22.7 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Kriza e demokracisë apo kriza e besimit? Agim Baçi

Më të lexuarat

Kriza e demokracisë apo kriza e besimit?
Agim Baçi

Politologu i njohur Ivan Krastev, në një studim të gjatë lidhur me krizën e sotme të demokracisë, thekson se kriza më e madhe ka të bëjë me krizën ndaj besimit. Në fakt, gjithkush sot mendon se ka më tepër informacion sesa paraardhësit, por nga ana tjetër beson se ka më pak fuqi për të ndryshuar realitetin sesa paraardhësit. Po çfarë nuk shkon në këtë epokë ku gjithsecili denoncon, jep fakte, dërgon në rrjetet sociale foto skandalesh dhe sërish mundësia për ndryshim është gjithnjë e më e vogël, dhe se qeveritë dhe personat që e mbështesin vijojnë të zgjerojnë pushtetin e tyre?

Nga perspektiva e analizave të politologëve që merren me këtë çështje, vërehet zbehja e debatit ideologjik. Pra në gjithë këtë komunikim me kaq shumë miq virtualë dhe shumë pak realë, ka humbur kufiri mes mikut dhe armikut. Pra kontrolli që ne kemi mbi të dhënat, njohja me skandalet që ndodhin apo ato që përfliten, nuk kthehet në një instrument që të na shërbejë për të zgjedhur me votë atë që duhet të na drejtojë, të na qeverisë.

Në Shqipëri paradoksi është krejtësisht i dukshëm: mbi 70 % e shqiptarëve e shohin të ardhmen jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, të zgjedhurit me votë në shumicën e kohës kontestohen edhe për shkak të publikimeve të skandaleve dhe korrupsionit. Dhe sërish rezulton se po të votohet sot, qeveria ka vota për të mbajtur pushtetin. Ky paradoks nuk ndryshon edhe kur publikohen skandale, edhe kur emra të korruptuarish nuk janë më sekret për publikun, siç ka ndodhur kohët e fundit me ish-ministra apo kryetarë bashkie.

Si ka mundësi që me gjithë fuqinë e madhe të transparencë së sotme, të denoncimit, të nxjerrjes së fakteve, ne vazhdojmë të mbetemi kaq të pafuqishëm për ndryshim?

Sociologu Niklas Luhman, në librin e tij “Teoritë e shoqërisë” thotë se “besimi është akt themelor i jetës sociale”. Ne kemi faktet, por kemi humbur besimin se mund të ndryshojmë. Ne kemi faktet, por kemi humbur fuqinë tonë morale përballë së keqes. Sepse ne publikojmë qëndrime në rrjete sociale, por nuk bëhemi bashkë në një protestë kundër së keqes, kundër mashtrimit, kundër atyre që vijnë si të fortë për të na rrëmbyer votën e më pas tallen për kohën që janë në pushtet, duke u munduar të justifikojnë gjithçka që nuk shkon sipas asaj që kanë premtuar.

Sa nga ne janë të gatshëm të dënojnë sot shpifjen dhe gjuhën e urrejtjes? Sa nga ne refuzojnë politikanët e vetëkënaqur që mund të vënë në vështirësi kundërshtarin apo ta bullizojnë atë përmes sajimit të fakteve, të gënjeshtrave, linçimit dhe jo argumentimit? Nëse ne nuk arrijmë të ndëshkojmë ata që na gënjejnë, që na mashtrojnë, që përhapin dhunë, që ushqejnë urrejtjen, që bullizojnë, atëherë përse duhet të presim ndryshimin politik, ndryshimin e komunikimit shoqëror që mund t’i kërkojë llogari të zgjedhurve?

Ne sot jemi përballë faktit që jo se nuk jemi në dijeni për politikat e mbrapshta që ndodhin rreth nesh, por se këto që dimë nuk i përkthejmë në qëndrime morale, në reagime për të drejtën.

Ideja që ndërtojnë shpesh politikanët se “populli e di mirë” është një tallje e trashë ndaj publikut, që shpesh, nën cinizmin e thellë, duartrokitet nga ata që mbështesin këtë politikë, edhe pse mosdija për gjithçka u faturohet duartrokitësve.

Sfidat e demokracisë përballë populizmit
“Nuk ka gjë më të vështirë sesa të prodhosh alternativa politike përballë populistëve”, shkruan në librin e tij “Ç’është populizmi?” filozofi dhe historiani gjerman Jan-Werner Muller. Në fakt, populizmi është i lidhur ngushtë me procesin e komplikuar të komunikimit, e për pasojë, progaonistët e komunikimit në ndërrjetet online kthehen në lëndën e parë të politikës, e cila tenton t’i përkthejë në identitetin e tyre të premtimeve.

Muller shpjegon se sloganet e tilla si: “Ne jemi populli”, “Ne jemi zëri i kombit” e kanë bazën në dëshirën e shumë qytetarëve për të komentuar apo për të dhënë opinionet e tyre, duke besuar që zëri i tyre të merret parasysh. Por mungesa e informacionit, pamundësia për të analizuar në mënyrë shkencore apo filozofike, si dhe përfshirja e pashmangshme emocionale në dhënien e opinioneve, i kthejnë komentuesit më shumë në shërbim të atyre që i emërtojnë dëshirat e tyre.

Kur mund ta dallojmë një demokraci në rrezik?

Lidhur me këtë rrezik, ish-kreu i Bundestagut, Norbert Lammert, gjatë një vizite në Tiranë theksoi se “demokracia është në rrezik nëse në një shoqëri humbet terren pjesa që vepron në mënyrë demokratike në marrëdhëniet shoqërore”. Kjo frikë e shprehur nga politikani gjerman me përvojë i drejtohet fokusit nga ku duhen nisur pyetjet apo edhe marrë përgjigjet për atë që ndodh sot me demokracinë, e sidomos me demokracinë në Shqipëri.
Pra nëse ajo pjesë e shoqërisë që ka shërbyer gjithnjë udhërrëfyese për pjesën tjetër – siç janë shkencëtarët, shkrimtarët dhe opinionistët e rëndësishëm të mediave – nuk arrijnë më të prodhojnë një mendim mbi lirinë, apo të jenë një mbështetje publike për të drejtën dhe të vërtetën, atëherë pushteti do të tentojë ta zërë këtë frekuencë me simbolika të tilla që më shumë sesa ide, prodhojnë një urrejtje ndaj traditës, ndaj të pasurve dhe të diturve.
“Demokracitë ekzistojnë për sa kohë që demokratët ngrihen në këmbë për ruajtjen e tyre.

Sapo ata nuk e bëjnë më këtë, apo bien pre e besimit të gabuar se demokracia është e vetëkuptueshme, rendi demokratik fillon të shpërbëhet”, u shpreh Lammert, duke na ftuar që të lexojmë historitë e sotme të debateve në disa prej vendeve me demokraci funksionale që përballen me këto pyetje të rëndësishme të ruajtjes së institucioneve demokratike.

Qëndrimi i Lammert-it mbi demokracinë u duk si zgjatim i diskutimit të madh që kanë nisur disa vite më parë dy profesorët e Harvardit, Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt në librin e tyre “Si vdesin demokracitë”. Levitsky dhe Ziblatt shtrojnë pikërisht nevojën e debatit të hapur për lëvizjet e sotme politike në shumë vende në botë, të cilat, në një mënyrë apo në një tjetër, kërkojnë të krijojnë shumicën qeverisëse, duke iu drejtuar shoqërisë së thjeshtë që të mos qëndrojë më e papërfaqësuar.

A është shumica garanci për demokracinë?
Politologët bien dakord se shumica nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe të vërtetën, por më tepër nënkupton interesat. Dhe nën trysninë e interesave, të papërfaqësuarit mund të mbeten sërish të tillë, edhe pse fituesit vijnë në pushtet me parullat “në emër të besimit kombëtar” apo “për një politikë që përfaqëson vetëm popullin”.

Por, a e rrezikojë populistët një funksionim demokratik të shtetit dhe të shoqërisë? Sipas Muller-it, modeli i lëvizjeve populiste është përgjithësisht antielitizëm dhe antiinstitucional, duke krijuar premisat e një lëvizjeje të re që përfshin gjithë shoqërinë përmes ngacmimit se gjithkush ka të drejtë të vendosë dhe të përfaqësohet. Këto lëvizje shkaktojnë fillimisht një pasiguri institucionale, çka rrezikon më pas t’i kthejë të tria pushtetet, përfshi edhe median si pushteti i katërt, në shërbim të një pushteti të vetëm: atij politik.

Madje, ajo që parashikon Levitsky dhe Ziblatt-i është fakti se shumë prej ndryshimeve në dëm të demokracisë bëhen me ligje apo në emër të ligjit, duke dhënë idenë se gjithçka është e mbështetur në vullnetin e votës së ligjvënësit, pra në respektimin e pushtetit të shumicës. “Rruga elektorale e shkatërrimit të demokracisë është e rrezikshme nën vellon e mashtrimit që hedh… Sipas mënyrës elektorale, asgjë e çuditshme nuk ndodh me Kushtetutën. Madje, nuk ka as tanke në rrugë e as ekzil për ish-drejtuesit e mëparshëm.

Kushtetuta dhe institucionet e tjera demokratike vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e tyre. Njerëzit votojnë. Por, janë ata, autokratët e zgjedhur, që nën velin e demokracisë, gërryejnë e zbrazin gjithë substancën e saj”, shkruajnë dy profesorët e Harvardit në librin “Si vdesin demokracitë”.

A është populizmi një dështim, apo ai sjell edhe ndryshime në shoqëri? Autorë të shumtë politikë, të cilët janë marrë së fundi me ngjarjet në Britani me Brexit, apo në Itali me “Pesë yjet”, në Greqi me “Syrizan”, me “Podemos” në Spanjë, si dhe që kanë analizuar ndryshimet në shumë vende në Amerikën Latine, ku flitet gjithnjë e më shumë “Në emër të popullit të vërtetë”, e shohin populizmin si një sfidë të asaj që njihet si “politika e përfaqësimit”.

Sipas Muller-it, populistët në parim nuk janë kundër përfaqësimit politik, por ata këmbëngulin se janë të vetmit përfaqësues legjitimë, duke i dhënë të drejtë vetes më pas që të pushtojnë sferën e pushteteve të tjera. Ndërsa Levitsky dhe Ziblatt-i këmbëngulin në frikën e zhbërjes së substancës së institucioneve, që kthen në një formalizëm të gjitha ndarjet e pushtetit.

Arma më e madhe e populistëve është dyshimi dhe pasiguria, përmes të cilave ata krijojnë edhe terrenin e ardhjes apo të mbajtjes së pushtetit, duke krijuar më tepër një ndrydhje intelektuale. Ndërkohë, Muller-i thekson se përdorimi i sloganeve politike si përfaqësues të “popullit të vërtetë” apo “shumicës së heshtur”, i kthejnë populistët në një përfaqësi të vështirë përballë alternativave të tjera, pasi qasja e tyre është e vështirë të rrëzohet nga ana empirike.

“Gjithë pushteti buron nga populli. Por ku shkon?”, pyeste në mënyrë ironike shumë vite më parë poeti dhe dramaturgu Bertolt Breht, duke vënë gishtin në pasojat e flirtimit demagogjik të populistëve mbi turmat. Si fillim Breht-i parashikoi populizmin kulturor, që bazohet te spektakli, çka dërgon më pas në periferi të shoqërive artistët dhe mendimtarët e vërtetë. Me mënjanimin nga shoqëria apo me korruptimin moral të asaj pjese që është konsideruar gjithmonë si “Të Urtët”, rrugët e kontrollit të pushtetit politik të transferuar nga turmat te qeverisësit, duken gjithnjë e më të pamundura.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit