15.8 C
Pristina
Monday, May 20, 2024

Klerikët muslimanë shqiptarë në dosjet e Myftinisë së Stambollit

Më të lexuarat

Në dosjet që ruhen brenda arkivit të myftinisë së Stambollit, hasim edhe në ato të hoxhallarëve të arsimuar nga trojet shqiptare, por ne do të ndalemi në këtë artikull rreth dosjeve të hoxhallarëve shqiptarë nga qytetet, fshatrat apo lokalitetet që kanë mbetur brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, si dhe atyre që janë nga shqiptarët e republikave të Malit të Zi dhe Greqisë, ndonëse dosjet e tyre janë të pakta aq sa të numërohen me majat e gishtave.

Për herë të parë këto dosje u sistemuan dhe zbërthyen në përgjithësi nga studiuesi turk Sadëk Allbajrak, punë voluminoze të cilën ai e kurorëzoi me një botim të punës së bërë. Pas një pune tetë vjeçare në arkivat e myftinisë së Stambollit dhe pasi pati kaluar nëpër duar me mijëra dosje që shkonin pas deri në vitin 1884, regjistrat e gradave të marra nga nëpunësit e fesë dhe rregjistrat shtatë vëllimesh të të dhënave personale të tyre. Numri total i dojeve është për 2845 persona, nga të cilët 199 persona janë shqiptarë. Në mesin e tyre numrin më të madh e zënë nëpunësit e fesë nga Gjirokastra dhe Libohoha, plot 109 persona.

Që të gjithë personat, rreth të cilëve do të flasim qenë hoxhallarë. Kjo nuk ka nevojë për sqarim, pasi edhe vetë dosjet e tyre u krijuan nga nëpunësit e komunitetit musliman me qendër në Stamboll, i cili siguronte mbarëvajtjen e punëve të fesë në mbarë kufijtë e perandorisë osmane dhe u ruajtën ashtu sikur se ruhen edhe sot në arkivin e myftinisë së Stambollit, por do të ishte e pafalshme nëse do të përpiqeshim të krijonim në mendjet e lexuesit idenë që ata qenë thjesht shërbyes në objektet e kultit musliman.

Dokumentacioni ofron të dhëna të tërthorta për çështje në lidhje me myftilerët, medresetë, mësimdhënësit (myderiz) dhe nxënësit në këto insitucione të arsimimit fetar.

Një vend i rëndësishëm në dokumentacionin e grumbulluar në dosjet personale të teologëve të hershëm janë dokumentat rreth veprimtarisë së tyre nëpër gjykatat fetare, me detyrën e gjykatësve islamë, apo siç quhen nëpër dokumente naib. Një term që me shumë mundësi na rrëfen një personalitet juridik të ndryshëm nga kadiu, figura e gjykatësit suprem nëpër kazatë e perandorisë deri në vitet e Reformës së madhe, apo siç quhen ndryshe Tanzimati, që nuk do të lajthitnim po ta shqipëronim si Rendi i Ri.

Sistemi arsimor i medreseve gjatë shekujve të parë të sundimit osman qe vatra edukative-arsimore nga ku formoheshin gjykatësit (kadi) dhe shërbyesit e fesë (imam, hatip, myderiz). Zhvillimet shekullore që pësoi ky sistem bënë që sistemi juridik përherë e më shumë të fitonte varësinë nga petku fetar, por shumë çështje së të drejtës në lidhje me martesat, shkurorëzimet, dëshmitë rreth fëminjve, çështje të veçanta të ndarjes së pasurive dhe trashëgimisë brenda familjeve mbetën nën varësinë e gjyqeve të fesë. Kjo situatë vazhdoi edhe në disa pjesë të Shqipërisë deri në vitet 20 të shekullit të 20-të.

Nga pohimet e bëra prej nëpunësve të fesë në dosjet e tyre personale kuptojmë se medresetë në trevat shqiptare mbështeteshin përkrah mësimeve bazë të fesë në mënyrë të veçantë në mësimdhënien e gjuhëve të lindjes arabisht, osmanisht dhe persisht. Gati 99 % e nëpunësve shqiptarë kanë pohuar se kanë ardhur në Stamboll për të marrë edukimin e mëtejshëm fetaro-juridik. Pjesa më e madhe të diplomuarve në shkollat e fesë janë kthyer në vendet e tyre, gjë që na lejon të pohojmë se administrata osmane e fesë vendoste nëpër insitucionet e larta të fesë njerëz të këtyre anëve.

Ndonëse në një rast të caktuar gjenden edhe fotografitë personale të hoxhallarëve siç është rasti i Ismail Hakki Efendiut nga Manastiri, autori në gjuhën osmane i librit Mevahibu’r-Rahman, në 2 volume, që flet rreth jetës së imam A’dham Ebu Hanife-s.

Nga të dhënat që gjenden në dosjet e nëpunësve të fesë gjenden të dhëna të vlefshme rreth medreseve, myftilerëvejetën politike, tarikateve dhe disa informacione që mund të vlejnë në zbardhjen apo pasurimin e informacionit të mangët që kemi rreth insitucioneve të fesë dhe nëpunësve të tyre.

Të dhëna kemi për medresenë e Shkodrës, Janinës, Filatit, Gjirokastrës, Beratit, Libohovës, Tiranë, Lushnja dhe Shijaku.

Medreseja e Mahmut Pashë (Bushatlliut) apo që quhet ndryshe edhe Medreseja e Sipërme.

Në këtë medrese përveç nxënësve shkodranë mësuan edhe nxënës nga zonat e tjera të sanxhakut të Shkodrës, perosna të cilët në vitet më pas do të merrnin detyra të ndryshme në administratën fetare islame, siç qenë Haxhi Isa Krujani , Mehmet Emin Gucia dhe Ibrahim Edhem efendi Kavaja.

Nga myderizët e kësaj medreseje në dokumenatcion përmenden Selim Çoba, Hasan efendi Podgoriçani, hafiz Hasan efendi Lohja. Ky i fundit pas marrjes së ixhazetit punoi si mësues pa pagë në Medresenë e Shkodrës për rreth 12 vjet dhe me datë 1 shkurt 1325 caktohet myderris me rrogë prej 169.5 kurushësh.

Medreseja e Filatit ku mësim jepte Hasan Riza efendi Dibrani.

Medreseja Evkaf në Berat ku si myderiz gjejmë Mehmet Tevfik efendi Shkodranin.

Medreseja e Abdurrahman bej Toptanit në Tiranë, medrese e ndërtuar mbi themelet e medresesë së Ethem Beut, kundërshtarit të Toptanëve. Abdurrahman be Toptani këtë medrese e rrafshoi dhe mbi të ndërtoi të tijën. Kështu rrëfen tradita gojore.

Medreseja e Lushnjës në të cilën myderiz qe Ibrahim Hakk? efendiu.

Medreseja e Shijakut ku myderiz qe Malik Bektash efendiu nga Gjakova i cili caktohet si myderriz me kërkesë të masës së popullit pas dorëheqjes së këtij të fundit prej myftinisë së Krujës. Aty ai emërohet zyrtarisht si myderriz me datë 1 Mars 1326 R (1910) me një rrogë prej 200 groshësh (kurush).

Medreseja e Skëndollit apo Iskenderzades në Gjirokastër ku si myderiz gjejmë Sulejman Syrri bin Ahmet Dibrani; Zejnelabidin Xhaferi, Junus Zyhty; Mehmet Shemsettin efendi dhe Abdysselam Efendinë.

Megjithëse në statusin e nahije-së nën varësinë e kazasë së Gjirokastrës, gjatë sundimit osman në Shqipëri, Libohova, mund të themi, nën dritën e të dhënave që kemi konstatuar në dosjet e myftinisë së Stambollit, ka qenë një vatër ku janë edukuar shumë nëpunës së fesë islame, prandaj është e kuptueshme që këtu të gjendet një medrese, ajo e Libohovës, në të cilën ka dhënë mësim Abdyllatif Janina, hafëz Hysein Shkodrani, Rustem efendi Kavaja, sheh Omer efendi Janina.

Të dhëna nga këto dosje përftojmë edhe për myftilerët e ndryshëm, caktimin e tyre në këto detyra, e nganjëherë edhe për kohëzgjatjen në këto detyra sikur se bëhet fjalë për:

Myftijtë e Pargës (Ajdonat) që qenë Omer Efendiu, pas vdekjes së cilit në vitin 1872, myfti caktohet Mehmet Emin efendiu; dhe data e caktimit në detyrën e myftiut të Mustafa efendisë, që është korrik 1911.

Mehmet Nakshi efendinë Beratasin që pas vdekjes së të jatit edhe ai myfti, Ahmet efendisë, caktohet me detyrën e myftiut në Berat, detyrë në të cilën jemi të sigurtë se qëndroi deri në vitin 1902.

Ismail efendinë që në muajin maj të vitit 1327 R caktohet myfti në Mat.

Myftijtë e Gjirokastrës që qenë Abdulhamit efendiu, Mehmet Xhelaledin efendiu i caktuar në këtë detyrë në muajin shkurt të vitit 1912, Abduselam efendiu, Ismail efendiu dhe Islam efendiu.

Jusuf S?dd?k efendiu (Tabaku), i cili me datë 10 maj 1878 caktohet në detyrën e Myftiut të Shkodrës. Lytfi efendiu që me datë 14 maj 1323 R caktohet myfti në kazanë e Leskovikut, post në të cilin jemi të sigurtë se ka qëndruar të paktën deri në vitin 1328.

Ibrahim Hakki efendiu që në vitin 1910 caktohet në myftininë e Lushnjës.

Musa Qazimi që në vitin 1908 caktohet me anë të një urdhëri perandorak (irade-i senijje) myfti në kazanë e Tiranës, detyrë në të cilën qëndroi deri në vitin 1912.

Mutasëm Bilah Tiranasi që me datë Cumadel I 1317 caktohet në myftininë e Durrësit.

Maliq Bektash efendinë nga Gjakova i cili ndërmjet datave 23 qershor 1907 – 31 maj 1325 R qe emëruar në myftininë e kazasë së Krujës. Mehmet Eminin që mes datave qershor 1906 – prill 1911 qe myftiu i Janinës. Adem Feraizi që me datë 28 rebiulahir 1308 caktohet myfti nderi në kazanë e Margëlliçit.

Të dhëna nga pjesëmarrja në jetën politike të figurave fetare kemi për Hysen Avni efendi Karagjozi nga Gjirokastra, Idriz Galip efendinë, Hafiz Xhemalin nga Dibra e Sipërme, rreth të cilit konsullata turke në Shqipëri kërkon t’i pritet rroga e mësuesit të përgjithshëm të fesë (dersiam), pasi zgjedhur deputet në parlamentin shqiptar, Mehmet Fehmi efendinë, i cili ka marrë pjesë vullnetarisht në mbrojtjen e skelës së Janinës të sulmuar nga ushtarët grekë në prill të vitit 1897, duke braktisur detyrën e tij si gjykatës feje në Përmet.

Në formularin personal që plotësohej për nëpunësit e fesë, shënoheshin edhe gjuhët që ata njihnin, flisnin, zotëronin dhe shkruanin. Pjesa dërrmuese e hoxhallarëve nga Shqipëria pohonin që zotëronin gjuhën shqiptare, por vetëm për një prej tyre është lënë shënimi se edhe e shkruan atë, informacion që ne e kemi regjistruar si të rëndësishme po të kemi parasysh periudhën për të cilën bëjmë fjalë dhe mungesën e informacionit të literaturës së mundshme fetare në gjuhën shqipe. Ai është Halil Fehmi efendi Gjirokastriti i datëlindjes 1289 hixhri.

Të dhëna gjejmë edhe për ndonjë urdhër mistik islam synit. Kështu të dhëna kemi për paraardhësit e Lytfi efendiut, ish-myfti i Leskovikut, biri i shejh Abdulhadi efendiut, që rridhte nga gjaku i shejh Sulejman Aziz efendiut, nga shejhët dhe myderizët e njohur të tarikatit saadi, i varrosur në xhaminë e Arsllan Pashës, në Janinë. Ibrahim Hakk? Efendiu qe biri i postnishin-it të fshatit Karbunarë së Lushnjës, Rashit Efendiut.

Ndërsa Mehmet Safvet efendiu, i edukuar në universitetin e Ezherit në Egjipt, qe biri i shejh Mehmet Ali Efendiut, postnishin-it nakshibendi të xhamisë së Arsllan Pashës. Një e dhënë tjetër të cilën e konsiderojmë të vlefshme për ta përmendur këtu është edhe dosja e shqiptarit Mehmet Murat efendiut nga Podgorica, i cili në vitin 1884 qe vendosur me banim në Zadrimë të Lezhës. Ai në muajin gusht 1911 qe caktuar myftiu i Malit të Zi, me zgjedhjen e kryer në bashkësinë islame, post në të cilën qëndroi deri në muajin qershor të vitit 1912.

Nuk ka dyshim që qëmtimi në arkivat e ndryshme osmane, nisur edhe nga Arkivi shqiptar dhe ai turk do të nxjerrin lista të plota të nëpunësve të fesë me origjinë nga Shqipëria, nga jeta e tyre personale, fetare, shoqërore, politike etj. Por të arritur këtë është e rëndësishme që të ekzistojë mirëkuptimi i insitucioeve ku ruhen këto dokumenta, në mënyrë që të sigurojnë mbështetjen morale të studiuesve të kësaj fushe, në mënyrë të veçantë arkivi i shtetit shqiptar.

Ermal Nurja

Revista “Etika”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit