9.5 C
Pristina
Wednesday, October 9, 2024

Tregu i Medines | Drita Islame

Më të lexuarat

Tregtia është e vjetër po aq sa njerëzimi, me anë të saj njerëzit kanë plotësuar nevojat e ndryshme, kanë fituar para, kanë komunikuar me njeri-tjetrin. Islami në shumë vende të botës është përhapur me anë të tregtarëve të drejtë myslimanë. Shpeshherë tregtia është përdorur edhe si mjet për të shtrirë influencat dhe për të ndikuar politikisht tek shtetet e tjera. Dihet tashmë se pavarësia ekonomike luan rol jetik për pavarësinë politike.

Kur myslimanët emigruan në Medine, qyteti kishte një popullsi prej 10 mijë banorësh, 4 mijë ishin hebrenj, ndërsa 6 mijë ishin arabë. Në përgjithësi ekonomia dhe tregu i Medines dominohej nga fiset hebreje, ndërsa arabët kishin një ndikim shumë të vogël në këtë treg.

Profeti (a.s.) që në rininë e tij është marrë me tregti, ka shkuar në Palestinë, Siri dhe Jemen bashkë me xhaxhain e tij Ebu Talibin. Gjithashtu gjatë periudhës së Mekës dhe sidomos gjatë periudhës së Bojkotit i cili zgjati 3 vjet, është përballur me ambargo të fortë ekonomike. Të gjitha keto eksperienca ja diktuan Profetit (a.s.) që pas themelimit të shtetit Islam, të kontrollonte ekonominë dhe të ndërtonte një treg, që funksiononte në bazë të rregullave islame dhe dominohej nga myslimanët. Në këtë mënyrë do të fitonte pavarësi ekonomike dhe nuk do t’i cenohej edhe pavarësia politike e shtetit të sapo formuar. Themelimi i “Tregut të Medinës”, ka qenë njëri nga hapat më të rëndësishme që Profeti (a.s.) ka bërë për të konsoliduar shtetin e ri Islam.

Tregu që egzistonte në Medine dominohej nga fiset hebreje dhe siç thamë, arabët kishin një ndikim shumë të vogël. Fiset Hebreje që dominonin tregun ishin 3: Beni Kaynuka që merrej me tregtinë e floririt, jepte para me fajde etj…; Beni Nadr, që më së shumti merrej me bujqesi, prodhonte dhe shiste hurma; Beni Kurajdha, të cilët ishin lëkurpunues, prodhonin dhe shisnin shapka, çizme, dhe mjete te tjera të bëra nga lëkura.

Duke qenë së hebrejnte e sundonin tregun, gjithashtu ata vendosnin dhe rregullat e tregut, caktonin  çmimet e produkteve etj.

I përballur me këtë realitet, Profeti (a.s.) e pa të nevojshme që të ndërtojë një treg alternativ. Si hap i parë u ndërtua një treg i vogël pranë tregut të hebrenjve. Myslimanët filluan të bënin tregti në këtë Pazar, i cili u bë i famshëm në një kohë të shkurtër. Fillimisht hebrenjtë u habitën për situatën e re të krijuar, më pas filluan ta hetonin fshehurazi tregun e ri, e më pas të frikësuar se monopoli i tregtisë që kishin ndërtuar në Medinë do t’u dilte nga duart, vendosën që ta shembnin atë. Duke përfituar nga errësira e natës, Kab bin Eshref bashkë më njerëzit e tij, e shkatërruan çadrën që kishte ndërtuar Profeti (a.s.), duke shkatërruar kështu edhe tregun e parë të myslimanëve. Kur u zgjuan në mëngjes, myslimanët u përballën me tregun e shkatërruar, të gjithë ishin të inatosur, vetëm Profeti (a.s.) po buzëqeshte. Kur e pyetën për arsyen e buzëqeshjes ai tha: “Puna që bëmë i inatosi hebrejtë, do të thotë se jemi në rrugën e duhur. Këtë herë do ta ndërtoj tregun në një vend të tillë që do të inatosen edhe më shumë.” Pas kësaj ngjarjeje Profeti (a.s.) bleu një tokë të gjerë ne vendin ku kishin qenë varrezat e vjetra të qytetit, ndërtoi aty tregun dhe e la vakëf për myslimanët deri në ditën e gjykimit.

Ky treg do të njihej si “Tregu i Medines” dhe u ndërtua në zonën e Benu Saides, kishte hapësirë të gjerë për njerëzit që lidhnin devetë, të cilat ishin mjeti kryesor i transportit në atë kohë, e kështumund ta kontrollonin kollaj vendodhjen e saj, gjithashtu ishte dhe pranë varrezave, kjo shërbente si përkujtim ditor për myslimanët që të mos mashtroheshin nga përfitimet kalimtare të kësaj bote dhe të fitonin pasuri me anë të mashtrimit dhe rrugëve haram. Në këtë treg u vendosën rregulla të reja, të cilat siguronin funksionimin e mbarë të tij.

 Rregullat që Profeti (a.s.) vendosi në këtë treg vijojnë si më poshtë:

a-) Ndaloi qe shitesit të kishin një vend të caktuar në treg; hoqi taksën e tregut. Në këtë mënyrë Profeti (a.s.) parandaloi monopolin, kështu që kush vinte herët në mëngjes zinte vendin më të mirë, kishte mundësi që të shiste më shumë. Në të njëjtën kohë u zgjatën dhe oraret e punës, sepse tregtarët shkonin herët në treg për të zënë pozicionin më të volitshëm. Gjithashtu në atë kohë tregtarët paguanin taksë për vendin që zinin në treg, taksë e cila pasqyrohej tek çmimet. Profeti (a.s.) e hoqi këtë taksë, praktikë e cila ndikoi në uljen e çmimeve dhe rrjedhimisht shtimin e klientëve që vizitonin tregun.

b-) Ndaloi të gjithat format e kamatës në treg. Në atë kohë një pjesë e mirë e tregtisë ishte e ndërtuar mbi kamatën. Sistemi i kamatës përdorej nga të pasurit për të shfrytëzuar të varfërit, sistem i cili fatkeqësisht vazhdon edhe sot. Kamata e zhyt borxhliun edhe më thellë në krizë ekonomike, rastet kur borxhliu arrin që të nxjerrë fitim nga borxhi i marrë me kamatë janë shumë të rralla, ndërsa kamatëdhënësi nuk rrezikon, nuk prodhon, nuk ofron produkt por vetëm fiton dhe pasurohet vazhdimisht. Islami e ndaloi këtë lloj praktikte dhe çdo formë tjetër të kamatës, ndalesë e cila u zbatua me përpikëri edhe në Tregun e Medines.

3-)Ndaloi grumbullimin e mallit me qëllimin e manipulimit të tregut. Tregtarët e fuqishëm e mblidhnin të gjithë mallin në treg dhe më pas e shisnin me çmime shumë të larta. Gjë e cila dëmton dhe tregtarët edhe klientët e tjerë. Profeti (a.s) me anë të këshillave dhe kontrollit i dha fund kësaj praktike të dëmshme.

4-)Ndaloi konkurencën e padrejtë. Në atë kohë tregatarët ose sekserët, i prisnin fshatarët në hyrje të qytetit, ua blenin të gjithë mallin me çmim të lirë, sepse fshatari nuk ishte i vetëdishëm për çmimin e vërtetë të mallit, dhe më pas këtë mall e shisnin më shtrenjt në treg. Profeti (a.s.) e ndaloi këtë praktikë e cila e dëmtonte prodhuesin, duke thënë: “Lejini që të vijnë në treg, të shikojnë çmimin e mallrave dhe pastaj jepuni ofertë tuaj për ta blerë mallin.”

Ai gjithashtu ndaloi të shitej malli që nuk ishte në posedimin e tregtarit, ndaloi blerjen dhe shitjen e mallit kuturu (pa e patur mallin prezent) pa e peshuar dhe numëruar, ndaloi shitjen e hurmës së njomë në pemë duke e hamendësuar sasinë ekuivalente me atë të hurmave të thata, ndaloi mashtrimin që bëheshin më kafshët që silleshin ne treg dhe nuk u mjelej qumështi dy-tre ditë që të dukeshin me gjinj të mëdhenj etj.

5-) Ndaloi shkëmbimin e mallit me mall tjetër (Kleringun). Në këtë praktikë, njëri prej shkëmbyesve të mallit do të dëmtohet, sepse është e pamundur që të shkëmbesh dy mallra të ndryshëm me të njejtën vlerë. Ai thotë: “Në qoftë se janë dy mallra që do të shkëmbehen, fillimisht caktohet çmimi i njërit dhe shitet, pastaj caktohet çmimi i tjetrit dhe blihet.” Në këtë mënyrë të dy mallrat shkëmbehen me vlerën e tyre reale.

6-) Ndaloi ndërhyrjen e shtetit në caktimin e çmimeve. Kjo praktikë dëmton prodhuesin, tregtarin dhe klientin. Profeti (a.s.) e la të lirë tregun, kështu që çmimin e produkteve e rregullonte vlera e produktit, sasia e tij, dhe kërkesa që kishin klientët për të.

Profeti (a.s.) nuk u mjaftua vetëm me vendosjen e rregullave por gjithashtu caktoi dhe zyrtarë të cilët kontrollonin dhe menaxhonin tregun. Fillimisht këtë detyrë e mbajti Omeri (r.a.) me pas Abdullah bin Said, madje kanë qenë edhe dy sahabe gra që punonin dhe kontrollonin tregun, Shifa bin Abdullah dhe Semra bin Nuhejk. Detyrat e këtyre nënpunësve ishin si më poshë:

1-)Siguronin qetësinë dhe rregullin ne treg, pengonin vendosjen e mallrave në rrugë, gjë e cila sillte vështirësi në lëvizje, madje Profeti (a.s.) pati caktuar edhe gjerësinë që duhet të kishin rrugët, duhej të ishin aq të gjëra sa të mund të kalonin lirshëm dy deve të ngarkuara me mall.

2-)Parandalonin manipulimin e çmimeve, me anë të grosismit.

3-)Kontrollonin cilësinë e mallrave dhe parandalonin mashtrimet që mund të bëhej me mallin. Madje Profeti (a.s.) ka marrë pjese në të tilla kontrolle. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Në një rast, ndërsa i dërguari i Allahut (a.s.) ishte në treg, kaloi afër një tregtari që shiste drithë. Kur e futi dorën në të, atij iu njomën gishtat (nga lagështira). Ai tha: “O pronar i ushqimit, çfarë është kjo?”Pronari tha: “O i Dërguar i Allahut, e ka zënë shiu (ushqimin).” Ai i thotë: “Po t’i kishe vënë (të njomat) mbi ushqim, që ta shohin njerëzit.” Pastaj tha: “Nuk është prej nesh ai që na tradhton.” (Shënon Muslimi dhe Tirmidhiu)

4-)Kontrollonin peshoret që të mos bëheshin mashtrime në peshimin e mallit. Veprim të cilin Allahu e ka ndaluar në Kur’an. Allahu i Lartësuar e ka ndaluar këtë në Kur’anin Famëlartë duke thënë “Të mjerët ata që peshojnë! Ata që kur matin prej njerëzve, për vete e plotësojnë, e kur u matin ose u peshojnë të tjerëve, u lënë mangët.” (Mutafifin, 1-3)

5-)Ndalonin betimet e shpeshta dhe të kota që bënin njerezit gjatë tregtisë. Profeti (a.s)ka thënë:“Kini kujdes ndaj betimit të shpeshtë gjatë shitjes, për shkak se ai e shton tregtinë, pastaj e çrrënjos bereqetin.” (Shënon Muslimi)

6-)Ndalonin shitjen e mallrave që ishin të ndaluara fetarisht, si alkolin, mishin e derrit etj.

Këto rregulla të reja bënë që Tregu i Medines të kthehej në pikë tërheqëse për tregtarët dhe ta linte në hije tregun që dominohej nga hebrejntë.

Po ta analizojmë me kujdes shembullin e Profetit (a.s.) do të konstatojmë pikat kryesore që sigurojnë sukses në tregti. Ai (a.s.) e arriti suksesin duke dhënë alternativë, nuk përdori fuqinë e shtetit për të mbyllur tregun e vjetër që dominohej nga hebrenjtë, por ndërtoi një alternativë më të mirë. Një treg që ofronte produktet cilësore, çmime konkuruese, ambient komod, siguri nga çdo lloj forme mashtrimi etj.

Erjol Haxhiu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit