Mrekullia dhe thirrësi (ose shprehia e perifrazimit)
1.
Kemi përmendur si ngjashmëri mes Kuranit dhe Shkopit të Musait faktin se që të dy janë mrekulli përsëritëse,me ndërmjetësim dhe me ndërveprim, që do të thotë sa i përket Kuranit që Ai nuk mund të konsiderohet mrekulli e vetmuar – kryer njëherë e mirë në kohën e Muhamedit a.s., por një mrekulli e përhershme; nuk mund të konsiderohet si një mrekulli pavetore, pra që ndodh vetë pa ndërmjetësimin njerëzor; e as nuk mund të ndërtohet marrëdhënia me të vetëm si një marrëdhënie sinekdotike, pra përkatësie identitare.
Por ka edhe ngjashmëri të tjera:
– Si Kurani, si Shkopi i Musait a.s., siç e kemi përmendur njëherë tashmë, qenë mrekulli, materia e secilës, pra lënda përkatëse ku u plazmua, ekzistonte paraprakisht mes njerëzve në Dunja: Kurani nuk zbriti në një gjuhë të re të panjohur, por në arabishte, gjuhë mijëvjeçare e folur nga miliona njerëz dhe e gjuha amtare për Muhamedin a.s.; po ashtu Shkopi mrekullor i Musait a.s. nuk zbriti si i tillë nga qielli, por ishte pajisja me veti mrekullore e shkopit që Musai e përdorte për t’u shërbyer në përditshmërinë e vet.
-Si kontakti fillestar i Muhamedit a.s. me Kuranin si Fjalë e Zotit, përmes Xhibrilit a.s. në Malin Hira, si kontakti i parë i Musait a.s. me Shkopin që shndërrohej në gjarpër, në Luginën Tuva, ngjallën pështjellim dhe frikë tek ta.
Video ligjeratën me këtë temë mund ta gjeni këtu:
-Sikurse njësoj, pas adaptimit me natyrën e tyre mrekullore, edhe Muhamedi a.s edhe Musai a.s, e shprehën bindjen e tyre për mbështetjen e Zotit në të njëjtën situatë përndjekje (Muhamedi a.s kur u largua prej Mekës në Medine, kurse Musai a.s kur u nis me popullin e tij të linte Egjiptin), secili përmes mrekullisë më të madhe që i kishte dhënë Zoti: Muhamedi a.s. përmes Kuranit “… la tehzen in allahe meana” 9,42, kurse Musai përmes Shkopit, siç dëshmohet në Kuran, në suren Shuara, ajeti 62.
– Që të dyja mrekullitë, jo vetëm përmbushen publikisht si shenja të Krijuesit, por e ftojnë publikun t’i sfidojë dhe përgënjeshtrojë, nëse mundet (pikërisht në fakt ngaqë s’mundet). Ky angazhim sfidues, e zgjeron dhe plotëson karakterin ndërveprues të tyre, pasiqë përveç ndërveprimit me Profetin apo besimtarët, përthith në ndërveprim dhe dyshuesit, kundërshtarët dhe mosbesimtarët, duke i privuar nga luksi i neutralitetit që në një moment me siguri do ta dëshironin si zgjidhje kompromisi. Mrekullia e përjashton kompromisin.
(Pikërisht kjo karakteristikë e fundit hedh dritë mbi një detyrim metodologjik, që ne muslimanët në mos e kemi braktisur, e kemi lënë në errësirë: të jemi bartës në kohën tonë dhe në shoqërinë tonë të Fjalës së Allahut, do të thotë t’u përcjellim atyre që dyshojnë, abstenojnë apo refuzojnë, jo vetëm tërësinë e temave, jo vetëm aparatin konceptual dhe strukturën argumentuese, por edhe implikimin e tyre, ndryshe sfidimin e tyre për ta përgënjeshtruar vërtetësinë dhe përsosmërinë e Kësaj Fjale.
Një implikim i tillë është ai vetë shenjë e mrekullisë së Kuranit: e provojnë ose jo të përftojnë një ligjërim si Kurani dhe (nëse e provojnë) pretendojnë ose jo që ai dolën ta sfidojnë Kuranin, këto janë efekte të menaxhueshme të dorës së dytë, sepse ndërkohë refuzuesit apo dyshuesit janë nxitur ta vendosin veten në pozitën e atij që përfytyron një lidhje të drejtpërdrejtë të mundshme me Krijuesin, përfytytyrim që në vetvete është emancipim për ta dhe avantazh për thirrësin, për pasojë një nivel i ri i përmbushjes së davetit.)
2.
Ky rend kaq i zgjeruar i ngjashmërive mes Kuranit dhe Shkopit të Musait a.s., vetëm sa plotësohet nga një dallimi rëndësishëm mes tyre: Kurani është mrekulli retorike – ligjërimore-konceptuale, e perceptueshme nga mendja, kurse Shkopi i Musait a.s. është mrekulli faktike – situative e perceptueshme nga shqisat. Ky dallim, nuk lejon që të konkludohet si analogji mes tyre, që përderisa për Musain a.s. që të kishte sukses ndaj magjistarëve, nuk ishte e domosdoshme të thellohej në njohjen e magjisë a së paku ta njihte paraprakisht atë, po ashtu për muslimanët për të patur sukses ndaj pabesimtarëve nuk është e domosdoshme njohja paraprake në rend retorik, ligjërimor dhe konceptual, e skemës së tagutit që garanton dhe legjitimon refuzimin dhe kokëfortësinë e tyre (jobesimtarëve).
Pra përkundrazi, lloji i të qenit mrekulli e Kuranit kërkon si kusht njohjen e bazamentit konceptual të tagutit në mënyrë që të përmbushet si mrekulli Fjala e Allahut edhe pas finalizimit të Zbritjes së Dytë (ndryshe kërkon prej thirrësit njohje njësoj intensive edhe të themeleve konceptuale të njohurisë fetare, edhe njohje të themeleve konceptuale të njohurisë mondane, siç e kemi treguar në ligjëratën tonë “Laicizimi i mendjes”). (Përkundrazi dallimi i mësipërm mes Kuranit dhe Shkopit të Musait a.s. nuk shërben si argument që si mrekulli fenomenale – shqisore Shkopi i Musait a.s. duhej ta manifestonte epërsinë e tij mu në mes të hapësirës publike, përballë faraonit – kreut të sistemit të tagutit, kurse Kurani si mrekulli në rendin konceptual nuk e ka të domosdoshme këtë demonstrim akut në pjacë ; edhe pse pjesë e marrëdhënies me Të është njohja e Tij përmes meditimit dhe përjetimit të thellë personal, herët a vonë, duhet të konkludohet ajo që instrukton analogjia me Shkopin e Musait a.s.. pra “Shko tek faraoni, se ai ka ngritur kokë” Taha 24.)
3.
Por nga njohja e asaj që Allahu dëshmon në Kuran për Musain a.s. dhe Faraonin, ka vend edhe për një reflektim të fundit.
E kemi fjalën për ajetin shumë të njohur: “ Atij (faraonit sh,ynë.) i thoni fjalë të buta, ndoshta ai mendohet dhe frikësohet.” Taha 44. Me siguri që potenciali metodologjik i këtij ajeti është shumë i madh, sepse porosia për t’i folur zullumqarit me fjalë të buta është eksplicite – pa asnjë ekuivok, e për pasojë kështu duhet të jetë patjetër daveti i kujtdo, kurdoqoftë, ndaj kujtdoqoftë (kur rekomandohet ndaj Faraonit, aq më tepër butësia është detyrim ndaj kujtdo tjetër, siç e gjejmë që e përforcojnë ajetet e para të Sures Abese).
Pra teksti është i drejtpërdrejtë dhe pa asnjë ambiguitet dhe porosia e paanashkalueshme. Vetëm se për të përcaktuar sjelljen e thirrësit në përmbushjen e davetit, duhet ta zgjerojmë rrethin e kushteve që e paraprijnë dhe shoqërojnë atë, me atë çfarë tashmë kemi gjetur nga shqyrtimi me hollësi i relacioneve mes mrekullisë dhe argumentit. Duam të themi se kjo porosi që Allahu xh.sh. i jep Musait a.s., përcakton vetëm një element apo pjesë të thirrjes së tij, e cila thirrje kishte dy elementë apo pjesë: fjalët dhe veprimet në vetvete të Musait a.s. dhe siç tashmë e dimë demonstrimi apo paralajmërimi i mrekullive si shenja të drejtpërdrejta të Zotit.Nga ku rrjedh se porosia e padyshimtë dhe e detyrueshme për butësi nuk do të thotë se butësia është karakterisitkë dominuese e davetit në tërësinë e tij, por vetëm karakterisitikë speciale e pjesës së ligjërimit që i përket sferës civile të ligjërimit të thirrësit si person konkret, me karakterin dhe personalitetin dhe përkatësinë apo bashkëkohësinë e tij, në raport me shoqërinë në tërësi dhe posaçërisht me parinë po ashtu konkrete dhe tipike në bashkëkohësinë e saj.
Pra Musai nuk shkoi tek Faraoni për të përmbushur misionin e vet, vetëm me dhuntitë e veta civile, por edhe (sidomos) për ta ekspozuar Faraonin ndaj një lidhjeje të drejtpërdrejtë me realitetin hyjnor të Krijuesit, përmes superioritetit të qortimit dhe peshës akute të mrekullive. Dhe pra urdhri për t’i folur Faraonit me butësi është vetëm karakteristikë e ligjërimit civil mes dy pjesëtarëve të të njëjtës shoqëri, siç Musai a.s. dhe Faraoni (siç çdo thirrës në raport me njerëzit e rëndësishëm të shoqërisë ku përmbush davetin e vet),por jo edhe e komunikimit mes Krijuesit dhe krijesave të tij. Dhe kjo është haptazi kështu: vërtet Musai a.s. i fliste Faraonit me fjalë të buta, por në të njëjtën kohë ai e ekspozonte Faraonin drejtpërdrejt ndaj mrekullive të Zotit, të cilat mrekulli ishin goditëse, intensive, shokuese, ndëshkuese.
Nga ku rezulton se daveti si i tillë as nuk është dhe as nuk mund të jetë i butë, sepse si aktualizim i marrëdhënies me Zotin ai përcjell epërsinë,fuqinë, krenarinë, madhështinë e Allahut xh.sh. (dhe po ashtu reflekton kompleksitetin e marrëdhënies së njeriut me të vërtetën e cila është një marrrëdhëne e vështirë dhe vazhdimisht e paqëndrueshme).
Butësia duhet të jetë detyrimisht pjesë e tij, por jo atribut dominues. Dhe për aq sa butësia është atribut i thirrjes ajo vjen së pari, nga aq sa Zoti i premton, i inkurajon dhe i përgëzon krijesat e tij dhe së dyti, nga komunikimi dhe sjellja e profetit (apo thirrësave në përgjithësi). Por në të njëjtën kohë Zoti edhe qorton, paralajmëron, kërcënon, poshtëron, ndëshkon, krijesat e veta, gjithmonë duke qenë i drejtë, e mjaftueshme kjo që butësia të jetë atribut jodominues i davetit.
Duke thënë këtë, aq më tepër përforcohet detyrimi për butësi në sjelljen dhe fjalët e thirrësit, siç përcakton ajeti 44 i Sures Taha: thirrësi nuk ka asnjë mundësi përveç kësaj, pra të jetë i butë ai dhe fjalët e tij dhe sjellja e tij, të jetë në qenien i tij i përkorë dhe justifikues, i durueshëm dhe empatik. Thirrësi nuk mund të zgjedhë, këto janë cilësitë e sjelljes dhe qenies së tij. Të cilat duhen përforcuar dhe kultivuar, duhen përbrendësuar dhe strukturuar që të mos kompromentohen dot si hipokrizi kur ai në të njëjtën kohë përcjell mesazhet e Zotit të vet, dhe në rastin e muslimanëve Fjalët Autentike të Zotit të Vet, ku krijesat paralajmërohen me një ndëshkim të përjetshëm nëse humbasin dëshirën dhe nevojën për Hakun e Zotit.
Sa thamë, hedh dritë mbi një anomali të davetit të sotëm mes nesh, që është vesi i perifrazimit. E kemi fjalën për prirjen e thirrësave (prirjen e pavetëdijshme të tyre) që në davtin e tyre të dominojnë fjalët e tyre, pra në dypjesshmërinë e davetit (fjalët civile të thirrësit dhe Fjalët Hyjnore të Zotit) të përfshihen nga inercia e efekteve retorike dhe stilistike të një ligjërimi monologjik, efekte që shumëfishohen me improvizim permanent duke mos e lejuar të vejë re, se Fjala e Zotit tek publiku i tij shkon e perifrazuar, pra e bartur nga fjalët civile të tij, pra vetëm si kuptim (sado i saktë gjithsesi e përafërt) dhe jo si intonacion dhe emocion. Pra e mangët.
Nuk jemi duke folur për ata që nuk e zotërojnë arabishten si gjuhë (megjithëse edhe këta bartin detyrimin ta njohin mirë përpikmërinë e formulimit në shqip të Fjalës së Zotit), por për arabishtfolësit që të kapluar tashmë nga shprehia e perifrazimit, mund të arrijnë në përfundimin se ajeti 44 i Sures Taha, përcakton atributin dominues të Davetit, e për pasojë perifrazimin, pa e kuptuar as vetë, ta bëjnë sebep për ta shndërruar dhe Fjalën e Zotit në një ligjërim civil, pa intonacion autentik, duke dëmtuar natyrshmërinë e davetit të një bashkësie ku Fjala e Zotit nuk është e perifrazuar, por e Drejtpërdrejtë dhe Autentike.
(Merret me mend vetiu, por ne gjithsesi po e themi shprehimisht: për ta korrigjuar këtë anomali, pra për të mbajtur në kontroll shprehinë e perifrazimit, duhet mbajtur qartësia se për muslimanët daveti nuk mund të jetë vetëm fjala civile , njerëzore e thirrësit -sado e mbrujtur qoftë me kuptime hyjnore- por parasëgjithash e mbi të gjitha Fjala e Allahut në Kuran, si Mrekullia Jonë e Përhershme Përsëritëse, dhe se detyrimi për butësi ndërsa është themeli ithirrjes civile, suportuese të thirrësit, nuk duhet të konfondojë dhe kompromentojë mënyrën sesi Krijuesi ka zgjedhur të komunikojë me krijesat e Tij.)
Prof. Rudian Zekthi