-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Dy zbritjet, – dhe ndryshimi i shoqërisë – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

DY ZBRITJET

“E ata që nuk besuan thanë: “Përse të mos i ketë zbritur atij Kur’ani përnjëherë?” Ashtu (e zbritëm pjesë-pjesë), që të forcojmë zemrën tënde dhe ne e sollëm atë ajet pas ajeti. (Furkan 32)

Kur’ani ka zbritur nga Leuhi Mahfudh në Qiellin e Afërt të Dunjasë përnjëherë, në Natën e Kadrit. Pas kësaj, ka zbritur jo përnjëherë, por ajet pas ajeti për 23 vjet,  përmes Xhibrilit tek Muhamedi a.s. Ajo çka e bën të rëndësishme pa asnjë ekuivok diferencën midis Zbritjes së Parë dhe Zbritjes së Dytë, është se gjatë Zbritjes së Dytë suret dhe ajetet kanë zbritur me një rend tjetër nga rendi i Zbritjes së parë. Që do të thotë se në thelb bëhet fjalë për Dy Zbritje,

  1. Zbritja e Parë e përnjëhershme, Zbritja e Dytë e duarduarshme,

2. Zbritja e Parë transhendente (përtej historisë dhe përtej përvojave njerëzore), Zbritja e Dytë imanente (pjesë e historisë dhe e përvojës njerëzore).

3. Zbritja e Parë pastërtisht universale, Zbritja e Dytë universal, e ngjyrosur me  një komponente individuale dhe partikulare.

4. Zbritja e Parë e receptueshme vetëm përmes arsyes dhe konvencionit, Zbritja e Dytë e receptueshme edhe përmes përjetimit – filtrit të pasioneve-intuitës.

5. Zbritja e Parë është vetëm Zbritje pra tekst i formuluar, Zbritja e Dytë është edhe Zbritje, edhe Shpallje, pra tekst i lexuar apo recituar-përzanuar.

6. Gjatë Zbritjes së Dytë (pra gjatë shpalljes), ajetet janë shpallur – lexuar me zë, sipas një renditjetje tjetër-të ndryshme, nga ajo e Zbritjes së Parë.

Këto dallime mund t’i grupojmë në dy kategori: pesë dallimet e para i përkasin të njëjtit lloj, pra kanë pakashumë të njëjtën natyrë, kurse dallim i gjashtë qëndron më vete.

Kështu pesë dallimet e para mes Dy Zbritjeve, edhe veç e veç, por sidomos të gjitha sëbashku, kanë vlerë taksonomike, pra  tregojnë se gjërat apo fenomenet e ndryshme nuk janë rastësisht të ndryshme dhe se pikërisht përmes atributeve të kundërta  përcaktojnë rreptësisht formën e njëra-tjetrës.duke sjellë dy përfitime të mëdha: 1.Rritje të kapacitetit për të përkapur natyrën e gjërave; 2.Rritje të kapacitetit për ta shteruar një fushë të caktuar të njohjes. Pra ato kanë një  vlerë të shquar teorike, sepse ndihmojnë në strukturimin konceptual të njohurisë njerëzore, duke rritur qartësinë e përgjithshme të  qenieve njerëzore në qasjen ndaj kuptimeve. Sepse vetitë e përkundërta të trajtave të ndryshme të së njëjtës gjë, e gdhendin dhe e bëjnë të pangatërrueshme formën e saj, në raport me format e tjera që e rrethojnë dhe kështu shmangin paqartësinë dhe rritin shpejtësinë dhe saktësinë e njohjes.

Si më lart për shembull: termat  epërnjëhershme dhe  epjesëpjesshme, nga fjalë të përgjithshme me përdorim operativ të pakushtëzuar, shndërrohen në koncepte me përdorim të posaçëm, për këdo që do të jetë i qartë  në mbërritjen e asaj që është thelbësore në marrëdhënien mes Fjalës  së Allahut dhe Njerëzimit. Mundet që vlera konceptuale e tyre të vërehet edhe prej vetë dikotomisë së tyre me njëra-tjetrën, por sidomos nëse ndërveprojnë dhe me çiftet e tjera dikotomike.

Sepse po ashtu, konceptet transhendencë dhe imanencë, që për këdo që ka përmbyllur të plotë shkollimin formal të sotmë, janë të njohura, fiton qartësinë dhe sigurinë se ky dallim është i vlefshëm dhe thelbësor  jo vetëm në shkencat humane dhe filozofi, por edhe në fe, edhe në kapacitimin e dijes për Zotin. Dhe për të kuptuar se transhendim, i cili në origjinë do të thotë kapërcim, tejkalim, apo transferim të nivelit, do të thotë edhe diçka që i përket rrafshit të hyjnores, por edhe më: jashtë historisë dhe jashtë përvojës njerëzore. Ndërsa përkundrazi imanencë,do të thotë këtueshmëri apo aktualizim, por do të thotë edhe mundësi për pjesëmarrje në histori përmes qarkullimit të ndikimit, do të thotë edhe personalizim  i të përbashkëtës. Po ashtu, për të kuptuar se tre procedetë që ndjek natyra njerëzore për të mbërritur tek njohja dhe e vërteta, janë arsyeja (induktivisht, përmes atributit të saj të formulojë realitetin e fakteve), dogma (deduktivisht) dhe përvoja apo përjetimi apo intuita. Dhe se Zbritja e Parë aktivizon vetëm dy prej tyre- dy të parat, kurse Zbritja e Dytë  i aktivizon që të trija.

Vërehet se të gjitha së bashku këto attribute, të shndërruara në koncepte, përputhen dhe harmonizohen dhe shërbejnë si një platformë (apo qoftë edhe si njëra prej platformave) për t’i dhënë soliditet marrëdhënies sonë me Fjalën e Zotit. Po ashtu le të mos harrohet, përqendrimi tek këto dy lloje të zbritjes, çel një shteg të begatë të unifikimit të termave të njëjtë edhe kur flasim për dijen për Zotin edhe kur flasim për dijen mondane.

Përkundër natyrës taksinomike-teorike të pesë dallimeve të para,dallimi i gjashtë, i fundit që përmendëm ka një vlerë të shquar praktike dhe pragmatike: në puthitjen e përsosur mes formës dhe përmbajtjes së Zbritjes së Parë të Kuranit, shpërputhja kronologjike e Zbritjes së Dytë – Shpalljes, mban hapur në mënyrë të përhershme një kanat, prej së cilës Drita e Vetishme e Fjalës së Allahut, del jashtë dhe ndriçon realitetin dhe rrethanat e lexuesve të Tij,, përvojën konkrete historike, të besimtarëve në veçanti ,por edhe të të gjithë njerëzve në përgjithësi,mjaft që ata ta lexojnë Atë me qëllim për të gjetur të vërtetën.

Për ta kuptuar këtë ne mendojmë se na ndihmon nga vetë ky fakt, ajeti 35 i Sures Nur, i njohur edhe si Ajeti i Dritës:

“Allahu është dritë e qiejve dhe e tokës. Shembulli i dritës së tij i gjason kandilit të vendosur në një kamare. Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërues e që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lindjes dhe as i perëndimit, e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. Allahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai. Allahu sjell shembuj për njerëzit. Allahu çdo gjë di shumë mire”. Nur, 24: 35.

Nga përpunimi i koncepteve të mësipërm , na dhurohet një mundësi inspiruese për ta kuptuar këtë ajet kuranor në një aspekt të ri. Allahu dëshmon aty për Dritën e Tij si Drita Absolute, çdo dritë tjetër e ka prejardhjen tek Ajo. Përshkrimi është alegorik dhe analogjik, përmes përshkrimit paralel të Dritës së Zotit  të pambërritshme nga përvoja njerëzore, dhe dritës së një kandili të rrokshme nga përvoja njerëzore, e për këtë arsye referencë e mundshme për të përcjellë realitetin e Dritës së Zotit. Përshkrimi mund të jepet diagramatikisht kështu: kandili është i vendosur në një kamare. Në kamare ai ndodhet brenda një qelqi rrezëllitës si të ishte një yll. Flaka e tij ndizet nga vaji i ullirit që nuk i përket as lindjes, as perëndimit. Por përveç se kur ndizet nga zjarri, ky vaj gëzon një dritësim të brendshëm saqë duket sikur është prej vetiu i ndritshëm.Dhe për këtë arsye efekti i dritës është i begatë dhe i pallogaritshëm, sepse janë dy drita që ndriçojnë njëra-tjetrën.

Dihet që ky Ajet i Madh e i Bukur nuk ka pushuar së interpretuari prej muslimanëve përgjatë gjithë historisë sonë, por ne nuk do t’i përmendim (ato pak që dimë), por do të shfrytëzojmë hapësirën e paktë të këtij shënimi, për të shfrytëzuar si dispozitivë interpretues të Ajetit,konceptet e Zbritjes së Parë dhe Zbritjes së Dytë.

Nga ku: Drita e Zotit është Fjala e Zotit (duke qenë se edhe Drita edhe fjala janë atribute të Tij). Kamarja është Dunjaja ku është vendosur Kjo Fjalë në trajtën e saj kuranore (si Lexim me Zë). Qelqi është ena e dritës së kandilit, dhe si rregull koncepti i enës është derivat i konceptit të Formës, pra i një trajte të jashtme dhe të dukshme, e domosdoshme për të bartur Përmbajtjen, e cila kjo e fundit është e brendshme dhe e padukshme. Sa i përket kandilit, është evidente se qelqi apo llamba është forma e tij, kurse  parasësgjithash  drita si flake, por edhe vaji e fitili janë përmbajtja e tij. Ndërsa, për sa mund të kuptojmë, për Kuranin, Forma e tij (në analogji me qelqin e kandilit) është Renditja e 114 sureve, me numrin përkatës të ajeteve dhe me ajetet përkatëse të sureve, ashtu siç e kemi në musafe sot, pra ashtu siç çdo ajeti ia caktonte pozicionin në tërësinë e tekstit kuranor Muhamedia.s., pozicion i pavarur nga momenti  shpalljes. Dhe që është Forma e Zbritjes së Parë të Kuranit në Leuhi Mahfudh.

Para se të vazhdojmë me serinë e analogjive, bëjmë tre saktësime. Së pari, termi kandil përdoret dy herë,  dhe përmes një sinekdoke, herën e parë tregon kandilin si aparat ndriçues, kurse herën e dytë dritën që bart kandili. Së dyti, mesaduket, përmendja herën e dytë e kandilit si term për dritën e tij, megjithëse jo shprehimisht, mund të konsiderohet si referencë e fshehtë në ajet për flakën, apo zjarrin si burim material i dritës së kandilit. Përndryshe një përmendje e drejtpërdrejtë e zjarrit apo flakës,  apo shkrepjes, apo shkëndijës, si sebep për të ndezur vajin, duket se emërtohet po ashtu përmes përfshirjes (përsëri jo drejtpërdrejt), në momentin kur thuhet se vaji ndriçon edhe pa e prekur zjarri (megjithëse logjikisht duhet të bëhet fjalë për shkëndijën iniciale, përshtypja e pare është se bëhet fjalë për dritën e kandilit.- në të dyja rastet koncepti I zjarrit është mbështjellë tek koncepti I dritës). Së treti, përcaktimi me yllin flakërues duket se është i posaçëm për qelqin në vetvete dhe jo për kandilin në tërësi, dhe në këtë aspekt, përshkrimi kuranor na sugjeron  që Forma e Kuranit (pra Forma e Zbritjes së Parë) gëzon një ndriçim  në vetvete (duke qenë se yjet janë burim  të dritës dhe jo huazues të saj), që është Drita e Përmbajtjes – Kuptimeve të Kuranit, përderisa lidhja mes Formës së Zbritjes së Parë dhe Përmbajtjes është organike (ato janë të pazgjidhshme mes vetes).

Nga sa: flaka apo shkëndija që nuk përmendet drejtpërdrejt, apo është mbuluar brenda mbështjelljes së konceptit të dritës, dhe që shërben si sebep për ta ndezur vajin dhe fitilin, është Forma e Zbritjes së Dytë të Kuranit, pra forma e përftuar nga esbabet (sebepet) e zbritjeve konkrete të ajeteve kuranore, si përgjigje për çështjet dhe situatat konkrete të lidhura me jetën  e Muhamedit a.s. Fakti që shkëndija që ndez vajin që të përftojë dritë nuk përmendet shprehimisht, e megjithatë  nuk ka asnjë dyshim për praninë e saj, është një karakteristikë analoge me atë të Formës së Zbritjes së Dytë, e cila po ashtu edhe pse nuk shfaqet (apo është mbuluar brenda Formës së Zbritjes së Dytë) s’ka dyshim që ekziston dhe për cilindo që e kërkon ekziston mundësia ta gjejë.

Kështu njësoj siç tek Kurani vetë, Forma e Zbritjes së Dytë është përfshirë apo madje palosur brenda Formës së Zbritjes së Parë,  Ajeti i Dritës, përmes mënyrës sesi është formuluar retorikisht sugjeron që zjarri si burim nga jashtë për të ndezur vajin dhe fitilin, nuk përmendet shprehimisht (paçka se s’mund të ketë dyshime për ekzistencën e tij), por sugjerohet përmes referencave tek drita e kandilit. (Në fakt jo “paçka” por pikërisht se s’mund të ketë dyshime për ekzistencën e tij.)

Përse ky interpretim mund të jetë pranë të vërtetës? Sepse Forma e Zbritjes së Dytë të Kuranit, është një realitet që nuk mund të vërehet tek Kurani me të parën, por pas një familjarizimi paraprak. Pra që herët a vonë,aktivizohet për këdo që ngul këmbë të thellohet në njohjen e Fjalës së Allahut. Dhe mbërritja e perceptimit të Kësaj Forme, si forma e esbabeve, u shërben më të mirëve prej besimtarëve, si shkëndijë për të ndezur tek vetja Mendimin më të Mirë për Zotin e Tyre, pra bindjen e padyshimtë se  Fjala e Tij, është përgjigje për secilin prej problemeve apo situatave që përballen, cilado qoftë koha apo shoqëria ku besimtarët jetojnë.Dhe se rrjedhimisht, pa këtë shkëndijë mund të kompromentohet tek besimtarët Pasja e Mendimit më të Mirë për Zotin e Tyre.

Dhe me shpresën e pandërprerë të këtyre rreshtave se Zoti do të na ruajë nga lajthitjet, plotësojmë serinë e analogjive mes Dritës së Zotit dhe dritës së kandilit: duke qenë se ulliri si druri i bekuar duket se ndez Formën e Parë të Zbritjes së Kuranit, prej vetë këtij fakti përfaqëson Përmbajtjen -Kuptimet e Fjalës së Allahut (që sigurisht nuk janë as të lindjes as të perëndimit, përderisa vijnë nga Leuhi Mahfudh), kurse vaji që ndizet prej Formës së Zbritjes së Dytë të Kuranit dhe që megjithëse ndriçon së brendshmi, ndizet nga shkëndija e kontaktit me Këtë Formën, është pikërisht Mendimi më i Mirë për Zotin e Tyre në mendjet dhe zemrat e besimtarëve: Ky Mendim del nga distilimi apo ekstraktimi i Tërësisë së Mesazheve kuranore, njësoj siç vaji  është ekstraktimi më i  mire i pemës së bekuar të ullirit.

Rudian Zekthi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit