-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Në cilën anë të imamit është më mirë për tu falur, nga e djathta e tij apo e majta?

Më të lexuarat

Përgjigja: Falënderimet i takojnë Allahut!

Nëse me imamin është duke u falur vetëm një person, atëherë ai duhet të qëndrojë në krahun e djathtë të imamit dhe nuk bën të qëndrojë në krahun e tij të majtë. Kjo bazohet në hadithin e Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ku ceket se ai fjeti te tezja e tij (e cila ishte bashkëshorte e Profetit a.s) dhe kur u çua Profeti (paqja qoftë mbi të!) natën që të falej, Ibën Abasi qëndroi në krahun e tij të majtë. Profeti (paqja qoftë mbi të!) e kapi dhe e vendosi në krahun e tij të djathtë. Pra, ky hadith është argument se ai që falet i vetëm pas imamit qëndron në krahun e tij të djathtë. Ndërsa kur pas imamit falen shumë njerëz atëherë krahu i djathtë i imamit është më i mirë se i majti kur dy krahët janë të përafërt në numër. E nëse krahu i djathtë është dukshëm më i madh në numër se i majti, atëherë qëndrimi në krahun e majtë të imamit është më i mirë sepse në këtë rast ai që qëndron në krahun e majtë është më pranë imamit. Kësisoj, nuk bën që njerëzit të qëndrojnë në krahun e djathtë të imamit duke lënë vetëm një apo dy veta në krahun e majtë. Kjo mbështetet dhe nga rasti kur pas imamit falen vetëm tre veta, me ç’rast njëri prej tyre qëndron paralel me imamin ndërsa dy të tjerët qëndrojnë anash tij, njëri në të djathtën e tjetri në të majtën e tij. Gjë, që dëshmon se nëse qëndrimi në krahun e djathtë të imamit do të ishte në të gjitha rastet më i mirë se qëndrimi në krahun e tij të majtë, atëherë të tre këta persona do të duhej të qëndronin në krahun e djathtë të tij. Pra, kjo dëshmon njerëzit që falen pas imamit duhet të qëndrojnë në një mënyrë që drejtimi i imamit të jetë fiks ose përafërsisht në mes të safit të tyre.

Për ta përmbledhur të gjithë atë që thamë: Krahu i djathtë i safit është më i mirë se krahu i majtë, kur të dy krahët janë të barabartë ose të përafërt në numër, ndërsa kur krahu i djathtë është dukshëm më i madh në numër, atëherë krahu i majtë është më i mirë se i djathti sepse në këtë rast ai që qëndron në krahun e majtë është më pranë imamit”

Allahu është më i dijshmi!

Burimi: Mexhmuë fetava i shejh Ibën Uthejmit(Allahu e mëshiroftë!) 12-184
Përktheu Rexhep Milaqi

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit