20.3 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Përtej situatave nëpër të cilat kalon ymmeti i dijes…

Më të lexuarat

Ymmeti islam është ymmet i dijes, i dijetarëve, i ruajtjes së trashëgimisë shekullore dhe mesazheve të saj. Në origjinë, ymmeti islam është ymmeti i leximit, fjala e parë që i zbriti Lajmëtarit tonë ishte: “Lexo, me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi çdo gjë!”, edhe pse sot ymmeti islam është thuajse analfabet!?

Pavarësisht situatave paradoksale që kalon ymmeti; përçarjes së mbjellur në thellësi të trungut, divergjencave shpesh të pakuptimta e krejtësisht pa asnjë lidhje me thelbin e vetë traditave shekullore të larmisë në mendim e interpretim, kolonizimit intelektual, shpirtëror, kulturor, deri në afërsi të boshtit besimor, pozitat poshtëruese në sferat globale; në shumë rrafshe, duke nisur me arsimin, edukimin e përgjithshëm, ekonominë, organizimet politike elitare, (ku akoma ka organizime me matricë islame, që thërrasin distancimin e muslimanëve nga organizimet politike, me justifikime që u ka perënduar koha dhe që nuk përputhen as me filozofinë e organizimeve shoqërore të modeleve kur’anore, as me ato që vijnë nga praktika e Lajmëtarit (a.s) dhe shekujve pasues të kohës së tij, ndonëse politika në një prej përkufizimeve të saj mbetet arti i mashtrimit!?), median, sportin, kulturën e përgjithshme, artet etj.

Pavarësisht tërë këtyre dhe përtej, ymmeti islam mbetet ymmet i dijes, i dijetarëve, i rrugëtuesve drejt ruajtjes ndezur të pishtarëve të trashëgimisë themelore…

Gjatë këtyre ditëve në Medinen e Ndriçuar, më ka tërhequr vëmendjen prezenca e shumë mexhliseve diturore në cepat e shumtë të xhamisë. Pas çdo vakti namazi do të dëgjosh zërin e dikujt që flet e shpjegon, sikurse do të vështrosh grupe-grupe kërkuesish të diturive, sa djathtas-majtas, me libra e blloqe shënimesh para duarve, në gjunj para edukatorëve dhe përhapësve të dijes…

Më tërhoqi vëmendjen sot, pas namazit të akshamit, një turmë e madhe studentësh, me libra të hapur para duarve. Ishin më shumë se në asnjë nga mexhliset e mëparshme a ditët që shkuan. Ndërkohë, afër kursisë së dersit, ca persona po shoqëronin në karrocën e tij lëvizëse në burrë të plakur, me mjekër e syze të zeza.

Me t’u sistemuar në vendin e ligjëruesit, ulur në mjetin e tij lëvizës, plaku i moshuar dha shenjë për fillimin e dersit. Pyeta dikë se kush ishte zotëria i tij. “Shejkh Abdulmuhsin Abadi”, – ma ktheu personi i parë që pyeta. (Më pas mësova se plaku me syze të zeza kishte 96 vjet mbi supe, sikurse mbante pesë mexhlise në javë në këtë xhami, si dhe pesë leksione në universitet)…

U ula të dëgjoj mexhlisin e tij, në shpjegim të haditheve të Imam Bukhariut. Me sa kam dëgjuar në mënyrë sporadike nga disa inçizime audio, e folmja e tij ngjante me atë të Shejkh Nasirudin Shqiptarit (El-Albani). Këtë përshtypje më la vija melodike e zërit të tij. Noshta e kam gabim, po ç’rëndësi ka.

Ndoshta ,në një shënim tjetër, mund të përmend disa detaje që më mbetën në memorie nga ky takim i parë me këtë mexhlis befasuesdhe Hoxha i tij, që edhe pse nuk e njoh, disa nga studentët tanë këtu, më thanë se, sot, zotëria e tij është Hoxha i hadithit në Medine dhe përtej saj.
U ndava nga mexhlisi i madh i hadithit dhe, si për t’u plotësuar sharmi i kësaj nate, aty bri Varrit dhe Raudas, një bisedë e gjatë plot detaje nga trashëgimia e dijetarëve shkodranë, me njërin prej studentëve tanë të dalluar në Medine, e zbukuroi edhe më shumë këtë natë…

Sonte me ne, aty bri vendit më të qetë e më rrezatues, kaluan detaje të spikatura nga trashëgimia e ruajtur e dijetarëve dhe hoxhallarëve tanë, si: H. Jusuf Këlmendi, H. Ymer Bakalli, Shej Qazim Hoxha, H. Esat Myftija, H. Muhamed Bekteshi, Sheh Ahmed Shkodra, por edhe të tjerë hoxhallarë, që me botën e tyre, divergjencat, mospërputhjen e mendimeve dhe përplasjet, (shpesh të fshehura para lexuesit), krijuan detajet përbërëse të kohës dhe veprimtarisë së tyre, që duhen kexuar brenda konteksteve të kohës së tyre dhe rrthanave të saj…

Ezani i jacisë lajmëroi se, koha kishte ardhur për një pushim të merituar, pas një periudhe kohore, mbushur me dije e dijetarë, detaje elitash dhe prekje shekujsh, që mbajnë të lidhur me hallkat e zhinxhirëve të padukshëm të dijes, të sotmen me të shkuarën shekullore, që shpie para duarve të Resulull-llahut (a.s), Mësuesit të madh, Edukatorit dhe Njeriut më të urtë, shpallja e të cilit nisi me dijen dhe u shtrua me sakrificën e dijetarëve… Kështu do të jetë përherë, sa të ketë jetë mbi këtë tokë, përtej situatave nëpër të cilat kalon ymmeti i dijes…

Imam Muhamed B. Sytari
Medina e Ndriçuar, më 9 mars 2017

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit