Për t’u siguruar që punonjësit e bashkisë së qytetit jugperëndimore gjerman Villingen-Schwenningen të mos kenë ftohtë gjatë dimrit, qyteti po u ofron atyre xhaketa dimërore pa pagesë, situatë që u shkaktua si pasojë e kursimit të energjisë në qytet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Për shkak të krizës energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, shumë kompani, zyrtarë dhe administrata i kanë fiksuar ngrohësit në minimum. Temperaturat në zyra dhe departamentet e shërbimeve publike në Villingen-Schwenningen janë ulur në 19 gradë celsius.
Për t’i mbajtur ngrohtë punëtorët, qyteti porositi rreth 1.600 xhaketa gri me stemën e bashkisë me një çmim prej 28.5 euro.
Madlen Falke, një zëdhënëse e qytetit, për transmetuesin publik SWR tha se “me këto temperatura në hapësirat e punës dhe me natyrën e qëndruarit të ulur në punë, stafi shpejtë ftohet”.
Falke tha se xhaketat janë një shenjë e detyrës së punëdhënësit për t’u kujdesur. Ajo tha se dizajni i veshjeve po ashtu synon të forcojë përshtypjen e komunitetit dhe identifikimin me punëdhënësin.
Banka Kreissparkasse në qytetin Ludwigsburg po ashtu u siguron punonjësve të saj veshje dimërore. Këtu ofrohet xhaketë dhe doreza, pasi edhe në këtë vend pune ngrohja është ulur në 19 gradë celsius.
Sindikata ‘IG-Metall’ në qytetet Reutlingen dhe Stuttgart ka kritikuar uljen e temperaturave në 19 gradë celsius për të kursyer energjinë.
Sekretari i sindikatës ‘IG-Metall’ në Reutlingen, Ralf Jaster, tha për SWR-në se një xhaketë prej leshi nuk ndihmon këmbët e ftohta dhe se “të shtypësh tastierën me doreza nuk bën punë”.
/Motilokal