12.3 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Këshilla për hoxhallarë për ligjërimet dhe paraqitjet e tyre publike, si të jeni të saktë, efektiv dhe të shmangni keq-interpretimet

Më të lexuarat

Javët e fundit ishim dëshmitarë të tensioneve të mëdha në mediat tradicionale dhe veçanërisht ato sociale, ku ngjarje dhe deklarime të hoxhallarëve të caktuar u përdoren si katalizator për këto tensione. Situata të tilla dashakeqësit i shfrytëzojnë shpesh e në mënyrë ciklike, sa herë atyre u nevojiten zhvendosje të vëmendjes së opinionit publik. Ajo që vërehet herë pas here është se edhe komunikimi mediatik i disa hoxhallarëve pavarësisht qëllimit të mirë dhe efektivitetit të tij tek disa grupe shoqërore, ai ka hapësirë për tu përmirësuar, ka hapësirë për kujdes më të shtuar, në mënyrë që efektiviteti i tij të jetë më i madh tek e gjithë shoqëria dhe efektet anësore ose dëmet të jenë sa më të vogla.

Më poshtë po ofrojmë disa këshilla që ligjëruesit publik duhet t’i kenë parasysh:

Figurat publike, duke përfshirë folësit e njohur, udhëheqësit fetarë, hoxhallarët apo thirrësit, duhet të jenë vërtet të përgatitur për të komunikuar me median dhe publikun në një mënyrë të ndjeshme, të respektueshme dhe efektive. Kur përgatiten për ligjërime, ata mund të përdorin një listë kontrolli për t’u siguruar që janë në përputhje me praktikat më të mira dhe me standardet e pranueshme. Kjo listë kontrolli mund të përfshijë pikat e mëposhtme, të cilat janë ndarë në katër kategori, këshilla të përgjithshme për çdo folës, këshilla për hoxhallarë, disa pika për të cilat lëshimet nuk arsyetohen dhe si të jemi të kujdesshëm që deklarimet tona të mos nxirren nga konteksti.

Këshilla të përgjithshme për çdo lloj ligjëruesi publik

Jini të respektueshëm dhe gjithëpërfshirës: Tregoni respekt për të gjithë individët dhe grupet, pavarësisht nga bindjet, prejardhja ose përkatësia e tyre. Përdorni gjuhë gjithëpërfshirëse që promovon unitetin dhe mirëkuptimin. Ligjërimet brenda xhamive apo hapësirave ku frekuentojnë besimtarët të cilat më pas i transmetohen publikut pa dallim, duhet të kenë konsideratë për publikun pa dallim.

Shmangni gjuhën fyese dhe stereotipet: Përmbahuni nga përdorimi i termave nënçmues, sharjeve ose gjuhës që përmban stereotipe të dëmshme. Nëse diçka për një trevë ose grupmoshë nuk është fyese ose steorotipizuese, por për një trevë apo grupmoshë përbën fyerje dhe stereotipizim, duhet të merret standard pika më e ndjeshme e jo ajo më tolerantja.

Në këtë pikë përfshihet gjithashtu shmangia e përgjithësimeve për grupe të tëra njerëzish.

Ndërgjegjësimi dhe ndjeshmëria kulturore: Jini të ndjeshëm ndaj dallimeve kulturore dhe fetare të audiencës suaj dhe publikut të gjerë, përshtatni mesazhin tuaj në përputhje me rrethanat. Kjo mund të kërkojë hulumtim paraprak e të vazhdueshëm të normave dhe trendeve kulturore. Gabimet e shpeshta që ndodhin në ligjërimin publik të disa hoxhallarëve vijnë nga fakti se janë të pa-vetëdijshëm për identitetin dhe subkulturën e tyre, e cila ka ardhur si rezultat i formimit të tyre kulturorë të ndikuar nga familja dhe farefisi, nga rajoni ku janë rritur dhe nga vendi ku kanë studiuar, e të gjitha këto ashtu siç ndonjëherë mund të jenë avantazhe, ato shumë shpesh krijojnë kufizime për ligjëruesim që ai të jetë i pranueshëm dhe i kuptueshëm në nivel vendi apo në nivel të shteteve përreth. Veçanërisht kur subkultura personale bëhet baza e cila e çon ligjëruesin në gjeneralizim dhe trajtim edhe të audiencës bazuar në të.

Jepni informacion të saktë: Sigurohuni që informacioni që jepni të jetë i saktë, i përditësuar dhe i bazuar në burime me reputacion. Shmangni përhapjen e dezinformatave ose bërjen e pretendimeve të cilat pavarësisht qëllimit të mirë, mund të jenë të pa-sakta. Për këtë përmbajuni kompetencës personale dhe dijeve shumë të verifikuara.

Jini objektivë dhe të balancuar: Paraqisni këndvështrime të ndryshme në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Shmangni promovimin e një axhende të caktuar pa ofruar një pikëpamje të ekuilibruar.

Inkurajoni dialogun dhe angazhimin: Kultivoni një mjedis që inkurajon dialogun, pyetjet dhe diskutimin e hapur. Jini të hapur ndaj reagimeve dhe opinioneve të ndryshme. Sa më i mbyllur të jeni për komunikim në grupe të mbyllura, aq më problematike mund të jetë një ligjëratë e mbajtur në ambiente të tilla nëse e njëjta del për publikun, për mediat sociale apo ato konvencionale. Në një stad të tillë, më nuk ka komunikim me ligjëruesin por ka vetëm gjykime turmash, e gjykime mediatike.

Jini të qartë dhe konciz: Komunikoni mesazhin tuaj në një mënyrë që është e lehtë për t’u kuptuar, duke shmangur zhargonin e rrugës, lagjes a krahinëd, njejtë shmangeni edhe gjuhën tepër komplekse. Përdorni shembuj dhe analogji të qarta për të ilustruar pikat tuaja.

Shmangni nxitjen ose gjuhën e urrejtjes: Përmbahuni nga bërja e deklaratave që nxisin urrejtje, dhunë ose diskriminim ndaj çdo individi ose grupi. Promovoni paqen, drejtësinë dhe mirëkuptimin.

Përshtatuni me audiencën tuaj: Jini të vetëdijshëm për demografinë, interesat dhe shqetësimet e audiencës suaj. Përshtateni mesazhin tuaj për të adresuar nevojat dhe pritshmëritë e tyre specifike.

Ruani profesionalizmin: Prezantoni veten në mënyrë profesionale, si në pamjen tuaj ashtu edhe në sjelljen tuaj. Kjo përfshin të qenit i përpiktë, i përgatitur dhe respektues për kohën e të tjerëve.

Duke ndjekur këtë listë kontrolli, figurat publike mund të jenë më të sigurtë që ligjërimet e tyre janë në përputhje me standardet etike të komunikimit dhe nxisin mirëkuptimin, respektin dhe tolerancën midis audiencave të ndryshme.

Këshilla për hoxhallarë për ligjërimet dhe paraqitjet e tyre publike

Kur një hoxhë synon që ligjërimi i tij të ketë përputhshmëri të dyfishtë edhe me mësimet dhe parimet islame, si dhe me udhëzimet e përgjithshme etike të vendosura në hapësirën mediale bashkëkohore, është thelbësore t’i njeh të dyja dimensionet dhe të arrij një ekuilibër midis të tyre.

Në mënyrë që të jetë efektiv dhe me ndikim për një audiencë muslimane ose për ata që nuk janë besimtar por mund të jenë të interesuar në mësimet islame, ligjëruesi duhet të marrë parasysh pikat e mëposhtme:

Jepni përparësi mësimeve islame, para se t’i jepni vetes, kuptimeve dhe përshtypjeve personale: Si një predikues musliman, fokusi kryesor duhet të jetë në përcjelljen e mësimeve dhe parimeve të Islamit. Përdorni Kuranin, Hadithin dhe interpretimet e dijetarëve si bazë për ligjëratat tuaja e mos të dominoj kuptimi i juaj ose interpretimi lokal në bazë të modeleve që keni përreth, në disa raste kjobmund të jetë ndihmuese por edhe në shumë raste mund të të çoj në gabime. Kur jepni mendimin tuaj, le të jetë ai mendim i rrahur mirë dhe i diskutuar në grupe më të vogla, ku keni marrë vlerësimin e parë dhe vetëm se i keni analizuar të gjitha anët e tij.

Përfshini udhëzimet e etikës së përgjithshme: Ndërsa u jepni përparësi mësimeve islame, sigurohuni që komunikimi juaj t’u përmbahet udhëzimeve të përgjithshme etike të përmendura në pjesën e parë. Kjo përfshin të qenit i respektueshëm, gjithëpërfshirës, shmangia e gjuhës dhe stereotipeve fyese dhe nxitja e dialogut dhe mirëkuptimit.

Përdorni shembuj dhe tregime të ngjashme: Për ta bërë mesazhin tuaj më me ndikim, përdorni shembuj dhe histori të ngjashme nga historia islame, shoqëria bashkëkohore ose përvoja personale. Këto mund të ndihmojnë në ilustrimin e mësimeve dhe parimeve në një mënyrë që rezonon me auditorin tuaj.

Theksoni vlerat thelbësore: Theksoni vlerat thelbësore të Islamit, të tilla si solidariteti, respekti, dinjiteti, dhembshuria, drejtësia, toleranca dhe modestia. Tregoni se si këto vlera përputhen me parimet e përgjithshme etike dhe mund të zbatohen në jetën e përditshme.

Kini parasysh perspektivat e ndryshme: Pranoni faktin se muslimanët mund të kenë nuanca të ndryshme kulturore, fetare dhe të formimit; si rrjedhojë mund të kenë interpretime të ndryshme të mësimeve të caktuara. Ata mund të jenë formuar si besimtar në mënyrë digjitale nga marrja e dijeve dhe mësimeve nga distanca, apo mund të jenë ndjekës dhe nxënës të një linje mendimi të caktuar (që është e ndryshme prej jush) por mund të dëgjojnë ty për shkak të temës që trajtoni apo për arsye të tjera. Për këtë arsye, temat dhe faktet paraqisni nga këndvështrime të ndryshme duke ruajtur respektin për mendimet dhe interpretimet e ndryshme brenda traditës së pranuar islame.

Trajtoni çështjet bashkëkohore: Flisni për sfidat dhe çështjet me të cilat audienca juaj mund të përballet në jetën e tyre të përditshme. Kjo mund të përfshijë tema sociale, politike ose kulturore. Lidhni këto çështje me mësimet dhe parimet islame duke ofruar udhëzime dhe zgjidhje praktike.

Nxitni të menduarit kritik dhe vetë-reflektimin: Ftojeni auditorin tuaj të mendojë në mënyrë kritike rreth mësimeve që prezantohen dhe se si mund t’i zbatojnë ato në jetën e tyre. Inkurajoni vetë-reflektimin dhe rritjen personale në përputhje me parimet islame.

Demonstroni përulësi, modesti dhe ndjeshmëri: Si predikues, është thelbësore të demonstroni modesti dhe ndjeshmëri ndaj auditorit tuaj. Pranoni kufizimet tuaja dhe faktin që jeni gjithashtu një nxënës në këtë proces. Audienca e sotme, qoftë ajo me prezencë fizike apo ajo që është nga distanca mund të ketë nivel shkollor dhe profesional shumë të gjerë, mund të jetë me shkollim primar apo edhe shkollim të lartë maksimal. Çasja në informacion sot është shumë e lehtë dhe saktësia e ligjërimit tuaj mund të verifikohet shumë lehtë. Gjuha trupore dhe metodologjia e ligjërimit le të jetë në nivel që u përshtatet të gjithëve.

Duke i dhënë përparësi mësimeve islame, duke respektuar udhëzimet e përgjithshme etike dhe duke u fokusuar në rëndësinë dhe ndikimin që do të kenë, një predikues musliman mund të angazhohet në mënyrë efektive me audiencën e tyre dhe të nxisë një kuptim më të thellë të Islamit dhe parimeve të tij. E kundërta e saj ai dëmton reputacionin personal, të kolegëve, të komunitetit dhe gjithashtu të vetë besimit.

Çfarë është e papranueshme ose pafalshme nëse jemi të pakujdesshëm për to…

Faza emergjente e thirrjes islame në hapësirat shqiptare është përmbushur, qindra mijëra orë ligjërime dhe tekste të shkruara tashmë janë publikuar. Përgjegjësia për të bërë diçka shpejt e shpejt ka rënë. Rrjedhimisht nuk është i domosdoshëm publikimi i vazhdueshëm i video-materialeve dhe pjesmarrja në çdo platformë mediatike pa pasur përgaditjen minimale, pa i bërë rishikimin minimal materialeve tuaja të ligjërimit.

Predikuesit musliman për ndërveprimet e tyre me median dhe marrëdhëniet me publikun, kanë disa aspekte për të cilat nuk duhet të ketë justifikime nëse në to ka lëshime. Këto aspekte janë thelbësore për ruajtjen e një imazhi pozitiv dhe nxitjen e një mjedisi mirëkuptimi dhe respekti:

Ndershmëria dhe integriteti: Jini të sinqertë dhe transparent në të gjitha komunikimet. Shmangni ofrimin e informacionit të paverifikuar i cili mund të jetë i pa-saktë, shmangni deklaratat e pa-sinqerta të cilat mund të tundoheni t’i bëni si strategji për të shmangur situata të sikletshme ose tabu shoqërore, por që këto taktika gjithashtu mund të kuptohen si mashtruese, shmangni pretendimet që nuk mund të vërtetohen se të gjitha këto lënë përshtypje të mungesës së ndershmërisë dhe integritetit. Mos u tundoni për të qenë populist, viral në media apo për të shkaktuar emocion tek audienca, veçanërisht nëse përmbajtja e ligjërimit tuaj është e pa-verifikuar ose që nuk mund të vërtetohet.

Respekti për të tjerët: Trajtoni të gjithë me respekt e dinjitet duke përfshirë edhe ata që mund të kenë besime ose prejardhje të ndryshme. Kjo përfshin përdorimin e gjuhës respektuese dhe shmangien e termave nënçmues ose gjuhës fyese.

Shmangia e gjuhës nxitëse ose të urrejtjes: Përmbahuni nga bërja e deklaratave që nxisin urrejtje, dhunë ose diskriminim ndaj çfarëdo individi ose grupi. Është thelbësore promovimi i paqes, drejtësisë, besës, sigurisë, tolerancës dhe mirëkuptimit në të gjitha komunikimet.

Përgjegjësia: Merrni përgjegjësi për fjalët dhe veprimet tuaja. Nëse bëni një gabim ose ofendoni dikë pa dashje, pranoni atë dhe kërkoni falje sinqerisht dhe atë në momentin e parë të mundshëm, para se ajo të jetë e pavlefshme dhe rrënuese për imazhin tënd dhe të kolegëve. Në shumë raste më shumë kryen punë një kërkim falje se qindra orë arsyetime shterpë.

Ndjeshmëria kulturore: Jini të vetëdijshëm për normat dhe vlerat kulturore të komuniteteve me të cilat ndërveproni dhe përshtatni stilin tuaj të komunikimit në përputhje me rrethanat. Kjo përfshin të qenit i ndjeshëm ndaj zakoneve dhe traditave të grupeve të ndryshme, edhe nëse ato ndryshojnë nga bindjet tuaja. Veçanërisht nga fakti se audiencat sot i tejkalojnë regjionet dhe shtetet falë gjuhës së njejtë, por dallimet sipas vendeve mund të jenë shumë të mëdha.

Rritni njohuritë mediatike: Kuptoni bazat e angazhimit me media dhe marrëdhëniet me publikun. Njihuni me llojet e ndryshme të mediave, formatet e tyre dhe pritshmëritë e tyre, qofshin ato intervista ose paraqitje. Kjo njohuri do t’ju ndihmojë të lundroni në mënyrë efektive në ndërveprimet e mediave. Krijoni bashkëpunime me ekspert të medias dhe PR-it, ata mund të jenë xhemat, kolegë apo profesionistë të fushës.

Duke iu përmbajtur këtyre aspekteve në angazhimet e juaja me media dhe në marrëdhëniet me publikun, ju si thirrës mund të jeni më të sigurt se do të bëni përfaqësim më të mirë të vetes, komunitetit dhe besimit tuaj në një mënyrë pozitive dhe të përgjegjshme.

Si të shmangim situatat kur ligjërimet nxjerrën nga konteksti

Një prej arsyetimeve të shpeshta të hoxhallarëve kur ata bëhen cak i sulmeve dhe denigrimit nga mediat dhe protagonistët e saj është se ligjërimi i tij është nxjerrë nga konteksti, apo ajo çfarë është thënë nuk ishte ajo çfarë ai kishte për qëllim.

Për situata të tilla ju nevojitet një listë kontrolli për të siguruar qartësinë tuaj të duhur dhe për të minimizuar keqinterpretimet. Këtu është një listë kontrolli e sugjeruar:

Jini të qartë dhe konciz, mos tjerrni tepër, mos u stërzgjatni, mos e përsërtni vetveten, mos merrni shembuj të gabuar, mos tej-thjeshtësoni: Përdorni gjuhë të thjeshtë dhe fokusohuni në një ide ose koncept të vetëm në të njëjtën kohë. Sigurohuni që të shpjegoni ndonjë term teknik ose koncept fetar që mund të mos jetë i njohur për auditorin tuaj.

Jepni kontekstin: Kur i referoheni një mësimi, vargu ose historie specifike, jepni kontekstin e nevojshëm dhe informacionin e sfondit. Shpjegoni se si pika juaj lidhet me temën ose mesazhin më të gjerë të ligjërimit.

Shmangni deklaratat e paqarta: Jini sa më specifik që të jetë e mundur në pohimet tuaja dhe shmangni përdorimin e një gjuhe të paqartë që mund të jetë e hapur për interpretime të shumëfishta.

Adresoni keqkuptimet e mundshme: Parashikoni keqkuptimet ose keqinterpretimet e mundshme të mesazhit tuaj dhe adresojini ato drejtpërdrejt gjatë ligjërimit tuaj. Sqaroni çdo pikë që mund të keqinterpretohet lehtësisht.

Përdorni shembuj dhe analogji: Ilustroni pikat tuaja duke përdorur shembuj, tregime ose analogji të ngjashme që ndihmojnë për të përcjellë mesazhin tuaj më qartë dhe për ta bërë atë më të paharrueshëm.

Inkurajoni pyetje dhe komente: Ftojeni auditorin tuaj të bëjë pyetje ose të ndajnë mendimet e tyre gjatë ose pas ligjërimit. Këtu duhet të jeni inkurajues për pyetjet dhe komentet që janë në linjë me ligjërimin tuaj por edhe për ato që nuk janë plotësisht në linjë me ligjërimin tuaj, ose edhe nëse janë krejtësisht kundër. Kjo ju lejon të sqaroni çdo konfuzion dhe të siguroheni që mesazhi juaj të kuptohet ashtu siç synohet.

Është e domosdoshme të krijoni një kanal të hapur të komunikimit ku dëgjuesi i juaj në mënyrë të hapur apo edhe anonime mund t’i dërgoj komentet, vlerësimet dhe përshtypjet e tyre për paraqitjet tuaja publike dhe ju duhet të mbani shënime dhe ta matni vetveten se sa po përparoni në zbatimin e tyre.

Jini të vëmendshëm ndaj tonit dhe gjuhës së trupit: Sigurohuni që toni i zërit dhe gjuha e trupit tuaj të përputhen me mesazhin që po përpiqeni të përcillni. Këto shenja joverbale mund të ndikojnë shumë në mënyrën se si perceptohet mesazhi juaj. Një nga problemet në këtë dimension është ndikimi kulturor i hoxhallarëve nga vendet ku ata i kanë kryer mësimet apo ndjekja e dijetarëve të caktuar dhe si rrjedhojë fjalimi i tyre shpesh nuk përkon me gjuhën e trupit, përveç se gjuha e trupit nuk është e sinkronizuar me kuptimet e fjalimit, në shumë raste është kulturalisht e pa-pranuar për kontekstin tonë, duke qenë konstant dominante, ton i lartë i vazhdueshëm, nganjëherë edhe gjuhë trupore kërcënuese dhe arrogante ani pse tema nuk është e tillë dhe auditori (i pranishëm, apo ai në distancë i mëvonshëm) nuk është meritor për to.

Regjistroni ligjërimet tuaja: Nëse është e mundur, regjistroni gjithmonë ligjërimet tuaja dhe bëni ato të disponueshme për auditorin tuaj për t’i rishikuar. Kjo mund të ndihmojë për të minimizuar keqkuptimet dhe për të ofruar një referencë për ata që dëshirojnë të rishikojnë ligjërimet tuaja.

Rishikoni dhe rishikoni: Përpara se të jepni ligjërimin tuaj, ligjërimi i juaj duhet të jetë i shkruar, këtë shkrim rishikojeni të paktën dy herë, për të parë nëse keni lënë hapësirë të mundshme të konfuzionit ose keqinterpretimit. Kur të filloni ligjërimin përmbajuni shkrimit. Shkrimin mund ta ndani me të tjerë paraprakisht. Kërkoni reagime nga kolegë ose nga mentorë të besuar për tu siguruar se jeni i qartë dhe i saktë.

Praktikoni dëgjimin aktiv: Jini të hapur ndaj reagimeve dhe kritikave dhe jini të gatshëm të rregulloni qasjen tuaj nëse zbuloni se mesazhi juaj keqkuptohet shpesh.

Duke ndjekur këtë listë kontrolli, predikuesit muslimanë mund të minimizojnë rrezikun që leksionet e tyre të dalin jashtë kontekstit ose të keqkuptohen, duke u siguruar që mesazhi i tyre t’i komunikohet në mënyrë sa më efektive audiencës së tyre.

Lexoni edhe:
https://kohaislame.com/tag/muslimanet-dhe-mediat/

Përgatiti kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit