-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

E TËRË KRENARIA I TAKON ALLAHUT – Tefsir nga Imam Sadi (Ajeti 10 nga Surja Fatir)

Më të lexuarat

Allahu i lartesuar thote: “Kush dëshiron krenarinë (le ta dijë se), e tërë krenaria i takon Allahut (pra, vetëm prej Tij le ta kërkojë)! Tek Ai ngjiten (të gjitha) fjalët e mira. Është Ai që i ngre lart punët e mira. Ata që kurdisin komplote të së keqes, ata do të kenë një dënim të rëndë dhe komplotet e tyre do të dështojnë.” [ FATIR 10]

Shpjegimi i ajetit

– Kush dëshiron krenarinë (le ta dijë se), e tërë krenaria i takon Allahut (pra, vetëm prej Tij le ta kërkojë)! – Ti që kërkon krenarinë, kërkoje atë prej Atij, në dorë të të Cilit është e gjithë krenaria. Krenaria mund të arrihet veçse nëpërmjet adhurimit dhe bindjes ndaj Tij. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar e sqaron më hollëisht adhurimin dhe mënyrat e shprehjes së tij, kur thotë:

– Tek Ai ngjiten (të gjitha) fjalët e mira. Është Ai që i ngre lart punët e mira. – Adhurime nëpërmjet të cilave arrihet krenaria janë edhe ato që Allahu i Lartësuar i ka quajtur “el kelimuŧ-ŧaj-jibu”, pra, fjalët e mira. Këtu bëjnë pjesë: leximi i Kur’anit, i traditës profetike, dijes së dobishme, tesbiĥu, falënderimi dhe mirënjohja ndaj Allahut me fjalë, madhërimi i Allahut nëpërmjet shehadetit dhe çdo fjalë e mirë dhe e dobishme.

Këto fjalë të mira ngrihen lart dhe paraqiten tek i Lartësuari. Nëse janë të sinqerta, Allahu i Lartësuar i përmend përmendësit e Tij në Veten e Vet dhe mes melekëve në qiell. Gjithashtu, adhurime janë edhe ato që Allahu i Lartësuar i quan el ameluŝ-ŝaliĥ – vepra të mira të zemrës dhe të gjymtyrëve, të cilat është po Allahu i Lartësuar që i ngre lart, i vlerëson dhe i shpërblen me bujarinë e Tij. Ky është njëri nga kuptimet e ajetit. Në fjalinë: “Edhe veprat e mira, është Ai që i ngre lart”, kundrinori i drejtë janë “veprat e mira”, ndërsa kryefjala është “Ai”, pra, Allahu i Lartësuar.

Ndërsa kuptimi tjetër vjen në këtë mënyrë: “Tek Ai ngjiten fjalët e mira. Ndërsa është puna e mirë ajo që e ngre fjalën e mirë (lart tek Allahu).” Ajo që ngrihet lart (kundrinori i drejtë) është “fjala e mirë”. Ndërsa ajo që e ngre lart fjalën e mirë dhe e bën atë të pranuar dhe të dashur tek i Lartësuari është (kryefjala) “puna e mirë”. Kështu, vetëm fjalët e mira të vërtetuara dhe të konkretizuara nga veprat e mira dhe të sinqerta për Allahun, janë ato që ngjiten tek i Lartësuari. Atij që nuk bën vepra të mira, nuk i ngjiten dhe paraqiten as fjalët tek i Lartësuari, dhe kështu ai nuk mund të jetë i përmendur prej të Madhërishmit mes melekëve në qiell.

Është shumë qartë se vetëm nëpërmjet veprave të sinqerta dhe fjalëve të mira mund të arrihet krenaria e kërkuar dhe çdo e mirë e dynjasë dhe e ahiretit. Ndërsa veprat e këqija sjellin plotësisht të kundërtën. I Lartësuari thotë:

– Ata që kurdisin komplote të së keqes, ata do të kenë një dënim të rëndë dhe komplotet e tyre do të dështojnë. – Vepërkëqijtë, përmes dredhive, kërkojnë krenarinë dhe arritjen e qëllimive të tyre. Por dredhitë e tyre, në vend që t’u japin atë që kërkojnë, u kthehen kundër dhe godasin pikërisht thurësit e tyre.

Nëse kërkojnë krenarinë nëpërmjet kurtheve dhe dredhive, ata do të përfitojnë veçse poshtërimin, dëshpërimin dhe humbjen. Ata do të poshtërohen dhe ndëshkohen rëndë. Asgjë nga kurthet e tyre nuk do të mund t’i shpëtojë dhe mbrojë. Ato do të shkatërrohen dhe do të zhduken pa lënë gjurmë.

/TEFSIRI I SADIT/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit