2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Jeta bashkëshortore e mbron dinjitetin e femrës

Më të lexuarat

“Ditën e martesës o të çilet o të mbyllet dera” – thotë një fjalë e urtë. Kjo do të thotë se martesa është një çështje tepër serioze, së cilës për të qenë e lumtur dhe e suksesshme duhet t’i paraprijë parapërgatitja serioze, pjekuria fizike e mendore, pjekuria e ndjenjave ose pjekuria e emocioneve

Faktet dhe studimet në fushën e moralit kanë provuar se martesa është një institucion themelor me karakter fetar e social.

Ajo është një detyrë që duhet të plotësohet si të gjitha detyrat tjera

të Fesë islame. Martesa ka rëndësi të madhe shoqërore, sepse krijon përgjithësisht marrëdhënie afërsie e bashkëpunimi jo vetëm ndërmjet personave që martohen, por edhe ndërmjet anëtarëve të fiseve dhe të miqve të tyre.

Martesa do të thotë lidhje e bashkim ndërmjet dy njerëzish nën hijen e një jete të përbashkët, ku do të sundojë dashuria dhe miqësia e pastër. Ajo nënkupton integrim për bashkëshortët dhe zhdukje të ndjenjës së boshllëkut që ekziston njëlloj si te burri, ashtu edhe te gruaja.

Ajo është një lloj miqësie, dashurie dhe afiniteti, saqë është e vështirë të dallohen anët e saj materiale nga ato shpirtërore e morale; ajo është një nga format e integrimit e të bashkëpunimit, që i plotëson të gjitha nevojat shpirtërore e trupore.

Feja islame rreptësisht e ndalon prostitucionin, jetën imorale dhe lidhjet intime jashtëmartesore.

Mirëpo, nga ana tjetër, zgjidhjen e problemit të jetës seksuale të njeriut e ka gjetur në institucionin islam “martesë”. Domethënë, vetëm në mënyrë ligjore, përmes jetës bashkëshortore, muslimani dhe muslimanja, i riu dhe e reja, mund ta rregullojnë jetën e tyre. Pa martesë të rregullt, askush nuk guxon të ketë marrëdhënie intime.

Prandaj, ishte në interes të individit dhe të shoqërisë që marrëdhëniet seksuale të sanksionohen dhe të rregullohen, por jo edhe të dënohen dhe të injorohen.

Mbrojtja e llojit njerëzor

Pra, Islami e favorizon martesën dhe e përkrah, kurse fuqishëm e dekurajon beqarinë, madje qoftë edhe për arsye asketike. Muslimani dhe muslimania, i riu dhe e reja, porositen që të themelojnë familje bashkëshortore. Kjo është praktikë e përbashkët e njerëzve të zakonshëm, e udhëheqësve shpirtërorë, e madje edhe e pejgamberëve. Vetëm me anë të martesës njerëzit mund të ruhen nga seksualiteti i paligjshëm, shfrenimi, mund të mbrohet morali, nderi dhe dinjiteti i femrës.

Nëse ky qëndrim si pjesë përbërëse e natyrës së njeriut është i kahershëm, atëherë shtrohet pyetja:

Çka është kjo që po ndodh sot me njerëzimin? Përse njerëzimi lejoi që të përhapet amoraliteti? Përse i la hapësirë shfrenimit epshor? Përse lejoi që të përbuzet institucioni i familjes dhe i martesës? Feja islame, meqë dinjitetin e gruas e ngriti në shkallën më të lartë, ia siguroi të drejtat, atëherë përse duam ta kthejmë femrën prapë në kohën paraislame, përse ajo pranon të jetë e poshtëruar, përse pranon që të tregtohet me nderin dhe të jetojë

nga feminiteti i saj…?

Feja islame e kultivon dhe e mbron institucionin e martesës. Krejt çka prej nesh kërkon, është që të mos i kalojmë kufijtë, që kënaqësitë tona të jenë të pastra, kurse kur është fjala për gjininë femërore, atyre t’u afrohemi si

burra të ndershëm e jo si njerëz të pamoralshëm. Për këtë shkak, Islami urdhëron për bashkësi bashkëshortore e cila femrave dhe meshkujve iu ofron mundësi që nevojat e tyre natyrore t’i kënaqin në të gjitha aspektet e jetës, gjë e cila atyre u ofron lumturi dhe kënaqësi, por edhe përgjegjësi. Marrëdhëniet intime përmes bashkësisë bashkëshortore janë e vetmja formë e cila siguron mekanizëm kontrollues për pasionet seksuale. Ai është, gjithashtu, një lloj ventili sigurimi për edukimin seksual. Vetëm nëpërmjet martesës sendërtohet drejtpeshimi në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Kur’ani madhështor martesën e quan “HISN” – kështjellë mbrojtjeje kundër jetës

amorale dhe thotë:

“… Pra, martohuni me ato (robëresha) e me lejen e zotërve të tyre dhe jepnu kurorën në mënyrë të drejtë, (zgjidhni) të ndershme e jo prostituta të hapta ose të fshehta…” (En-Nisaë: 25).

Në versetin e pestë të kaptinës El Maide njeriut i jepen këto udhëzime:

“… Për ta (u janë lejuar) gratë e ndershme besimtare, dhe (gra) të ndershme nga ata të cilëve u është dhënë libri para jush, kur atyre u jepni pjesën e caktuar të kurorës, por duke pasur për qëllim martesën, e jo imoralitetin dhe jo si dashnore ilegale”…

Si duhet kuptuar martesën?

Nuk guxojmë të harrojmë se martesa nuk është vetëm për dobi ekonomike ose për shkak të dëfrimit shpirtëror të cilin ajo me vete e sjell, por, parimisht për shkak të të kënaqurit normal dhe të arsyeshëm të nevojave seksuale, që të mbërrihet miqësi shpirtërore midis femrës dhe mashkullit, por jo si relacion i cili është i orientuar vetëm për interes.

Marrëdhëniet midis burrit dhe gruas duhet të jenë marrëdhënie

shpirtërore, relacion i cili krijon dashuri, dashamirësi, mëshirë, miqësi, sakrifikim dhe ndihmë reciproke.

Me fjalë të tjera, vlera dhe rëndësia e martesës qëndron në këto pika:

Në ruajtjen dhe vazhdimësinë e gjinisë njerëzore; Allahu Mëshirëmadh thotë:

“Allahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, e prej bashkëshorteve tuaja – fëmijë e nipa…” (En- Nahël: 72);

Në ruajtjen e shoqërisë nga amoraliteti; I dërguari i Zotit, Muhamedi alejhiselam, thotë: “O djalë i ri, ata ndër ju që mund të mbajnë bashkëshorte, duhet të martohen, sepse martesa ua ruan shikimet nga e

keqja dhe u largon nga amoraliteti” (Muslimi).

Në ndihmën e bashkëshortëve, përgjegjësinë familjare dhe

formimin e saj;

Në shpëtimin e shoqërisë nga sëmundjet ngjitëse dhe perversitetet e ndryshme;

Në qetësimin shpirtëror të të dyja palëve.

Allahu Fuqiplotë thotë:

“Dhe, nga faktet e Tij është që për të mirën tuaj Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën, ashtu që të gjeni prehje tek ato, dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë” (Er- Rum: 21).

Në ruajtjen e familjes, edukimin dhe mirëmbajtjen e fëmijëve. Falë martesës, fëmijët mburren me atë se u takojnë prindërve të caktuar, sepse vetëm në familje ndiejnë përkatësinë e tyre, respektin njerëzor dhe harmoninë shpirtërore. Kur’ani Madhështor kur i përshkruan marrëdhëniet midis burrit

dhe gruas, ato i përshkruan si relacion afërsie midis “trupit dhe petkut” dhe thotë:

“Ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato” (El Bekare: 187).

Këto fjalë kur’anore nënvizojnë afërsinë dhe barazinë e dy gjinive të kundërta. Sikurse petku që e mbron njeriun nga të ftohtit, nxehtësia dhe të dëmtuarit, gjithashtu edhe jeta bashkëshortore e mbron njeriun nga rreziqet dhe ia lehtëson vështirësitë dhe telashet e jetës. Jeta bashkëshortore, gjithashtu, e mbron dinjitetin e femrës prej shikimeve lakmuese, pastaj, martesa është virtyt i mashkullit dhe mbrojtje për femrën.

Petku është diçka që e mbulon trupin dhe e mbron. Ashtu edhe bashkëshortët janë mbrojtës dhe mbikëqyrës të njëri-tjetrit. Sjellja e këtillë e ruan moralin. Pa moral, njeriu u nënshtrohet rreziqeve dhe sensualiteteve të paligjshme – prostitucionit.

Në thelb, martesa mund të përkufizohet si bashkësi e dy gjinive të kundërta, e pranuar fetarisht, ligjërisht dhe publikisht. Në martesë synohet jo vetëm krijimi i familjes dhe lumturia bashkëshortore, por edhe marrja përsipër e përgjegjësisë për përkujdesjet, mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve.

Në fund të fundit, martesa është një truall për një jetë me gëzime, harmoni dhe lumturi për burrin, gruan dhe fëmijët, pra plotësisht janë në rrugë të drejtë ata të cilët e synojnë dhe e preferojnë martesën.

Shumë pak dinë për këtë kënaqësi dhe lumturi ata të cilët mendojnë vetëm për bukurinë trupore të femrës dhe vetëm për kënaqjen e pasionit seksual.

Duhet të na dhimbsen ata të cilët femrën e shohin vetëm për gjah, mbi të cilën e ushtrojnë fortësinë dhe dinakërinë e tyre. Të tillëve vetëm kjo u pëlqen! Ata nuk parandiejnë se prej nderimit, besnikërisë, pastërtisë dhe sinqeritetit midis mashkullit dhe femrës lind shoqëria dhe miqësia interne, përmes së cilës kënaqin edhe trupin edhe shpirtin dhe tregojnë ndjenja të larta dhe konstante, e jo vetëm në atë moment gjumëndjellës nga akti seksual.

“Ditën e martesës o të çilet o të mbyllet dera” – thotë një fjalë e urtë.

Kjo do të thotë se martesa është një çështje tepër serioze, së cilës për të qenë e lumtur dhe e suksesshme, duhet t’i paraprijë parapërgatitja serioze për të, pjekuria fizike e mendore, pjekuria e ndjenjave ose pjekuria e emocioneve.

Që martesa të jetë e lumtur dhe e qëndrueshme, nga të rinjtë kërkohet

që para se të vendosin për t’u futur në martesë, të jenë të vendosur për të ruajtur bashkëshortësinë, pavarësisht se gjatë jetës mund t’u dalin edhe pengesa ose kërkesa të cilat mund të përpiqen për t’i shmangur nga ky parim. Kjo kërkon që të rinjtë të edukohen me këtë parim sa më herët, gjë që lidhet edhe me edukimin e frenuesve të brendshëm psikikë e sidomos të ndjenjave të tilla të larta si besnikëria, ndershmëria, humanizmi, sinqeriteti, respekti, durimi etj. Vetëm me këso veti të larta morale, jeta bashkëshortore mundtë funksionojë si duhet dhe të jetë e lumtur. Është lehtë të krijosh martesë të lumtur, por akoma më vështirë është ta mbash atë të lumtur.

Shaban Aziri

Hëna e Re Nr.228

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit