Të duash të bësh më të mirën është një qëllim i admirueshëm. Por, kur pritshmëritë e larta bëhen të pamundura dhe joreale, ju jeni në rrugën për t’u bërë një perfeksionist. Ndjekja e perfeksionizmit nuk është gjithmonë një gjë e keqe. Studimet kanë zbuluar se njerëzit që u përmbahen standardeve të larta janë detajistë dhe të angazhuar në punën e tyre, si dhe kanë motivimin për të pasur sukses. Por, ka një pikë kthese ku standardet e ngurta të perfeksionizmit fillojnë të bëjnë më shumë dëm sesa mirë.
“Perfeksionizmi është një formë e ankthit” – tha Shannon Garcia, psikoterapiste në State of Wellness Counseling në Illinois dhe Wisconsin. “Perfeksionizmi mund të jetë duke u kthyer në një pengesë që nuk ju lejon të përparoni në karrierën tuaj, në ato raste kur filloni të shmangni detyrat nga frika se nuk do të mund t’i bëni ato në mënyrë të përsosur, ose kur shpenzoni shumë kohë duke u përpjekur për të bërë diçka të përsosur.”
Ja disa nga shenjat që tregojnë se po shkoni drejt një mentaliteti toksik perfeksionist – dhe pasojat negative që kjo mund të ketë në shëndetin tuaj. Nëse edhe vetëm një nga këto pohime është i vërtetë për ju, atëherë mund të jetë koha për vetëreflektim.
Kur mendoni vetëm për ato punë që nuk i keni bërë ende, duke e bërë të pamundur që të reflektoni mbi gjërat që keni bërë.
Nëse nuk mund të reflektoni për atë që keni arritur, nuk do të jeni kurrë të kënaqur. Për një perfeksionist që vlerëson performancën e tij në punë: “Nga 0 në 99 është një notë e keqe. Vetëm nota 100 është e pranueshme,” shpjegoi Perpetua Neo, një psikologe dhe trajnere për drejtuesit e kompanive.
Perfeksionistët nuk pranojnë komplimente dhe janë të fiksuar pas gabimeve.
Nën një mentalitet perfeksionist, kur të arrini qëllimin tuaj, mendimi i radhës është vetëm: “Çfarë vjen më pas?” tha psikoterapistja nga Nju Xhersi, Angela Clack.
“Ata shikojnë konkurrentin e tyre për të parë se ҫfarë mund të bëjnë më mirë dhe vija e finishit thjesht vazhdon të shtyhet gjithnjë e më shumë, derisa kalohet në burnout”, tha Clack. “Ata kurrë nuk mund të shijojnë momentin e arritjeve të tyre.”
Burnout-i është një gjendje që vjen si rezultat i stresit kronik në vendin e punës dhe mund të shkatërrojë shëndetin tuaj në planin afatgjatë. Ai shoqërohet me një lodhje të tejzgjatur, dhimbje koke, pagjumësi, simptoma depresioni dhe rezultate të tjera të këqija shëndetësore.
Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që të merrni pak kohë për t’u ndjerë mirë për atë që keni bërë pasi përfundoni një detyrë të caktuar. Kjo vetëdije jo vetëm që ju ndihmon të reflektoni për karrierën tuaj, por gjithashtu mund të ndihmojë në shmangien e prirjeve jo të shëndetshme të perfeksionit.
Kur jeni tepër të shqetësuar për atë që do të ndodhë nëse ju ose kolegët tuaj nuk i arrini standardet tuaja të larta.
Në një meta-analizë të botuar në Journal of Applied Psychology, studiues nga Universiteti i Majami, Universiteti i Floridës dhe Georgia Tech analizuan 95 studime të mëparshme dhe zbuluan se ekzistojnë dy lloje të perfeksionistëve: perfeksionistët që kërkojnë përsosmëri, të cilët kanë standarde tepër të larta për veten dhe për të tjerët, dhe perfeksionistët që shmangin dështimet, të cilët “karakterizohen nga një shqetësim obsesiv dhe një neveri ndaj dështimit për të arritur standarde jashtëzakonisht të larta të performancës”, tha për HuffPost bashkautori i studimit dhe profesori i menaxhimit Laurens Steed.
Me fjalë të tjera, nëse keni probleme me mendimin se mund të mos e përfundoni një detyrë sipas standardeve tuaja, kjo është një shenjë që mund të jeni një perfeksionist që shmang dështimet. Dhe ky është një problem.
Studimi i Steed zbuloi se burnout-i, stresi dhe ankthi ishin më të lidhura me perfeksionizmin që shmang dështimin, ndërsa perfeksionizmi i kërkimit të përsosmërisë ishte më i lidhur me përfitime të tilla si motivimi dhe angazhimi.
Në përgjithësi, u zbulua se perfeksionizmi nuk përmirëson ecurinë në punë, pavarësisht llojit të perfeksionistit.
Kur vazhdoni të mos i kapni afatet sepse nuk mendoni se puna juaj është aq e mirë sa duhet.
Garcia tha se një shenjë tjetër që tregon se perfeksionizmi juaj po bën më shumë dëm sesa mirë, është kur ai nuk ju lejon të bëni asgjë.
“Afatet shtyhen pa mbarim, sepse ajo për të cilën po punoni nuk ju duket kurrë aq e mirë sa duhet, ose madje mund të keni edhe vështirësi që të filloni një punë nga frika se nuk do të jeni në gjendje ta bëni atë në mënyrë të përsosur,” tha ajo.
Kur njerëzit fillojnë të shohin se ju herë pas here nuk i përmbushni afatet, atëherë mund të fitoni një reputacion jo të mirë në punë, si dikush që nuk është i besueshëm, dhe do ta keni të vështirë të përparoni në karrierën tuaj.
Kur nuk shoqëroheni me të tjerët sepse shqetësoheni që të mos dukeni si “jo perfekt”.
Neo tha se një tjetër shenjë që perfeksionizmi juaj po bëhet i dëmshëm është kur nuk mund të dëgjoni ose të angazhoheni realisht me kolegët ose njerëzit e dashur, sepse jeni shumë të shqetësuar për të ruajtur imazhin e përsosmërisë për veten tuaj.
Psikologët kanë zbuluar se, së bashku me perfeksionistët që vendosin standarde jorealiste për veten e tyre, ka perfeksionistë “të ndikuar nga shoqëria” që ndihen sikur atyre po u imponohen standarde të pamundura nga shoqëria ose nga njerëzit që i rrethojnë. Ky lloj i perfeksionizmit shkakton depresion dhe gjendje të tjera të rënda të shëndetit mendor.
Gordon Flett, një psikolog që ka studiuar këtë lloj perfeksionizmi, thotë se arsyeja pse perfeksionistët mund të jenë në një gjendje jo të mirë shëndetësore është se ky lloj perfeksionizmi “ka një element presioni të kombinuar me një ndjenjë të mungesës së shpresës”.
Nëse jeni duke menduar nëse perfeksionizmi po ju ndihmon apo po ju dëmton në karrierën tuaj, atëherë pyesni veten: “A po jua kufizon ai jetën? A ju bën të ndiheni të pakënaqur, të shqetësuar, në thelb një hije e asaj që jeni? A ndiheni sikur ka një hendek në rritje midis personit që prezantoni në dukje për të tjerët, dhe atij që ju jeni në të vërtet? A ju duket sikur gjërat do të shemben nga ҫasti në ҫast?”
Nëse përgjigjja ndaj ndonjërës prej këtyre pyetjeve është po, atëherë perfeksionizmi nuk po ju shërben më dhe duhet të ripërcaktoni standardet tuaja në “mjaftueshëm të mira”. huffpost