19.7 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Intelektualët në Shqipërinë e tranzicionit – Ergys Mërtiri

Më të lexuarat

Ergys Mërtiri

Intelektualët në Shqipërinë e tranzicionit

Tridhjetë vjet pas rënies së regjimit, shoqëria shqiptare gjendet ende në tranzicion, më e pashpresë se kurrë. Për tri dekada ajo nuk arriti të ndërtojë një projekt të qartë shoqëror e politik, nuk arriti të ndërtojë institucione e, për pasojë, nuk krijoi dot siguri, zhvillim dhe një të ardhme premtuese. Korrupsioni, kapja e institucioneve, konfliktualiteti politik, ideologjik e kulturor janë si askund tjetër, gjë që pengon çdo mundësi për zhvillim. Natyrisht intelektualët nuk mund të mos jenë fajtorë për këtë realitet.

Gjatë këtyre viteve ka qenë e vështirë që shqiptarët të prodhojnë elita të reja, të painfektuara nga e kaluara dhe me një vizion të qartë për të shtyrë përpara zhvillimet. Realiteti ka qenë i ashpër dhe shkurajues për të rinj me potencialin dhe moralin e duhur.

Një pjesë e madhe e talenteve që mund të kishin ndihmuar në prodhimin e një realiteti tjetër është larguar nga vendi për të kërkuar një jetë normale në emigrim. Në këtë mënyrë, skena e debatit publik është sunduar nga njerëz të korruptuar, kryesisht me një të shkuar të kompromentuar gjatë diktaturës, të cilët prodhojnë një klimë antagonizmi dekurajues për zërat e arsyeshëm, duke e sunduar debatin publik nëpërmjet klishesh vulgare e skemash ideologjike që vazhdojnë të ruhen që nga koha e komunizmit.

Përveç kësaj, në përgjithësi klasa intelektuale në Shqipëri është thuajse e monopolizuar nga e majta. Gjatë gjithë këtyre tri dekadave, ajo ka arritur të instalojë pikëpamjet dhe pushtetin e saj kudo, duke nisur që nga mediat, shoqëria civile, institucionet e kulturës, etj.

Mjafton t’u hedhësh një sy botimeve të kësaj periudhe për të parë se shumica dërrmuese e autorëve të përkthyer janë të së majtës. Kjo tregon se pluralizmi ideologjik në Shqipëri është plotësisht i zhbalancuar.

Nisur nga pikëpamjet që kemi parashtruar deri tani, mund të identifikojmë tre tipa kryesorë intelektualësh, pa llogaritur këtu një kategori tjetër që mund t’i identifikojmë si intelektualë të djathtë. Këta të fundit nuk do t’i bëjmë objekt analize jo vetëm për shkak të debatit që ekziston midis studiuesve, nëse ka apo jo intelektualë të tillë, – gjë që i kapërcen mundësitë e kësaj trajtese – por edhe për shkak se shumica e atyre që mund të konsiderohen të tillë në Shqipëri, janë të paqartë ideologjikisht dhe, në më të shumtën e rasteve, janë të ndikuar nga mitet e së majtës, siç janë ato që kanë të bëjnë me arsyen, iluminizmin, modernitetin, progresin etj.

Grupi i parë që mund të identifikojmë është ai i intelektualit që vjen nga e kaluara komuniste. Kjo kategori nuk është çliruar ende nga mënyra e të menduarit e kultivuar gjatë asaj kohe, ndonëse, në dukje, shfaqet me ide dhe bindje të reja. Ata vazhdojnë të operojnë me mendësinë e luftës së klasave, me një logjikë bardhë e zi, me kritere vlerësimi mik/armik, me stereotipa të ngurtë kategorizimesh për të tjerët, me shpjegime konspirative armiqsh që na kërcënojnë, etj. Në thelb, ata kanë mbetur njësoj, ndonëse duan të duken përparimtarë duke përkrahur idetë mbizotëruese të kohës të cilat, në fakt, janë sipërfaqësore dhe të cekëta. Njësoj si në diktaturë, ata përdorin shtirjen si mjet adaptimi me pikëpamjet sunduese. Në pamje të parë ata shfaqen si promovues të parimeve të një shoqërie të lirë dhe demokratike, por paradoksalisht ata i mbrojnë këto parime me të njëjtën logjikë, me të cilën dikur diktonin dhe shkatërronin armiqtë e klasës.

Aktiviteti i tyre intelektual nuk ofron asgjë të re, përveçse gardhon debatin publik me slogane që kanë për qëllim pikërisht të pengojnë depërtimin e pikëpamjeve të reja e të avancuara. Ata pengojnë çdo prurje mendimi që kërcënon gjendjen ekzistuese të dijes duke synuar t’i mbajnë në ngrirje bindjet e tanishme mbi historinë, kulturën, politikën apo shoqërinë. Qëllimi i tyre është ruajtja e status quo-së ideologjike, pasi është i vetmi terren ku ata vetë mund të jenë ende faktorë. Çdo zhvillim i ri i nxjerr ata jashtë loje, pasi, së pari, janë të paaftë të përditësohen me mendimin bashkëkohor, por edhe për shkak se dijet e reja nxjerrin në pah varfërinë, shterpësinë dhe imoralitetin e punës së tyre intelektuale.

Kjo kategori intelektualësh tashmë është haptazi nostalgjike për periudhën e Enver Hoxhës.

Nuk bëhet fjalë për një ndjenjë të natyrshme nostalgjie, siç mund ta ketë çdo njeri për të kaluarën apo rininë e vet. Jo! Është nostalgji për vetë sistemin, për ato që, sipas tyre, konsiderohen vlerat e tij. Ata e duan thellë-thellë atë sistem sepse gjithçka e kanë arritur falë tij dhe vetëm gjatë kohës së tij ata janë ndjerë vërtet njerëz me rëndësi.

Ata flasin vazhdimisht për një nevojë që shoqëria e sotme ka për t’iu rikthyer së kaluarës duke ia njohur regjimit komunist disa të mira. Ata kërkojnë të rehabilitojnë shumë prej aspekteve të asaj periudhe, duke u përpjekur të relativizojnë krimin dhe terrorin nëpërmjet shpërqendrimit nëpër vlerësime sasiore pa kuptim. Ndërkohë ata nuk flasin kurrë për krimet, për varfërinë dhe skamjen e tmerrshme, për dështimin e madh të ekonomisë dhe industrializimit, për sakatimin shpirtëror e intelektual të Njeriut të Ri, për aspektet qesharake të propagandës së asaj kohe, etj.

Në fakt, ata e bëjnë këtë për shkak se e gjithë vepra e tyre dhe ata vetë i përkasin asaj periudhe. Ata e kuptojnë thellë-thellë se janë fajtorë për kontributin e tyre në atë sistem, ndaj dhe fati i tyre vazhdon të jetë i lidhur me të. Për këtë arsye, ata mundohen të zbusin gjykimin e shoqërisë për të, në mënyrë që edhe ata vetë të jenë më të pranueshëm.

Kategoria e dytë që mund të identifikojmë është ajo e intelektualëve liberalë, të cilët, ndonëse rininë e tyre e kanë kaluar përgjithësisht në bllok apo rrotull tij, – falë shërbimeve të baballarëve të tyre ndaj regjimit, – janë njohur për tipa antikonformistë, modernë, që nuk u nënshtroheshin lehtë kallëpeve kulturore të Njeriut të Ri që impononte partia.

Shumica prej tyre kanë qenë kundër regjimit jo për ndonjë zell patriotik apo ndonjë veneracion serioz për lirinë dhe demokracinë, por thjesht për shkak se regjimi i pengonte të kishin një jetë konform modeleve kulturore hedoniste e vanitoze si ajo të cilën ata e preknin nëpërmjet ekraneve të televizioneve italiane.

Ky lloj rebelimi snobist ka ardhur më shumë si një reagim instiktiv ndaj shkretëtirës kulturore të Shqipërisë së atyre viteve dhe nuk ka arritur të prodhojë dot as më vonë, pas rrëzimit të sistemit, një narrativë serioze për ta çliruar vendin nga ajo trashëgimi. Ai buron më shumë nga një narcizizëm i brendshëm, i ngarkuar me komplekse moderniste prej botës së spektaklit perëndimor, të konsumuar në rini, nëpërmjet ekraneve të huaja, të cilat populli i thjeshtë i mbërrinte fshehtas, vetëm nëpërmjet kanoçeve UHV që rivalizonin zhurmuesit e regjimit. Antikomunizmi ekscentrik i kësaj kategorie ishte më shumë një kundërkulturë fëmijësh të përkëdhelur, të mbrojtur nga vetë regjimi i prindërve të tyre. Ky lloj antikomunizmi ushqehet më shumë nga pengimi që ushtronte partia, bie fjala për të veshur xhinse, për të mbajtur flokë të gjatë apo për të dëgjuar muzikë rock’n roll, sesa prej ndonjë ndjeshmërie kundër terrorit gjenocidal të pushtetit popullor.

Kjo lloj sjelljeje përfton një farë ekstravagance intelektuale e cila, në mënyrë paradoksale, karakterizon një shtresë të re borgjezie të lindur gjatë komunizmit falë privilegjeve të fituara prej shërbimeve ndaj tij. Duke mos u mjaftuar me këto privilegje, të cilat i merrnin të mirëqena, ata kanë ndierë parehatinë me sistemin, si edhe me të gjithë vendin, duke u krahasuar me të rinjtë në vendet perëndimore. Për pasojë ata nuk para kanë shfaqur ndonjë veneracion për fatin e popullit apo të shoqërisë në përgjithësi. Përkundrazi, në shkrimet e tyre të pasnëntëdhjetës konstatohet përbuzja për të. Ata e kanë parë dhe vazhdojnë ta shohin shoqërinë shqiptare si një fshat të prapambetur që ka aksidentuar fatin e tyre. Për këtë arsye ata nuk ndjejnë kurrfarë përgjegjësie intelektuale për vendin e tyre.

Kategoria e tretë që mund të identifikojmë është ajo e disa intelektualëve të rinj, kryesisht me prejardhje familjare ish-funksionarësh të lartë e të mesëm të regjimit të kaluar, të pajisur me një formim ideologjik revolucionar, shpesh-herë mjaft radikal, të cilët ose ushqejnë ende fazën fillestare të promovimit të ideve të tyre, ose kanë hyrë tashmë në nxehje për t’u hedhur në politikë nëpërmjet skemash të shumta. Shumica prej tyre artikulojnë teza kundër sistemit politik 30-vjeçar, të cilat përdoren në mënyrë populiste si një instrument për të tërhequr vëmendjen në avancimin e ambicieve të tyre politike. Në njëfarë mënyre, ata janë një përzierje e dy grupeve të para, janë liberalë e rebelë kulturalisht dhe revolucionarë ideologjikisht.

Ata reflektojnë, në mënyrë tipike, prirjet e shpjeguara më sipër për intelektualët. Janë populistë, oportunistë, konformistë, aventurierë, revolucionarë, dogmatikë, fanatikë e, mbi të gjitha, narcizistë. Për shumë prej tyre idetë janë thjesht instrumente për të avancuar agjendat personale. Ata përdorin klishetë ekzistuese, mitet aktuale, lodhjen e publikut me politikën si teknika për të dribluar pikëpamjet e tyre reale. Ndërsa shfaqen si rebelë antagonistë me gjendjen ekzistuese, në fakt ata konformohen plotësisht me pikëpamjet dominuese duke fshehur projektet politike midis qëndrimesh dhe akrobacish retorike politikisht korrekte. Të gjitha këto i bëjnë pa u interesuar aspak mbi pasojat që aksioni i tyre politik sjell në realitet. Për ta, realiteti është diçka që duhet përmbysur, cilado qofshin pasojat.

Oportunizmi është dominues në shumicën e rasteve. Ata tregojnë se nuk e kanë për gjë të hidhen nga militimi në grupe të së majtës radikale, si p.sh. organizata MJAF, të financuara me para kapitalistësh ndërkombëtarë që shtypin e shfrytëzojnë proletariatin botëror, në lëvizje me prirje të thella nacionaliste, si p.sh. VETËVENDOSJE, apo në ndonjë dikaster në zyrat e shtetit duke këmbyer rolin e ideologut revolucionar me atë të burokratit të Rilindjes. Kapërcime të tilla tregojnë, në mënyrë interesante, sesa mban flluska e luftëtarit të ideve që pretendon të përmbysë sisteme e të ndryshojë rendin e shoqëror.

“Opiumi i intelektualëve”, ideologjia dhe mitet moderne të së majtës janë simulantët kryesorë të këtij fenomeni. Ideja se politika është instrumenti për të përmbysur rendin ekzistues, në mënyrë që mund të ndërtohet një e ardhme e ndritur, është një tundim i pashlyeshëm që do të përkëdhelë gjithmonë përfytyrimet intelektuale të shumë njerëzve. Për sa kohë janë ende të rinj, është e natyrshme ta fotografojnë virtualisht veten me beretën e Che Guevara-s mbi krye, në pritje të një shpërthimi revolucionar. Me kalimin e viteve, kur baruti squllet në pritje të momentit që nuk vjen kurrë, kthimi i revolucionarëve në tokë bëhet një shfaqje që të lë gojëhapur me akrobacitë që ata janë në gjendje të bëjnë.

Shqipëria është një vend ku përfytyrime të tilla janë mjaft të përhapura dhe do të duhet një debat i gjerë e i guximshëm për t’i kthyer gjërat me këmbë në tokë. Utopitë mund të shërbejnë si objekt krahasimi për të menduar edhe një herë mbi realitetin ku jetojmë, por kur përdoren si kritere të së vërtetës, ato mund të bëhen shkatërruese, duke vrarë çdo përpjekje njerëzore për përmirësimin e gjendjes, në emër të një përmbysjeje që nuk ndërton asgjë. Tridhjetë vjet tranzicion dhe gjysmë shekulli diktaturë duhet të na kishin dhënë përvojën e duhur për të mos besuar më në përmbysje që premtojnë parajsën mbi tokë.

(Fragment nga shkrimi “Tirania shqiptare e intelektualëve”)


Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit