4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

“Fituesit” ekonomik të vitit 2022, sipas The Economist

Më të lexuarat

Në planin financiar, viti i kaluar ishte i keq për pothuajse të gjitha vendet. Inflacioni prej 10% në vendet e pasura të botës ka ulur në mënyrë drastike të ardhurat e familjeve. Investitorët pësuan humbje pasi tregjet globale të aksioneve ranë me 15%.

Por, edhe në këtë performancë të dobët të përgjithshme, ka dallime të mëdha: disa vende kanë arritur t’ia dalin mjaft mirë.

Për të vlerësuar këto diferenca, The Economist ka përpiluar të dhëna për pesë tregues ekonomikë dhe financiarë – PBB, inflacioni, përhapja e inflacionit, performanca e tregut të aksioneve dhe borxhi publik – për 34 vende kryesisht të pasura. Secila ekonomi u rendit bazuar te performanca e saj në secilin prej këtyre indikatorëve.

Për herë të parë në shumë kohë, “festa” ekonomike po zhvillohet në Mesdhe. Greqia është në krye të listës së përpiluar nga The Economist. Vende të tjera që hynë në recesion në fillim të viteve 2010, të tilla si Portugalia dhe Spanja, kanë rezultuar gjithashtu që të kenë një performancë mjaft të mirë ekonomike. Por, këto vende nuk ishin surprizat e vetme. Pavarësisht kaosit politik, Izraeli gjithashtu u rendit mjaft mirë. Ndërkohë, Gjermania pati një performancë të dobët, pavarësisht stabilitetit politik. Në fund janë dy vendet baltike, Estonia dhe Letonia, të cilat u vlerësuan për reformat e shpejta në vitet 2010.

Treguesi i parë i përdorur ishte GDP, zakonisht matësi më i mirë i shëndetit ekonomik të një vendi. Norvegjia, e ndihmuar nga çmimet e larta të naftës, dhe Turqia, për shkak të anulimit të sanksioneve nga tregtia me Rusinë, kanë rezultuar më mirë se shumica e vendeve. Një rol të rëndësishëm këtu luajnë edhe pasojat e Covid-19. Si rrjedhojë e izolimeve shumë të rrepta dhe kolapsit të turizmit të brendshëm, pjesa më e madhe e Europës Jugore ishte në gjendje të vështirë një vit më parë. Por, rajoni pati një vit të mirë përgjatë 2022.

Irlanda ka pasur gjithashtu një vit të mirë, megjithëse jo aq të mirë sa ç’mund të shihet nga PBB-ja. Nga ana tjetër, shifrat e PBB-së në Amerikë janë më të dobëta se performanca ekonomike, pasi statisticienët e kanë të vështirë të llogarisin ndikimin e paketave të mëdha stimuluese.

Masa e dytë e përdorur është ndryshimi i niveleve të çmimeve që nga fundi i vitit 2021. Në ndryshim nga shumica e botës, disa vende kanë pasur inflacion mjaft të ulët. Në Zvicër, çmimet e konsumit u rritën me vetëm 3%. Banka qendrore, e mbështetur nga monedha e fortë, reagoi shpejt ndaj rritjes së çmimeve në fillim të këtij viti. Vendet me burime energjie që nuk janë të lidhura me Rusinë – të tilla si Spanja, e cila e merr gazin nga Algjeria – gjithashtu kanë performuar shumë mirë. Nga ana tjetër, vendet që varen nga Vladimir Putin kanë kaluar një situatë të vështirë. Në Letoni, çmimet mesatare të konsumit janë rritur me 20% këtë vit.

Masa e tretë lidhet me inflacionin. Ajo llogarit përqindjen e artikujve në shportën e inflacionit të çdo vendi, të cilat kanë pasur një rritje të çmimeve më të lartë se 2% gjatë vitit të kaluar. Kjo shërben si një tregues për të kuptuar se sa thellë në ekonomi ka depërtuar inflacioni – dhe për këtë arsye mund të jetë një indikator se sa shpejt do të bjerë inflacioni në vitin 2023. Disa vende me inflacion total të lartë ishin në gjendje të kufizonin përhapjen e tij. Në Itali, për shembull, çmimet e konsumit janë rritur me 11% këtë vit, por vetëm dy të tretat e mallrave të shportës së inflacionit kanë pasur një inflacion mbi objektivin. Inflacioni në Japoni gjithashtu duket se do të lehtësohet së shpejti. Britania nga ana tjetër është në telashe më të mëdha, pasi çmimi i çdo kategorie në shportën e saj po rritet me shpejtësi.

Mirëqenia ekonomike e njerëzve nuk varet vetëm nga çmimet në dyqane, por edhe nga portofoli i tyre i aksioneve. Ky ka qenë një vit i tmerrshëm për këto lloj investimesh në disa vende. Çmimet e aksioneve në Gjermani dhe në Korenë e Jugut kanë rënë me gati 20% këtë vit, dy herë më shumë sesa në Amerikë. Aksionet suedeze kanë performuar edhe më keq. E megjithatë, ka disa vende që kanë rezultuar më të qëndrueshme në këtë aspekt. Tregu i aksioneve të Norvegjisë është rritur krahasuar me vitin e kaluar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Britaninë, për shkak të numrit të madh të bizneseve që priren të performojnë më mirë në kohë të vështira ekonomike.

Masa e fundit ka të bëjë me ndryshimin e borxhit neto të qeverisë ndaj PBB-së. Në planin afatshkurtër, qeveritë mund të mbulojnë vështirësitë ekonomike duke rritur shpenzimet ose duke reduktuar taksat. Megjithatë, kjo mund të sjellë shtimin e borxhit dhe, si rrjedhojë, nevojën për të shtrënguar politikat fiskale në të ardhmen. Disa qeveri kanë investuar shumë për të përballuar presionin ndaj kostos së jetesës.

Gjermania ka shpërndarë fonde që arrijnë në total sa 7% e PBB-së, për të ndihmuar me faturat e energjisë, gjë që do të thotë se raporti i borxhit ndaj PBB-së për këtë vend është rritur. Nga ana tjetër, disa vende të tjera janë treguar më të përmbajtura me shpenzimet fiskale dhe kanë synuar të vënë në kontroll buxhetin e tyre. Borxhi publik në vendet e Europës Jugore duket se është në rënie./theEconomist/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit