7.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Hasedi 2

Më të lexuarat

Nga: Muhamed El-ivedij

Hasedi 2

Fillojmë me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
Falederimet janë për Zotin, paqa dhe mëshira e Zotit, qofshin mbi profetin Muhamed a.s, familjen e tij të pastër dhe shokët e tij të nderuar.
Në emisionin e kaluar folëm mbi hasedin dhe syrin e keq, të cilat i konsideruam si sëmundje që prekin njeriun dhe shoqërinë. Ziliqari, nuk gjen qetësi dhe nuk e shijon jetën, derisa t’i shohë të mirat dhe privilegjet e personit që urren, të shuara dhe të dëmtuara.
Është për të ardhur keq që zilia dhe smira të përhapen kaq shumë mes njerëzve të afërm, mes kolegëve në institucione, në familje, mes komshinjve etj… Përse filani ka kurse unë nuk kam?!
Zilia është një sëmundje dhe e metë, e cila shpërthen dhe shkatërron qetësinë e ziliqarit dhe interesat dhe qetësinë e të tjerëve.
Në një hadith, profeti Muhamed a.s, na pasqyron zemrën e pastër dhe të një shpirti të lartë. Këtë e sqaron, kur pyetet:”Cili është njeriu më i mirë o i dërguar i Zotit?” Ai u përgjigj:”Kushdo që është zemërartë dhe fjalë drejtë.”  Shokët e tij i thanë:”O i dërguar i Zotit! Fjalë drejtin e njohim, por zemërartin nuk e dimë kush është.” Profeti a.s u tha:”Ai është një njeri i devotshëm, zemërpastër, pa gjynahe, pa urrejtje dhe pa zili në zemër.”
A ka njeri më të mirë se dikush që u uron dhe dëshiron të mirën për të gjithë? A ka më të mirë se dikush që shpreson t’i shohë të gjithë në të mira dhe privilegje?
Mos shpreso të bëhesh nga ata që të mirat i duan vetëm për vete dhe që i përdorin ato për të shtypur dhe dhunuar njerëzit e tjerë! Mos shpreso dhe mos uro të bëhesh nga ata që kërkojnë të pasurohen, me shitjen e lëndëve narkotike, alkolike apo duke shfrytëzuar femra për prostitucion.
Duke u nisur për nga rëndësia dhe delikatesa që ka kjo temë, dijetarët muslimanë e kanë ndarë hasedin në tre pjesë: Zili dhe smirë,  ambicie dhe e treta konkurrencë dhe rivalitet.
Zilia dhe smira – siç thamë – është dëshira për t’i parë të mirat dhe privilegjet e dikujt, të shuhen përfundimisht. Është një ndjenjë që përshkon zemrën dhe e bën atë të digjet nga lakmia dhe urrejtja.
Ambicia është kur uron dhe përpiqesh që të mirat dhe privilegjet e dikujt, t’i kesh dhe ti. Është kur t’i lutesh dhe punon për të arritur nivelin dhe privilegjet që ka arritur dikush tjetër, pa u privuar ai nga ato.
Kurse konkurrenca dhe rivaliteti, është kur i konkurron bamirësit në veprat e mira. Konkurrenca është në obligime dhe detyra, është në gjëra që janë të pëlqyeshme të veprohen dhe është në gjëra që janë të lejuara.
Konkurrenca në obligime dhe detyra, është kur ti kontribon për të vendosur drejtësinë, kontribon për t’u ardhur në ndihmë nevojtarëve dhe të vobektëve etj…
Konkurrenca në gjërat e lejuara, përfshin konkurrencën për të shtuar burimet e fitimit.
Thotë Profeti a.s:”Njerëzit do të vazhdojnë të ndihen mirë, përderisa nuk do e kenë zili njëri-tjetrin.”  Kjo, pasi zilia dhe smira në vetvete është urrejtje për të tjerët.
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Në zemrën e besimtarit nuk bashkohet besimi dhe zilia.”
Zilia është e kundërta e besimit dhe kundërshtare e tij. Mund të ndodhë që edhe një besimtar të ketë zili dhe smirë. Kjo, pasi njeriu është i dobët dhe mund të shkasë, por e rëndësishme është që zilia të mos jetë e ngulitur në karakterin dhe dinjitetin e tij, të mos e ketë tipar dhe natyrë.
Thotë Profeti a.s:”Jeni prekur nga sëmundja e popujve të mëparshëm, zilia dhe urrejtja. Ajo është brisk dhe jo brisk që rruan flokët, por brisk që rruan dhe rrezikon fenë.” “Betohem në Atë që ka shpirtin tim në dorë, nuk do të hyni në xhenet, derisa të besoni. Nuk do të besoni, derisa t’a doni njëri-tjetrin. A t’ju tregoj diçka, të cilën nëse do e vini në praktikë, do e doni njëri-tjetrin?” “Po” i thanë shokët e tij. Profeti a.s  u tha:”Përhapni përshëndetjen me selam, mes jush.”  
Imami dhe dijetari i njohur Ebu Hamid El-Gazzali, është njëkohësisht dhe psiko-analist i famshëm.  Në librin “Ringjallja e dijeve fetare” ai pohon se zilia dhe smira – cilësi këto që nuk janë të besimtarëve – mund të bëhen pjesë e personalitetit të besimtarit. Kjo, pasi zilia dhe smira janë sëmundje dhe është e natyrshme që edhe besimtarët të sëmuren. Është në natyrën e njeriut, që të mos ndihet mirë, kur sheh që të tjerët kanë dhe ai jo. Një grua ndihet keq, kur sheh që komshia e saj, kushërira, kunata… është e rrethuar me të mira materiale, kurse ajo vetë vuan nga ky aspekt. Kur personi që kishte zili, privohet nga këto të mira, ziliqari ndihet më mirë.
Imam Gazzali thotë:”Edhe pse është ziliqar, besimtari kurrë nuk do e ndërmerrte hapin për t’a privuar tjetrin nga të mirat dhe privilegjet, nëse e ka në dorë diçka të tillë. Kjo, pasi besimtarin e kontrollon dhe e orienton besimi në Zot dhe vlerat në të cilat beson.”
Ai mund ta urrejë dhe të ndjenë zili dhe smirë, por besimi e pengon që këtë urrejtje dhe zili, t’a konkretizojë me vepra. Unë mund të ndihem i urritur sa nuk ka më dhe para meje ndodhet një tryezë e shtruar me të mira. Por unë nuk i zgjas duart të marr diçka, pasi ato janë të dikujt tjetër, ose ushqimet janë ushqime haram. 
Imam Gazzali vazhdon dhe thotë:”Treguesi i zilisë është se nëse ti o vëlla besimtar, gëzohesh dhe ndihesh mirë kur dikush privohet nga privilegjet dhe të mirat që kishte më parë, dije se je ziliqar dhe i sëmurë, edhe pse falesh, agjëron, jep sadaka dhe kryen Haxhin.” 
 
Modeli i zemërartit
Profeti a.s ndodhej në praninë e një grupi besimtarësh dhe bashkëkohësish. Kishte tre ditë rrjesht, që ai u bënte të njëjtën pyetje shokëve:”Tani do vijë mes nesh, një burrë nga banorët e xhenetit.”  Personi për të cilin Profeti a.s thoshte këtë fjalë, nuk ishte dikush që dallohej për shumë punë të mira, tepër i veçantë apo ndonjë nga shokët e tij më të ngushtë. Abdullah ibnu Umer, kureshtar për atë që e kishte bërë këtë person nga banorët e xhenetit që në këtë botë, shkon në shtëpinë e tij, me qëllim që të zbulojë shkakun. Ai qëndroi në shtëpinë e tij tre ditë rrjesht, por nuk vërejti diçka të veçantë dhe madhore, që e bënte të fitojë një privilegj të tillë. Ai ishte një musliman i zakonshëm, falte namazet farze dhe synetet çdo ditë dhe asgjë tjetër të veçantë. Ditën e tretë, Abdullahu e pyeti:”Kam dëgjuar të dërguarin e Zotit të thotë për tre ditë rrjesht:”Tani do vijë mes nesh, një burrë nga banorët e xhenetit.” Dhe ai person je ti. Çfarë pune të mirë ke vepruar dhe vepron, që ke fituar një privilegj të tillë? Burri iu përgjigj:”Për Zotin, nuk veproj asgjë më shumë nga ato që ke vënë re këto tre ditë.” Atëherë, Abdullah ibnu Umer u largua. Burri, u mendua pak mbi një vepër të veçantë që mund të bënte dhe i thirri Abdullahut:”O Abdullah! Eja se do të tregoj atë që më ka bërë të fitoj këtë gradë dhe privilegj!” Kur Abdullahu u afrua ai i tha:”Nuk veproj asgjë më shumë se ato që pe, veçse nuk ia kam me hile asnjë besimtari dhe nuk kam zili dhe smirë askënd që Zoti i ka dhënë privilegje dhe të mira.”
Atëherë Abdullah ibnu Umeri i tha:”Është pikërisht kjo, ajo që të dalloi dhe të bëri nga banorët e xhenetit që në këtë botë.”
Ai ishte një njeri që flinte me zemër të pastër nga çdo urrejtje dhe smirë. Ai kurrë nuk mendonte dhe thurrte plane si të hakmerret dhe të dëmtojë të tjerët.  
Duke përmendur faktin që të mirat dhe privilegjet, mund të kthehen në fatkeqësi dhe probleme. Thotë Profeti a.s duke iu drejtuar muslimanëve të kohës së tij:”Si do të silleni kur të dominoni të gjithë Gadishullin Arabik dhe Persinë?”  Këtu, Profeti a.s i pyet muslimanët se si do të veprojnë, pasi të kenë zgjeruar territoret, të kenë triumfuar mbi armiqtë dhe superfuqitë e kohës, të kenë shtuar pasuritë…
Abdurrahman ibnu Auf, u përgjigj:”Do të themi atë që na ka urdhëruar Zoti.” Dmth, do të falenderojmë Zotin dhe do të jemi mirënjohës për këto të mira. Profeti a.s i tha:”Do të veproni dhe gjëra të tjera. Do të hyni në konkurrencë të fortë me njëri-tjetrin. Më pas do e kini zili njëri-tjetrin, do i ktheni shpinën dhe do e braktisni njëri-tjetrin dhe në fund do urreheni.”  Një e metë tërheq tjetrën. Me të filluar konkurrenca dhe rivaliteti në grumbullimin e të mirave dhe pasurive, fillon zilia dhe smira, e cila nga ana e saj bën që njerëzit, miqtë dhe të afërmit t’i kthejnë shpinën njëri-tjetrin. Dhe kjo çon në urrejtje dhe armiqësi.
Vazhdimi i hadithit të mësipërm është:”Më pas do u turreni shtëpive të muhaxhirëve dhe kokat e tyre do i vendosni mbi kokat e njëri-tjetrit.”
Ata që janë të rinj në fe, do të shkojnë të keqtrajtojnë më të vjetrit dhe më të hershmit.
Ne jemi dëshmitarë që shumë njerëz, kur e filluan biznesin dhe tregëtinë, fillimisht ishin të vegjël dhe me aktivitet të kufizuar. Në sajë të një miku, shoku apo ortaku, ata kanë pasur sukses dhe kanë vënë pasuri të shumta. Ajo që ndodh, është se me ta parë veten në një nivel që as nuk e imagjinonte më parë, ata fillojnë t’i harrojnë të mirat dhe ndihmën e miqve, ndihmë e cila ishte kyçi i suksesit të tyre. Kjo për shkak të zilisë dhe smirës që fillon të dominojë në zemrat e tyre.
Smira dhe zilia është një sëmundje, nga e cila Zoti na ruajt.
Imam Hasen El-Basri – siç e dimë është një nga nxënësit e brezit të sahabeve – është nga ata figura, nga goja e të cilëve rridhte vetëm urtësi dhe mençuri. Rreth tij thuhet që fjalët e tij janë të ngjashme me ato të profetëve.
Thotë Hasen El-Basrij:”O biri i Ademit! Përse e ke zili vëllanë  tënd? Nëse privilegjet që i ka dhënë Zoti, i meriton, përse ta kesh zili dikë që e ka nderuar dhe privilegjuar vetë Zoti?! Përse del kundër vullnetit të Zotit?! Nëse ato privilegje nuk i meriton, përse duhet ta kesh zili dikë që fundi i tij do të jetë zjarri?!” 
Thotë Hatim El-Esam:”Hodha një vështrim mes njerëzve dhe disa i desha dhe disa të tjerë i urrejta. Ata që i desha, nuk më dhanë gjë, kurse ata që i urreva, nuk më morrën gjë. I çuditur pyeta veten:”Nga më erdhën këto të këqia atëherë?!” Atëherë konstatova se e keqja më kishte ardhur vetëm nga zilia dhe smira, të cilën e hodha tutje. Kështu fillova t’i dua të gjithë dhe çdo gjë që e urreja për vete, e urreja dhe për të tjerët.”
A do të dëshiroje o vëlla dhe o motër, që të tjerët të të kishin zili dhe smirë, për të mirat që të ka dhënë Zoti? Si do të ndiheshe nëse ata uronin që ti të privoheshe nga këto të mira dhe privilegje?
Zilia dhe smira janë sëmundje dhe shprehin urrejtjen dhe kundërshtinë ndaj vullnetit të Zotit. Zilia është urrejtja dhe kundërshtimi i drejtësisë së Zotit, është një ortakëri me shejtanin.
Ziliqari, duke pasur zili dhe smirë, ndëshkon dhe torturon veten e tij. Ka njerëz që nuk duan askënd dhe i kanë zili të gjithë.
Një i ri që e kam njohur kohët e fundit, më tregoi mbi një person i cili me ta parë një të mirë, e godet me sy dhe e shkatërron. Tregon i riu:”Unë kam pasur flokë të butë dhe të bukur. Një ditë, shkova tek ky person dhe ai me të më parë më tha:”Ç’ne ky flok kaq i butë dhe i bukur?!” Që atë ditë, më ranë flokët dhe jam tullac.”
Ajo që kërkohet prej nesh, është që me të parë dhe konstatuar një mirësi dhe privilegj, të themi:”Masha Allah, la haule ve la kuvvete il-la bil-lah.”
Gjithashtu, kërkohet që edhe personi i privilegjuar, të jetë nga besimtarët që e përmendin Zotin dhe lexojnë Kuran. Suret Felek dhe Nas, Zoti i madhëruar i ka shpallur për raste të tilla. Ato janë mbrojtëse nga syri i keq dhe zilia.
Abdullah ibnu Abasi tregon se i dërguari i Zotit, u këndonte suren Felek dhe Nas, dy nipave të tij, Hasanit dhe Husejnit. Pasi ua lexonte këto sure, Profeti a.s u thoshte:”Babai juaj, Ibrahimi a.s, ua lexonte këto sure Ismailit dhe Is’hakut a.s.”  Me këtë, kuptojmë se leximi i këtyre dy sureve në raste të tilla, është një traditë e trashëguar nga profetët njëri pas tjetrit.  
“Kërkoj mbrojtje nga fjalët  e Zotit të plota, prej çdo shejtani, prej çdo insekti dhe kafshe të dëmshme dhe prej çdo syri të keq.”
Imam Ibnul Kajjim, ka përmendur në librin e tij “Medarixh Salikin” dhjetë mënyra për t’u shëruar nga syri i keq ose ziliqari. Disa nga këto mënyra janë:
1 – Të kërkosh mbrojtje nga Zoti i madhëruar.
2 – Të durosh fatkeqësinë.
3 – T’i mbështetesh Zotit.
4 – Ta largosh mendjen nga ziliqari dhe të mos kesh asnjë konsideratë për të. Ta konsiderosh sikur nuk ekziston fare. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme, pasi të përgatit psikologjikisht për t’u shëruar dhe për të mos u prekur më nga syri apo zilia e tij.
5 – Kjo është një nga pikat më të vështira, pasi konsiston në atë që t’i bësh mirë ziliqarit dhe smirëkeqit. Të shkosh t’a vizitosh, të sillesh me të me edukatë, t’i japësh një dhuratë. Për këtë, lexo ajetin e Kuranit:”Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë. (Fussilet: 34)
5 – Të japësh sadaka dhe të ndihmosh të varfërit.
 
Zilia dhe smira janë dy sëmundje, që para se të dëmtojnë dikë tjetër, dëmtojnë vetë ziliqarin dhe smirëkeqin, i cili ka nevojë të shërojë veten prej këtyre sëmundjeve.
Kurse ata njerëz që i frikësohen zilisë dhe smirës, le ta kujtojnë Zotin e Madhëruar çdo mëngjes dhe mbrëmje, se nuk do i gjejë gjë e keqe.
Paqja e Zotit qoftë me ju.
 
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit