-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Martesat dikur dhe sot

Më të lexuarat

Ilir Sopjani

Te fukahatë, tradita është një prej argumenteve të Sheriatit.

Martesa në traditën popullore shqiptare është konsideruar nga zakonet më të dëshiruara, një zakon gëzimi, ngase ka sublimuar kalimin e disa fazave të jetës deri në pjekurinë për punë e jetë dhe, mbi të gjitha, për shumim. Këtij zakoni familjar i paraprijnë rrita e suksesshme- e fëmijës së shëndoshë dhe të përgatitur për jetë, kalimin në fazën e pjekurisë për martesë (iniciacion), – për fejesën dhe vetë aktin e martesës. Fejesa si akt ceremonial, që përcakton publikisht personat që, pas martesës, do të krijojnë jetën bashkëshortore.

Si e tillë, fejesa është e mbushur me plot veprime e ceremoni rituale, disa të trashëguara nga lashtësitë e mugëta pagane, po disa më të vona – edhe me rite islame a të krishtera, në varësi nga besimi. Sipas traditës, është bërë me shkuesi, por më përpara ishte traditë më pak e rastësishme edhe fejesa në bark dhe fejesa në djep, raste këto të trashëguara nga traditat pagane paraislame. Në të dy rastet, bëhej nga pjesëtarët e familjes: babai, nëna, i zoti i shtëpisë e, më rrallë, e zonja e shtëpisë, por vetëm në raste kur dëshirohej të trashëgohej miqësia e mirë e dyanshme, ose shoqëria e fortë në luftë e dy burrave, po edhe e nënave, të njohura në ditë gëzimesh e hidhërimesh, ndenjjesh apo të punës – me pëlqimin e dyanshëm, pa marrë parasysh se cili do jetë marrës e cili dhënës.

Kjo traditë tashmë ka perënduar, me përjashtime të ndërhyrjeve më tepër formale, nga ndonjë i afërm ose shok, në rolin e mësitit, pasi që çifti i ri të ketë vendosur për jetë bashkëshortore. Akti përfundimtar i martesës është dasma (në shtëpinë e dhëndrit ) dhe kanaxheçi (në shtëpinë e vajzës). Në të dy rastet këtë gëzim e organizojnë burrat, sipas traditës, por edhe femra është pjesëmarrëse aktive, sidomos në punët që u përkasin grave. Dasmat tradicionale zgjatnin tri ditë e net dhe organizoheshin për të marrë nusen ditën e hënë ose të enjte. Të marteve martoheshin të vejat, me më së shumi 7 krushq. Në kohën tonë nuk veprohet kështu. Të gjitha ditët e javës janë dhe ditë dasmash.

Stinët më të parapëlqyera të traditës për martesë ishin vjeshta dhe pranvera, një

traditë tashmë e tejkaluar–dasmat bëhen gjatë gjithë vitit. Dasma tradicionale organizohej në shtëpinë e dhëndrit, dhe kënaxheçi në shtëpinë e vajzës.

Tash dasmat organizohen në lokale publike, ku marrin pjesë burra e gra. Fatkeqësisht, ka raste të shpeshta, që përbëjnë një gabim gjykuar në aspektin islam, që të marrin pjesë bashkërisht burra e gra, ndonëse, sipas traditës, organizoheshin në hapësira të ndara. Tash nga kërkesa të shumta për lokale dhe muzikantë, caktimi i datës së dasmës detyrohet nga këto dy mundësi: sipas orarit që caktojnë muzikantët dhe pronari i lokalit. Marrja e nuses me qerre të mbuluara dhe qerre të saksanës, pothuajse është një e shkuar.

Nusja tash merret me automobila. Nga mënyra e organizimit, kanë ngelur si forma më tepër simbolike sesa reale: përgjegjës të dasmës ishin: bajraktari, plaka e kerrit, djali i kerrit, shpërndarja e drithërave dhe sheqerkave kur të niset vetura e nuses nga shtëpia e çiknisë dhe ardhjes së saj – hyrjes në oborr të dhëndrit, në çastin e zbritjes së nuses; thyerja e rrugës nga krushqit; shoqërimi i nuses nga vëllezërit e saj në shtëpinë e vajzës, derisa ta hipin në makinë; grushtimi i saj tri herë në shpinë nga i vëllai; vaji i nuses (vajzës, në raste gjithnjë e më të rralla); zbritja e nuses nga vetura me këmbë të djathtë dhe e shoqëruar nga kunetër apo vjehrri; shkelja mbi një objekt bujqësie; hyrja në shtëpinë e dhëndrit me këmbë të djathtë; prekja tri herë me dorë e ballit të derës, etj. etj., ishin disa nga format e përhapura në traditën shqiptare, në disa raste edhe duke bërë mëkate pjesëmarrësit e atyre riteve. Sa për ilustrim, pa u zgjeruar që të shpjegojmë secilin rit veç e veç, do të cekim vetëm rastin kur nusja merret dhe në mbrëmje atë e shajnë me fjalorin më të pistë, kurse të nesërmen presin që ajo edhe t’i respektojë dhe t’i dojë ato, një traditë që ishte mjaft e përhapur, mirëpo, falë Allahut, tani kemi fare pak raste të tilla.

Karakteristikat e dasmës tradicionale

Dasma shqiptare e traditës ka fazat e saja të organizimit:

a) faza përgatitore;

b) fillimi i dasmës;

c)nata e dasmës;

ç) dita e dasmës dhe

d) përfundimi i dasmës.

a) Në fazën përgatitore hyjnë të gjitha punët derisa të fillojë dasma, do thotë deri ditën e premte (kur nusja merrej të hënën), ose të enjten (kur nusja merrej ditën e diel). Në këto punë hyjnë të gjitha konsultimet – bërja dert – me pjesëtarë të familjes, vëllazërisë apo fshatit për: mënyrën e organizimit të dasmës; vendin ku do të priten miqtë – dasmorët (ngase ata nuk priten në shtëpinë e të zotit të dasmës; madhësinë e saj; ftuarjen e dasmorëve; ditën e dasmës; sigurimin e druve për dasmë; rregullimin e odës së krushqve; pritjen e miqve dhe sidomos të atyre më të largtëve; bajraktarin e dasmës; pritësit; hyzmeqarët; kafexhiun; akçinë; odabashin; shërbyesit e tjerë dhe mbajtësit e rendit; muzikantët, etj..

b) Fillimi i dasmës konsiderohet dita e kulaçit dhe fillimi i tëhollimit të petëve – gatimi, që shoqërohet me kërcime para defit të një djali, sa për t’ia filluar, i cili sit pak miell nga mielli i tëhollimit të petëve. Këtu pra kemi një lloj besëtytnie: djali e sit miellin në mënyrë që edhe nusja, sipas besimit të tyre, të lindë djem, pra këtu duhet të kemi kujdes se edhe ky është një rit me bazë pagane si shumë të tjera që, me dije apo pa të, zbatoheshin në masë të madhe në traditën shqiptare, por dita ditës po bëhen më të zbehta. Dasmën e vazhdojnë këtë ditë para dreke me të kërcyer hallat e bijat, duke kënduar këngë dasme, për djalin që martojnë.

c) Natën e dasmës fillon ardhja e dasmorëve, miqve – të ftuarve në dasmë dhe ata vendosen: burrat në odë e granimi në vendin e caktuar në shtëpi të dhëndrit. Në orë më të vona të kësaj dite nipat fillojnë të zënë pula, kudo që i hasin nëpër lagj,e dhe i therin e ua japin vajzave dasmore për t’ua fërguar. Edhe ky një gabim, ngase bëhet fjalë për vjedhjen e tyre’. Ndërkaq, vajzat bëjnë gati kulaçin e nuses në prani të një djali, të cilit ia vënë tre plisa në kokë, si simbol i shtimit të meshkujve nga martesa që po bëhet në atë shtëpi.

ç) Dita e dasmës është dita kur merret nusja.

d) Përfundimi i dasmës ishte dita e martë (kur nusja merrej të hënën) ose dita e hënë (kur nusja merrej të dielën), dita kur shpërndahen dasmorët , pasi të kenë ngrënë drekë.

Mënyra e marrjes së nuses

Dasmor, sipas tradite ka mund të ishte vetëm burri që i kishte dalë zot pushkës, që domethënë fëmijët nuk merreshin krushq. Krushqve u prinin dy burra të moshës së mesme, të cilët dilnin para bajraktarit, pastaj vinin bajraktari, kleri (hoxha tek myslimanet ose prifti tek katolikët), prapa tij krushqit e tjerë. Kur nusja merrej me kalë, kalin e shoqëronin katër persona: dy përpara, që mbanin kalin për freri nga të dy anët, dhe dy shoqërues prapa tyre, por anash kalit. Krushqit e tjerë vinin këmbë në rend njëri pas tjetrit. Ndërkaq, kur nusja merrej me qerre kuajsh, krushqit shkonin hipur në qerre. Në rrugën për ta marrë nusen, qerrja e nuses dhe e seksanes duhej të nisej disa minuta deri një orë para krushqve, në varësi nga largësia, në mënyrë që në shtëpinë e vajzës të kthehej drekë për krushkat derisa e bënin nusen gati dhe derisa ngarkonin seksanen (pajën – qeizin) në qerre. Në të kthyer nga miku, qerrja e nuses dhe, prapa saj e seksanes, vinin pas krushqve. Me t’ u nisur krushqit nga shtëpia e dhëndrit për ta marrë nusen, këngëtarët u prinin dasmorëve me këngë malsorçe. Me këngë malsorçe edhe hynin edhe dilnin nga fshati, këngë këto të pashoqëruara me instrumente muzikore, aty ku merrej nusja si dhe me të arritur në fshatin e dhëndrit. Si në nisjen e në arritjen e krushqëve, ashtu edhe në të hyrë të fshatit të mikut e në të dalë prej tij, ishte traditë

që dasmorët-krushqit të shtinin në ajër me armë zjarri. Ishte traditë po ashtu të thyhej udha në të kthyer të krushqve. Dhëndri, sipas traditës, derisa krushqit shkonin për t’ia marrë nusen, bënte ritualin e pastrimit dhe përgatitej për fazën e iniciacionit. Ardhjen e nuses e priste i fshehur në objekte të oborrit të shtëpisë, nga një vend më i lartë se nusja dhe prej nga e vrojtonte nusen gjatë zbritjes nga qerrja. Ceremonia e dasmës vazhdon edhe këtë natë me përurime për babanë dhe të zotin e shtëpisë. Dhëndri në odë burrash hynte për herë të parë pas ardhjes dhe zbritjes së nuses nga qerrja, kur dasmorët do t’i uronin martesën. Dasmorëve u jepej çaj ose kafe. Duke hyrë në gjerdek, dhëndri shoqërohet nga bashkëmoshatarë të tij, të cilët e godasin me grushta (një nga ritet më të hershme të kohës pagane). Të nesërmen dhëndri zgjohet herët në mëngjes, i veshur me rroba dhëndërie, si një shenjë që ai tashmë është ndarë nga mjedisi i tij social dhe i takon një grupi tjetër, atij të burrërisë. Kemi të bëjmë pra me kalimin nga një fazë e jetës në tjetrën, që njihet si iniciacion.

Thënë, krejt në fund, nga ajo që shohim e dëgjojmë sot, kanë mbetur pak rituale nga tradicionalja dhe kemi një ndryshim shumë të madh në ceremoninë martesore tek ne shqiptarët, dhe kjo është shumë larg nga rruga e drejtë gjykuar nga aspekti fetar islam. E ç’t’i themi për tërë ato që shohim – lakuriqësi, muzikë, përzierje burrash e grash, tërë kjo si pasojë e largimit nga rruga e Allahut xh.sh. dhe pasimi i epshit dhe rrugës së shejtanit të mallkuar.

1. Prof,Dr.Ukë Xhemaj: Instituti Albanologjik,Shtresime Kulturore,

edicioni 1 dhe 2, 2005;

2. Pjesë nga ekspozita në Muzeun

Etnologjik,

3. Drita Halimi: Etnologjia flet;

4. Monografi për Podgurin nga Prof. Dr. Ukë Xhemaj

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit