8.7 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Pesë Kamera të Thyera

Më të lexuarat

Nga: Ann Hornaday

Pesë Kamera të Thyera

Pushtimi i parë nëpërmjet lentes
Në dokumentarin “5 Kamera të Thyera”, kinematografi Emad Burnat bën kronikën e një periudhe 5-vjeçare në vendin e tij të lindjes Bil’in, një fshat i vogël palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Ashtu siç shpjegon Burnat gjatë narratimit, djali i tij Xhibril u lind në 2005-n, kur Izraelitët filluan të ndërtonin një barrierë ndarëse në Bil’in për të mbrojtur kolonitë hebreje aty afër. Burnat kish blerë një kamera për të filmuar fëmijërinë e djalit të tij, por shumë shpejt ai filloi ta fokusojë objektivin e saj nga miqtë dhe kushërinjtë, të cilët patën filluar protesta jo të dhunshme ndaj murit dhe ndaj inkursioneve të kolonëve izraelitë në ullishtat e lashta të palestinezëve.
Gjatë gjithë filmimit, pesë kamera të Burnat shkatërrohen – nga plumba qorre, granata me gaz lotsjellës dhe, në një rast, një përplasje me vetë barrierën. Por çdo kamera filmon një kapitull më vete, jo vetëm të jetës së Burnat dhe të Xhibril – të cilin e shohim të rritet nga një foshnje e shëndetshme në një fëmijë të ëmbël e, më pas, në një të ri të zymtë – por gjithashtu të protestës, e cila u kthye në një fokus të aktivistëve ndërkombëtarë të paqes dhe në një model për komunitetet e tjera të Bregut Perëndimor.
Shikuesit ndoshta mbajnë mend “Budrus”, dokumentarin trazues të Xhulia Bachas, rreth përpjekjeve heroike të atij fshati për ta ndaluar barrierën nëpërmjet rezistencës Gandiste. Burnat tregon një histori të ngjashme tek “Pesë Kamera të Thyera”, por me material shumë më të errët dhe intim, duke përfshirë dhe vdekje në kamera nga duart e ushtarëve izraelitë, të cilët, të paktën nga perspektiva e Burnat dhe fqinjëve të tij, u bënë gjithmonë e më jo-proporcional dhe ndëshkues në përgjigjen e tyre ndaj demonstruesve. (Në një nga skenat më të dhimbshme të filmit, një grup pemësh ulliri u vihet zjarri; Burnat dhe miqtë e tij dyshojnë kolonët izraelitë për shpagim ndaj përpjekjeve të fshatarëve palestinezë për të rimarrë tokën e tyre.)
“5 Kamera të Thyera”, i bërë bashkë me regjizorin Guy Davidi, merr materialin bruto të jetës së një burri dhe e transformon në një histori që është universale dhe urgjente, duke ofruar dëshmi okulare të evenimenteve që shumë shpesh na paraqiten si të largëta dhe të vështira për tu kuptuar. (Filmi gjithashtu lë disa kontradikta provokative pa eksploruar: Ne nuk dëgjojmë, për shembull, opinionin e Burnat rreth doktorëve izraelitë që i shpëtuan jetën në një spital në Tel Aviv pas aksidentit të tij automobilistik me barrierën.) Filmi ese – një formë e preferuar nga personalitete të etur të ekranit si Majkëll Mur dhe Morgan Spurlok – këtu i shmanget rreziqeve të solipsizmit dhe manisë për tu dukur, dhe përkundrazi iluminon një pjesë përndryshe të patejdukshme të eksperiencës njerëzore me observime dhe emocione thellësisht personale, por gjerësisht rezonuese.
Për më tepër, në duart e afta të Burnat dhe Davidit, forma dhe përmbajtja bëhen pazgjidhshmërisht të ndërthurura. Vetë kamerat e thyera bëhen personazhe të padukshme; imazhet e tyre të prishura, të fragmentuara, e më pas boshe krijojnë një gramatikë vizuale elokuente të dhunës dhe humbjes ciklike. Tingëllon shkurajues, dhe “5 Kamera të Thyera” shpesh është i tillë, por ngulmimi i Burnat se filmimi është një formë shërimi dhe mbijetese është po aq bindës. Ai tashmë është në kamerën e tij të gjashtë, ai informon shikuesit në fund të tregimit pikëllues. Dhe ajo akoma punon.
 
Shënim: “5 Kamera të Thyera” ishte kandidat për çmimin Oskar në kategorinë e Dokumentarit më të Mirë këtë vit, çmim i cili eventualisht u fitua nga dokumentari tjetër “Duke Kërkuar Sugar Man”.
Marrë nga Ëashington Post
Trailer
Përktheu Armir TARAJ

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit