-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Laicizimi i mendjes – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

Laicizimi i mendjes

“Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentat Tona në horizonte dhe veten e tyre, derisa t’ju bëhet e qartë se Ai (Kurani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fusilet, 53)
Ky ajet, është aq i qartë dhe i plotë, saqë i vetëm mjafton si një dispozitë metodologjike, për të dëshmuar të kundërtën e asaj që praktikisht ne si muslimanë shqiptarë e kemi marrë të mirëqenë këto tridhjetë vjet.

Në çfarëdo bisede mes muslimanësh, nëse flitet për çështjet e dijes, herët apo vonë, thuhet dhe merret e mirëqenë se kemi dy dije: një dije fetare dhe një dije jofetare. Ky konstatim konsiderohet aq i vetëkuptueshëm sa duket se nuk ka nevojë për vërtetim, pra merret si një aksiomë, që i paraprin çdo diskutimi. Dhe në fakt kështu edhe është: të gjithë e dinë që ka libra që flasin për çështjet e fesë dhe ka libra që flasin për çështjet e dunjasë, ka persona që zhvillojnë dijen e dunjasë (ato që rëndom thërriten shkencëtarë) dhe persona që zhvillojnë dijen e fesë dhe që ne i thërrasim dijetarë. Dhe mbi të gjitha: ka çështje që janë objekt i shqyrtimit të dijes fetare dhe ka çështje që janë objekt i studimit të dijes mondane (të kësaj bote, si rregull të atyre që quhen shkenca në kuptimin modern të fjalës).

Po ashtu mund të vazhdojmë ta konfirmojmë këtë edhe ndryshe: të gjithë e dinë që edhe brendapërbrenda dijes për fesë ka rubrika dhe disiplina të mundshme që nënkuptojnë lloje të ndryshme dijeje. Dhe po ashtu aq më shumë dihet se një ndarje e tillë është e vetëkuptueshme edhe brendapërbrenda dijes mondane. Madje njëra prej ndarjeve brenda dijes mondane, është shumë e qartë dhe e fortë, ndarja mes shkencave ekzakte (shkencave të natyrës) dhe shkencave humane (shkencave për njeriun dhe shoqërinë). Aq e fortë ka qenë kjo ndarje sa nga fundi i shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX, shkencëtarët e shkencave ekzakte pothuajse e deklaronin se shkencat humane nuk ishin shkenca por pseudoshkenca, dhe që studiuesit e shkencave humane ishin pseudoshkencëtarë, sharlatanë dhe thjesht llafazanë. Që do të thotë se nga një ndarje teknike dhe zhanrore, u kalua tek një ndarje vërtetësie dhe vlere: prej statusit të shkencave të ligjeve dhe formulave, shkencat ekzakte pretendonin se çdo dije tjetër e ndryshme prej tyre ishte e mbështetur në hamendje dhe trillim dhe për pasojë e padobishme dhe e kotë.

Dhe megjithësa më lart, ne mbrojmë këtu një tezë që është praktikisht e kundërta e kësaj: pra ne besojmë se ndarja shkenca fetare/ shkenca jofetare është thjesht çështje aspirate dhe dhuntie: pra kemi dy lloje dijesh sa kohë që nuk ka persona që i kanë njësoj pasion të dyja dhe janë të pajisur me zotësinë e duhur të ndryshme për t’u thelluar në lamie të ndryshme të dijes. Sikur një person të shfaqet me këto kapacitete, pra me pasion të pashtershëm për secilën prej këtyre dijeve dhe me dhuntitë adekuate për secilën, do të mjaftojë për ta marrë të vetëkuptueshme në ndarjen mes dy dijeve vetëm këto tri gjëra këtu të përmendura shprehimisht:

1. Ndarje sipas objektit të studimit (që është një ndarje teknike dhe pragmatike dhe vetëm si e tillë universale: një ndarje e tillë aktivizohet në çdo trupë njohurish, si nevojë për ekonomi. Pra për të shmangur rrëmujën dhe shpërqendrimin, për të përllogaritur forcat dhe për ta bërë të mundshme për publikun të ketë një ide të përafërt se për çfarë bëhet fjalë),

2. Ndarje sipas aspiratës (shumica e njerëzve nuk munden dot të pasionohen ndaj të gjithë dijeve njëherazi, gjë që s’i pengon të thellohen në atë lloj dije ndaj së cilës janë të pasionuar)

3.Ndarje sipas dhuntisë (janë të rrallë ata që kanë talentet e duhura për t’u marrë njëkohësisht me shkenca të ndryshme).

Të vihet re menjëherë: duke qenë se vetëm këto tre janë kriteret që e normalizojnë dallimin mes dijeve, as nuk ka vend për të diskuruar për dallim në vlerë dhe dobi mes tyre.

Pra dija fetare është vetiu e rëndësishme dhe e vlefshme, por po ashtu dija për numrat (matematika) është vetiu e rëndësishme dhe e vlefshme, dija për natyrën (fizika) është vetiu e rëndësishme dhe e vlefshme, dija për Lëndën (kimia) është vetiu e rëndësishme dhe e vlefshme, dija për psikikën njerëzore (psikologjia) është vetiu e rëndësishme dhe e vlefshme) dija për njerëzimin (historia), dija për shoqërinë (sociologjia), dija për gjuhën (linguistika), dija për shenjat (semiotika), dija për artin (estetika), janë të gjitha këto vetiu të rëndësishme dhe të vlefshme.

E theksuam në seri fjalëzën “vetiu” për çdo rast, sepse nëse rëndësia e këtyre dijeve vihet në diskutim (pra merret në shqyrtim nëse ja vlejnë apo jo) futemi në një rrugë pa krye, në fakt të pakuptimtë.

Ajeti 53 i sures Fusilet këtë tregon: u deklaron pabesimtarëve se nëse ata refuzojnë ta marrin dijen për Zotin përmes Kuranit, Zoti u ka rezervuar edhe një mundësi tjetër për ta njohur Atë: me anë të shenjave që do ta zbulojnë përmes dijes mondane (dijes për horizontet dhe vetet). Zoti i qorton që nuk e besojnë Kuranin, por ama nuk i qorton që merren me dijen mondane, përkundrazi u thotë se të vërtetës së tij nuk i ikin dot, se nuk ka rëndësi se çfarë zgjedhin si dije të vlefshme, pasi përfundimi do të jetë i njëjtë: zbulimi i Zotit tek mënyra e përsosour sesi Ai i ka krijuar gjërat.

Ndërkohë, duke u kthyer tek si e nisëm, në bisedat e muslimanëve shqiptarë kur pohohet dallimi mes dijes fetare dhe dijes mondane, ne na pikëllon jo këmbëngulja tek ky dallim, por diçka tjetër: me këtë pohim , këto tridhjetë vjet, ne si muslimanë kemi bërë pikërisht këtë gabim, pra kemi lënë të nënkuptohet ose se dija mondane nuk është e rëndësishme, ose në rastin më të mirë, që rëndësia e saj është e zbehtë përballë rëndësisë akute të dijes fetare. Në të dyja variantet është e gabuar. Edhe në rastin e dytë, sepse e vërtetë është pikërisht e kundërta: nga dobia e padyshimtë e dijes fetare rrjedh rëndësia e padyshimtë e dijeve mondane. Tekefundit janë të rëndësishme apo jo, përcaktohet nga çfarë mendojmë për njeriun, rrjedhimisht për veten: po menduam se njeriu është mëkëmbës në Tokë, deklarimi i parëndësisë së dijeve fetare është thjesht pa kuptim; po menduam se njeriu është një hallexhi, hallet e të cilit nuk mbarojnë dhe sapo zgjidh njërin vjen tjetri dhe duhet të jetë në tension të pandërprerë se mos bën gjynahe në procedura, atëherë me siguri që konkludohet e kundërta, pra që dijet mondane janë të tepërta, një barrrë që shton më shumë shpërqendrimin (apo që nuk e lejon njeriun të përqendrohet në fe) dhe për pasojë nuk ia vlen të merresh me to.

Në fakt, ky qëndrim i dytë ka dominuar mes nesh, dhe jo për paradoks më shumë mes besimtarëve , sesa mes hoxhallarëve. Nuk bëhet fjalë për paradoks, sepse hoxhallarët e dinë në një mënyrë a tjetrën që dija mondane nuk mund të hidhet poshtë dhe të shpallet e pavlefshme, apo e dinë sëpaku, parimin sheriatik, se nëse një gjë është e domosdoshme për të realizuar një gjë të domosdoshme, edhe ajo gjëja bëhet e domososhme dhe e rëndësishme. Por në fakt, gjithsesi hoxhallarët e kanë legjitimuar këtë konceptim të ndarë të dijes, por jo duke thënë shprehimisht që ajo nuk vlen, por duke thënë në njëfarë mënyre të njëjtën që mbrojtëm edhe ne më lart: që e gjithë dija nuk është e mundshme të zotërohet nga shumica njerëzve e për pasojë, duhet të zgjedhësh cilës dije t’I përkushtohesh, e kur vihet në këtë pikë (pra o dija fetare o dija mondane), do zgjedhësh dijen fetare e do të neglizhosh dijen mondane.

Duket si një rrjedhim i pashmangshëm dhe i pafajshëm, ndërkohë që s’është as i pashmangshëm e për pasojë as i pafajshëm. Vetë argumenti se shumica e njerëzve s’janë as të prirur, as të aftë të thellohen në të dyja dijet, e jep zgjidhjen që ne e përmendëm më lart: pakica duhet ta synojë medoemos, sepse njerëz me të tilla cilësi, me siguri të pakët janë gjithsesi potencialisht të shpërndarë prej Zotit në shoqëri, pikërisht për ta bashkuar dhe unifikuar gjithë dijen, siç thamë si e vetmja rrugë që njeriu të marrë përsipër të qenët halifullah-mëkëmbës në Tokë. Sepse pikërisht ky është ligj i Zotit: bëhet fjalë pikërisht për

Një Pakicë, pa të cilën asnjë shoqëri (shumicë) nuk mund të zhvillohet e përmirësohet. Dhe kështu s’ka asnjë kuptim e vlerë, që të heqësh dorë nga një gjë apo të influencosh që prej saj të hiqet dorë, me argumentin se nuk vlen për shumicën e njerëzve. Aq më tepër argumenti i tillë bëhet paradoksal, kur i bashkangjitet pashmangshmërisht pretendimi se meqë shumica nuk ka atributet për ta bërë këtë rrezikon të dëmtohet nëse angazhohet. A thua se shumica me zor po pret të angazhohet me dijen mondane (apo edhe për dijen fetare) e për pasojë rrezikon të lërë njërën për tjetrën. Në të vërtetë problemi i shumicës së njerëzve është se nuk aspirojnë as njërën as tjetrën.

Ky është edhe synimi kryesor i pakicës dijeunifikuese: të ngjallë tek masa e njerëzve aspiratën për dije. Dhe posaqë është kështu, si mundet të përmbushet ky synim, frymëzimi i masës së njerëzve për dituri (atribut i shoqërive më të mira): duke u thënë njerëzve të marrin vetëm dije fetare, duke u thënë që të marrin vetëm dije mondane, apo duke u thënë që t’i synojnë të dyja? Duke përjashtuar menjëherë alternativën e dytë, (alternative ekstremiste që është karakteristikë e shoqërisë sonë) mbeten dy të tjerat, midis të cilave ne si muslimanë kemi zgjedhur ekstremin tjetër: synimin vetëm të dijes fetare. I quajtëm të dyja zgjidhje ekstreme, sepse refuzojnë të natyrshmen: ka njerëz që kanë pasion dhe dhunti të veçantë për dijen për Zotin dhe ka njerëz që kanë pasion dhe dhunti të veçantë për dijet mondane dhe ka njerëz që kanë një pasion të pakët dhe të mangët edhe për njërën dije edhe për tjetrën (përveç pakicës që thamë se ka pasion e aftësi të veçantë për të dyja dijet). Ndër katër kategoritë, janë tre kategoritë që kanë ( sigurisht në masë të ndryshme) pasion dhe dhunti për të dyja dijet dhe është vetëm nga një kategoti që ka pasion dhe dhunti vetëm për njërën prej dijeve. Sigurisht që është një zgjidhje ekstremiste dhe e kundërnatyrshme, nëse secili prej këtyre dy grupeve do u kërkonte tre grupeve të tjera, të luftonin tek vetja pasionin dhe dhuntinë për njërën prej dijeve në emër të frikës së zhdukjes dhe zhvelërsimit të dijes tjetër.

Kështu me siguri laicizmi është njëra prej këtyre zgjidhjeve ekstremiste të kundërnatyrshme, ne e dimë këtë sepse e pësojmë përditë: shkolla shqiptare e përjashton dijen fetare pikërisht me pretendimin se ajo është një dije e pavërtëtë dhe e parëndësishme, pa marrë në konsideratë se tre ndër katër kategoritë e njerëzve, e kanë të natyrshme nevojën dhe prirjen (e shumtë apo të paktë) për këtë dije.

Dhe ne i jemi përgjigjur këtij qëndrimi të gabuar, duke e imituar, duke e imituar si gabim: duke e mësuar veten ditëpasdite me idenë se duhet të njihet vetëm dija fetare, pa marrë në konsideratë se ky si një version tjetër i laicizmit (në një shkrim tjetër ne kemi përcaktuar si thelbin e laicizmit pikërisht procedurën e ndarjes së dijes, e pengimit të unifikimit të saj), është po ashtu i kundërnatyrshëm dhe kundërproduktiv: I kërkon tre prej katër kategorive të luftojnë me natyrën e tyre që në mënyrë të natyrshme aspiron njohjen e botës dhe fenomeneve të saj.

Në këtë kuptim dështimi i qartë i laicizmit të sistemit duhet të jetë i mjaftueshëm për ne si paralajmërim për dështimin e qasjes sonë po ashtu laicizuese. Megjithëse promovuesit e laicizmit të sotëm e mohojnë, mjafton vetëm një argument për ta dëshmuar këtë dështim: megjithë zhvillimin e dijeve mondane dhe posaçërisht të teknologjisë, jeta shpirtërore dhe morale e njerëzve vetëm se përkeqësohet. Por po ashtu, edhe pse dështimi i laicizmit alternativ të muslimanëve mohohet nga promovuesit e tij, mjafton po ashtu një argument për ta dëshmuar atë: pasivizimi dhe dobësia e brezave të rinj të muslimanëve, të infektuar nga të njëjtat pasiguri dhe vese si moshatarët e tyre jomuslimanë.

Sigurisht nuk po vemë shenjën e barazimit teksa i quajmë të dy fenomenet si versione të laicizmit: laicizmi ynë (i muslimanëve) vjen si një gabim nga dëshira e mirë për ta njohur Zotin sa më mire dhe për t’iu afruar Atij sa më shumë, pra në njëfarë mënyre është i pavetëdijshëm,, kurse laicizmi i laikëve është produkt i sforcimit për ta refuzuar Zotin, rëndësinë e Tij dhe Dijen për Të, pra është një laicizëm i synuar dhe i qëllimshëm. Por pavarësisht kësaj dëmet, megjithëse të llojeve të ndryshme, janë njësoj të pallogaritshme.

Laicizmi ynë si një laicizëm që i kundërvihet sistemit pa synuar ta njohë dhe ta ndryshojë atë, është në thelb një laicizim i të menduarit. Mendja muslimane është laicizuar, përsa ne e marrim të mirëqenë se dy dijet janë të paunifikueshme mes tyre. Duke besuar këtë e kemi detyruar mendjen tone të përshtatet modifikohet duke u ndarë në dy pjesë: njëra që merret domosdoshmërisht me dijen fetare, dhe tjetra që merret nga halli me dijen mondane. Kjo ndarje e mendjes (ky laicizim i saj) është e vetmja mënyrë për të mos unifikuar dijen: nëse mendja nuk vetëndahet në dy pjesë që nuk komunikojnë me njëratjetrën, ajo është e destinuar në mënyrë të natyrshme të ndajë dijen në të vlefshme dhe të pavlefshme rast pas rasti dhe jo paraprakisht, dhe për pasojë do të binte ndesh me direktivën që po i dhe rëndësi dijes mondane do zbehësh dhe dobësosh rëndësinë e dijes fetare. Që të mos bjerë ndesh me këtë direktivë vetëndahet duke u dyzuar. Ky laicizim i mendjes shpjegon dobësinë e muslimanëve: asgjë nuk mund të zhvillohet duke e konceptuar veten si gjysmë, apo duke shfrytëzuar vetëm gjysmën e kapaciteteve të veta.

Për të shpëtuar nga ky kurth, duket se ka vetëm një rrugë, hapja e tërësisë së fushës së mendjes, apo riunifikimi i saj, gjë që mund të realizohet duke i kthyer asaj natyrshmërinë: të përcaktojë çfarë vlen dhe çfarë s’vlen rastpasrasti, si reflektim dhe rikapitulim (ixhtihad) i tërësisë së dijes dhe tërësisë së realitetit.

Për ta bërë këtë duhet të besosh që në origjinë se njohja e dijes mondane është po aq e rëndësishme sa njohja e dijes fetare, madje thellimi tek dija mondane është një rrugë e garantuar (të cilën derimëtani s’e kemi përdorur) për t’ia mbërritur thellimit të dijes për Zotin. Thënë ndryshe: për ta njohur sa më mire Zotin tone, pra për t’mos mbetur në sipërfaqe të dijes fetare, por për t’u thelluar tek ajo, kemi nevojë për një mendje të plotë të unifikuar që punon me gjithë kapacitetin e saj, dhe kjo plotësi e mendjes arrihet vetëm nëse ajo në mënyrë të natyrshme, me themel dhe pa hile i hyn zotërimit të dijes mondane, me synimin që me të të gjallërojë dijen për Zotin. Nëse e bën këtë ka dy rrugë: ose zbulon që dija mondane bie ndesh me dijen për Zotin dhe atëherë e dekonstrukton atë. Ose zbulon që përputhet me dijen për Zotin, dhe shijon kështu satisfaksionin e një punë të bërë në mënyrën më të mirë.

Siç thotë dhe Allahu në Kuran, në Suren Fusilet, ajeti 53:” Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentat Tona, në horizonte dhe veten e tyre, deri që t’u bëhet e qartë se Ai (Kurani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?”
Ky ajet është tretës i çfarëdo dyshimi apo pasigurie, se mos njohuria mondane (për horizontet- qiejt dhe për veten njeriun dhe shoqërinë) është e panevojshme apo e padëshirueshme. Kemi dëshminë e Allahut se pabesimtarët, pikërisht përmes të vërtetave- shenjave të dijes mondane do të konfirmojnë të vërtetën e Zotit, që do të thotë se dija fetare dhe dija mondane konvergojnë, pra edhe pse mund të kenë nisje të ndryshme, finalen sëpaku e kanë të njëjtë. Sepse Allahu dëshmon për veten jo vetëm kur flet me fjalë në Kuran, por edhe kur flet me anë të shenjave në univers dhe në shoqëri.

 

Rudian Zekthi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit