2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Islami, Xhamia dhe Menaxhimi – Ekonomia Islame

Më të lexuarat

– Nevoja për ekuilibër

Islami është një fe holistike, e cila përfshin të gjitha aspektet e jetës, qofshin ato politikë, ekonomi, shkencë, fe, moral, ligj etj. Prandaj, çështja e menaxhimit nuk është e huaj për Islamin. Profeti fisnik , dhe pasuesit e tij ishin menaxherë dhe administratorë të dalluar gjatë kohës së tyre. Tradicionalisht, menaxhimi përfshin koordinimin dhe harmonizimin e tre variablave – njeriut, makinës dhe parasë. Profeti  menaxhoi paratë, njerëzit dhe burimet materiale me përsosmëri dhe ekselencë si në Mekë ashtu edhe Medine. Këto aftësi më vonë iu transmetuan shokëve të tij – Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit, Aliut dhe shumë të tjerëve (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata). Prandaj, imami ose çdo musliman i vendosur në një pozitë udhëheqëse në xhami duhet të pajiset me aftësitë e udhëheqjes dhe njohuritë e dobishme për të mbajtur pasuesit me vete. Allahu thotë: “… andaj pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk dini (këtë)” (En-Nahl, 42)

Profeti  ishte i kujdesshëm kur caktonte administratorë, emisarë dhe diplomatë. Ai emëroi Muadh ibn Xhebelin (Allahu qoftë i kënaqur me të) si ambasador në Jemen, sepse tek ai ishin rrënjosur aftësitë administrative për shkak të njohurive të Kuranit, Hadithit dhe Kijasit. Ai zgjodhi Musab ibn Umejrin (Allahu qoftë i kënaqur me të) si mëkëmbës të tij në Jethrib për shkak të njohurive të tij, aftësisë për të menaxhuar njerëzit dhe burimet e vendosura nën kujdesin e tij. Halid ibn Velidi (Allahu qoftë i kënaqur me të) gjithashtu u lejua të udhëheqë luftën sepse ai mund të menaxhonte luftëtarët në betejë. Më vonë ai u bë komandanti më i famshëm i luftës në historinë e Islamit. Për të mbështetur më tej rëndësinë e aftësive menaxheriale, hadithi në vijim do të jetë argument.

Enesi dhe Rafi ibn Hadixhi (Allahu qoftë i kënaqur me ta) raportuan se Profeti Muhamed  erdhi në Medine dhe gjeti njerëz duke shartuar hurmat e tyre. Ai i pyeti se çfarë po bënin dhe ata e njoftuan se po pjalmonin në mënyrë artificiale pemët. Ai u tha: “Ndoshta do të ishte më mirë të mos e bënit këtë.” Kur fermerët që kujdeseshin për hurmat e braktisën praktikën, rendimenti i hurmës u bë më i vogël. Kështu ata e njoftuan Pejgamberin  dhe ai tha: “Unë jam njeri. Pra, kur të them të bësh diçka në lidhje me fenë, pranoje atë, por kur të them diçka nga mendimi im personal, ki parasysh se unë jam qenie njerëzore. Ju keni njohuri më të mira (të aftësive teknike/menaxhimit) në punët e kësaj bote.” (Muslimi)

Në një rast tjetër, Profeti Muhamed  pranoi strategjinë dhe taktikën e luftës të sugjeruar nga Selman el-Farsiu (Allahu qoftë i kënaqur me të) në ditën e betejës së Hendakut.

Këta janë shembuj të aftësive menaxheriale dhe taktikave të huazuara të cilat kanë rezultuar si të suksesshme. Rastet e ndryshme treguan se përzgjedhja e udhëheqësve në pozita të ndryshme menaxheriale duhet të bëhet përtej dëshirave të individëve, veçanërisht poste të ndjeshme çështja e përzgjedhjes së imamit.

Domosdoshmëria e menaxhimit të xhamisë

Nevoja për menaxhimin e xhamisë bëhet e pashmangshme duke marrë parasysh thëniet e Profetit fisnik  : “Ai që Allahu e ka bërë administrues mbi çështjet e muslimanëve, por mbetet indiferent ndaj nevojave dhe varfërisë së tyre, Allahu gjithashtu do të jetë indiferent për nevojat dhe varfërinë e tij”(Ebu Davudi)

Ai  më tej këshilloi se: “Çdo sundues që është përgjegjës për punët e muslimanëve por nuk përpiqet sinqerisht për mirëqenien e tyre, nuk do të hyjë në Xhenet me ta.” (Muslimi)

Hadithet e mësipërme theksojnë dy gjëra: 1. Mirëmbajtjen e xhamisë dhe 2. Menaxhimin funksional.

  1. Mirëmbajtja e Xhamisë

Kjo përfshin punën e ndërmarrë për të mirëmbajtur ose përmirësuar çdo pjesë të xhamisë, shërbimet e saj dhe objektet përcjellëse, në një standard të pranuar dhe për të mbështetur dobinë dhe vlerën e xhamisë. Omer ibn AbdulAziz e kishte zakon të kryente inspektime të shpeshta të xhamive dhe objekteve përcjellëse të tyre me qëllim korrigjimin e defekteve dhe mbulimin e nevojave. Mirëmbajtja e xhamisë mund të përfshijë:

– Mirëmbajtjen parandaluese

Kjo përfshin inspektimin e rregullt, pastrimin, testimin dhe kontrollet rutinë herë pas here. Ky lloj i mirëmbajtjes nuk pret për shembjen totale të ndërtesës së xhamisë para se të riparohet, ideja është të parandalohet një avari totale përpara se të bëhen riparimet e nevojshme dhe të pashmangshme.

– Mirëmbajtjen parashikuese

Kjo është pothuajse identike me mirëmbajtjen parandaluese, por fokusi i saj kryesor është të parashikojë dhe parandalojë një prishje të objekteve në xhami. Në këtë rast mirëmbajtja bëhet kur ka shenja paralajmëruese, si mosfunksionim i pajisjeve elektrike, rrjedhje nga çatia, plasaritje muri etj.

– Mirëmbajtjen korrigjuese

Këtu përpjekja është për të korrigjuar pajisjet e dëmtuara ose të konsumuara në xhami dhe kthimi i tyre në një gjendje të mirëfilltë nëpërmjet riparimeve të vogla ose të mëdha. Mirëmbajtja korrigjuese përfshin zëvendësimin e komponentëve të dëmtuar ose riparimet në xhami.

  1. Menaxhimi funksional

Kjo përfshin aftësinë e imamëve për të koordinuar burimet materiale dhe njerëzore në dispozicion në mënyrë optimale për të çuar përpara çështjen e Islamit dhe të muslimanëve. Me burime njerëzore nënkuptojmë të gjithë komunitetin e xhamisë ndërsa burimet materiale i referohen strukturës fizike, fondeve dhe aseteve. Kur këto dy burime shfrytëzohen siç duhet, komuniteti do të rritet dhe do të përmirësohet mirëqenia dhe qëndrueshmëria e tyre shpirtërore.

Menaxhimi funksional është një kusht i domosdoshëm për mbijetesën dhe avancimin e institucionit. Kjo shpjegon se pse kompanitë, qeveritë dhe agjencitë e tjera investojnë kaq shumë në trajnimin e personelit, pas së cilës atyre do t’u besohen role sfiduese menaxheriale (nga ata të cilëve u jepet shumë, pritet shumë).

– Funksionet e Menaxhimit

Një akronim i thjeshtë për të kuptuar shtatë funksionet e menaxhimit është POSDKRB, i cili u zhvillua nga Luther Gulick dhe Lyndall Urwick në vitin 1937 në trajtimin e tyre të titulluar “Shkenca e Administrimit”. Kuptimi i plotë i të cilit është planifikimi, organizimi, stafi, drejtimi, koordinimi, raportimi dhe buxhetimi. Në çfarëdo mjedisi që ndodh menaxhimi, parimet e tij duhet të vihen në përdorim. Ato gjithashtu mund të modifikohen për t’iu përshtatur menaxhimit të xhamisë nga imamët dhe zyrtarët e tyre. Imamët bashkëkohorë janë udhëheqës në të gjitha sferat e jetës, ata nuk mund t’i trajtojnë të gjitha çështjet vetë; ata kërkojnë shërbimet mbështetëse dhe kontributet e disa zyrtarëve për realizimin e objektivave të xhamisë. Për të arritur efikasitet në udhëheqjen e xhamive, duhet të ketë ndarje të detyrave dhe përgjegjësive.

Ndarja e punës i referohet ndarjes së aktiviteteve organizative në nën-njësi për të lehtësuar përmbushjen efektive të detyrave. Për efektivitet, duhet të ketë barazi autoriteti dhe përgjegjësie, domethënë autoriteti duhet të jetë i barabartë me përgjegjësinë. Autoriteti është e drejta për të dhënë urdhra dhe fuqia për të kërkuar bindje. Përgjegjësia është detyrimi i krijuar në pjesën e vartësit për të përdorur autoritetin për të kryer detyrën e caktuar.

Për të shmangur konfliktin në xhami, duhet të ketë objektiva të përcaktuara qartë për grupin menaxhues. Struktura e menaxhimit të xhamisë duhet të përmirësojë zbatimin e lehtë të disiplinës dhe rregullit midis zyrtarëve. Në asnjë rast nuk duhet lejuar që një individ të jap përgjegjësi para dy eprorëve në të njëjtën kohë. Imami dhe ekipi i tij duhet të jenë të drejtë me të gjithë, të adoptojnë stilin e ‘menaxhimit pjesëmarrës’ dhe të shpërblejnë stafin herë pas here.

Pozita e zyrtarëve të xhamisë duhet të jetë e qëndrueshëm në mënyrë që të parandalohet frika e largimit nga puna. Linja e komandës duhet të jetë e qartë dhe rrjedha e informacionit nuk duhet të pengohet. Në këtë rast do të ishte e lehtë për të gjithë që t’i nënshtrojnë interesat e tyre individuale qëllimit të korporatës (qëllimit të xhamisë në rastin tonë) për të nxitur “frymën e trupit” midis të gjithë anëtarëve të menaxhimit.

Sfidat reale të shekullit të 21-të

Muslimanët në mbarë botën nuk mund të jetojnë të izoluar. Ata duhet të jenë pjesë përbërëse e teknologjisë moderne. Disa organizata dhe xhami muslimane kanë shfrytëzuar avantazhin e teknologjisë moderne për të përmirësuar metodën e tyre të përhapjes. Një sasi e madhe burimesh parësore dhe materialesh jetike rreth Islamit dhe qytetërimit islam janë të disponueshme në internet dhe faqet e internetit të specializuara, duke përfshirë tekstin e plotë të Kuranit të Shenjtë në përkthime të ndryshme dhe disa koleksione të Hadithit, libra të ndryshëm të Fikhut dhe libra elektronikë falas.

Disa organizata islamike janë përfshirë plotësisht dhe kanë shpenzuar kaq shumë para në zhvillimin dhe organizimin e faqeve të dobishme të internetit për të ofruar akses të papenguar për muslimanët dhe jomuslimanët që dëshirojnë të kenë informacione mbi Islamin. Shumica e këtyre faqeve të internetit kanë kënde të ndara për fetva, gazeta, revista, kryesisht falas për muslimanët, duke shpjeguar aspektet thelbësore të fesë. Në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Kanada, organizata të ndryshme islamike dhe komunitete xhamish kanë faqet e tyre të internetit që shpjegojnë filozofitë, aktivitetet dhe projektet e tyre. Ka vend për diskutime në grup mbi projekte të ndryshme islame, kënde fetvash dhe disa platforma për shpërndarjen e informacionit te jomuslimanët.

Imamët dhe komuniteti musliman shqiptarë në përgjithësi duhet të shfrytëzojnë mundësitë e disponueshme në faqet e internetit, ku mund të gjenden informacione bashkëkohore mbi Islamin dhe çështjet tjera që lidhen me këtë fe madhështore.

Harf Information Technology, një kompani e zhvillimit të softuerit me bazë në Arabinë Saudite, zhvilloi një bibliotekë dixhitale që u përgjigjet të gjitha pyetjeve të bëra rreth Islamit nëpërmjet teknologjisë së informacionit. Biblioteka përfshin rreth 70 milionë referenca, 62,000 hadithe profetike, si dhe 750,000 analiza juridike të gjykimeve të ligjit islam bazuar në katër shkollat juridike: Hanefi, Sha’fii, Maliki dhe Hanbeli. Biblioteka përfshin gjithashtu referenca kryesore islame si libra të ndryshëm tefsir dhe tregime islame.

Rruga realiste përpara

Muslimanët në perëndim po ecin përpara në përvetësimin e teknologjisë së informacionit. Ata shpenzojnë paratë e tyre dhe sakrifikojnë kohën e tyre për të arritur qëllimin e tyre. Ne të tjerët duhet të përvetësojmë sa vijon:

a) Ekziston nevoja që muslimanët në xhamitë e lagjeve të blejnë kompjuterë, telefon dhe pajisje të tjera telekomunikuese për komunikim dhe përhapje efektive dhe efikase të Islamit.

b) As medreset nuk duhet të lihen anash. Një program shumë i thjeshtë mund të dizajnohet për përdorim kompjuterik.

c) Profesionistët muslimanë të specializuar në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) i detyrohen umetit musliman përgjegjësinë e zhvillimit të paketave islame që mund të lehtësojnë mësimin dhe ligjërimin për imamët dhe zyrtarët e xhamive në kryerjen e përgjegjësive të tyre rutinë. Sado të bukura që mund të jenë sugjerimet e mësipërme, ne kemi nevojë për imamë aktivë që do t’i japin shtysën e kërkuar umetit për të ecur përpara.

d) Përveç sa më sipër, në fushën e zhdukjes së varfërisë, fuqizimit ekonomik dhe ndërgjegjësimit politik, xhamia ka një rol të madh për të luajtur. Në vende si Malajzia, Indonezia, Arabia Saudite dhe disa komunitete muslimane në zhvillim në Britani, Francë, Gjermani dhe Suedi, muslimanët përmes patronazhit të xhamive kanë krijuar shoqëri bashkëpunuese islame, banka, kompani sigurimesh, spitale, hotele hallall, supermarkete, rrjete restorantesh, thertore dhe institucione të tjera të bazuara në komunitet që kujdesen për interesat e muslimanëve në veçanti dhe jomuslimanëve në përgjithësi./thirrja/

Përktheu: Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit