21.1 C
Pristina
Tuesday, May 21, 2024

Jeta e Hatixhe bint Huvejlid – Një grua si kjo!

Më të lexuarat

Ebu Hurejre tregon: “Xhibrili a.s erdhi tek profeti (a.s) dhe i tha: “O i dërguari i Allahut, kjo është Hatixhja, po vjen drejt teje me një gjellë të gatuar me mish (apo ushqim dhe pije). Kur të vijë, përshëndete atë nga Zoti i saj (Allahu) dhe nga ana ime, si dhe përgëzoje se në parajsë e pret një vend prej Kasadi, ku nuk do të ketë as shqetësim e as lodhje”. Transmeton Buhari

 

Karakteri i lartë dhe cilësitë fisnike të Hatixhes i dhanë nderin e të qenit e përshëndetur nga Allahu i Lartësuar nëpërmjet engjëllit Xhibril.
Një pasqyrë e besueshmërisë, integritetit, të vërtetës, modestisë, sjelljes së mirë dhe fisnikërisë; bujare, e mençur dhe e mirëkuptueshme, rritur në një ambient të pasur e luksoz. Ishte personi i parë, që besoi palëkundshëm në fjalët e profetit (a.s) dhe e para që e pranoi Islamin si fenë e saj dhe mënyrën më të mirë të jetesës. U përgëzua dhe u dallua me përshëndetje nga vetë Allahu i Lartësuar dhe engjëlli Xhibril. Ishte gruaja e parë, që u nderua kaq shumë. Ishte gruaja e parë e profetit (a.s) dhe ai nuk pati grua tjetër përkrah tij gjatë asaj kohe. Jetuan së bashku në paqe dhe harmoni për më shumë se 24 vjet. Ishte pikërisht shtëpia e saj, vendi ku profeti (a.s) pranoi shpalljet hyjnore nëpërmjet engjëllit Xhibril. Gjatë kohës së vështirë kur profetit (a.s) iu desh të shkonte në Mekë, në Shiab Ab Talib, ajo qëndroi përkrah tij me një ndihmesë të pashkëputur, duke mohuar të gjitha rehatitë e jetës.

 

 

Kur vdiq, profeti ra në një gjendje fort të trishtuar për humbjen e një shoqeje kaq të përkushtuar, e cila i qëndroi përkrah në kohët më të vështira të jetës së tij. Me duart e tij përgatiti varrin e saj dhe zbriti vetë poshtë për ta kontrolluar. Më pas lëshoi butësisht trupin e saj dhe kështu përfundoi jeta e një zonje, mbështetja më e fuqishme për Islamin në ditët e tij të para. Ishte nëna e Fatimes (r.a), gruas më të dalluar në Parajsë, gjyshja e nipërve të dashur të profetit (a.s), Hasanit dhe Husejnit (Zoti qoftë i kënaqur me ta), që janë më të dalluarit nga të rinjtë e parajsës.
Abdullah ibn Abasi tregon, se një ditë profeti (a.s) hoqi katër viza në tokë dhe i pyeti shokët e tij se çfarë nënkuptonin ato viza. Ata me respekt të madh iu përgjigjën, se ai e dinte më mirë. Më pas ai u tregoi se katër vizat paraqisnin gratë më të larta e të nderuara të Universit: Hatixhe bint Hauajlidin, Fatime bint Muhamedin, Merjem bint Imranin, nëna e profetit Isa (a.s), dhe Asije bint Mazahimin (gruaja e Faraonit), (Zoti qoftë i kënaqur me të gjitha).
E para dallohet si nëna e të gjithë besimtarëve, apo e myslimanëve praktikantë; e dyta, Fatimja, bija e profeti (a.s) u përgëzua se do të jetë e para e grave të parajsës. Merjemja e pastër dhe e virgjër është e vetmja grua, që lindi Isain, profetin e Allahut, pa u prekur nga ndonjë burrë.
Asija, e shumëvuajtur dhe gruaja e përkushtuar e Faraonit të lig, e kishte këshilluar burrin e saj, që ta adaptonte Musain (a.s), kur ai ishte foshnje. Kjo ndodhi në kohën kur vrasja e foshnjave ishte ligj në atë vend. Të gjithë të sapolindurit e fisit të Izraelit vriteshin në sajë të predikimit, se njëri prej tyre do ta rrëzonte Faraonin dhe do të shkatërronte pushtetin e tij. Ajo jo vetëm që e rriti atë në pallatin e Faraonit, por ishte dhe e para që besoi atë që predikoi Musai (a.s).

 

Aishja (r.a) tregon, se sa herë që profeti (a.s) fliste për Hatixhen (r.a), do të gjente shprehjet më të larta. Një ditë, prej xhelozisë femërore, ajo vuri në pah bukurinë e saj dhe foli fjalë pa vend për të (Hatixhen), duke vrarë mendjen se përse profetin (a.s) po e merrte malli kaq shumë për të, kur ishte begatuar nga Allahu me një grua më të re dhe më të bukur. Kjo gjë e bezdisi profetin (a.s) por i durueshëm ashtu siç ishte, psherëtiu dhe u përgjigj:
“Sepse akoma nuk kam gjetur grua më të mirë se ajo. Ajo më besoi kur çdokush, madje edhe pjesëtarët e familjes dhe fisi më mohuan dhe pranoi se unë isha vërtet profet dhe i dërguar i Zotit. Pranoi Islamin dhe shpenzoi gjithë pasurinë dhe të mirat e kësaj bote për të më ndihmuar mua, që të përhap këtë besim dhe e gjithë kjo po në atë kohë, kur e gjithë bota më ishte vënë kundër dhe po më persekutonte. Nëpërmjet saj Zoti më begatoi me fëmijë”.
Hatixhja lindi në Mekë në vitin 556. Nënën e saj e quanin Fatime bint Zaed dhe babain Hauejlid bin Asad. Ai ishte një prijës shumë i përmendur në fisin e kurejshëve dhe një tregtar shumë i suksesshëm, i cili vdiq në betejën e Fuxharit. Kësisoj, Hatixhja u rrit në mes të luksit. U martua me Halah Malak bin Nabash bin Zarrarah bin Tamimi. Me të lindi dy fëmijë, Halah dhe Hind. Ajo kishte mjaft dëshirë që ta shihte bashkëshortin e saj, të ecte përpara dhe kështu financoi që ai të ndërtonte një biznes të madh. Por fatkeqësisht ai vdiq dhe pak kohë më vonë e veja e re u martua me Atik bin Aith bin Abdullah al-Mahzomin dhe me të lindi një vajzë, që e quajti po Hindah. Martesa e tyre nuk qe e suksesshme për shkak të papajtueshmërisë. Pas gjithë kësaj, Hatixhja (r.a) gjithë vëmendjen ia kushtoi rritjes së fëmijëve dhe ngritjes të biznesit, që kishte trashëguar nga babai. Mprehtësia dhe aftësitë tregtare bënë që biznesi i saj të ishte ndër më të suksesshmit ndër kurejshët. Politika e saj ishte punësimi i njerëzve të ndershëm e punëtorë dhe i menaxherëve jo diskriminues. Në atë kohë nuk kishte linja udhëtimi apo komunikimi si në ditët tona dhe një pjesë e madhe e punës varej në integritetin e punëtorëve, që punonin dhe udhëtonin për të. Mallrat e saj eksportoheshin në tregje tepër të largëta si Siria dhe menaxherët sillnin të mira materiale nga këto vende, që të tregtoheshin në vendin e tyre. Meka, duke qenë një vend që nga ana strategjike rrethohej nga rrugë tregtare dhe duke qenë një qendër tregtare ndërkombëtare, ishte një pikë tregtare, që përfitonte shumë nga të mirat që silleshin që andej. Menaxherët do të merrnin 50% të përfitimit, gjë që për ta do të ishte mjaft joshëse.

 

 

Hatixhja (r.a) kishte dëgjuar për integritetin, ndershmërinë dhe sjelljet parimore të profetit (a.s) dhe kështu i ofroi atij një punë për të drejtuar karvanet tregtare. Ai e pranoi me shumë kënaqësi ofertën dhe filloi të punonte me përkushtim. Hatixhja e dërgoi profetin (a.s) në një udhëtim pune; shërbëtori i saj i hershëm dhe shumë i besueshëm Meisarah u zgjodh për ta shoqëruar dhe për t’i shërbyer.
Udhëtimi qe tej mase i begatë dhe Meisarah u habit nga skenat e mrekullueshme që i zunë sytë. Intergriteti, forca e karakterit, besnikëria ndaj parimeve, qëndrimi miqësor dhe aftësitë tregtare të profetit (a.s) i lanë përshtypje të jashtëzakonshme. Gjatë kthimit nga Siria, profeti u ul poshtë një peme për të pushuar për pak kohë. Nestora, një murg çifut, i dalluar për dituri fetare dhe thellësi në të menduar, e pa dhe e pyeti Meisarën se kush ishte. Ai i tregoi gjithçka dinte rreth Muhamedit (a.s), cilësive dhe zgjuarsisë së tij. Më pas Nestora i tha, që ky njeri do të zgjidhej profet në të ardhmen, pasi askush nuk kishte pushuar poshtë asaj peme përveç profetëve.
Gjithashtu në transmetime përmendet, se Meisara pa dy engjëj, që mbanin një re mbi kokën e profetit për ta mbrojtur atë nga vapa dhe nxehtësia e diellit. Ai u mahnit dhe u pushtua nga një ndjenjë mirënjohjeje, duke qenë se i ishte dhënë mundësia të përfitonte nga shoqëria e ngushtë me këtë njeri, që së shpejti do të zgjidhej nga Allahu si i dërguari i Tij.

 

Kur u kthye, Meisarah i tregoi Hatixhes (r.a) çdo gjë që kishte ndodhur gjatë kthimit nga Siria. Hatixhes (r.a) i bënë shumë përshtypje ato që dëgjoi dhe filloi të mendonte që t’i propozonte për martesë Muhamedit (a.s). Po si mund t’ia shprehte atij një mendim të tillë? Deri më tani ajo kishte refuzuar një sërë martesash nga djem, që u përkisnin familjeve të larta nga fisi i kurejshëve. Si do të reagonte fisi i saj? Po familja? Dhe për më tepër, a do të pranohej propozimi i saj nga një djalë i ri i pamartuar dhe po nga fisi i kurejshëve?
Një natë, ndërkohë që po mendonte për këto pyetje dhe ndjenjat po i luftonin përbrenda, pa në ëndërr sikur dielli kishte zbritur në oborrin e saj, duke i ndriçuar gjithë shtëpinë. Kur u zgjua shkoi tek kushëriri, një i moshuar i verbër, shumë i aftë në interpretimin e ëndrrave për t’i komentuar ëndrrën e mrekullueshme që kishte parë. Ai tha, që të mos shqetësohej dhe se kjo ishte një ëndërr shumë domethënëse. Dielli i ndritshëm që kishte zbritur në oborrin e saj dëshmonte, se profeti (a.s), ardhja e të cilit ishte parashikuar në Kuran dhe Inxhil, do t’i hijeshonte dhe ndriçonte shtëpinë dhe se ajo do të përfitonte nga prania e tij në jetën e saj.

 

 

Pas takimit me Uerekan, dëshira për t’u martuar me profetin Muhamed (a.s) iu shtua akoma më tepër. Por nuk ishte akoma e sigurt se si të vepronte në lidhje me të. Një ndër shoqet e saj më të ngushta, Nafisah bin Manhab, kishte nuhatur diçka. Një ditë ajo i tha Hatixhes (a.s), se ajo për të cilën shqetësohej, nuk përbënte ndonjë problem të madh dhe se ajo vetë do ta ndihmonte në zgjidhjen e tij. Që aty shkoi menjëherë tek Muhamedi (a.s) dhe pa zhurmë e rrëmujë i kërkoi leje, nëse mund t’i bënte një pyetje personale. Kur ai nuk shfaqi ndonjë kundërshti, ajo e pyeti se cila qe arsyeja që ende nuk ishte martuar. Që këtej profeti (a.s) iu përgjigj se nuk qe martuar për arsye financiare. Më pas ajo e pyeti nëse do të dëshironte të martohej me një zonjë të bukur nga një familje e pasur dhe e fisshme, e cila anonte nga një martesë me të. Ai e pyeti se kë kishte në mendje dhe kur mori vesh për personalitetin e saj, u përgjigj se do ta dëshironte një martesë të tillë, nëse ajo do të ishte dakord. Nuk ka dyshim që Hatixhja (r.a) u gëzua tej mase. Në atë kohë profeti (a.s) ishte 25 vjeç ndërsa Hatixhja 40. Dy xhaxhallarët e profetit (a.s), Hamza dhe Ebu Talib, iu afruan xhaxhait të saj Umer bin Asad, me propozimin formal. Kjo lidhje u pranua dhe u caktua një datë. Familjet filluan të përgatiten së bashku për martesën. Në ditën e caktuar pjesëtarët e familjes dhe miqtë u mblodhën në ceremoninë martesore. Halimah Saidah e cila e kishte ushqyer dhe rritur profetin (a.s) kur ai qe foshnje, ishte e ftuar e nderit dhe për t’iu përgjigjur ftesës kishte marrë udhën nga fshati i saj drejt Mekës.
Kur u largua pas ceremonisë, Hatixhja (r.a) i dha asaj sende të vlefshme për shtëpinë, një deve dhe dyzet dhi si shenjë mirënjohjeje për gruan, që kishte treguar aq kujdes për Muhamedin (a.s) në hapat e parë të jetës së tij.
Martesa qe shumë e begatë dhe ata patën gjashtë fëmijë. Në fillim dy djem, Kasimin dhe Abdullahun; më pas pasuan katër vajzat, Zejnebja, Rukija, Umu Kulthumi dhe Fatimja. Ata ishin fëmijë të zgjuar e të mrekullueshëm dhe shtëpinë e karakterizonte një atmosferë e lumtur dhe e paqme. Megjithatë e gjithë kjo nuk ishte e mjaftueshme. Muhamedi e ndjente se gjithë këtyre begative u mungonte diçka. Andaj, një herë në vit, ai do të shkonte në shpellën Hira dhe do të pushonte për një muaj të plotë, duke u lutur dhe medituar. Por një ditë ndjeu praninë e një qenie tjetër, që i kapi krahun dhe e shtrëngoi fort. Më pas e lëshoi dhe i tha të lexonte; Muhamedi u përgjigj se nuk dinte të lexonte. Por qenia e përsëriti të njëjtën frazë sërish. Së fundmi lexoi këto ajete, që janë dhe shpallja e parë kuranore:
“Lexo! Në emër të Zotit tënd që krijoi gjithçka. E krijoi njeriun nga një pikë uji. Lexo se Zoti yt është më Bujari. Që të mësoi ty të shkruash me penë. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte!” 96:1-5

 

 

Më pas qenia u zhduk. Profeti (a.s) u frikësua aq shumë sa u kthye në shtëpi gjithë djersë e ethe. Ashtu duke u dridhur i kërkoi Hatixhes që ta mbulonte me batanije. Pasi pushoi për pak kohë dhe u qetësua disi, i tregoi Hatixhes çdo gjë që kish ndodhur. Hatixhja, simbol i bujarisë dhe ngushëllimit shpirtëror, e qetësoi duke i thënë se nuk kishte dyshim, se Allahu do ta mbronte atë nga çdo rrezik dhe nuk do të lejonte askënd, t’i kundërvihej atij pasi ai ishte njeri i paqes dhe i pajtimit dhe përherë zgjaste dorën e miqësisë tek të tjerët. Asnjëherë nuk gënjente, merrte me përgjegjshmëri mbi supe barrën e halleve të të tjerëve dhe ndihmonte ata që ishin në nevojë. nëpërmjet Këtyre fjalëve ëmbëltuese dhe inkurajuese të Hatixhes, ai fitoi forcë dhe besim të pamasë. Më pas ajo bashkë me të shkuan për të takuar kushëririn e saj, Uereka bin Neufel, që menjëherë dalloi identitetin e qenies që erdhi në shpellën Hira. Ai ishte engjëlli Xhibril, i dërguar i Zotit, që kishte vizituar edhe profetin Musa (a.s). Uereka që ishte shumë i moshuar, shprehu dëshirën për të jetuar në kohën, kur Muhamedi do të dëbohej nga njerëzit e tij. Profeti u çudit dhe pyeti nëse njerëzit do të vepronin vërtet ashtu! Uereka e siguroi, duke i thënë se ishte tipike për njerëzit që të mos e pranonin dhe pasonin profetin, që lindte në mesin e tyre, ashtu siç thoshte dhe një proverb: “Një profet asnjëherë nuk nderohet në tokën e tij”. Uereka do të dëshironte të ishte gjallë në atë kohë dhe ta ndihmonte profetin (a.s). Ai gjithashtu shtoi, se nëse i ishte thënë e vërteta, nuk kishte dyshim se Muhamedi ishte profeti i ardhshëm ashtu siç ishte parashikuar në librat e mëparshëm.
Profeti (a.s) kishte gjashtë fëmijë me Hatixhen, katër vajza dhe dy djem. Të katër vajzat u rritën besimtare të devotshme në Islam. Ato quheshin Zejnebe, Rukie, Umu Kulthum dhe Fatime. Të gjitha emigruan në Medine me profetin (a.s). Zejnebja u martua me Ebul Aas Rabian dhe Rukia me Uthmanin. Pas vdekjes së saj ai u martua me Umu Kulthumin; Fatimja u martua me Ali ibn Ebi Talibin. Tri vajzat e para vdiqën, ndërkohë që profeti (a.s) qe ende gjallë, ndërsa vajza e tij e dashur Fatimja vdiq vetëm gjashtë muaj, pasi ai ndërroi jetë.

 

Profeti (a.s) kishte tri djem, dy me Hatixhen dhe djalin e tretë me Maria Kabtija. Djalin e parë e quanin Kasim, prej të cilit profeti (a.s) njihej dhe me emrin Ebul Kasim. Djalin e dytë e quanin Abdullah, që njihej dhe si Tahir (i pastër) apo Tajjib (i mirë). Të dy këta vdiqën në fëmijëri dhe mosbesimtarët u gëzuan tej mase, për faktin se profeti (a.s) nuk do të kishte më trashëgimtarë, që do ta çonin më tej misionin e tij fisnik. Djali i tij i tretë, Ibrahimi, lindi nga Maria Kabtija. Edhe ai vdiq në foshnjëri. Kur profeti (a.s) e pa Ibrahimin në çastet e vdekjes, e mori me butësi dhe tha që ishte i paaftë dhe se nuk mund të bënte asgjë kundër vullnetit të Allahut.
“Ne e dimë se vdekja është e pashmangshme dhe është e vërtetë e kësaj bote. Po ashtu dimë, se ata që kanë mbetur pas, do të bashkohen me ata që kanë ikur përpara; nëse nuk do të ishte kështu, atëherë ne do të brengoseshim edhe më shumë për vdekjen e Ibrahimt. Zemra dhemb dhe syri qan, por nuk është e hijshme që të thuhen fjalë që e hidhërojnë Zotin, Krijuesin dhe Furnizuesin tonë”.

 

Ditën kur Ibrahimi ndërroi jetë, ndodhi një eklips diellor. Arabët e lashtë ishin shumë supersticiozë dhe fenomenet natyrore- si eklipsi diellor dhe hënor- i shoqëronin me vdekjen e ndonjë njeriu të madh. Shumë myslimanë në atë kohë filluan ta shoqëronin eklipsin diellor me vdekjen e Ibrahimit. Por profeti (a.s) hipi në minber dhe mbajti një fjalim:
“Eklipset diellorë dhe hënorë janë shenja të Allahut. Ata asnjëherë nuk ndodhin për shkak të vdekjes së ndonjë njeriu. Dhe kur t’i shihni falni namaz”.
Armiqtë e tij filluan ta quajnë profetin (a.s) Abtar, dikush që i është ndërprerë linja e trashëgimisë. Por Allahu kishte rezervuar mirësi e begati të pafundme, që ishin në pritje të tij. Më pas Ai shpalli ajetet e bukura të sures Keuther në Kuranin Fisnik: “Me të vërtetë Ne të kemi dhënë ty Keutherin. Kështu që ktheju me lutje Zotit tënd dhe bëj kurban për Të. Sepse ai që të urren ty është farësosur”. 108:1-3
Kur mosbesimtarët panë, se Islami po tërhiqte gjithmonë e më shumë pasues megjithëse ata përdorën taktika të ndryshme për t`i larguar njerëzit nga Islami, ata vendosën të takohen, për të vendosur se çfarë hapash duhej të merrnin, që ta ndalonin përhapjen e mëtejshme të kësaj feje të re. Ata vendosën t’i shpallnin fisit Hashim një bojkot të plotë ekonomik dhe politik. Kjo ndodhi në vitin e shtatë, pasi profeti (a.s) shpalli veten të dërguar të Zotit. Gjithashtu në historinë islame kjo njihet si Shiab Ebi Talib.
Kjo periudhë ishte aq e ashpër, sa fëmijët e pafajshëm u përballën me urinë dhe vdekjen, ndërsa të rriturit mbijetuan duke ngrënë gjethet e pemëve. Por gjithsesi pasuesit e vendosur të profetit Muhamed (a.s) nuk u kthyen nga feja e vërtetë dhe prej saj dolën më të fortë dhe më të pastër se më parë.

 

Hatixhja që ishte rritur në luks dhe të mira në shtëpinë e të atit, tani u përball me vështirësi ekonomike, të cilat i përballoi me shumë durim dhe kurajo, të cilat janë të domosdoshme në një kohë të vështirë.
Fisnikëria e karakterit të Hatixhes dhe morali i saj i lartë e kënaqën aq shumë Zotin e botëve, sa dërgoi engjëllin e Tij, Xhibrilin, për ta përshëndetur. Këtë ngjarje profeti (a.s) ia tregoi Ebu Hurejres dhe kjo përmendet në sahihun e Buhariut.
Hatixhja ishte një grua dhe nënë ideale. Profeti (a.s) jetoi në shtëpinë e saj, e cila u begatua në sajë të pranisë profetike dhe nga fakti që engjëlli Xhibril (a.s) vinte shpesh aty për ta vizituar dhe për të sjellë shpalljet kuranore. Ajo u bë qendra e Islamit, që frekuentohej shpesh nga sahabë, gra dhe burra për të marrë pjesë në mikpritjen e profetit (a.s) dhe gruas së tij.

 

 

Pas migrimit të profetit (a.s) në Medine, në shtëpinë e tyre hyri vëllai i Aliut (r.a). Më pas Muavija bin Ebu Sufjan që transkriptoji disa nga shpalljet hyjnore, e bleu këtë shtëpi dhe ndërtoi një xhami. Kështu që shtëpia e Hatixhes u bë një vend faljeje dhe adhurimi për gjatë gjithë kohës. Ajo e kish bërë zakon, të falte dy rekatë namaz mëngjeseve dhe mbrëmjeve bashkë me profetin (a.s), madje para se të detyrohej falja e namazit. Në lidhje me këtë tregohet një ngjarje në historinë Islame. Pas pranimit të Islamit ajo u bë më e thellë dhe më e prirur në adhurim; në namaz pati ndjesi të pakrahasueshme paqeje. Afif Kindi tregon, se Ibn Abbas bin Abdul Mutalib ishte një mik i tij i ngushtë, të cilin e vizitonte shpesh në Jemen për punë tregtie. Një herë kur po qëndronin dhe po bisedonin në Mina, panë një djalosh të hijshëm tek po afrohej. Ai i lidhi duart mbi gjoks. S’kaloi shumë dhe një grua e nderuar bashkë me një çunak fort të hijshëm, iu bashkangjitën. Afifi pyeti Abbasin se çfarë po bënin dhe se mos kjo ishte një formë e re të ushtruari. Abbasi u përgjigj, se i riu ishte djali i vëllait të tij Abdullah dhe se zonja ishte gruaja e tij. Ajo ishte një grua e pasur, e virtytshme, një bashkëshorte dhe nënë ideale. Ndërsa djaloshi ishte djali i vëllait të tij Ebu Talib. Muhamedi kishte shpallur, se ishte i dërguari i Zotit dhe kishte filluar të predikonte një fe të re të quajtur Islam. Më vonë Afifi pranoi Islamin, por i mbeti peng fakti, që nuk iu bashkangjit Muhamedit (a.s) dhe shokëve të tij në namazin dhe lutjen e asaj dite të veçantë në Mina kur kishte dëgjuar për herë të parë për Islamin.
Hatixhja vdiq vetëm tre vjet pas hixhretit, apo migrimit të profetit (a.s) në Medine. Vdiq në moshën 65-vjeçare, duke lënë pas plot 25 vite përkushtimi ndaj Muhamedit (a.s) dhe Islamit. Kur Muhamedi (a.s) e pa në çastet e vdekjes, e ngushëlloi duke i thënë se kështu kishte vendosur Allahu për të dhe se ajo për të cilën frikësohej, ishte diçka shumë më e mirë. Në ato çaste ajo ngriti sytë dhe vështroi burrin e saj të dashur. Më pas shpirti i saj u shkëput nga trupi tokësor. Varri u përgatit në vendin e quajtur Huxhun, afër Mekës. Muhamedi (a.s) zbriti vetë për të parë, nëse çdo gjë ishe ashtu siç duhej dhe me duart e tij zbriti lehtë e butë trupin e saj. Kështu u largua nga kjo botë nëna e të gjithë besimtarëve, që sakrifikoi çdo gjë për Islamin.

 

 

Po në të njëjtin vit ndërroi jetë edhe përkrahësi dhe mbrojtësi më i madh i familjes së Muhamedit (a.s), xhaxhai i tij, Ebu Talibi. Kështu brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, dy nga shokët e tij më të ngushtë, dy shtylla të fuqishme ku ai gjente mbështetje dhe siguri, e lanë këtë botë. Me gjithë ndjenjën madhe të humbjes, Muhamedi (a.s) ishte shumë i shqetësuar me faktin, se përhapja e Islamit do të përballej tashmë me shumë probleme e pengesa. Xhaxhai i tij e kishte mbrojtur në momente shumë të vështira me ndikimin dhe pushtetin e tij; ndërsa gruaja e tij e pasur kishte qenë aq bujare, sa kishte dhënë gjithë pasurinë e saj në rrugën e Zotit. Gjithashtu ajo kishte qenë mbështetja e tij morale dhe emocionale. Shtëpia e saj kish qenë një qiell mëshirë për Muhamedin (a.s) dhe kishte qenë vetë ajo, që kishte marrë përsipër përgjegjësitë familjare dhe edukimin e vajzave. Sa herë që mosbesimtarët abuzonin me profetin (a.s), ajo do të ishte forcë morale dhe besim i palëkundur.
Një ndër gratë e kurejshëve, Haulah bint Hakim, e vizitoi profetin (a.s) për ta ngushëlluar dhe kur pa pikëllimin dhe brengën e tij, e qortoi. Ai u përgjigj, se ishte shumë e natyrshme të prekej nga humbja e saj, pasi ajo kish qenë një nënë e dashur për fëmijët, që tashmë kishin mbetur mënjanë; kishte qenë një grua e dashur dhe besnike, me të cilën ai ndante të fshehtat. Dhe ishte sa e natyrshme aq edhe njerëzore, që ai ta ndjente humbjen e saj, pasi ajo i ishte gjendur pranë në kohët më të vështira.
Një nga shokët e profetit (a.s) tregon, se sa herë që të dërguarit të Zotit (a.s) i sillnin ndonjë dhuratë, do t’ia dërgonte shoqes së Hatixhes. Aishja (r.a), një grua e veçantë për profetin (a.s), thotë se sa herë që therej diçka, profeti (a.s) do t’i dërgonte një sasi mishi shoqes së Hatixhes; dhe kur një ditë ajo ia vu në pah këtë gjë, ai u përgjigj: “Kam respekt shumë të madh për shoqet e saj, pasi ajo gëzon një vend të veçantë në zemrën time”.
Aishja (r.a) tregon, se nuk ishte xheloze për asnjë nga gratë e profetit (a.s), përveç Hatixhes (r.a).

 

 

Ajo gjithashtu tregon, se sa herë që profeti (a.s) do të fliste për të, do ta përmendte shumë emrin e saj, do të vinte në pah cilësitë më të mira dhe do të lutej e do të kërkonte falje për të.
Të devotshmit do të priten ashtu siç e ka përmendur Allahu në suren Fexhr në Kuranin Fisnik: “O ti shpirt i bindur plotësisht! Kthehu tek Zoti yt i vetëkënaqur dhe i kënaqur (me Të)! Futu në turmën e robërve të Mi dhe futu në Xhenetin tim”. 89:27-30.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit