19.7 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Neutraliteti si impotencë morale – ERGYS MERTIRI

Më të lexuarat

ERGYS MERTIRI

Neutraliteti si impotencë morale

Është e kuptueshme që arsimi do të kishte probleme të mëdha pas rënies së diktaturës. Një sistem i prodhuar nga një regjim totalitar do ta kishte shumë të vështirë të transformohej rrënjësisht për të funksionuar në kushte të një shoqërie të lirë. Shumë fenomene vazhdojnë të trajtohen në të njëjtën mënyrë ndonëse rrethanat janë krejt të tjera. I konceptuar si një instrument politik, arsimi e ka të vështirë sot të funksionojë si një institucion i pavarur, jashtë një axhende kulturore. Duke qene se nuk kemi një traditë të stazhionuar të një arsimi në funksion individit në vetvete, është e vështirë ta krijosh këtë nga hiçi.

Nga ana tjetër, kriza kulturore e shoqërive moderne, reflektohet edhe në konfuzionin e sistemit arsimor mbi vlerat që duhet të përcjellë. Neutraliteti është një pozicion komod përkundrejt pluralitetit të alternativave kulturore, gjë që krijon një boshllëk të madh në përgatitjen e të rinjve për të patur një përfytyrim të qartë mbi sistemin e vlerave që iu duhet të përvetësojnë. Neutraliteti është përvetësuar si pasivitet ndaj vlerave dhe kjo shpie drejt një sistemi, në thelb, amoral.

Të gjitha këto vijnë edhe për shkak të paaftësisë së shoqërisë shqiptare, përfshi këtu edhe mësuesit dhe vetë drejtuesit e arsimit, për të kultivuar mendimin kritik dhe kreativitetin tek nxënësit. Të edukuar vetë me klishetë dhe strukturat hermetike të mendimit totalitar, të 50 viteve diktaturë, ata vetë e kanë të vështirë të çlirohen nga përfytyrimet dogmatike të trashëguara dhe natyrisht nuk mund të mos e reflektojnë këtë edhe ndaj studentëve. Sistemi ynë arsimor nuk promovon mendimin e lirë, gjykimin kritik, pavarësinë e të menduarit. Metoda e të mësuarit vijon të jetë ajo e riprodhimit të tekstit, si në kohën e komunizmit, gjë që, për më tepër, i largon studentët nga dija, duke e bërë atë diçka të huaj, të largët dhe pa interes.

Gjithçka bëhet në mënyrë formale dhe formalizmi bëhet një sistem ndaj të cilit fëmijët mësohen të adaptohen që në moshë të vogël. Ata mësohen të bëhen qenie që nuk mendojnë, që nuk interesohen për asgjë dhe që gjithçka e bëjnë sa për të thënë, në mënyrë aparenciale. Njëlloj si në kohën e Enverit, shkolla shndërrohet në një institucion ku synohet të merret një diplomë me nota sa më të mira dhe jo një dije apo profesion.
Shkolla kultivon të mosmenduarit, ashtu siç kultivon abstenimin moral e kulturor. Nëse dikur mendimi i lirë ishte një akt guximi, që të rrezikonte burgun, sot ai është një akt i kotë, pasi njeriu nuk ekziston si një qenie e pavarur me aftësi vetëaktualizuese. E vetmja gjë që i kërkohet është përshtatja dhe mundësisht, përfitimi prej sistemit ekzistues, që nuk varet prej tyre.

Në këto kushte, është e kotë të presësh zhvillim apo transformime shoqërore prej të rinjve. Sistemi arsimor ku ata formohen kultivon apatinë dhe prirjen për të mos i ndryshuar rrethanat, por për të ndryshuar veten në funksion të tyre. Përshtatja është mekanizmi i ndrydhjes së vetes përballë realitetit, dhe sistemi ynë arsimor e kultivon këtë më së miri. Mendësitë totalitare ushtrojnë ende peshë mbi shoqërinë shqiptare dhe do të duhet ende kohë për të ndryshuar.

(Fragment nga “Shkolla shqiptare, një strukturë e organizuar kundër humanitetit”/ Medius 7)


Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit