0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Cili është qëllim i jetës tënde?

Më të lexuarat

Cili është qëllim i jetës tënde?

Mjerisht …

Kur shumicës së njerëzve i bëni pyetje fundamentale dhe shumë të rëndësishme: “Cili është qëllimi i jetës?”, ata nuk do t’u japin përgjigje të bazuar në vëzhgim ose gjykim analitik. Më me qejf, në shumë raste ata thjeshtë do t’u thonë çfarë dikush tjetër mendon dhe ka thënë. Do t’u thonë që qëllimi i jetës është sikur që thotë babai, teologu, filozofi, mësuesi në shkollë, miku, etj.

Nëse e pyesim dikë përse ushqehemi, të gjithë në mënyrën e tyre do të përgjigjen: për t’u mbajtur në jetë. Nëse pyesim dikë përse punon, do të përgjigjet që puna është e obliguar për ekzistencë dhe për të realizuar nevojat familjare. Nëse pyesim dikë përse flemë, lahemi, vishemi, etj., do t’u japin përgjigje adekuate, sepse këto janë domosdoshmëri të zakonshme për të gjitha qeniet njerëzore. Mund të bëjmë qindra pyetje dhe do të marrim përgjigje të njëjta apo të ngjashme nga çdo njeri, në cilëndo gjuhë dhe në cilindo vend të botës.

Tani pyesim, përse kur shtrojmë pyetjen: “Cili është qëllimi dhe kuptimi i jetës?”, marrim përgjigje të shumta dhe të ndryshme? Kjo është për arsye se njerëzit janë të hutuar dhe nuk e dinë përgjigjen e saktë.

Të mendojmë për këtë: a thua kemi ardhur në këtë botë vetëm për të ngrënë, fjetur, veshur, punuar, që të arrijmë të mira materiale dhe të kënaqemi? A thua ky është qëllimi i ekzistimit tonë? Përse kemi lindur? Cili është qëllimi i ekzistencës sonë? Cila është fshehtësia e urtësisë së krijimit të njeriut dhe këtij universi kolosal? Le të mendojmë mirë këto pyetje.

Do të citojmë disa ajete (vargje) kuranore që kanë të bëjnë me këtë temë:

“Vetëm All-llahut i takon sundimi i qiejve e i tokës dhe All-llahu është i gjithëfuqishëm për çdo send”.

“Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt”.

“Për ata që All-llahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!” (Ali Imran, 189-191)

Në ajetet e cituara Allahu i madhërishëm tërheq vëmendjen tonë në krijimin e qiejve dhe Tokës, në ndryshimin e natës dhe ditës dhe në krijimin e universit. Tërheq vëmendjen tonë në krijimin e tyre, precizitetin dhe harmoninë e tyre, duke aluduar në mahnitjen e krijimit dhe që e tërë kjo nuk është krijuar kot dhe pa qëllim.

Dhe vërtetë diç e ndërtuar kaq fuqishëm me precizitet dhe harmoni të përkryer, diç që është jashtë diapazonit të të gjitha kalkulimeve dhe imagjinatës sonë, nuk mund të jetë krijuar kot dhe pa qëllim.

Nëse shohim një urë, ndërtesë apo veturë në mënyrë automatike do të mendojmë në personin ose kompaninë që e ka ndërtuar. Njësoj ndodh kur vërejmë një anije të madhe, aeroplan, raketë, satelit, aerodrom, central atomik ose anije kozmike në orbitë. Me të gjitha këto jemi të impresionuar dhe të vetëdijshëm se këto i kanë dizajnuar inxhinierët dhe shumë punëtorë tjerë. Por të gjitha këto janë gjëra që i kanë prodhuar qeniet njerëzore. Por, çfarë mendoni për trupin e njeriut dhe sistemin gjigant kompleksiv kontrollues? Le të mendojmë për trurin një moment: si mendon në mënyrë konstante, si funksionon, analizon, ruan informatat, dallon dhe kategorizon informatat në pjesën e milionët të sekondës. Truri kontrollon çdo lëvizje, frymëmarrje, rrahjet e zemrës dhe të gjitha organeve tjera. Një shkencëtar e ka quajtur trurin “krijesën më të komplikuar që deri më tani e kemi zbuluar në univers”.

Është i përbërë prej 120 miliardë qelizave. Ky tru ka bërë veturën, anijet kozmike, raketat, avionët, pallatet, etj. Të mendojmë për trurin dhe për Atë që e krijoi.

Obligim i këtij truri është të meditojë dhe zbulojë Atë i Cili krijoi këtë renditje të përkryer në universin e pafund. Truri funksionon edhe zgjuar edhe në gjumë. Gjatë gjumit trupi 40 herë e ndërron pozitën e tij, në mënyrë qarkullimi i gjakut të zhvillohet pa pengesa.

I lavdëruar qoftë Allahu i madhërishëm. Vërtetë në çdo gjë ekzistojnë gjurmët e ekzistencës së Tij: “Edhe në tokë ka argumente për ata të bindurit. Po edhe në veten tuaj. A nuk jeni kah e shihni?” (Edh – Dharijatë, 20-21)

Konstrukti i veshit të njeriut qartë tregon në Konstruktorin. Ai është vepër unikale e inxhinierisë, antena më e përsosur e cila pranon dhe dallon 400.000 tone! Përgjegjësia jonë themelore është shfrytëzimi i shqisave dhe trurit tonë për të njohur Zotin dhe për të kuptuar që ky është qëllimi i jetës.

Obligimi ynë është të hulumtojmë dhe njohim universin e pafund dhe ligjet natyrore në te, të cilat i krijoi Allahu i madhërishëm: “Ai është që ua krijoi të dëgjuarit, të pamurit dhe të kuptuarit e juaj; sa pak jeni mirënjohës.” (El – Mu’minun, 78) Por mos harrojmë: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi.” (El – Isra, 36)

Paramendoni shqisën e të shijuarit. Çfarë begatie! Sa pak falënderojmë!

Mendoni për veshkët dhe mëlçinë dhe funksionet e tyre të ndryshme dhe vitale të cilat i kryejnë. Qindra procese biokimike që i kryejnë në mënyrë automatike pa pjesëmarrjen tonë.

Ose kur mendojmë për sytë, kamerat tona, të cilët adaptohen, fokusohen, interpretojnë, paraqesin, vlerësojnë dhe njohin ngjyrat në mënyrë automatike. Kush e përsosi dizajnimin dhe funksionin e tyre? Kush planifikon dhe rregullon funksionimin e tyre? Padyshim jo njeriu.

E çfarë të themi për universin, madhësia e të cilit është e panjohur, i cili përmban të gjithë planetët, yjet dhe galaktikat?

Të mendojmë me qindra trilion yje te të cilët temperatura në qendër arrin 200 milion shkallë Celsius, ndërsa në yjet masive deri në 600 milion shkallë, ndërsa te Super-Nova arrin një miliardë shkallë Celsius. Për ta kuptuar këtë themi që uji vlon në temperaturën 100 shkallë Celzius, hekuri shkrihet në 1.538 shkallë, ndërsa temperatura në bërthamën e Diellit arrin afro 15 milion shkallë Celsius.

Vetëm galaktika ynë është e gjerë afro 100.000 vite drite, ndërsa Diellit i nevojitet 250 milion vite për ta bërë një revolucion rreth qendrës së galaktikës.

Mos të flasim për vrimat e zeza në univers që e kanë masën sa 3 miliardë diella tonë. Objektet më të largëta në univers Kuazarët, që janë trilion herë më të shndritshëm se Dielli. Shkencëtarët pohojnë që 96% i universit është i panjohur.

Le të mendojmë për oqeanet, peshqit, insektet, zogjtë, bakteret, molekulat, atomet, elementet kimike që ende nuk janë zbuluar. Pra secili nga këto ka ligj që i bindet. Tërë mikro dhe makrokozmosi është i bindur dhe nënshtruar Krijuesit të Plotfuqishëm dhe të Gjithëdijshëm.

Sikur dikush pa ndonjë shkas të na jepte 100 euro, së paku do t’i thoshim faleminderit.

E çfarë të mendojmë për organizmin tonë, fëmijët tanë, furnizimin tonë, ajrin që e thithim, jetën tonë: Kush na dhuron të gjitha këto? A nuk meriton Allahu lavdërim dhe falënderim?

Duke iu bindur ligjeve të Tij, përputhemi në rrjedhat harmonike të universit. Ne jemi të vegjël, të paaftë, të padukshëm, të pavlerë, por Krijuesi ynë është i Gjithëmëshirshëm dhe për ne nënshtroi tërë universin.

Ja pra, për qëllimin dhe kuptimit të jetës sonë Allahu i madhërishëm thotë në Kur’anin fisnik: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Edh – Dharijatë, 56)

Qëllimi ynë në këtë jetë është ta pranojmë dhe njohim Krijuesin, dhe ta “shohim” Atë me sytë e mendjes sonë në krijesat e Tij, në çdo gjë në mikro dhe makrokozmos, ta falënderojmë dhe vetëm Atë ta adhurojmë, vetëm Atij t’i bindemi dhe të jetojmë në kornizat e rregullave dhe kodeksit që e ka shpallur për ne.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit