-2.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Gjykimi për stërvitjen e përbashkët meshkuj dhe femra

Më të lexuarat

Pyetje: Cilat janë kriteret, që stërvitjet siç janë Taekwondo dhe të ngjashme me të të jenë halall”?  A lejohen stërvitjet djem-vajza së bashku?  A lejohet që vajzat t’i stërvisë një mashkull, meqë stërvitja kërkon prekje dhe afrime delikate? A lejohet pjesëmarrja në gara dhe ndeshje mes dy konkurentëve?

Përgjigje:  Së pari duhet të dime, që ka dallim mes stërvitjes për një fizik të mirë dhe trup në formë dhe stërvitjes që bëhet enkas për t’u ndeshur. Të gjitha artet marciale i kanë hapësirat, që çdokush të stërvitet për të përfituar forcë, shkathtësi, reflekse dhe rezistencë apo për të mbajtur në përgjthësi një fizik të mirë pa u ndeshur me dikë dhe pa u dëmtuar qoftë në fytyrë, ku është e ndaluar fetarisht të bëhen goditje, apo duke lënduar pjesë të tjera të trupit.  Nëse stërvitja realizohet në këtë formë parimisht është në rregull. Kjo mbështetet edhe tek hadithi profetik, ku thuhet: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu, se besimtari i dobët, por në të dy ata ka mirësi.” Transmetoi Muslimi.  Edhe në rastin kur ka dyluftime të kontrolluara gjatë stërvitjes, ku mënjanohet fytyra apo lëndimet në trup gjithashtu është e lejuar. Për sa i përket goditjeve në fytyrë kemi hadithin e Abdullah ibn Omerit, i cili thotë, se Profeti (alejhis-salatu ues-selam) e ka ndaluar goditjen në fytyrë.”  Transmetuan Buhariu,  Ahmedi dhe të tjerë.

Ndërsa për sa i përket përzierjes mes meshkujve dhe femrave, nuk e shikojmë të lejuar përderisa aty veshjet janë të përbashkëta, lëvizjet të përbashkëta dhe mbi të gjitha ekspozimi i femrave sidomos para meshkujve jo me mbulesën fetare. Nuk  mjafton që flokët e femrave të jenë të mbuluara siç ndodh në shumë palestra, duke menduar se e ka hequr detyrimin fetar me këtë, por format e trupit sidomos në lëvizje të ndryshme, siç janë gjuajtjet me shkelma dhe hapjet e ndryshme gjatë lëvizjeve bëjnë, që femra të jetë e ekspozuar në atë formë, sa të dalë nga etika dhe natyra e saj, të cilën Allahu e ka urdhëruar ta ruajë.  Kjo vlen edhe kur skuadra është e përbërë vetëm nga vajza, por instruktori është mashkull. Kjo përzierje është shkak për çlirimin e femrës nga shumë rregulla dhe parime, që do hapin plot dyer, të cilat kanë përfundime të këqija në jetën sociale të përbashkët.

Kurse marrja pjesë në kampionate për meshkujt varet nga lloji i tyre. Nëse bëhet sipas rregullave të lojërave olimpike, ku janë reduktuar shumë rregulla për të mos pasur dëmtime dhe nuk ka goditje të drejpërdrejta në fytyrë, atëherë mund të bëhet, por sidoqoftë nuk është e preferueshme. Kurse në rastin kur kampionatet janë të hapura, ku nuk mund t’i mënjanosh goditjet në fytyrë dhe dëmtimet në trup, atëherë ato janë të ndaluara.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit