvillohet në rripin shiit: Iran, Irak, regjimit siria-alevian, Libanit të Hasen Nasrit dhe të një Turqie që s’ka të bëjë me rripin e lartpërmendur por që shtrin këmbët aq sa ka jorganin. Për sa u përket shteteve arabe, me sa duket një pjesë e tyre janë të preokupuara me tranzicionin e pasrevolucionit dhe pjesa tjetër është e preokupuar me shtrëngimin fort të grykës së fytit për të mos lënë të dalë fryma e fundit e sistemeve të superplakura.
 Në rang ndërkombëtar Kina dhe Rusia përdorin vazhdimisht veton e tyre, ndaj çdo lloj propozimi që vjen nga brenda dhe jashtë kuadrit të OKB-së që ka të bëjë me dorëheqjen e Beshar Esedit dhe qeverisë së tij.
Pragmatizmi evropian, anglez dhe amerikan është më se i kollaj konstatueshëm. Në muajt e para të revolucionit sirian deklaratat perëndimore varionin në si më poshtë: Beshar Esedi duhet të përgatitet për t’u dorëhequr, Beshar Esedi duhet të largohet, Sistemi i Beshar Esedit e ka humbur legjitimitetin … etj si këto.
Ndërsa aktualisht të duket sikur perëndimi në njërin krah dhe Rusia me Kinën në krahun tjetër luajnë top me pasa. Për qëndrimin pragmatik të perëndimit ndaj çështjes siriane realisht s’kemi fare të drejtë të çuditemi sepse qëndrimi 64 vjeçar ndaj çështjes palestineze është më se i mjaftueshëm për ta shuar këtë çudi.
Mirëpo s’ka pik dyshimi se revolucionet arabe në përgjithësi dhe ky sirian në veçanti e ka vënë perëndimin në sprovë të madhe me vlerat e veta demokratike. Natyrshëm është vënë mes dy sprovave të mëdha, atë të dëshirës së popujve arab për liri dhe demokraci për hir të së cilës japin dhe jetën dhe një sprove tjetër akoma dhe më të vështirë të cilës i hapet rruga menjëherë pas rrënimit të kalbësirës beshariane, atë të fillimit të epokës së krijimit të balancave apo ekuilibrave të rinj në lindje të mesme në veçanti, në afat të shkurtër, dhe në rang global, në afat të gjatë.
Edhe pse gjatë dekadave të sundimit të despotëve arab, dy gishtat nuk kanë qenë totalisht të fshehura, ka qenë më se i kollajtë justifikimi i mospromovimit dhe mosmbështetjes së demokracisë në këto vende me pretekstin e mungesës së dëshirës së këtyre popujve për të jetuar në liri e demokraci, e cila, kjo dëshirë, mbahej e shtypur dhe e persekutuar nga sistemet beshariano-kadhafiane-mubarekiane.
Ndërsa tani dëshira për liri dhe demokraci jo vetëm që është kthyer në vullnet por ka dalë sheshit dhe s’e mbulon dot gjë.
Mendoj se kjo situatë ka krijuar një siklet tjetër të madh tek faktorët e mëdhenj ndërkombëtar, veç atij të shkaktuar nga tendenca e krijimit të balancave të reja dhe cenimit të interesave. E kam fjalën për sikletin që shkakton historiku i vazhdueshëm i hundë futjes dhe faktorizimit në çështjet e këtij rajoni, dhe në këtë situatë kaq të madhe nuk mund të rrihet heshtur… . Por problemi është tek mënyra e pozicionimit… .
Pas disa kohë përpjekjesh dhe manovrash që kishin përdorur politeistët e Mekës ndaj ftesës së Profetit Muhamed (a.s) dhe me të cilat e kishin lënduar rëndë Muhamedin (a.s), një natë, Ebu Sufjani,fshehurazi politeistëve të tjerë, shkon tek muri i pasmë i shtëpisë së Profetit Muhamed (a.s) për të dëgjuar Kuranin e lexuar nga vet Profeti (a.s), pa dijeninë e Profetit (a.s). Por befasohet kur gjen aty shokun e tij politeist, Ebu Xhehlin i cili edhe ky kishte ardhur, tinëz të tjerëve, për të njëjtin qëllim me atë të Ebu Sufjanit. Kryepoliteisti Ebu Xhehl i thotë shokut të tij: unë e kam më se të qartë se Muhamedi është në të drejtë por nuk dua të thonë njerëzit se deri dje fiset tuaja me atë të Muhamedit ishin të barabartë në pozita dhe privilegje ndërsa sot ata kanë profet ndërsa ju nuk keni.
Umeje Ibnu Halefi u betua se kurrën e kurrës nuk do t’a pranonte Muhamedin (a.s) si profet përderisa ai fton për barazi mes tij dhe robit të tij Bilal Habeshiut.
Pra, pa u zgjatur me shumë shembuj, vështirësia e pranimit të fjalës “La Ilahe Ilallah Muhamedun Resulullah” për politeistët nuk qëndronte tek shqiptimi i saj dhe as tek vështirësia e perceptimit dhe kuptimit të saj, por tek fakti se e kuptuan shumë shpejt se kjo fjalë ngërthen në vetvete standarde të reja, vlera të reja, sjellje të reja, morale të reja, filozofi të re të këndvështrimit ndaj jetës dhe vdekjes, ndaj vetes, ndaj botës e ndaj Zotit,  stil të ri jetese dhe sistem të ri jete.
Me të gjitha këto, politeistët ishin dakord parimisht, por nuk i pranonin për shkak të efekteve reale që do të kishin në jetën e përditshme dhe në marrëdhëniet e tyre me njëri tjetrin dhe me mjedisin ku jetonin.
Poeti Kasim Shibli dhe Kaderi i Zotit
Para do kohësh një miku im më dërgoi në facebook një strofë të një poezie të shquar të poetit të njohur arab Kasim Shibli. Ajo që më bëri përshtypje ishte se vargun, i cili është kthyer tashmë në himnin e revolucioneve arabe, “ Nëse popujt do të duan një ditë … pa tjetër do iu përgjigjet kaderi (parapërcaktimi)” e kishte modifikuar në “ Nëse popujt do të duan një ditë … pa tjetër do të drejtohen njerëzit”.
Thashë me vete thua t’i ketë shpëtuar këtij poeti“gabimi akaidik (besimor)” që përmban ky varg?!
Më pas iu përgjigja vetes se patjetër poeti duhet të ketë pasur arsye të forta që e kanë shtyrë ta paraqesë vullnetin e popujve si premisë kushtëzuese të  kaderit. 
Kohëzgjatja e sfidave është mitër e shterpët e nënshtrimit dhe dorëzimit.
Gjendja e letargjisë e krijuar akumulativisht prej disa dekadave, e ngërthyer me sfida shumë të ashpra, të brendshme dhe të jashtme, në botën arabe ka përbërë rrezik të vazhdueshëm për të humbur vullnetin dhe iniciativën e ndryshimit të kësaj gjendje. Epoka e pas rënies së kalifatit osman u ngarkua akoma dhe më tepër negativisht me dështimet e vazhdueshme të përpjekjeve për implementimin e sistemeve dhe elementëve civilizues të papërputhshëm me natyrën e këtyre popujve. Transformimet e mëdha që ndodhën në këto vende, kalimi nga kalifati unifikues në monarki të vockla dhe të paorganizuara e më pas shumë prej tyre në revolucione ushtarake që përfunduan në despotizma masakrues të çdo përpjekje ndryshe si dhe përkeqësimi i vazhdueshëm e gjithëdimensional i gjendjes bëri që shumë njerëz, madje dhe intelektualë e të arsimuar të mendojnë se kështu është shkruar e s’kemi rrugë tjetër. Madje në shumë raste ftohej për të qenë pranues e të dorëzuar para këtij kaderi.
Pra, mendoj se për këtë lloj kaderi e ka pas fjalën Ahmed Sheukiu në vargun e tij, himn të revolucioneve aktuale arabe, për situatën negative e të rëndë të justifikuar përmes kaderit hyjnor.
 Shami i “rrezikshëm”
Në traditën profetike transmetohen me dhjetëra hadithe në lidhje me vlerat e Shamit. Dijetarët pohojnë se në përgjithësi kur përmendet Shami në thëniet profetike ka parasysh Sirinë. Madje në disa prej këtyre transmetimeve Profeti (a.s) e specifikon Damaskun kur është pyetur se ku ndodhen këta njerëz që qëndrojnë me të vërtetën në të gjitha situatat. Profeti (a.s) është përgjigjur se ata ndodhen te porta e Damaskur dhe rreth portës së Damaskut.
Profeti (a.s), sipas transmetimeve të sakta, i është lutur Allahut për begatimin e Shamit: “ O Allah i Madhërueshëm na e begato Shamin tonë dhe Jemenin tonë”
Por një nga transmetimet që të ndalon më tepër dhe të fton për meditim dhe arsyetim është ai në të cilin Profeti (a.s) pohon se: “Allahu më ka garantuar ruajtjen e Shamit dhe banorëve të tij”.
Pse pikërisht për Shamin  dhe Banorët e tij vjen kjo lloj garancie? Pse pikërisht Shamin Profeti (a.s) e posaçëron me dhjetëra hadithe, më shumë se çdo vend dhe rajon tjetër?
E gjithë toka është e Zotit të gjithësisë dhe mesazhi islam ka ardhur për të gjithë botën dhe Allahu i Madhërueshëm ka të drejtë dhe mundësi të shenjtërojë dhe lartësojë vlerën e çdolloj vendi që do, por njëkohësisht është dëshira e të Madhit Zot që disa vende të jenë më të rëndësishëm dhe më me ndikim se disa të tjerë.
Islami dhe Shami
Ndërkohë që Profeti (a.s) herë pas here pohonte në forma të ndryshme për vlerat e Shamit, Islami akoma nuk kishte hyrë në këtë rajon i cili ishte nën pushtimin bizantin.
Domethënë se Shami do kishte një rol vendimtar në misionin global të umetit. Ky kuptim bëri që shikimet e myslimanëve të drejtohen drejt këtij rajoni që në etapat e hershme të Islamit.
Profeti (a.s), për të treguar praktikisht për vlerën dhe rëndësinë e madhe strategjike që kishte Shami për umetin islam, mobilizimin e fundit madhor ushtarak gjatë jetës së tij e bëri për në Sham, mobilizim i cili u quajt: “Beteja e Tebukut”
Kalifi Umer dhe Shami
Pohimet profetike, në lidhje me Shamin,e  bënë çështjen e Shamit pjesë thelbësore të strategjisë umetike të Umer Ibnu Hatabit.
Jermuku, beteja madhore me bizantët, qe finalizimi i suksesshëm ushtarak i kësaj pjese të strategjisë umetike të Umer Ibn Hatabit, ndërsa çlirimi i Kudsit qe kurorëzimi i suksesshëm politiko-fetar i kësaj strategjie Umerite në lidhje me Shamin.
Përhapja e Islamit dhe Shami
Kufijtë global gjeopolitik të Islamit në tokë u vizatuan pikërisht në Sham, kur kalifati Islam u stabilizua nën drejtimin e emevitëve të cilët kishin si qendër Damaskun. Që atje dhe qysh atëherë Islami sundoi në Kavkazi, Sind dhe Andaluzi. Këta kufij u bënë për të mëvonshmit standardet matëse të zgjerimit apo tkurrjes së ndikimit të Islamit në rang global.
Ejupitët dhe Krahët e Zogut
Drejtuesit dhe komandantët e dinastisë zenkite dhe ejupite të cilëve u kishte ra për pjesë të drejtojë umetin në përballjen me një nga sfidat më të mëdha historike, atë të kryqëzatave, e konsideronin Shamin dhe Egjiptin si dy krahët e një zogu.
Ata besonin se zgjidhja e problemit të kryqtarëve, pushtues të Kudsit prej pothuajse një shekull, ishte fryt i natyrshëm e mirëfunksionimit të dy krahëve të umetit Shamit dhe Egjiptit. Bashkimi i dy principatave të mëdha të Shamit, Halebi dhe Damasku në kohën e Nurudin Zenkit mësuesit të Salahudinit, hyrja në Egjipt nga Esedudini dhe nipi i tij Salahudini gjatë kohës së Nurudinit dhe shpëtimi i Egjiptit nga zullumi i fatimitëve, bashkimi i Shamit dhe Egjiptit nën çadrën politike të kalifatit abasit, si dhe ribashkimi i tyre nën drejtimin e mëpasëm të Salahudin Ejupit, të gjitha këto ishin hapat madhor dhe reformat thelbësore në rang umeti që çuan natyrshëm në zgjidhjen e problemit të kryqtarëve dhe të Kudsit, dhënien fund të padrejtësisë dhe gjakderdhjes shekullore të kryqtarëve dhe në kthimin e popujve dhe civilizimeve në shtratin e tyre të natyrshëm apo në rregullimin e balancave globale dhe kthimin e paqes globale.
Në krah të së vërtetës nuk je asnjëherë vetëm
Allahu i Madhëruar e ka krijuar gjithësinë mbi bazën e drejtësisë. Qielli dhe çka në të funksionojnë mbi bazën e raporteve të drejta mes komponentëve përbërës të tij. Toka gjithashtu ekziston në bazë e raporteve të drejta ndërmjet përbërësve të tij material. Ky raport i drejtë konsiston në respektimin e çdo komponenti kuadrin e rolit të vet që i është përcaktuar nga Allahu i gjithësisë. E kështu në harmoni të plotë vazhdojnë rrugën e tyre deri në ditën e kiametit.
Liria është thelbi i ndryshimit të krijesës humane… nga të gjitha krijesat e tjera në tokë dhe gjithësi. Që do të thotë se fusha kryesore në të cilën njeriu duhet ta konsumojë dhe ushtrojë lirinë e tij është ajo e krijimit apo ndërtimit, në mënyrë të vullnetshme, të raporteve të drejta ndërmjet vet individëve të këtij xhinsi në të gjitha gradat dhe nivelet e jetës së shoqërisë së tij.
Edhe jeta humane, ashtu si dhe jeta e botës tjetër materiale, vazhdon në faqe të dheut në bazë të ligjit të drejtësisë. Gjithashtu edhe niveli i lumturisë dhe mirëqenies së kësaj krijese varet nga niveli i zbatimit të këtij ligji në të gjitha nivelet e jetës.
Efekti pozitiv, në aspektin e forcës dhe qëndrueshmërisë, i këtij ligji tek përkrahësit e tij nuk varet nga sasia e përkrahësve të tij por nga gatishmëria dhe vendosmëria e tyre për të bashkëvepruar me të dhe për tu ngritur në nivelin e tij. Allahu i Madhërueshëm i ka shoqëruar vlerat e natyrshme që ka obliguar me dy element: mishërimi me fitran (natyrshmërinë njerëzore) dhe vërtetimi në realitetin njerëzor.
Mendoj se garancia e Allahut që i është dhënë Profetit Muhamed (a.s) për Shamin dhe popullin e tij vjen në këtë kuadër. Pra në kuadrin e vërtetimit të parimit se  përkrahja e së vërtetës i jep forcë të pashtershme njeriut dhe gatishmëri për sakrificat më të mëdha.
Njëkohësisht kjo garanci plotëson një nevojë shumë thelbësore për njerëzit dhe popujt që dëshiron të qëndrojë me të vërtetën por u duket vetja të dobët. Plotëson nevojën për modelin konkret real të mbështetësit të vërtetës edhe në rastin e përballjes me sfidat më të mëdha të tokës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit