5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Pesë tendenca financiare që morën fund në vitin 2022

Më të lexuarat

Surprizat më të këqija të tregjeve financiare shpesh ndodhin kur diçka që merret si e mirëqenë, papritur vihet në pikëpyetje, qoftë rritja e çmimeve të tulipanëve, bankat funksionale, apo ekzistenca pa karantina.

Investitorët përjetuan një periudhë të vështirë në vitin 2022.

Por duke pasur parasysh se sa tendenca kanë ndryshuar gjatë vitit, në fakt është e habitshme që gjërat nuk shkuan edhe më keq, shkruan The Economist. Këto ishin ndryshimet më të rëndësishme:

Fundi i parave “të lira”

Historianët e ardhshëm financiarë, kur të studiojnë vitet 2010, do të mrekullohen që njerëzit mendonin me gjithë mend se normat e interesit do të qëndronin përgjithmonë afër zeros.

Edhe në vitin 2021, qendrat e respektuara të investimeve, botonin artikuj me titull: “Zero: Pse normat e interesit do të qëndrojnë të ulëta”. Kostot e huamarrjes kishin rënë për dekada; kombinimi i krizës financiare globale të viteve 2007-‘09 dhe pandemisë Covid-19, dukej se i kishte mbajtur në vend normat e interesit.

Në vitin 2022, inflacioni i lartë e ndryshoi gjendjen. Rezerva Federale e Amerikës nisi ciklin më të shpejtë të shtrëngimit monetar që nga vitet 1980, duke rritur diapazonin e objektivit për normën bazë të interesit me më shumë se katër pikë përqindje, në 4.25-4.5%. Bankat e tjera qendrore ndoqën të njëjtin shembull.

Tregjet parashikojnë që normat e interesit të ndalojnë rritjen në vitin 2023, dhe të arrijnë kulmin në nivelet 4.5% dhe 5% në Britani dhe Amerikë, dhe midis 3% dhe 3.5% në Eurozonë. Por gjasat që normat të ulen sërish, janë të pakta.

Për shembull, guvernatorët e Rezervës Federale, mendojnë se norma do të arrijë në nivelin 5% në fund të vitit 2023, përpara se të ulet në rreth 2.5% në terma afatgjatë. Epoka e parave të lira tashmë ka përfunduar.

Vdekja e tregut të vrullshëm

Një fjalë e urtë thotë se tregjet e vrullshme nuk vdesin nga pleqëria, por vriten nga bankat qendrore. Dhe kështu ndodhi në vitin 2022, edhe pse vrulli këtë herë ishte shumë më i gjatë.

Nga periudha pas krizës financiare në vitin 2009, deri në kulmin në fund të vitit 2021, indeksi S&P 500 i aksioneve kryesore amerikane, u rrit me 600%. Ndërprerjet e rritjes, si rënia e papritur në fillim të pandemisë, ishin drastike, por jetëshkurtra.
Rënia e vitit 2022 ka rezultuar e qëndrueshme. S&P 500 ra me një të katërtën, duke arritur pikën më të ulët këtë vit, në mes të tetorit. Indeksi i aksioneve globale të MSCI-së ka rënë me 20%.

Çmimet e aksioneve kanë rënë pjesërisht, për shkak se normat e interesit janë rritur, duke rritur kthimet e bonove dhe duke bërë që asetet më të rrezikshme të duken më pak tërheqëse.

I njëjti mekanizëm uli çmimet e bonove për të harmonizuar yield-et e tyre me normat mbizotëruese.

Indekset e përpiluara nga Bloomberg, një ofrues i të dhënave të bonove globale, amerikane, europiane dhe të tregjeve në zhvillim, kanë rënë përkatësisht me 16%, 12%, 18% dhe 15%. Pavarësisht nëse çmimet bien apo jo më tej, “tregu i vrullshëm” tashmë ka përfunduar.

Kapital që po avullon

Në vitet e tregut të vrullshëm, kapitali nuk ishte vetëm i lirë, por edhe i kudondodhur. Programet e lehtësimit sasior të bankave qendrore, të hartuara gjatë krizës financiare për të stabilizuar tregjet, u mbingarkuan gjatë pandemisë.

Së bashku, bankat qendrore të Amerikës, Britanisë, Eurozonës dhe Japonisë, nxorën më shumë se 11 trilion dollarë para të krijuara rishtazi, duke i përdorur ato për të grumbulluar asete “të sigurta”, si bonot e qeverisë, dhe për të ulur yield-et e tyre.

Kjo i shtyu investitorët që të kërkonin fitime në qoshet më spekulative të tregjeve. Si rezultat, këto asete lulëzuan.

Në dekadën deri në vitin 2007, firmat amerikane lëshuan borxhin më të rrezikshëm me yield të lartë në vit, me vlerë prej 100 miliardë dollarësh. Në vitet 2010, kjo shifër arrinte mesatarisht në 270 miliardë dollarë. Në vitin 2021, arriti në 486 miliardë dollarë.
Në 2022 u shënua rënie me tre të katërtat. Rezerva Federale dhe Banka e Anglisë i kanë kthyer përmbys programet e blerjes së bonove; Banka Qendrore Europiane po përgatitet të bëjë të njëjtën gjë. Likuiditeti po shteron, dhe jo vetëm nga rreziku i tregut të borxhit.

Ofertat fillestare publike (IPO) thyen të gjitha rekordet në vitin 2021, duke grumbulluar 655 miliardë dollarë globalisht. Tani IPO-t amerikane pritet të përjetojnë vitin më të dobët që nga 1990.

Vlera e bashkimeve dhe blerjeve të kompanive, ka rënë gjithashtu, megjithëse në mënyrë më pak dramatike. Bollëku i kapitalit është kthyer në mungesë kapitali.

Vlera e mposht rritjen

Periudha e tregut të vrullshëm ishte një kohë dëshpëruese për investitorët me “vlerë”, të cilët kërkojnë aksione që janë të lira në krahasim me fitimet ose asetet e tyre themelore. Normat e ulëta të interesit dhe ndërmarrja e rrezikut e nxitur nga lehtësimi sasior, e kanë nxjerrë jashtë mode këtë qasje.

Në vend të saj, u bënë popullore aksionet e “rritjes”, që premtojnë fitime të mëdha të ardhshme krahasuar me fitimet e tyre aktuale (shpesh jo-ekzistente).

Nga marsi 2009 deri në fund të vitit 2021, indeksi i MSCI-së i vlerave të rritjes globale, u rrit me një faktor prej 6.4, më shumë se dyfishi i rritjes së indeksit me një vlerë ekuivalente.

Në 2022, rritja e normave të interesit e përmbysi prirjen. Me norma 1%, për të pasur 100 dollarë në dhjetë vjet, duhet të depozitoni sot 91 dollarë në një llogari bankare.

Ndërsa me tarifa 5%, ju duhet vetëm të ruani mënjanë 61 dollarë. Fundi i parave “të lira” shkurton horizontet e investitorëve, duke bërë që ata të parapëlqejnë fitimet e menjëhershme ndaj atyre në një të ardhme të largët. Aksionet e rritjes kanë dalë jashtë mode. Vlera është kthyer në modë.

Kripto shpërthen (sërish)

Ata që mendojnë se kriptomonedha nuk vlen për asgjë, përveç lojërave të fatit dhe aktiviteteve të dyshimta, mund të japin si shembull të përsosur rënien e FTX-së.

Këmbimi i kriptomonedhave mbahej si pjesa më e respektuar e industrisë, e drejtuar nga Sam Bankman-Fried, një filantrop 30-vjeçar dhe donator politik.

Megjithatë, në nëntor, firma u rrëzua duke falimentuar dhe duke rezultuar në fonde të humbura klientësh me vlerë rreth 8 miliardë dollarë. Autoritetet amerikane tani e quajnë atë një “mashtrim masiv prej vitesh”.

Bankman-Fried është arrestuar dhe përballet me akuza penale. Nëse shpallet fajtor, ai mund ta kalojë gjithë jetën në burg.

Rënia e FTX-së shënoi shpërthimin e flluskës më të fundit të kriptomonedhës. Në kulmin e saj në vitin 2021, vlera e tregut të të gjitha kriptomonedhave, ishte pothuajse 3 trilionë dollarë, nga gati 800 miliardë dollarë në fillim të vitit.

Që atëherë, ajo ka rënë përsëri në rreth 800 miliardë dollarë. Ashtu si shumë të tjera, rrënjët e këtij problemi lidhen me epokën e parave “të lira”, të bollshme dhe mentalitetit që kjo epokë krijoi./Monitor/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit