4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Islami dhe lëvizjet islame – Dr. Selman Aude

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Islami dhe lëvizjet

Vizitova një vend mysliman, rreth të cilit kisha krijuar një përshtypje jo të mirë. Kisha dëgjuar se atje persekutoheshin femrat me shami, se besimtarët praktikantë persekutoheshin, burgoseshin e madje dhe vriteshin. Dikur, gjatë një konference, një vëlla i nderuar më pati dhuruar dhe një libër të trashë i cili fliste për islamin e persekutuar në atë vend të lashtë, të njohur për traditën e tij arabe dhe islame.

Nuk është aspak e çuditshme që gjëra të tilla të kenë ndodhur asokohe, në universitete apo shkolla, për shkak të aparatit të sigurimit apo për çfarëdo shkaku tjetër.

Veçse, kur e vizitova këtë vend, pashë se gjërat ishin krejt ndryshe. Shamia ishte një fenomen i përhapur dhe askush nuk shprehej kundër. Simbolet e një jete fetare i shihje kudo, xhami të mbushura me frekuentues dhe besimtarë, vizitova stacionin e radios së Kuranit nga i cili njerëzit dëgjonin lexues zë ëmbël të Kuranit, madhe edhe u takova me disa nga këta lexues. Nuk mungonte as ligjërimi politik. Po, ishte një vend i cili bazohej në trashëgiminë e lashtë arabe dhe islame, vend që refuzonte dhunën, ekstremizmin dhe terrorizmin. Të gjitha këto janë parime të përbashkëta për të cilat biem dakord të gjithë.

Nga dallimi mes asaj që kisha dëgjuar dhe asaj që më kishin parë sytë, kuptova rëndësinë e hapjes mes vendeve islame dhe domosdoshmërinë e korrigjimit të imazhit që na përcillet, si një domosdoshmëri për ndryshim të gjendjes aktuale.

Në situata izolimi dhe mbyllje, ç’nuk të dëgjojnë veshët, dramatizohen ngjarje të vogla dhe dizinformacioni merr terren.

Nuk po them që gjithçka në atë vend ishte e përsosur, por gjërat ishin shumë ndryshe nga ato që kisha dëgjuar.

Kjo më shtyu që tu them miqve të mi se duhet të bëjmë dallim mes islamit dhe lëvizjeve islame.

Një regjim i caktuar mund t’ua shtrëngojë lakun lëvizjeve islame, për shkak të frikës dhe mungesës së besimit, për shkak të rivalitetit politik etj…

Disa lëvizje mund t’i hyjnë aktivitetit politik dhe për rrjedhojë e fryjnë rolin dhe rëndësinë e tyre, sikur zgjidhja e krizës së tyre të ishte zgjidhje e çdo problemi dhe vuajtje në vend.

Në fakt, ky është një vizion dritëshkurtër, të cilin e kanë kapërcyer shumë lëvizje.
Asokohe kuptova se ndryshimi duhet të fillojë nga mendja e individit dhe sjellja e tij, se individi duhet të pajiset me përvoja, shkathtësi, informacione dhe ide të sakta, dhe jo të nxitet për konflikt karrigesh dhe postesh duke përjashtuar njëri-tjetrin, ku secila palë sikur thotë: Ose unë, ose i vë flakën vendit.

Një i mençur, sot e kupton se ekonomia përbën forcë presioni që nuk mund të neglizhohet. E njëjta gjë vlen për mediat, arsimin, por edhe institucionet e shoqërisë civile. Vuajtjet e umetit mysliman nuk reduktohen vetëm tek politikanët e tij, por në radhë të parë janë tek stili i të menduarit dhe mënyra e jetesës e cila i imponon një qasje të caktuar ndaj jetës.

Metoda e rivalitetit politik u ka ngushtuar lakun shumë veprimtarive, duke i privuar nga e drejta e ligjshme për jetë dhe pjesëmarrje aktive. Por kjo është një temë për të cilën do të shkruaj një artikull të veçantë, në dashtë Zoti.

Ajo që dua të them është se ka shoqëri dhe sisteme politike të cilat ndihen ngushtë nga lëvizjet islame të cilat i rivalizojnë në pushtetin politik, ose që përbëjnë një opozitë të fortë të cilën nuk e durojnë dot. Por nga ana tjetër, këto sisteme politike nuk ndihen ngushtë nga vetë islami, madje e pranojnë me bindje, ose e pranojnë si aktualitet që nuk mund të injorohet.

Ndonjëherë bëjnë çmos që ta kompensojnë duke luftuar fushatën dezinformuese ndaj tij duke iu bazuar një shkolle islame të caktuar, e cila përkon me “ngjyrën” e tij të preferuar, por që i përgjigjet nevojës së shpirtrave për fe.

Islami është shumë herë më i madh sesa lëvizjet, të cilat janë përpjekje njerëzore me gatishmëri për të gabuar, me nevojë imediate për tu korrigjuar dhe luftuar frymën fanatike. Njerëzit duhen ndërgjegjësuar lidhur me dallimin mes përkushtimit ndaj islamit si fe e Zotit dhe mes vizioneve situacionale rreth të cilave mund të mblidhen njerëz, me predispozitë për t’ia qëlluar dhe gabuar.

Islami është më i madh edhe se vetë shtetet, qeveritë dhe institucionet, të cilat shkojnë e vijnë, por islami mbetet. “Ne e zbritëm përkujtuesin (Kuranin) dhe ne jemi ata që e mbrojmë.” (Hixhr, 9)

Përktheu: Elmaz Fida

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit