20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Kurti: Në pranverën e vitit të ardhshëm pritet njohja e ndërsjellë me Serbinë

Më të lexuarat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që të kujton atë mes dy Gjermanive pas Luftës së Dytë Botërore, duhet të mundësojë integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara.

Negociatat për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç thekson ai, bazohen në ofertën e Bashkimit Evropian, e cila u përkrah nga Berlini dhe Parisi.

“Që nga 9 shtatori i këtij viti, ne kemi një model në të cilin do të mbështetemi gjatë negociatave tona të ardhshme, të cilat duhet të fillojnë menjëherë. Në fakt thuhet se brenda pak ditësh, përafërsisht deri në pranverën e ardhshme, duhet të kemi një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Në ndërkohë u pajtuam që Kosova të mos vazhdojë me gjoba për veturat me targa ilegale ‘KM’ dhe të tjera nga koha e sundimit të Millosheviqit. Serbia nuk do të lëshojë më targa të tilla dhe ne po i japim mundësinë, një hapësirë disamujore, si masa për besimin reciprok, për të arritur këtë marrëveshje, e cila është shumë e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për gjithë rajonin tonë”, ka theksuar Kurti për televizionin malazez “Gradska”.

Ai theksoi se pas shpalljes së pavarësisë, Republika e Kosovës u bë shtet normal, por Serbia nuk ishte dhe se, siç thotë ai, kjo është çështje e popullit serb.

“As marrëdhëniet tona nuk janë normale. Normalizimi i marrëdhënieve do të thotë që në fund të kemi një marrëveshje, një marrëveshje që është ligjërisht e detyrueshme ndërkombëtarisht dhe në të cilën në fokus kemi njohjen reciproke. Ju e dini që Kosova nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën dhe tani kemi një afat që ajo njohje reciproke të zbatohet diku në pranverën e vitit të ardhshëm. Kjo është marrëveshja që është arritur mbrëmë dhe që Serbia e ka pranuar”, tha Kurti, transmeton Telegrafi.

Serbia, shton ai, ka pranuar edhe hapjen e negociatave që do të bazohen në ofertën e Brukselit, e cila mbështetet nga Franca, Gjermania dhe SHBA. Plani, thotë ai, është që javën e ardhshme ose javën në vijim të organizohet një takim në Bruksel, ku do të fillojnë negociatat për normalizimin e marrëdhënieve.

Problemi, sipas Kurtit, është të besohet se Aleksandar Vuçiq do ta respektojë marrëveshjen.

“Nga 33 marrëveshjet e arritura nga Kosova dhe Serbia në Bruksel, Serbia nuk i ka realizuar apo zbatuar dy të tretat e atyre marrëveshjeve. Ne kemi përvojë të hidhur me Serbinë në kuptimin që nënshkrimi dhe zbatimi i marrëveshjeve janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Do të punoj që nënshkrimi i marrëveshjes dhe zbatimi i saj të vijnë në të njëjtin kontekst”, thekson Kurti.

Ai beson se nuk do të jetë e lehtë, por as e pamundur.

“Tani kemi si garanci Brukselin, Parisin, Berlinin dhe Uashingtonin. Prandaj ne e shohim këtë deklaratë si një hap progresiv pozitiv në drejtimin e duhur”, tha Kurti.

Ai thekson se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmban elemente të marra nga modeli i dy Gjermanisë, i cili mundësoi anëtarësimin e tyre në organizatat ndërkombëtare.

“Por, duke marrë parasysh situatën me Kinën dhe Rusinë, të cilat nuk janë vende demokratike dhe që janë në tension të madh me Perëndimin demokratik dhe kanë të drejtën e vetos, nuk është shumë racionale të pritet që ata të ndryshojnë mendimin e tyre në një pak muaj”, beson Kurti.

Krahas marrëveshjeve mes dy vendeve, shton ai, është e nevojshme edhe përballja me të kaluarën.

“Pra, Willy Brandt, në fillim të viteve 70, nuk e nisi ‘Ostpolitikën’ me marrëveshje dhe negociata, por duke shkuar në Varshavë. Mendoj se në Serbi është shumë e rëndësishme që të ndodhë një përballje e tillë me të kaluarën. Është mirë për të tashmen tonë, por edhe për gjeneratat e ardhshme”, tha Kurti.

I pyetur nëse ka ndokush në Serbi sot që do të bënte një gjest si kancelari gjerman i atëhershëm Willy Brandt – i cili u gjunjëzua para monumentit të viktimave hebreje të Holokaustit, Kurti thotë se “Në Serbi sigurisht që ka njerëz të tillë, por ata janë individë dhe nuk kanë vend për veprim. Ata nuk kanë fuqinë që vjen me pushtetin, pra janë në opozitë dhe janë në opozitë jashtëparlamentare. Tani ndoshta do të duhet pak kohë për këtë, por po jetojmë në kohë të vështira dhe të çuditshme”, ka theksuar kryeministri i Kosovës.

Ai thotë se marrëveshja reciproke për njohjen dhe normalizimin e marrëdhënieve nënkupton se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, por edhe se nuk do të mbështesë një ulëse në Kombet e Bashkuara. Megjithatë, shton Kurti, gjërat janë ende të hapura sepse negociatat do të fillojnë.

“Jam i bindur se Serbia do të donte që këto negociata të zgjasin disa vite, derisa të ndryshojnë kushtet botërore dhe nuk e kam fjalën vetëm në SHBA, por edhe në Evropë. Ky është një këndvështrim i ekstremit të djathtë për jetën dhe botën, dhe mendoj se në Serbi, rolin kryesor nuk e ka presidenti Aleksandar Vuçiq, por Kisha Ortodokse Serbe, e cila është e lidhur ngushtë me Moskën, Universiteti i Beogradit dhe mediat, të cilat janë më shumë të lidhura me Kishën Ortodokse Serbe dhe Rusinë sesa me pushtetin politik. Mendoj se ata kontrollojnë diskursin e Serbisë”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Edhe pse shprehet optimist, Kurti thekson se normalizimi i plotë duhet të përfshijë edhe drejtësinë tranzicionale, pa të cilën, shton ai, nuk mund të ketë pajtim. Dhe drejtësia, thotë ai, nuk arrihet vetëm në gjykatë.

“Por [drejtësia] ndodh edhe në opinionin publik dhe në faktin se për këtë flasin politikanët, intelektualët dhe shoqëria civile. Dhe në atë mënyrë distancohen nga regjimi i Millosheviqit dhe nga krimet që ai ka bërë gjatë luftës në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë”, shpjegon Kurti.

Në përkujtim të vrasjeve politike të Ivan Stamboliqit, Zoran Gjingjiqit dhe Oliver Ivanoviqit, Kurti thotë se Serbia nuk ka të ardhme evropiane pa u distancuar nga Millosheviqi, por edhe nga Rusia zyrtare, pra siç thekson ai, presidenti despotik Putin.

I pyetur për të komentuar faktin se qeveria e Malit të Zi është në një mandat teknik, të kryesuar nga kryeministri Dritan Abazoviq, të cilit i është votuar mosbesimi, dhe se ajo tha se do të avokojë dhe do të përpiqet ta sjellë Malin e Zi në Ballkanin e Hapur dhe nëse kjo mund të çojë në prishje të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe malazezëve që janë tradicionalisht të mira, Kurti thekson se kjo, sipas tij, nuk do të ndodhë.

“Nuk mendoj se marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe malazezëve do të përkeqësohen, mendoj se do të përmirësohen. Jam i bindur për këtë sepse Mali i Zi është anëtar i NATO-s, por edhe për faktin se aty ësjyë edhe presidenti Gjukanoviq. Ai është shumë i qartë dhe e njeh rajonin ndoshta më mirë se unë. Unë di shumë gjëra, por mendoj se z. Gjukanoviq e njeh më mirë rajonin tonë për shkak të përvojës që ka dhe nuk mendoj se marrëdhëniet tona do të përkeqësohen. E di që Ballkani i Hapur është i hapur ndaj Malit të Zi, por nuk mendoj se Mali i Zi është i hapur ndaj Ballkanit të Hapur”, thekson kryeministri i Kosovës. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit