10.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

HUTBEJA E ORIENTUAR
Tema: Pastrimi i pambukut nga krimbat

Më të lexuarat

Kurrë s’do ta harroj ditën kur u nisa për tek xhamia et-Tibi për të mbajtur hutben e xhumasë, tre muaj pasi u emërova imam në të.
Pak para se të ngjitem shkallëve të minberit, u befasova me një punëtor të xhamisë i cili ma dorëzoi një qarkore nga Ministria e Vakufit, e të cilën unë ia dhashë shoqëruesit tim t’ma lexojë.
Aty thuhej: “Ligjëruesit i tërhiqet vëmendja që tema e sotme e hutbes duhet të jetë “Nxitja e xhematit në përkujdesjen e pambukut dhe pastrimin e tij nga krimbat, për faktin se pambuku konsiderohet një pasuri me të hyra të mëdha ekonomike për popullin”.
U shtanga. Jo që u befasova se tema erdhi vonë, vetëm gjysmë orë para se të ngjitesha në minber. Nuk ishte kjo arsyeja e shtangies sime. Por ishte diçka shumë më e thellë që më la pa fjalë.
Ishte mendimi për realitetin e kësaj mendësie e cila insiston që hutbeja të jetë e orientuar, që ligjëruesit të jenë robotë të dirigjuar dhe të shndërrohen në robër të zyrtarëve të lartë.
Si mund të mbaj hutbe për një temë që e nxit xhematin për t’i pastruar krimbat e pambukut, ndërkohë që shumica e xhematit ku unë ligjëroj janë dy lloj njerëzish: tregtarë peshqish dhe kasapë, kurse pakica tjetër me nivel të mesëm intelektual?!
A ta lë anash mendjen dhe logjikën time dhe të mbaj një hutbe të tillë, e në fund të akuzohem nga dëgjuesit për çmenduri?
Allahu mos e lejoftë një gjë të tillë!
Por, çfarë të bëj?
Për këtë hutbe do të shkruhet raport që ndërlidhet me përgatitjen dhe aftësinë time për ligjërim.
Njeriu i mençur dhe largpamës është ai i cili e thotë hakun/të vërtetën pa ua lejuar të tjerëve të ngjiten mbi supet e tij.
Trimëria nuk është pamaturi; trimëria është urtësi, fuqi e besimit dhe largpamësi.
Si të veproj për të fituar lojën?
Retorika është të thuash fjalën e duhur në situatën e duhur.
“Sipas vendit, edhe kuvendi”.
Njeriu i mençur i drejtohet secilit në formën që i përshtatet nivelit të tij.
Umeri radijallahu anhu ka thënë:
“Mos ua bëni të neveritshëm Allahun – robërve të Tij”.
Sa shumë kanë nevojë thirrësit islamë për ta kuptuar thelbin e kësaj thënie të Umerit.
Gjendja psikologjike e dëgjuesit duhet të ketë rrënjë tek fjalët e një këshilluesi orator.
Kështu, nëse thirresh për të mbajtur fjalën në një ceremoni martese, atëherë kujdesu që tema jote të përshtatet me atë ceremoni dhe zgjidh ato ajete që janë të përshtatshme për këtë ngjarje, siç është fjala e Allahut të Lartësuar:
“Dhe prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë”. (Er-Rum: 21)
Kjo është retorika.
E nëse e lë këtë ajet dhe fillon ta sqarosh fjalën e Allahut të Lartësuar:

“E nëse burri e ndan sërish gruan (për të tretën herë), nuk mund të martohet më me të, pa u martuar ajo me një burrë tjetër” (El-Bekare: 230), atëherë ua bën të neveritshme njerëzve fjalët e Allahut, sepse ia ke huq goxha shumë.
Nëse të ftojnë për të mbajtur fjalën me rastin e pajtimit të dy familjeve që kanë hasmëri mes vete, atëherë kujdesu që fjala jote t’i përshtatet kësaj situate, siç është fjala e Allahut të Lartësuar:

“Padyshim që besimtarët janë vëllezër, prandaj bëni pajtim mes vëllezërve tuaj!” (El-Huxhurat: 10)

E nëse e shpërfill këtë ajet dhe të tjera rreth kësaj teme dhe fillon ta sqarosh fjalën e Allahut të Lartësuar:

“Dhe, kur të vijë te Ne, (jobesimtari) do t’i thotë (djallit që e kishte shok): “Ah, sikur të kishte qenë largësia midis meje dhe teje sa ajo mes lindjes e perëndimit! Sa shok i keq paske qenë ti!” (Ez-Zuhruf: 38)

atëherë, dije se ia ke huqur dhe je larguar nga qëllimi i synuar.
Nëse thirresh për të mbajtur fjalën me rastin e hapjes së një xhamie të re, atëherë zgjidh ajete që i përshtaten këtij rasti, siç është fjala e Allahut të Lartësuar:

“Xhamitë e Allahut i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zeqatin e që nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut. Sigurisht që këta janë në rrugë të drejtë”. (Et-Teube: 18)

E nëse e lë këtë ajet dhe zgjedh temën rreth xhamisë së sherrit (mesxhid Dirar) për të cilën Allahu i Lartësuar thotë:

“Edhe ata (hipokritë) që ndërtuan një xhami për t’u shkaktuar dëm (besimtarëve), për ta forcuar mohimin dhe për të krijuar përçarje në mesin e besimtarëve, duke iu shërbyer ajo si pusi atyre që qysh më parë luftonin kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Dhe, vërtet ata betohen: “Ne kishim për qëllim që të bënim vetëm një vepër të mirë!” Por, Allahu dëshmon se në të vërtetë ata janë gënjeshtarë”. (Et-Teube: 107)

atëherë vërtet ua bën të neveritshëm Allahun – robërve të Tij.
E luta Allahun t’më frymëzojë të kem sukses në atë që do të them.
Allahu ishte i mëshirshëm me mua dhe më mundësoi të flas rreth tefsirit të sures en-Nahl, e cila konsiderohet një organizatë e madhe ekonomike e cila përfshin burime prodhimi në shumë lloje resursesh.
Allahu i Lartësuar e filloi këtë sure me krijimin e njeriut pasi që urdhëroi njëshmërinë dhe devotshmërinë.
Allahu i Lartësuar thotë:

“Ai e ka krijuar njeriun nga një pikë fare, por ja që ky bëhet kundërshtar i hapët!”
(En-Nahl: 4)

Pastaj, struktura kur’anore kalon tek resurset e blegtorisë, ku Allahu i Lartësuar thotë:

“Edhe bafëtitë Ai i ka krijuar për ju. Nëpërmjet tyre ju siguroni rroba të ngrohta dhe dobi të tjera. Prej tyre ju edhe ushqeheni”. (En-Nahl: 5)

Më pas, struktura kur’anore kalon tek resurset bujqësore, ku Allahu i Lartësuar thotë:

“Është Ai që zbret nga qielli shi, i cili ju siguron ujë për të pirë dhe bën që të rriten bimët, që shërbejnë si ushqim për kafshët”. (En-Nahl: 10)

Këtu, fillova të flas për të mbjellat dhe bereqetet duke theksuar se këto janë ndër begatitë e Allahut të Lartësuar.
Të mbjellat e bereqetet përfshijnë edhe: grurin, elbin, orizin e pambukun, dhe është detyrë e muslimanit që të kujdeset për këto dhunti e të mos i lë barishte e djerrinë për insekte të ndryshme.
Duke qenë se pambuku është një ndër resurset më të çmuara, është detyrë e muslimanëve që të kujdesen për të dhe ta mbrojnë nga këto insekte shkatërruese, siç janë krimbat.
Pastaj, struktura kur’anore kalon tek universi, ku Allahu i Lartësuar thotë:

“Ai ka bërë që ju ta shfrytëzoni natën dhe ditën, Diellin dhe Hënën. Edhe yjet janë vënë në shërbimin tuaj me urdhrin e Tij. Njëmend, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë”. (En-Nahl: 12)

Pastaj, sureja trajton brendinë e tokës e cila përfshin xehe e resurse të çmuara, ku Allahu i Lartësuar thotë:

“Ai ka krijuar në Tokë për ju çdo gjë me ngjyra dhe cilësi të ndryshme. Natyrisht që në këto ka shenja për njerëzit që ua vënë veshin”. (En-Nahl: 13)

E pejgamberi i Allahut alejhissalatu vesselam thotë:
“Kërkoni rizkun në thellësitë e tokës!”

Më pas, struktura kur’anore kalon tek bota e deteve, ku Allahu i Lartësuar thotë:

“Është Ai që ju ka vënë në shërbim detin, që ju të hani prej tij mish të freskët dhe të nxirrni nga ai stolitë që mbani. Ti sheh se si anijet e çajnë atë, që ju të kërkoni mirësitë e Allahut dhe të jeni mirënjohës”. (En-Nahl: 14)

Dhe kështu vazhdon derisa ajetet na dërgojnë tek një qytet kur’anor, në të cilin janë ngritur industri gjigande:
Këtu janë punishte bulmeti:

“Në fakt, edhe te bagëtitë ju keni shenja për të mësuar prej tyre. Ne ju japim atë që kanë në barkun e tyre prej ushqimit të përpunuar dhe gjakut: qumësht të pastër dhe të shijshëm për ata që e pinë”. (En-Nahl: 66)

Janë edhe punishte për ëmbëlsira:

“Ndërsa nga frutat e palmave dhe të hardhisë, ju përgatitni pije dhe ushqim të shijshëm. Natyrisht, edhe kjo është shenjë e vërtetë për ata që mendojnë”. (En-Nahl: 67)

Këtu ka edhe punishte mjalti:

“Zoti yt e frymëzoi bletën, (duke thënë): “Ndërto shtëpi në male dhe në drurë dhe në atë (kosheret) që kanë ngritur njerëzit!” (En-Nahl: 68)

Allahu i Lartësuar e emërtoi këtë sure “En-Nahl” (Bletët), për faktin se bleta është eksperti më i madh në fushën e ekonomisë, sepse ajo jep më shumë sesa që merr. Ajo thith nektarin e luleve, e për ne nxjerr mjaltë i cili është shërim, mjekim dhe ushqim.
Kështu, e mbajta hutben e xhumasë ashtu siç e deshën ata “të orientuar”, ndërkohë që deshi Allahu që ajo të jetë “orientuese”.
Allahu ka kontroll të plotë mbi Çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk dinë.

🖋الشيخ كشك، قصة أيامي، ص ٦١-٦٣

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit