14.7 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Demokraci apo Fictiocracy? Redi Shehu

Më të lexuarat

Demokraci apo Fictiocracy ?
Redi Shehu

Padyshim që sot jetojmë në një kohë kontradiktash të mëdha lidhur me bindjet, besimet, ideologjitë apo politikat tona. Manifestimi i këtyre kontradiktave na verbon përmes polarizimit të skajshëm i cili tret në eter qëllimet tona të përbashkëta. Polarizim që vjen nga sistemi, apo polarizim i qëllimeve tona që i japin ngjyrë vetë sistemit?

Shumë sisteme demokratike anembanë botës po shfaqin probleme lidhur me vetëbesimin duke vënë kështu në dyshim vetë vlerat me të cilat ato u afishuan: zgjedhjet nuk konsiderohen thjesht një garë, por një festival i ndarjes sociale dhe i destruktivitetit të unitetit kombëtar; politikanë gjithnjë e më tepër në nevojë për fonde fushatash elektorale transformohen në elita të kapura politike dhe në fund të mandateve të tyre konkurrojnë me pasanikët për nga asetet dhe burimet ekonomike; korrupsioni i cili nxit edhe më shumë korrupsionin në sistem; injoranca permanente e votuesve e cila bazohej në irracioalizmin e plotë në lidhje me zgjedhjen e lidershipit politik, i cili kujdeset për performancat e tij individuale dhe jo ato politike politike, pa e ditur dhe pa e kuptuar se çfarë është e mirë për votuesit.

Pavarësisht se ky model i demokracisë liberale është sistemi që u jep zë njerëzve përmes përfaqësimit politik, njëkohësisht ai nuk u garanton atyre zgjidhjen e problemeve afatgjata për shkak të mandateve afatshkurtra të cilat shpesh prodhojnë destabilitet. Destabiliteti prodhon konflikt dhe zinxhiri vazhdon: ku ka konflikt në më të shumtën e rasteve, nuk ka vend për moralitet. Atëherë, për zgjidhjen e konflikteve nevojiten më shumë negociata, më shumë kohë për të arritur te zgjidhjet që vazhdojnë të prodhojnë konfliktin e radhës.

Kalimi nga monarkitë me liri të kufizuara në demokracitë e sotme me liri të pakufizuara, po e kthejnë këtë sistem në iluzionin e modelit të vet të vërtetë, pra nga demokraci në fiction, në një “fictiocracy”, ku iluzioni i saj mirëmbahet vetëm nga narrativa demokratike, por praktikisht është i korruptuar nga qëllimi politik dhe ai ekonomik. Bashkë me iluzionin e sistemit, fiktiokracia ka ndërtuar edhe iluzionin e sovranit dhe të atributeve të tij. Një sovran ky i hallakatur në irracionalitetin e kohës ku jeton, që duhet t’i kthehet racionales, ngase sistemet marrin ngjyrën dhe formën e njerëzve që e vënë në përdorim.

 

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit