15.8 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Një muaj dhunë në Arakan, mijëra të vrarë, qindra mijëra të shpërngulur

Më të lexuarat

Komisioneri i Lartë për Refugjatët i OKB-së, Filippo Grandi tha se mbi 430 mijë muslimanë të Arakanit kanë arritur në Bangladesh, duke ikur nga dhuna në Mianmar

ANKARA (AA) – DİLDAR BAYKAN

Teksa mbi 430 mijë muslimanë të Arakanit kanë arritur të ikin në Bangladesh nga dhuna dhe sulmet e ushtrisë së Mianmarit ndaj civilëve që prej një muaji, të paktën tre mijë persona supozohet të kenë qenë viktima të këtyre sulmeve, ndërsa dhjetra mijëra vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ikur.

Më 25 gusht, ndaj pikave policore dhe kufitare në qytetin Maungdaw me shumicë muslimane u organizuan sulme simultane. Si pasojë e sulmeve, 96 persona u deklaruan të vdekur.

Duke marrë si arsyetim sulmet ndaj pikave policore, ushtria e Mianmarit filloi të djegë dhe shkatërrojë vendbanimet e pakicës muslimane dhe masakër ndaj civilëve.

Zëdhënësja e Këshillit Evropian për Muslimanët Rohingya (ERC), Anita Schug, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) më 28 gusht, tha se mes dy dhe tre mijë muslimanë janë vrarë në sulmet e ushtrisë së Mianmarit në Arakan, edhe atë vetëm në tre ditët e kaluara, ndërsa mbi 100 janë zhvendosur.

Për të shpëtuar, muslimanët e Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke u përpjekur që nën rreziqe dhe vështirësi të kalojnë në Bangladesh përmes zonave malore, lumit Naf ose rrugëve detare.

Komisioneri i Lartë për Refugjatët i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Filippo Grandi, njoftoi se mbi 430 mijë muslimanë të Arakanit kanë arritur në Bangladesh, duke ikur nga dhuna në Mianmar.

Edhe Fondi për Fëmijët i OKB-së (UNICEF) ka tërhequr vëmendjen se nga 250 mijë fëmijë të strehuar në Bangladesh, 1.822 janë pa prindër.

Djegia e fshatrave të muslimanëve

Ushtria dhe budistët radikalë kanë vazhduar t’i vënë flakën fshatrave të muslimanëve të Arakanit. Fshatrat e djegur shpesh janë duke u paraqitur përmes pamjeve të publikuara në median sociale.

Sipas pamjeve të fundit të publikuara nga organizata për monitorimin e të drejtave të njeriut Human Rights Watch (HRW), deri më sot, 214 fshatra muslimane në Arakan janë djegur tërësisht.

Po ashtu, deklaratat e dëshmitarëve të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kane treguar se këto fshatra janë djegur nga ana e ushtrisë së Mianmarit dhe nacionalistëve budistë.

Ministrja e Jashtme e Mianmarit dhe Ministrja e Presidencës Suu Kyi, e cila ka mbetur e heshtur ndaj masakrave kundrejt muslimanëve në Arakan dhe ka qenë shënjestër e kritikave të ashpra për injorimin e tyre, më 19 shtator pohoi se që nga 5 shtatori nuk është duke u ndërmarrë operacion.

Ndërkaq, Amnesty International (AI) më 22 gusht potencoi se në një video të shkrepur më 21 shtator është parë teksa digjet një zonë banimi në afërsi të fshatit Hpar Wat në qytetin Maungdaw, një nga shënjestrat e ushtrisë dhe budistëve radikalë.

AI më vonë publikoi pamje për djegien edhe të një fshati tjetër.

Qeveria e Mianmarit vendos mina në kufi

Shahidul Haque, zyrtar i lartë në Ministrinë e Jashtme të Bangladeshit, më 6 shtator tha se qeveria e Mianmarit ka vendosur minanë zonën kufitare mes Mianmarit dhe Bangladeshit mënyrë që muslimanët e Arakanit të ikur në këtë vend nga dhuna e ushtrisë dhe budistëve radikalë të mos kthehen prapa.

Më pas, edhe AI publikoi fotografi dhe disa gjetje që treguan se në zonën kufitare janë vendosur mina.

Teksa në media sociale u shpërndanë pamje të muslimanëve të Arakanit që kanë shkelur në mina, zyrtarët e shëndetësisë të Bangladeshit kanë theksuar se kohëve të fundit shumë civilë kanë shkelur në mina dhe janë marrë në trajtim mjekësor.

Edhe Kryetari i Misionit të Pavarur Hetimor Ndërkombëtar për Mianmarin, Marzuki Darusman, në një deklaratë më 19 shtator theksoi se qeveria e Mianmarit ka vendosur mina në kufirin me Bangladeshin.

Mijëra persona të vdekur nga sulmet

Ministri i Jashtëm i Bangladeshit, Hasan Mahmud Ali, më 10 shtator deklaroi se të paktën tre mijë muslimanë janë vrarë në Arakan.

Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Që nga dita e parë, Turqia pranë muslimanëve të Arakanit

Zyrtarët e lartë të Turqisë, me në krye presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe Ministrin e Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, kanë zhvilluar shumë biseda telefonike me liderë botërorë, ministra dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, që nga 25 gushti, kur filloi dhuna në Arakan.

Po ashtu, Turqia ka kryesuar në diskutimin rreth çështjes së Arakanit në shumë mbledhje ndërkombëtare, përfshirë edhe Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Lidhur me masakrat dhe dramën njerëzore në Arakan, presidenti Erdoğan më 5 shtator zhvilloi bisedë me lideren de fakto të Mianmarit, Aung San Suu Kyi.

Gjatë bisedës, Erdoğan theksoi se rritja e shkeljeve të të drejtave të muslimanëve të Arakanit ka shkaktuar shqetësim në botë, përfshirë edhe botën islame.

Ministri i Jashtëm Çavuşoğlu, bashkëshortja e presidentit Erdoğan, Emine Erdoğan, dhe një delegacion shoqërues, më 7 shtator vizituan Bangladeshin. Çavuşoğlu realizoi shumë takime në këtë vend.

Organizatat humanitare turke si TDV, IHH, Gjysmëhëna e Kuqe, AFAD dhe TIKA kanë qenë pranë muslimanëve që nga dita e parë, ndërsa vazhdojnë t’ua zgjasin dorën e ndihmës të ikurve në Bangladesh.

Reagime për spastrim etnik dhe gjenocid

Komuniteti ndërkombëtar, i cili ka reaguar ndaj ndodhive në Arakan prej një muaji, i ka cilësuar sulmet si “spastrim etnik” dhe “gjenocid”, megjithatë, ende nuk ka zbatuar ndonjë sanksion ndaj Mianmarit që mund të sjellë rezultate.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad al-Hussein, ka deklaruar se situata e dhunës ndaj muslimanëve në Arakan është “shembull i spastrimit etnik si në tekstet shkollore”, duke theksuar se qeveria e Mianmarit ka përdorur “haptazi forcë joproporcionale” ndaj muslimanëve.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, në një prononcim për televizionin francez TMC teksa ndodhej në New York për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, i cilësoi si “gjenocid i vazhdueshëm” sulmet ndaj muslimanëve të Arakanit.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, për BBC tha se nëse Suu Kyi nuk ndërmerr masa për muslimanët e Arakanit, atëherë tragjedia që do të ndodhë do të jetë e tmerrshme në të gjitha aspektet e saj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit