2.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Mallkimi dhe dispozitat e tij?!

Më të lexuarat

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mallkimi i besimtarit është si vrasja e tij.” Domethënë është mëkat i madh ashtu si vrasja e tij. (Hadithin e transmeton Muslimi). Gjithashtu Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Besimtari nuk është mallkues e as fyes, as i paturpshëm e as vulgar.” (Transmetuar nga Tirmidhiu)  Mallkimi është sharje e fyerje e dikujt, duke dëshiruar që ai të largohet nga mëshira e Allahut.

Kushtet e mallkimit:
1. Nëse bëhet fjalë për një tekst të shenjtë, në të cilin njoftohemi për ndonjë rast të caktuar, kushtëzohet që teksti të jetë autentik, d.m.th. prej Kuranit dhe hadithit të saktë.
2. Ndërsa kur bëhet fjalë për lutje, ne lutemi duke u orientuar nga tekstet e sheriatit, të cilët sqarojnë kategoritë e atyre që e meritojnë mallkimin.

Kujdes!
Ka shumë hadithe (duke përfshirë edhe ato që u përmendën më sipër) që e ndalojnë mallkimin dhe e kërcënojnë mallkuesin.

Format e mallkimit:
1. Mallkimi i jobesimtarit; ka disa raste:
a – Lejohet mallkimi i jobesimtarëve në përgjithësi, sipas ixhmait (konsensusit të dijetarëve).
b – Nuk lejohet mallkimi i një jobesimtari të gjallë të caktuar. Ky është mendimi i shumicës, sepse nuk dihet se si do ta mbyllë jetën ai. Allahu i Lartësuar i tha të Dërguarit e Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!): “Nuk është në dorën tënde…” (Ali Imran: 128), kur ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) u lut kundër jobesimtarëve dhe i mallkoi ata, duke i përmendur emrat e tyre. (Buhariu)
c – Lejohet mallkimi i një jobesimtari të caktuar që është vërtetuar (sipas teksteve të sheriatit) se ka vdekur si pabesimtar, sepse kjo është transmetuar nga disa sahabë.
d – Lejohet mallkimi i një jobesimtari të caktuar që dihet me siguri se ai ka vdekur si pabesimtar.

2. Mallkimi i muslimanit; ka disa raste:
1- Është kategorikisht e ndaluar mallkimi i muslimanit të mbrojtur nga sheriati (jeta, nderi e pasuria e të cilit janë të shenjta), sipas ixhmait (konsensusit).
b – Lejohet mallkimi i mëkatarëve në përgjithësi, për shkak të argumenteve që janë pro këtij mendimi.
c – Nuk lejohet mallkimi i një mëkatari të caktuar, bazuar në hadithin: “Mos e mallkoni atë! Betohem për Allahun! Unë jam i bindur se ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” (Buhariu)
Argumentet që janë transmetuar për këtë temë përshkruajnë cilësitë e atyre që meritojnë mallkimin; në to nuk përmenden persona të caktuar.

3. Mallkimi i kafshëve:
Në kuptimin që, kur mallkohen, ato humbasin bekimin e mbarësinë, dhe mbi to bien fatkeqësitë.
Nuk lejohet mallkimi i kafshëve, bazuar në hadithin, ku tregohet se një grua kishte hipur mbi një kafshë, të cilën ajo e mallkoi. Atëherë Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Shkarkojeni (hiqni ngarkesën e saj) dhe lëreni, sepse është e mallkuar.” (Muslimi)

4. Mallkimi i tokës dhe i objekteve të pajeta:
Nuk lejohet, për shkak të ndalimit të përgjithshëm të mallkimit.

5. Mallkimi i shejtanit:
Mallkimi i shejtanit është i lejuar, sepse Allahu dhe i Dërguari i Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e kanë mallkuar atë. Gjithsësi, është më mirë të kërkojmë mbrojtje prej Allahut nga shejtani i mallkuar, sepse nuk ka përfitim nga mallkimi i tij. Përkundrazi, dobia është në kërkimin e mbrojtjes nga ai.

6. Mallkimi i kësaj bote (i dynjasë):
Më mirë është që të mos mallkohet, për shkak të ndalimit të përgjithshëm. Sa i përket teksteve të sheriatit, në të cilat përmendet mallkimi i dynjasë, autenticiteti dhe kuptimi i tyre janë të diskutueshme ndërmjet dijetarëve.

Bëni kujdes!
 Nuk duhet toleruar përhapja e kësaj dukurie te një pjesë e njerëzve, veçanërisht te të vegjlit, të cilët është e nevojshme të paralajmërohen që të mos mallkojnë. Atyre duhet t’ua mësojmë se për mallkimin kanë ardhur paralajmërime të rënda, në mënyrë që të heqin dorë nga mallkimi e të jenë të kujdesshëm; të mos e nënvlerësojnë këtë çështje.
 Njerëzit duhet t’i dinë rastet kur lejohet mallkimi në sheriat që t’i shmangin ato, mënyrë që mos e zemërojnë Allahun dhe mbi ta të mos bjerë mallkimi i Tij.
 Mjerimi, dëshpërimi, zhgënjimi dhe humbja në dynja dhe Ahiret në janë fati i zi i atyre mbi të cilët bie mallkimi i Allahut; shumë i rëndë është kërcënimi për ata që mallkojnë vëllain e tyre musliman.

Autor i shkrimit:
Fehd bin Jahja el Amari
Gjykatës në Gjykatën e Apelit
në Mekën e Shenjtë
Përshtati në shpip: K. Bardhi

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit