13.6 C
Pristina
Sunday, October 13, 2024

Mrekullia dhe argumenti – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

Mrekullia dhe argumenti

Kur përmendëm si një nga karakteristikat e Davetit të Musait a.s. faktin që dërgimi i tij tek Faraoni dhe populli  i tij u mbështet me mrekulli prej Allahut të Madhëruar, me këtë thjesht pohuam se gjetëm diçka të pritshme, sepse mbështetja e profetëve me mrekulli nuk është një përjashtim por një rregull në davetin e profetëve. Të gjithë profetëve u kanë ardhur mrekulli, dallimi qëndron në llojin e mrekullisë dhe intensitetin e tyre, por në pamundësi këtu, për këtë do të flasim në një vend tjetër.

Videon me këtë temë mund ta gjeni këtu:

Po përse Zoti ka caktuar si normë ta shoqërojë davetin e profetëve me mrekulli ?

Nga ajo që Allahu thotë në Kuran, duket se janë të paktën dy përgjigje për këtë pyetje: së pari, për të forcuar zemrën e profetit dhe të të ndjekësve të tij, siç dëshmon Allahu  për marrëdhënien mes Muhamedit a.s. dhe Kuranit – mrekullisë më të madhe që atij iu dha “ ….Ne ta kemi shpallur kështu për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbritur qartazi varg pas vargu.” Furkan 32.; së dyti, për të shërbyer si dëshmi për pabesimtarët për vërtetësinë e profetit dhe mesazhit të tij – teuhidit., siç po ashtu konfirmohet në shumë vende  në Kuran, por po sjellim këtu dy citime që kanë lidhje me mrekullitë e dhëna Musait a.s. “ Në të vërtetë Ne i dhamë Musait nëntë shenja të qarta…..” Isra 101 dhe “ …Kjo ( dora) do të jetë njëra prej nëntë mrekullive që do t’i tregohen Faraonit dhe popullit të tij. Vërtet ata janë popull i pabindur!” Neml 12. (Të vihet re se mrekullitë këtu paraqiten si akte publike të hapura ballafaquese; jo vetëm kaq por si akte tipike të davetit vertikal, përderisa mrekullitë i jepen Musait a.s. si mbështetje në misionin e ballafaqimit me faraonin dhe parinë e tij.)

Në fakt në dy citimet e mësipërme tek Fjala e Allahut gjejmë të njëjtën fjalë për të emërtuar të nëntat e Musait a.s., pra fjalën ajat e cila ka një kuptim të përgjithshëm si shenjë, brenda të të cilit barten edhe kuptimet provë, dëshmi apo argument. Në përkthimin në shqip që ne e morëm nga i njëjti version në shqip i përkthimit të Kuranit, siç mund të vihet re, është përdorur njëherë fjala shenjë ,njëherë fjala mrekulli (ndërkohë që po të referojmë në versione të tjera të përkthimit në shqip të Kuranit, do të zgjerohet rethi edhe me përdorimin e fjalës argument si termi adekuat për të nëntat e Musait a.s.).

Ndërkohë që në ajetin tjetër tashmë të cituar prej nesh herën e kaluar, pra Kasas 32, tek Fjala e Allahut për të treguar të njëjtat gjëra dhënë Musait a.s., nuk është më fjala ajat, por fjala burr’han që në arabisht ka kuptim specifik të provës dhe argumentit. Ndërkohë që në asnjërin prej rasteve kur Allahu flet për dorën dhe shkopin e Musait

a.s. nuk e gjejmë shprehimisht fjalën muxhize që në arabisht tregon mrekulli, ndërkohë që s’ka asnjë dyshim që ato sipas kuptimit që ne u japim fjalëve, dora she shkopi janë mrekulli.

Ngaprejku mund të nxitemi ta modifikojmë relacionin semantik mes termave mrekulli dhe argument. Sepse në këtë relacion derimëtani kemi stabilizuar si të natyrshme kundërvënien kuptimore mes tyre, pra argumenti  është diçka brenda përvojës dhe mundësive njerëzore, e kapshme dhe e asimilueshme prej njeriut, kurse mrekullia diçka përtej përvojës njerëzore, e pamundshme të realizohet nga njeriu, të cilën njeriu thjesht e suporton por nuk rrok dot. Kurse fakti që Allahu të njëjtat mrekulli dhënë Musait a.s. i shenjon njëherë si shenjë dhe një herë si argument, do të thotë se afërsia konceptuale mes fjalëve shenjë dhe mrekulli dhe shenjë dhe argument, induktohet si afërsi konceptuale mes fjalëve mrekulli dhe argument. Nga mënyra sesi Allahu tregon këtë pjesë të historisë së Musait a.s. duket se ajo që i ndan këto dy terma është më pak e rëndësishme se ajo që i bashkon, madje deri në pikën sa këto të përdoren si sinonime, pra në vend të njëra -tjetrës, sikur të tregojnë të njëjtën gjë.

Në fakt edhe me logjikë elementare mrekullia mund të konsiderohet gjithmonë një argument, por logjika  e vetme nuk mundet të mbërrijë dot tek e anasjellta, pra se argumenti është një mrekulli.

Kështuqë nisemi nga ajo që është më e kollajtë për t’u pranuar, pra që një mrekulli është gjithsesi një argument. Edhe kjo nuk është aq e vetëkuptueshme sa ç’duket.

Sepse si një provë apo si një argument, mrekullia do të duhej të ishte prova absolute, absolutisht e papërgënjeshtrueshme dhe detyrimisht e pranueshme. Mirëpo në fakt nuk ndodh kështu. Që do të thotë se për aq sa një mrekulli është një argument apo një provë, është një argument final, konkludues. Paradoksalisht mrekullia nuk ka efekt mbi besimin apo mosbesimin e njerëzve, nuk e ndryshon raportin mes tyre, por thjesht e kristalizon dhe e finalizon. Pra nëse në një moment të caktuar të davetit sillet një mrekulli, ajo sjell si efekt përforcimin e besimit të atyre që tashmë kanë besuar dhe përforcimin e mosbesimit të atyre që nuk kanë besuar. Si mund të shpjegohet kjo, kur një mrekulli është provë e qartë e ekzistencës së transhendencës, pra provë e ekzistencës së një realiteti tjetër, që e kapërcen realitetin njerëzor ?

Në fakt, e kundërta so të ishte paradoks, sepse siç ne dimë Zoti u ka marrë amanetin gjithë njerëzve para se t’i zbresë në Dunja, që ato të dëshmojnë për Të, amanet që është ngulitur në natyrën njerëzore, përmes asaj që është fitra. Kur vjen një mrekulli, siç thamë se ka qenë rregull në davetin e profetëve, për ata që tashmë kanë besuar para se të procedohet mrekullia, kjo do të thotë një konfirmim më i plotë, më i gjallë më intensive (në nivelin e sigurisë së jekinit) i asaj që ata dinë , pra që çdo gjë vjen prej Zotit dhe mrekullia është vetëm e fundit që vjen prej Tij. Kurse për ata që tashmë nuk kanë besuar, demonstrimi i mrekullisë në kohë reale, është vetëm shtysa e fundit që ato të dëshmojnë se mosbesimi i tyre nuk ka qenë pasojë e e mungesës së argumentave, përkundrazi ka qenë pasojë e kryeneçësisë mosmirënjohëse. Për ta mrekullia është po ashtu çështje e mbërritjes së nivelit të jekinit por në aspektin negativ, pra e shijimit të plotë të egoizmit të tyre duke refuzuar tashmë pa asnjë skrupull detyrimet ndaj Zotit.

Vërtetësia e kësaj që pohuam, pra se mrekullia është një argument përmbyllës dhe se kur Allahu sjell mrekulli, ka mundësi që ajo të jetë shenjë se gjithë çfarë mund të bëhej prej njerëzve është bërë dhe tashmë do ndahet në mënyrë përfundimtare se cili qe caktuar me fat nga Zoti dhe cili jo,  mbështetet tek një seri pohimesh të Fjalës së Allahut.

Kështu në Suren En’Amë, ajeti 109, Allahu thotë: “ Ata besohen solemnisht në allahun se nëse u vjen një mrekulli ata me siguri do të besojnë. Thuaj “Mrekullitë janë vetëm tek Allahu”. E kush ju siguron se ata kur t’u vijë një mrekulli do të besojnë?”

Kurse në Suren Maide, ajeti 115, kërkesës së hauarijunëve për t’u zbritur Zoti një sofër prej qiellit, Allahu u përgjigjet: “…..Unë do t’ua zbres sofrën. Por cilindo që nuk beson pas kësaj, do ta dënoj ashtu sië nuk kam ndëshkuar askënd në botë”

Po ashtu, në Suren Kasas, ajeti 48: “ Pasi u erdhi e vërteta prej nesh ata tjanë: ‘Përse nu ki është dhënë Muhamedit diçka e ngjashme me atë që i është dhënë Musait?’ Por a nuk e mohojnë ata atë çfarë i ishte dhënë Musait duke thënë;’ Këta (Teurati dhe Kurani) janë dy magji që mbështesin njëra – tjetrën. Ne nuk besojmë asnjërin prej tyre’”

Po ashtu fakti se një pjesë e mirë e mrekullive janë ndëshkime, siç hapja e detit për

Faraonin dhe ushtrinë e tij, shiu i gurëve për popullin e Lutit a.s, ushtima për popullin e Salihut a.s., janë provë se një mrekulli është një ndarëse e përfundimtare e pozicioneve mes besimtarëve dhe mosbesimtarëve.

Jo vetëm kaq, por në fakt ajo që duhetj të pritej nga mrekullia, pra ndryshimi me themel i gjendjes së gjërave,  është caktuar të ndodhë përmes argumenteve, siç edhe tjetër herë kemi thënë se dëshmon ajeti 11 i Sures Rra’d, ku zoti thotë se nuk e ndryshon gjendjen e një populli, nëse ai nuk ndryshon veten. Pra një mrekulli ndryshon përkohësisht raportin e forcave apo ndryshon në mënyrë përfundimtare (përmes ndëshkimit) gjendjen e gjërave, por nuk e ndryshon për mirë përgjithmonë gjendjen e gjërave se kjo ka të bëjë me ndryshimin e zemrave që Zoti nuk ka premtuar t’i ndryshojë për mirë të gjitha së bashku. Gjë që Zoti ka caktuar të ndodhë përmes punës stërmunduese të shpalljes paprerë të argumentave.

Në të vërtetë, sa herë që një zemër ndryshon është një mrekulli, sespe vjen përmes një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë të Zotit ( kur Zoti i tërheq vërejtjen Muhamedit a.s. që prej tij varej vetëm transmetimi por jo udhëzimi që është realitet i  brendshëm që kushtëzohet drejtpërdrejt nga Allahu :  “ Vërtet ti Muhamed nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon atë do”), por kjo është si rregull një mrekulli pa dëshmitarë, si një e fshehtë mes Krijuesit dhe krijesës së tij. Kurse pra mrekullinë e hapur ,të madhe, përfundimtare, për të ndryshuar për mirë në masë zemrat, Zoti nuk e ka premtuar.

Fakti që nuk e ka premtuar si mrekulli, nuk do të thotë se nuk e caktuar të ndodhë.Edhe mrekullia dhe argumentet janë akte të davetit publik – vertikal , vetëm se mrekullia si akt publik, vlen për të përforcuar zemrat e besimtarëve dhe ngurtësuar dhe më zemrat e pabesimtarëve (me ndonjë përjashtim), kurse argumenti sado që shpesh dhe më së shumti nuk jep asnjë efekt (aq sa çon në zhgënjim dhe dëshpërim thirrësin), në atë aq pak mundësi që mbetet për sukses është e vetmja rrugë që duhet rrahur (le të jetë një thërrime kjo mundësi por nuk është zero) pa u konfonduar nga  supozimi se e vetmja mundësi është mrekullia si shprehje e një force superiore.

Ne e dime se gjendja e një populli ndryshon duke nisur nga një njeri, ky është themeli i Metodës Profetike, por kjo mundësi është grimca që poërmendëm më lart, gati papërfillshme në raport me masën e stërmadhe të pengesave që synojnë të kundërtën, por e përfytyrueshme si e vetmja rrugë suksesi. Aq pak sa ka mundësi të ndodhë, kur ndodh, ajo është vërtet një mrekulli, megjithëse nuk duket asnjë ndërhyrje nga jashtë e Zotit.

Por ne e dime që vetëm Zotit i takon kompetenca e ndryshimit të zemrave dhe ai për ndryshimin në masë të zemrave (pran dryshimin e gjendjes së një populli) ka caktuar si ligj zanafillën tek një njeri i vetëm, dhe si instrument kryesor të tij në këtë rrugë, përmbushjen e Davetit Vertikal – Publik. Kush ia del kësaj dëshmon në fakt se mrekullia dhe argumenti janë e njëjta gjë: në fund të rrugës së argumentave suksesi është një mrekulli, edhe nëse nuk shfaqet si i tillë.

Përdorimi i argumentit dhe mrekullisë si sinonime, trerma të ndërkëmbyeshëm me njëri tjetrin ka të bëjë me faktin se mrekullia si akt publik  adresuar kryesisht parisë së një populli, nxit dhe familjarizon profetët me hapësirën publike, ose e thënë ndryshe ka për detyrë t’i nxjerrë profetët në hapësirën publike dhe më pas t’i lërë vetëm, me të vetmen mundësi suksesi, duke i kushtuar gjithë çfarë kanë dhe gjithë çfarë janë dominimit të hapësirës publike përmes argumentave, pavarësisht mrekullive.

Prof. Rudian Zekthi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit