3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Kushtet e shitblerjes

Më të lexuarat

Kushtet e shitblerjes

Asnjë shitblerje nuk mund të konsiderohet e saktë nëse nuk i përmbush shtatë kushte, të cilat janë:

1. Mirëkuptimi midis dy kontraktuesve.

Duhet që patjetër të arrihet mirëkuptimi i dy kontraktuesve në shitblerje, argument për këtë është fjala e Allahut i cili thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ لاَ تَأْكُلُواْ أَمْوَالَكُمْ بَيْنَكُمْ بِالْبَاطِلِ إِلاَّ أَن تَكُونَ تِجَارَةً عَن تَرَاضٍ مِّنكُمْ

“O ju që keni besuar! Mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të pa lejuar përveç se me anë të marrëdhënieve e të marrëveshjeve të drejta bashkëpunuese e tregtare mes jush”.Nisa, 29.

Nëse dikujt i bëhet presion për të shitur mallin e tij me pa të drejtë, atëherë shitblerja nuk merret në konsideratë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për blerësin nëse i bëhet presion. Pra, kjo lloj shitblerje nuk është e saktë dhe tregtari apo blerësi kanë të drejtë të kërkojnë rikthimin e të drejtës së tyre.

Por nëse presioni është me të drejtë, atëherë kjo shitblerje është e rregullt. P.sh: një person ka borxhe ndaj njerëzve dhe nuk i lan ato, atëherë gjykatësi (kadiu) ka të drejtë t’i konfiskoj atij nga pasuria aq sa mund të laj borxhet e njerëzve pas shitjes së saj.

2. Të jetë të dy kontraktuesit të aftë për veprime të biznesit.

Kushtet për të qenë i aftë për veprime të biznesit janë: të jetë i mençur, të jetë i pjekur (pra të ketë arritur pjekurinë) dhe të jetë që arsyeton (i kujdesshëm në shitblerje). Argument për këtë është fjala e Allahut ku thotë:

      وَلاَ تُؤْتُواْ السُّفَهَاء أَمْوَالَكُمُ

“Mendjelehtëve  mos u jepni pasurinë tuaj…”Nisa, 5.

     وَابْتَلُواْ الْيَتَامَى حَتَّىَ إِذَا بَلَغُواْ النِّكَاحَ فَإِنْ آنَسْتُم مِّنْهُمْ رُشْداً فَادْفَعُواْ إِلَيْهِمْ أَمْوَالَهُمْ

“Dhe përkushtohuni ndaj jetimëve (dhe i provoni ata për aftësitë e tyre) derisa të arrijnë moshën e martesës. Në qoftë se në këtë kohë shihni mendje të shëndoshë tek ata, atëherë ua dorëzoni pasurinë e tyre.”Nisa, 6.

Përjashtohet nga kjo që përmendëm veprimet e të vegjëlve në gjëra të vogla, si blerja e ëmbëlsirave apo si shembulli i tyre.

3. Të jetë çdonjëri prej kontraktuesve pronari real i pasurisë apo mallit, ose të jetë i autorizuar prej tij.

Nuk lejohet që dikush të bëjë biznes me pasurinë e tjetrit pa lejen dhe konfirmimin e tij, sepse Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mos e shit atë që nuk e posedon.” Tirmidhiu / 1232 dhe Ebu Daud / 3503.

Ai që përfaqëson pronarin real të pasurisë apo mallit është: zëvendësi i tij, apo kujdestari i fëmijës (bëhet fjalë kur dikush menaxhon biznesin e jetimit, antikapatit) e të ngjashëm me të.

Nëse dikush shet mallin e dikujt pa lejen e tij, apo blen me pasurinë e tij një mall pa lejen e tij, atëherë ky akt nuk pranohet.

4. Të jetë përdorimi i mallit që tregtohet i lejuar.

Nuk lejohet të tregtohet ai mall që nuk lejohet përdorimi i tij, si alkooli, duhani, droga, veglat muzikore, mishi i derrit e të ngjashme me këto. Argument për këtë është fjala e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Allahu kur ua ndalon disa njerëzve ngrënien e diçkaje, ua ndalon dhe përfitimin prej saj.” Ahmedi 1/247 dhe Ebu Daud 3488. Ibën Kajim ka thënë se zinxhiri i këtij hadithi është i saktë.

Kur Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte në Mekë në haxhin e lamtumirës, ndër të tjera tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar tregtinë e alkoolit, ngordhësirës, derrit dhe idhujve.” Të pranishmit i thanë: “O i Dërguar i Allahut, po dhjami i të ngordhurave, çfarë gjykimi ka, sepse ne me to lyejmë anijet dhe lëkurat e kafshëve?” Profeti iu përgjigj: “I mallkoftë Allahu hebrenjtë, kur ua ndaloi Allahu atyre dhjamin, ata e zbukuruan atë, më pas e shitën dhe hëngrën përfitimet e saj.” Buhari / 2121.

E njëjta vlen edhe për shitjen e verës. Ajo që është përmendur me fjalën Khamr (pra çdo gjë që të deh), duke u bazuar në thënien e Pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Çdo pije dehëse është alkool, dhe çdo lloj i alkoolit është i ndaluar.” Profeti (sallallahu alejhi ue selem) ka mallkuar dhjetë grupe njerëzish në lidhje me alkoolin, siç është transmetuar në hadithin e saktë: “Vërtet Allahu e ka mallkuar alkoolin, – njeriun që e prodhon atë, atë për të cilin ai (alkooli) është prodhuar, atë që e shet dhe atë që e blen, atë që e pi dhe atë që përfiton nga shitja e tij, atë që e bart dhe atë tek i cili bartet, dhe atë që shërben me të.” Tirmidhiu dhe Ibnu Maxhe.

Alkool është çdo pije dehëse, pa marrë parasysh a quhet kështu apo jo, si: vera, uiski, kampari, birrat me alkool etj. Nuk është me rëndësi se a quhen me njërin nga këta emra apo emra të tjerë,  sepse ndryshimi i emrit nuk e ndryshon faktin se ajo është alkool. Është ashtu siç transmetohet në hadithin e Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kohëve të fundi do të vinë njerëz të cilët do ta quajnë alkoolin me emra  të tjerë dhe do ta pinë atë.”

Këtu del një çështje: Cili është gjykimi i blerjes së drogërave të lehta për përdorim mjeksor (Narkozë)?

Kjo çështje është e re dhe sigurisht që dijetarët kanë folur shumë për atë se a lejohet mjekimi me ato që janë të ndaluara apo jo. Megjithatë ata që e kanë lejuar mjekimin me to kanë thënë se vlefta e këtyre drogërave jepet, jo për të si qenie, porse për prodhimin e tyre e të ngjashme me të.

Gjithashtu, nëse malli që shitet nuk lejohet vetëm se në rastet e domosdoshme, si mishi i kafshës që ka ngordhur, apo që lejohet në rast nevoje, si qeni i gjuetisë apo për ruajtje përsëri nuk lejohet tregtia me to. Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Përfitimi nga qeni është i ndyrë”. Muslimi / 1568.

Çështje tjetër që hyn këtu është se a lejohet shitblerja e plehrave organike (plehrat e kafshëve) të cilat përdoren në bujqësi apo jo?

Plehrat e kafshëve ndahen në dy lloje:

1.  Plehra të kafshëve që u hahet mishi. Gjykimi i tyre është se ato janë të pastra dhe lejohet shitblerja dhe përdorimi i tyre për bujqësinë.

2. Plehra të kafshëve të cilave nuk u hahet mishi, në lidhje me to dijetarët janë në dy mendime:

a) Lejohet shitblerja e tyre. Të këtij mendimi janë hanefitë dhe malikitë dhe argumentohen se shitblerja e tyre ka qenë e njohur që në kohët e vjetra.

b) Nuk lejohet shitblerja e tyre, dhe të këtij mendimi janë pjesa më e madhe e dijetarëve dhe janë argumentuar me hadithin e mësipërm të Abdullah bin Xhabirit, duke i krahasuar jashtëqitjet e tyre me dhjamin e të ngordhurave. Ky është dhe mendimi më i mirë.

5. Malli me të cilin tregtohet duhet të jetë i njohur në kohën e aktit si nga tregtari ashtu dhe blerësi.

Nuk lejohet në asnjë mënyrë të shitet diçka e panjohur, si p.sh: të thotë tregtari: “Po ta shes makinën time” dhe blerësi të thotë: “Dakord” duke qenë se ai nuk e ka parë makinën e as nuk i njeh cilësitë e saj. Argument për këtë është hadithi që transmeton Ebu Hurejre se Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar tregtinë që ka rrezik. Muslim / 1513.

a) Njohja dhe përcaktimi i mallit arrihet në dy mënyra: Parja e mallit në kohën e aktit, ose pak para aktit. Pra, aq sa në përgjithësi malli nuk mund ndryshojë).

b) Përshkrimi i tij në atë mënyrë që të përputhet me realitetin. Pra, t’ia përshkruaj sikur po e shikon atë por pa e mashtruar.

6. Malli që tregtohet të jetë i posedueshëm.

Pra, të ketë mundësi blerësi ta posedojë atë. Kështu themi se nuk lejohet shitja e një makine të humbur (të shesë makinën që i ka humbur), zogun në ajër e të ngjashme si këto. Argument për këtë është hadithi i Ebu Hurejrës që përmendëm më sipër.

Çështje: A lejohet shitja e peshkut duke qenë në det?

Nëse peshku është në det të hapur nuk lejohet shitja e tij për arsyet e përmendura më lartë, por nëse ai është në oazë ose në vaska ku mund të merret e të kapet pa problem dhe mund të shihet atëherë në këtë rast lejohet, sepse është i njohur.

7. Të jetë çmimi i mallit i njohur në kohën e aktit.

Kështu që nuk lejohet të biesh dakord me dikë për shitjen e një malli duke e përcaktuar çmimin pas bërjes së aktit. P.sh: t’i thuash ta shita makinën por që ta përcaktojmë çmimin më vonë. Argument për ndalimin e kësaj tregtie është hadithi i mësipërm.

Përgatiti: Bledar Haxhiu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit