5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë kam fenë time! – Surja el Kafirun – Komentim

Më të lexuarat

Surja el Kafirun


قُلۡ يَٰٓأَيُّهَا ٱلۡكَٰفِرُونَ لَآ أَعۡبُدُ مَا تَعۡبُدُونَ وَلَآ أَنتُمۡ عَٰبِدُونَ مَآ أَعۡبُدُ وَلَآ أَنَا۠ عَابِدٞ مَّا عَبَدتُّمۡ وَلَآ أَنتُمۡ عَٰبِدُونَ مَآ أَعۡبُدُ لَكُمۡ دِينُكُمۡ وَلِيَ دِينِ


  1. “Thuaj: “O ju mosbesimtarë!
  2. Unë nuk adhuroj çfarë ju adhuroni
  3. dhe ju nuk adhuroni Atë që unë adhuroj.
  4. Unë nuk do të jem kurrë adhurues i atyre që ju i adhuroni
  5. dhe as ju nuk do të jeni adhurues të Atij që unë adhuroj!
  6. Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë kam fenë time!”

 

Surja Kafirun njihet si njëra prej dy sureve të ikhlasit – sinqeritetit, vërtetësisë (e tjetra është surja Ikhlas). Quhen kështu sepse përmbajnë në vete sinqeritetin ndaj Allahut. Kur njeriu i lexon dhe beson përmbajtjen e tyre, kjo tregon për sinqeritetin e plotë ndaj Allahut. Gjithashtu, në to ka lavdërim ndaj cilësive të përsosura të Allahut.

 

-“ قُلۡ يَٰٓأَيُّهَا ٱلۡكَٰفِرُونَ – Thuaj: “O ju mosbesimtarë!” Së pari, Allahu i drejtohet Pejmberit salAllahu alejhi ue selem me këto fjalë që ai t’iu drejtohet jobesimtarëve, të shpallë tek ta e të thotë “O ju jobesimtarë!”, pra t’i thërrasë ata. Kjo përfshin të gjitha llojet e jobesimtarëve: paganë, hebrenj, të krishterë, komunistë etj. Muslimani e ka për obligim, me zemër e gjuhë, që t’i drejtohet e t’i tregojë jobesimtarit që e ka afër se ai është i distancuar dhe i shfajësuar prej tij dhe prej adhurimit të përzier me shirk që ia drejtojnë Allahut, duke iu thënë:

 

– “ لَآ أَعۡبُدُ مَا تَعۡبُدُونَ وَلَآ أَنتُمۡ عَٰبِدُونَ مَآ أَعۡبُدُ وَلَآ أَنَا۠ عَابِدٞ مَّا عَبَدتُّمۡ وَلَآ أَنتُمۡ عَٰبِدُونَ مَآ أَعۡبُدُ – Unë nuk adhuroj çfarë ju adhuroni dhe ju nuk adhuroni Atë që unë adhuroj. Unë nuk do të jem kurrë adhurues të atyre që ju i adhuroni dhe as ju nuk do të jeni adhurues të Atij që unë adhuroj!” Këtu shohim se ka përsëritje të fjalive. Qëllimi me “nuk adhuroj çfarë ju adhuroni” d.m.th.: idhujt, që adhuroni në vend të Allahut, ndërsa me “dhe ju nuk jeni adhurues të Atij që unë adhuroj” për qëllim është Allahu. Ajetet 2-3 tregojnë për veprën, për folje (nuk adhuroj dhe as ju nuk adhuroni). Ndërsa, shejkhul Islam ibn Tejmije rahimehullah lidhur me përsëritjen (ajeti 4-5) ka thënë se qëllimi është pranimi, pra se unë nuk pranoj përveçse adhurimin tim dhe as ju nuk e pranoni adhurimin tim që ia drejtoj Allahut, unë nuk i adhuroj idhujt dhe as nuk jam i kënaqur me adhurimin që ia kushtoni atyre dhe as ju nuk e adhuroni Allahun të Vetmin dhe as nuk jeni të kënaqur me adhurimin tim që ia kushtoj Atij.

(Në Kuran, te përsëritjet ka dobi të mëdha dhe ato nuk bëhen kot pa kurrfarë dobie).

 

-“ لَكُمۡ دِينُكُمۡ وَلِيَ دِينِ – Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë kam fenë time!” Ju keni fenë tuaj në të cilën jeni dhe me të cilën e adhuroni Allahun, ndërsa unë kam fenë time, jam i pastër prej fesë tuaj, i distancuar, njashtu dhe ju jeni të distancuar nga feja ime me të cilën e adhuroj Allahun.

 

Kjo sure përmban pastrim e distancim prej adhurimit ndaj dikujt tjetër përveç Allahut, qoftë nëse kjo ka të bëjë me ata që adhurohen në vend të Allahut apo me vetë llojin e adhurimit. Në këtë sure ka sinqeritet të plotë për Allahun, se nuk na lejohet të adhurojmë dikë tjetër së bashku apo krahas me Allahun, ngase Ai është i Vetmi dhe nuk ka ortak.

 

 

Hoxhë Lulzim Perçuku

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit