11.9 C
Pristina
Tuesday, October 15, 2024

Kurani dhe 3 llojet e mrekullisë – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

Kurani dhe 3 llojet e mrekullisë

Siç e përmendëm në ligjëratën e kaluar, përballja e Musait a.s. me Faraonin u kushtëzua nga një seri prej nëntë mrekullish “ …e këto (shkopi dhe dora shën.ynë) janë ndër nëntë argumentat për të vajtur tek faraoni dhe populli i tij, se ato vërtet janë popull i prishur” Neml 12. Dhe këto  mrekulli mund të jenë, si më poshtë: 1. shndërrimi i pamjes së dorës para dhe pas futjes në xhep, 2. shndërrimi i shkopit në gjarpër dhe gëlltitja e shkopinjve të magjistarëve 3.thatësira dhe zija e bukës, 4.përmbytja, 5.vërshimi i karkalecave, 6.vërshimi i rriqnave, 7. vërshimi i bretkosave, 8. shndërrimi i ujit në gjak, 9. hapja  mespërmes e detit.

Këto mrekulli nuk janë të gjitha njësoj dhe diferencat që do të përmendim më poshtë nuk janë çështje interpretimi, por janë në thelb çështje fakti, pra konstatohen drejtpërdrejt nga shosshitja e mënyrës faktitke sesi ato ekzekutohen. Së pari, dy mrekullitë e para janë mrekulli të shumëhershme apo të përsëritshme, kurse mrekullitë e tjera ndodhin vetëm njëherë dhe nuk përsëriten më. Po ashtu dy mrekullitë e para janë të personalizuara, i jepen si atribute të posaçme Musait a.s.. në njëfarë mënyre i asociohen atij, le të themi se ai i bart ato aq sa ato bëhen pjesë e tij, nuk mund të procedohen pa praninë e tij, nuk mund të jenë pa të, pa trupin e tij (mrekullia e dorës) apo pa angazhimin e tij (mrekullia e shkopit dhe e hapjes së detit), kurse mrekullitë e tjera  ndodhin në mënyrë pavetore, pa një procedurë të shfaqur, pa ndërmjetësimin e dorës apo shkopit, njësoj si dukuritë e natyrës; pra ndodhin në kontekstin e asaj që ndodh me Musain a.s., por pa kërkuar angazhimin e tij të drejtpërdrejtë.

Video ligjeratën mbi këtë temë mund ta gjeni këtu:

Së dyti, edhe dy mrekullitë e para, megjithëse të të njëjtit lloj, pra mrekulli që përsëriten dhe mrekulli të personalizuara, gjithsesi nuk janë njësoj. Sepse në momentin që themi se janë që të dyja mrekulli të personalizuara (pra procedimi  i të cilave kërkon si “infrastukturë” trupin dhe vullnetin e profetit), mrekullia e dorës vihet re që është e e pandryshueshme, pra e njëjtë për çdo përsëritje, mrekullia e shkopit (apo mrekullia përmes shkopit) është e ndryshueshme (pra me shkopin si mrekulli në vetvete, Musai a.s. njëherë gëlltit shkopinjtë e magjepsur të magjistarëve, njëherë ndan detin përmes, njëherë nxjerr 12 burime nga toka) (e thënë ndryshe, mrekullia e dorës është e dhënë njëherë e mirë,  statike, e pavarur nga rrethanat, jokontekstuale, jokalimtare – pra fillon dhe përfundon me Musain a.s. pa kaluar tek të tjerët; kurse mrekullia e shkopit është në zhvillim e sipër, e përtëritshme varësisht prej  rrethanave, pra kontekstuale dhe kalimtare, aktive dhe ndërvepruese – pra vërtet fillon tek Musai a.s. por kalon prej tij tek gjërat dhe rrethanat duke ndërvepruar me to, duke i kushtëzuar ato dhe duke i ndryshuar ato.)

 

I.

Siç thamë kategorizimi si më lart i mrekullive sipas këtyre tre dallimeve, është çështje fakti, pra ky kategorizim është në njëfarë mënyre i dhënë, i pashmangshëm dhe i padyshimtë.

Përkundrazi, ajo që do të vijojë, pra përpjekja për t;i pajisur këto dallime me kuptim dhe me potencial metodologjik, e kapërcen rrafshin e fakteve dhe kalon në rrafshin e interpretimeve, që do të thotë janë të hapura për diskutim, të korrigjueshme dhe të modifikueshme.

Dallimi i parë: mrekulli që përsëriten (të shumëhershme dhe të hapura) dhe mrekulli të vetmuara (të njëhershme dhe të mbyllura, të përmbushura).

Ky dallim mund të përfshihet menjëherë në tezën kryesore rreth së cilës folëm herën e shkuar, pra që mrekullia dhe argumenti nuk kontrastojnë me njëra tjetrën, përkundrazi kufiri mes tyre është i hollë deri në pikën sa të bëhet i padukshëm a të mos vihet re fare, e për pasojë mrekullia nuk e kompeson argumentin (aq më tepër nuk e zëvendëson), por ose e konkludon atë, ose e suporton. Pra ka vend të thuhet, se vënia në dukje e kontrastit mes mrekullisë dhe argumentit dhe përqendrimi tek ky kontrast, është pasojë e procedimit të mrekullive të vetmuara – të njëhershme: një mrekulli e tillë e ndan si me thikë rendin e realitetit nga rendi  i mrekullive dhe për pasojë  krijon përshtypjen se dallimi mes mrekullisë dhe argumentit do të thotë se argumenti nuk ia del dot pa mrekullinë kurse mrekullia mundet edhe pa argumentin. Sepse në të kundërt, nëse në një mission thirrës përfshihen mrekullitë përsëritëse atëherë ndërthurja e tyre me argumentin, alternimi mes tyre, mundëson që ajo çfarë ato kanë të përbashkët të vijë në pah e të kuptohet se argumenti nëse ka sukses është i të njëjtit rend me mrekullitë (përderisa sukses i argumentit do të thotë ndryshimi a shndërrimi i gjërave pa asgjë tjetër veçse me fjalë).

Në fakt, mbështetur tek diferenca mes mrekullive që përsëriten dhe mrekullive të vetmuara,na rezulton se misionet e profetëve mund të kenë qenë të llojeve të ndryshme, pikërisht nga fakti se mrekullitë kanë qenë përsëritëse ose jo.

Lloji i parë, është ai davet ku ose nuk kemi dëshmi të posaçme për praninë e mrekullive, si

Daveti i Lutit a.s., Salihut a.s., Jakubit a.s., ose kemi dëshmi për mrekulli të vetmuara, si Daveti i

Ibrahimit a.s., Ismailit a.s. Jusufit a.s.,Junusit a.s. Në këtë lloj daveti për pasojë mbitheksohet kontrasti mes mrekullisë dhe argumentit dhe për aq sa mrekullitë përmbushen, nuk plotësojnë atë që nuk mbërriti argumenti, por, ose mbrojnë profetët, ose përmbyllin pa kthim misionin profetik. ( Po e përsëritim për ta theksuar: mrekullia nuk vjen për të bërë atë që nuk bën argumenti, pra nëse daveti do të ketë sukses kjo  ose bëhet me anë të argumentit, ose nuk bëhet fare. Mrekullia si rregull i bën edhe më të ngurta zemrat e mosbesimtarëve, pasi duke qenë një dukuri e parrokshme nga mendja, mosbesimtari gjithmonë ka mundësi ta justifikojë  refuzimin me logjikën siç refuzon magjinë dhe ëndrrën, apo iluzionin dhee trukun.ka vetëm një mundësi të rrallë që mrekullia të jetë ndryshuese e gjendjes së zemrave nga mosbesues në besuese : që personi a personat që u shfaqet mrekullia të jenë njohës me themel të ligjësive të asaj situate apo asaj gjëje që përfshihet në mrekulli, njohje që i le pa justifikim, sepse e kanë të qartë që s’mund të jetë as magji, as iluzion, as hile. Shembulli i magjistarëve me Musain a.s.

dëshmon për ekzistencën e këtij përjashtimi që është i tillë që përforcon rregullin të cilit i shmanget.)

Lloji i dytë është ai davet ku mbretëron mrekullia, pra ku praktikisht çdo gjë që profeti bën është përtej përvojës normale njerëzore,e pakrahasueshme me agjë dhe për asnjë çast me atë që bëjnë qeniet e tjera njerëzore. Ekziston vetëm një rast i tillë, është Daveti i Sulejmanit a.s., të cilit Zoti i dha paraprakisht dhunti që as më parë dhe as më pas nuk i pati asnjeri tjetër. Në këtë lloj daveti jo thjesht zbehet por në fakt zhduket krejtësisht  kontrasti mes mrekullisë dhe argumentit përderisa mrekullia është e vetmja gjë që ndodh,  duke qenë se ia ze krejtësisht vendin argumentit. Fakti që vetëm një profeti iu dha një fuqi e tillë, është po ashtu provë që mbështetja ekskluzivisht e suksesit të davetit tek mrekullia nuk është rregull por përjashtim (kurse nga pikëpamja e një sigurie mbi metodën, është shembull për të njehur limitet e marrëdhënies mes mrekullisë dhe davetit).

Lloji i tretë është ai davet ku kemi praninë e mrekullive përsëritëse, si siç thamë Daveti i Musait a.s. dhe mbi të gjitha Daveti i Muhamedit a.s., krejtësisht i kushtëzuar nga shpallja e vazhdueshme – e përhershme e Fjalës së Allahut, Kuranit. Përsa i përket shkopit të Musait a.s. ai përbën një mrekulli përsëritëse për faktin se shfaq veti mrekullibërëse jo vetëm në përballjen me magjistarët sipas një vetiu të ditur që në fillim kur Allahu ia dha si mrekulli, por edhe në momentin e ndarjes së detit dhe në momentin e shpërthimit të 12 burimeve nga shkëmbi (nga një burim  për çdo fis të benu israilëve). Ngjashëm dhe shumë më universal se shkopi i Musait

a.s. Kurani qe një mrekulli me zbritje – shpallje të paprerë përgjatë 23 vjetëve, duke sfiduar dhe poshtëruar mosbesimtarët  dhe mahnitur jo vetëm besimtarët por edhe mushrikët, e madje dhe xhinët. Nga pikëpamja e relacionit mes mrekullisë dhe argumentit ky është daveti ideal, sepse duke qenë se mrekullia është e rendit retorik – ligjërimor, ajo prej vetiu  është natyrënjëjtë me argumentet dhe për pasojë e bën shumë fluid kufirin ndarës mes mrekullisë dhe argumentit. E në këtë  mënyrë konsolidon dhe konfirmon të vërtetën se mrekullia dhe argumenti janë në thelb e njëjta gjë, përderisa jo vetëm që mrekullia është gjithmonë një argument, por sidomos ngaqë argumenti i konkluduar është gjithmonë një mrekulli, pavarësisht se i mungon forma klasike e mrekullisë.

Aq më tepër Kurani e mundëson këtë pasiqë efekti i plotë i tij si mrekulli nuk shfaqet që në fillim dhe as  përgjatë zbritjes, përderisa gjatë shpalljes askush nuk e kishte të qartë as numrin përfundimtar të sureve, as numrin përkatës të ajeteve të sureve, as gjatësinë përfundimtare të tekstit dhe për pasojë efektet  rast pas rasti në rendin e koncepteve, por edhe në stil dhe prozodi, ishin të pjesshme dhe të mveshura me peshën e kontekstit të vazhdueshëm polemik të çdo zbritje të re që ishte drejtpërdrejt e lidhur me çështje konkrete të raportit në terren të forcave mes besimtarëve dhe mosbesimtarëve (e për me tepër dhe kristianëve dhe hebrejve).Po ashtu fakti që gjuha arabe në të cilën zbriti Kurani ishte e njohur paraprakisht prej arabëve, madje ishte pjesë e identitetit të tyre, bartte një element familjar brenda mrekullisë duke e zbutur kontrastin e forte mes mrekullisë dhe rendit komun të gjërave (ngjashëm siç shkopi i mrekullishëm që iu dha Musait nuk zbriti nfa qielli s ii tillë, por qe shkopii përditshmërisë së Musait a.s., tek i cil imbështetej apo me të cilin shkundte gjethet nga pemët për të ushqyer bagëtinë).

Nëse nuk do të ishte kështu, pra Kurani të zbriste njëherazi në mendjen dhe zemrën e Muhamedit (Zoti po të kishte dashur kështu), atëherë Daveti i Muhamedit a.s. nuk do t’i përkiste këtij lloji, ngjashëm me Davetin e Musait a.s.. por do t’i përkiste davetit të llojit të dytë, ngjashëm me Sulejmanin a.s., Pra me përmbushjen në kohë reale të çdo ajeti si një mrekulli, me tretjen, për pasojë, të kufijve mes mrekullisë dhe argumentit, me vënien në pah të papërputhshmërisë mes përvojës njerëzore dhe mrekullisë dhe me dominim të paraparë dhe automatik të ballafaqimit me armiqtë e të vërtetës (e me konsekuencën që Daveti i Sulejmanit a.s të mos ishte një përjashtim siç thamë më lart, dhe mrekullia të ishte bvaza e davetit, duke e shndërruar argumentin në diçka të panevojshme).Dhe s’qe kështu edhe sepse do të shkëputej lidhja mes Davetit të Muhamedit a.s dhe sahabëve nga njëra anë, dhe muslimanëve pas tyre për të cilët Kurani megjithëse me formë përfundimtare, s’mund të kishte efektin permanent të mrekullisë pasiqë ngjarjet konkrete për të cilën kanë zbritur një numër i konsiderueshëm ajetesh i përkasin përgjithmonë kohës në të cilën jetoi Muhamedi a.s.( pra zbritja e Kuranit pjesëpjesë, siç e kemi thënë në ligjëratën tonë “Dy zbritjet”, është e vetmja mundësi që mënyra konkrete e davetit  të Muhamedit a.s. të jetë e mundshme si shembull e udhëzim, për gjithë muslimanët deri në Kijamet).

II.

Çka sapo thamë na adreson pashmangshmërisht tek dallimi  i dytë mes mrekullive:  mrekulli të personalizuara (të bashkëlidhura me profetin dhe të kushtëzuara jo drejtpërdrejt nga Vulllneti i Allahut, por me përdorimin si instrument të vullnetit të profetit) dhe mrekulli pa ndërmjetësim, të përmbushura drejtpërdrejt prej Allahut.

Vërehet qartë që Daveti i Muhamedit a.s. (ngjashëm me atë të Musait a.s.) është i kushtëzuar nga të qenët e Kuranit të Madhërueshëm mrekulli me ndërmjetësim, pra do të thotë se nuk mjaftonte fakti material i zbritjes së tekstit (përmes Xhibrilit apo me Inspirim), por duhej edhe vullneti, kurajoja, takuaja, sinqeriteti, kreativiteti,durimi i profetit Muhamed a.s. që mrekullia të procedohej deri në fund. Mos harrojmë që pesha e këtij ndërmjetësimi dhe e këtij huazimi të vetes tek një relacion që e kapërcen përvojën njerëzore,është në kufijtë e të qenit e papërballueshme dhe ndjell ndrojë e frikë, siç duke i qetësuar ua ve në dukje Allahu këtë peshë edhe Musait a.s edhe Muhamedit a.s.Duhet patur parasysh që në savetin e Muhamedit a.s. mrekullitë me ndërmjetësim kanë qenë dominues edhe si mrekulli të vetmuara, prat ë papërsëritura më (ushqimi i dhjetëra njerëzve me një cope bukë të mbukuar në prehrin e Muhamedit a.s. apo Ndarja e Hënës me gisht, etj. Gjithashtu duhet mbajtur parasysh që në davetin e Muhamedit a.s. ka patur edhe mrekulli pavetore, pa paralajmërim e pa ndërmjetësim, si zbritja e engjëjve luftëtarë përkrah muslimanëve në Betejën e Bedrit, apo ngulja e këmbëve në rërë të kalit të Surakës, por këto kanë qenë të pakta dhe shoqëruese të mrekullisë bazë, përsëritëse dhe me ndërmjetësim, Fjalës së Allahut ( ngjashëm siç gjashtë mrekullitë kërcënuese – ndëshkuese për popullin e faraonit ishin shoqëruese të dy mrekullive përsëritëse, me dorën dhe shkopin).

Ngasa hedh dritë të kuptojmë edhe njëherë se marrëdhënia jonë me Kuranin është një marrëdhënie permanente me një mrekulli të llojit me ndërmjetësim, pra mrekulli e cila për t’u përmbushur si e tillë ka nevojë edhe për përfshirjen dhe ndërmjetësimin e muslimanëve (kurdo dhe kudo qofshin ato). Që konfirmon sa kemi thënë tjetër herë se daveti me Kuran duhet të jetë apriori publik dhe ndërveprues, se Kurani ashtu siç është për nga Forma e Tij  Mrekullore, nuk lejon luksin e një daveti pa ndërmjetësim. (Konstatim që nuk do të kishim dashur ta bënim këtu: duket se duke u mjaftuar me leximin e Kuranit me zë në ritual dhe pa zë në studio, muslimanët nuk e ndërmjetësojnë Kuranin, sipas shembullit të Muhamedit a.s., duke e konfonduar Kuranin sikur është mrekulli pavetore, pa ndërmjetësim, që përmbushet dhe triumfon vetëm prej Caktimit të Zotit dhe që bëhet ndryshues i gjendjes së gjërave pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të muslimanëve në këtë ndryshim – a thua se Kurani është një mrekulli e rendit kozmoligjik dhe jo e rendit retorik).

III.

Për më tepër, e njëjta gjë rrjedh të thuhet edhe tani, kur të rimarrim dallimin e fundit mes mrekullive, që e konstatuam që në fillim. Dallimi i tretë: mrekulli pa kontekst – jokalimtare dhe mrekulli kontekstuale – kalimtare.

Ky ishte në origjinë dallimi mes dy mrekullive me ndërmjetësim të Musait a.s.,mrekullisë së dorës ( efekti i së cilës nuk kalon tek publiku dhe gjërat; pra ata thjesht e dëshmojnë si mrekulli por nuk implikohen, nuk preken prej saj) dhe mrekullisë së shkopit (efekti i së cilës kalon drejtpërdrejtë tek publiku, duke i kushtëzuar ata në dështimin apo suksesin e akteve që kanë ndërmarrë : magjistarët braktisin kufrin,faraoni dhe ushtria e tij zihen përfund nga deti i rikthyer në brigjet e veta).Mrekullia jokalimtare si rregull është një mrekulli identifikimi, pra shërben si një atribut për bartësin e saj, si dëshmi e vërtetësisë së tij në kushte statike, pra në gjendje prehje dhe gatishmërie për soditje, ku mrekullia shkakton mahnitje, por mahnitja sublimohet brenda situatës dhe rrethanave, pa e kushtëzuar ndryshimin e tyre. Kurse mrekullia kalimtare është një mrekulli dinamike, përmbushja e së cilës i privon shikuesit nga mundësia për të abstenuar duke i detyruar në një mënyrë a tjetrën të përfshihen e të mbajnë qëndrim (duke e miratuar apo duke e kundëershtuar dhe duke i bërë rezistencë).

Siç thamë ne vetëm po e formulojmë atë që në këtë pikë gjithkush do ta konkludonte vetiu: Kurani si mrekullia bazë e muslimanëve, si një mrekulli përsëritëse, me ndërmjetësim, është pashmangshmërisht një mrekulli kalimtare dhe dinamike, pesha e të cilit përcaktohet rast pas rasti në kontekst (për kë nuk beson  nuk ngre peshë fakti që është Fjala e Allahut se për të kjo s’ka kuptim; apo për kë beson sipërfaqësisht fakti se është Fjalë e Zotit thjesht e detyron në gjeste venerimi formal)  përcaktohet nga fakti sesa efektet e Leximit të Tij me Zë e perturbojnë realitetin dhe mendjet e zemrat e publikut të këtij Leximi. Dhe sërish një konstatim pikëllues: nga marrëdhënia e sotme e muslimanëve me Kuranin, ato sillen me të sikur të ishte një mrekulli jokalimtare – statike që lexohet në namaz, mësohet përmendësh dhe studiohet me rigorozitet shkencor, pra praktikisht pa kontekst, duke e kufizuar në ekstrem potencialin e tij dinamik botëndryshues (por për këtë kemi folur më me imtësi tek “Leximi me Zë”, “Dy zbritjet” dhe Esbabi i Ebu Bekrit”).

Prof. Rudian Zekthi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit