11.3 C
Pristina
Wednesday, May 29, 2024

Erdogan për “France 24”: Turqia gati për operacion kundër një kërcënimi të çfarëdoshëm

Më të lexuarat

Gjatë një interviste për median franceze, Presidenti i Republikës së Turqisë foli hapur dhe qartë në lidhje me YPG-në, fraksion sirian i organizatës separatiste terroriste PKK. “Jemi gati për operacion”, tha ai…

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, foli hapur dhe qartë në lidhje me YPG-në, fraksion sirian i organizatës separatiste terroriste PKK.

“Jemi gati të ndërmarrim operacion kundër një kërcënimi të çfarëdoshëm”, deklaroi ai gjatë një interviste mbrëmjen e të mërkurës për median franceze.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të televizionit “France 24”, Erdogan-i tha: “Në rast se tani paraqitet një kërcënim i çfarëdoshëm, trupat tona janë të gatshme që të ndërmarrin atje çdolloj operacioni së bashku me Ushtrinë e Lirë Siriane (FSA).”

Kreu i shtetit turk theksoi po ashtu se është e pamundur të besojnë se një ditë do të mblidhen armët e rënda, të cilat i janë organizatës terroriste YPG nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Çfarë na thonë neve? Na thonë: ‘Ne do t’i rimarrim këto armë më vonë.’ Por tashmë askush të mos mashtrojë askënd”, u shpreh Erdogan-i.

Në vijim, presidenti turk u ndal mbi situatën aktuale të krizës së Katarit. I pyetur sidomos rreth bazës ushtarake turke në këtë vend dhe gjasat që ajo të mbyllet, ai rikujtoi se bazë ushtarake në rajon kanë edhe SHBA-ja, edhe Franca.

“Turqia nuk do ta mbyllë bazën e saj ushtarake në Katar. Nëse Katari nuk dëshiron, ne nuk do ta bëjmë. Mbyllja e bazës do të ndodhte vetëm në një rast. Nëse Katari na paraqet një kërkesë të tillë, sigurisht që edhe ne s’do të qëndronim më në një vend, ku nuk na duan”, tha Presidenti Erdogan duke nënvizuar se kjo çështje varet nga administrata e Dohas.

“Përse ata (Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahrejni – shën. i përkth.) nuk kërkojnë të njëjtën gjë për CENTCOM-in, pasi amerikanët dhe francezët kanë gjithashtu nga një bazë atje?”, u shpreh Erdogan-i duke vënë në pyetje Komandën e SHBA-së për Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore dhe Azinë Qendrore.

Ai vuri në pah gjithashtu se vendi i tij do t’i qëndrojë besnik deri në fund marrëveshjes me Katarin.

Turqia – vijoi lideri turk – nuk dëshiron që situata rreth Katarit të degradojë në një krizë rajonale të Gjirit dhe i ka kërkuar Arabisë Saudite, si vendi më i fuqishëm në rajon, për të mos lejuar që ajo të shndërrohet në një krizë edhe më të madhe.

Presidenti Erdogan rikujtoi gjithashtu listën me 13 kërkesa nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahrejni, e cila përfshinte mes të tjerash mbylljen e televizionit “Al-Jazeera”, uljen e nivelit të marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe mbylljen e bazës ushtarake turke, për të rivendosur lidhjet diplomatike me Katarin, duke e cilësuar atë si joreale për sovranitetin e një shteti.

“Lista ka pika të atilla, domethënia e të cilave në përgjithësi është: Unë s’të njoh si shtet; rrjedhimisht, ti do të heqësh dorë nga të gjitha funksionet dhe kompetencat e tua si shtet. Këtë gjë nuk mund ta pranojmë. Nëse këtë nuk na e kërkon Katari, atëherë ne s’do ta bëjmë kurrë”, siguroi ai.

Erdogan-i tha edhe se nuk e ka humbur shpresën për një zgjidhje në lidhje krizën, por Perëndimi dhe Turqia nuk e mbështesin qëndrimin e vendeve të Gjirit.

“Unë e di që Katari lufton terrorizmin dhe askush nuk duhet të mashtrohet ose të ketë përshtypje të gabuar për këtë çështje”, potencoi kreu i shtetit turk.

Në fund, Presidenti Recep Tayyip Erdogan foli edhe për tensionin në rritje në linjën Ankara-Berlin duke kritikuar autoritetet gjermane që tolerojnë provokimet, si në rastin e fundit me pankartën përpara selisë kryeministrore federale.

“Teksa manifestimi po realizohej, atje ishte e pranishme edhe policia gjermane. Një akt i tillë, i cili nxit krimin dhe dhunën, u bë përpara syve të policisë gjermane dhe autoritetet gjermane, për fat të keq, heshtin. Nëse jo një akt fashist, atëherë vallë çfarë tjetër është ky? Ky nuk është tjetër veçse fashizëm; s’është as më shumë e as më pak se një akt, i cili mund të haset vetëm në strukturat fashiste. Por autoritetet gjermane nuk duhet t’u japin shans një praktike fashiste të tillë. Sikurse nuk lejomë terrorizmin, ashtu edhe autoritetet gjermane s’duhet të lejojnë as kësisoj manifestimesh”, u shpreh Erdogan-i.

Ai theksoi se këtë çështje do ta ngrejë në rend të ditës gjatë Samitit 12. të Liderëve të G20-s në Hamburg, në datat 7-8 korrik.

“G20-s është një institucion që përfaqëson 80 për qind të botës. Është për të ardhur keq dhe për t’i vënë gishtin kokës që fushata të këtilla bëhen në Gjermani”, tha Presidenti Erdogan në mbyllje të intervistës për televizionin “France 24”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit