9.6 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Cili është njeriu më i mirë? Si shpjegohen hadithe të ndryshme për pyetjen e njejtë?

Më të lexuarat

Pyetja: Desha të ju pyes, si shpjegohet çështja kur në disa hadithe thuhet se njeriu më i mirë është ai që është më i mirë me familjen e tij, ndërsa në disa hadithe thuhet se njeriu më i mirë është ai që e mëson Kur’anin dhe ua mëson të tjerëve, si dhe shumë hadithe të tjera në lidhje me këtë temë. Tani, si ta dimë se kush është njeriu më i mirë?

Përgjigja:

Lavdërimet dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut s.v.t. dhe përshëndetjet tona me salavate dhe selame të panumërta ia dedikojmë të dashurit tonë, Muhamedit s.a.v.s., familjes së tij fisnike dhe shokëve të tij besnikë.

Rreth kësaj çështjeje, dijetarët kanë dhënë sqarime të shumta, të cilat po i përmbledhim shkurtimisht këtu.
Dallimi në përgjigjet e të Dërguarit s.a.v.s. ka ardhur si rezultat i gjendjes së pyetësve dhe nevojave të tyre individuale, ngase i Dërguari s.a.v.s. ishte dërguar edhe për t’i fisnikëruar shpirtërat e tyre dhe ai i njihte shokët e tij tepër mirë, prandaj edhe u ka dedikuar përgjigjet e nevojshme për ta. Atij që kishte mangësi në mirësjelljen me prindër, i jepej vlera e bëmirësisë me prindër; e nëse vërente neglizhencë në mirësjellje me gruan dhe fëmijët, stimulonte mirësjelljen me ta. Për atë që ende nuk kishte nxjerrë koprracinë nga zemra, i fliste për sadakanë si veprën më të mirë, etj., etj.
Sikurse që dallimi në përgjigje mund të ishte edhe në bazë të rrethanave dhe nevojave të përgjithshme aktuale, sikurse p.sh. në fillet e themelimit të shtetit në Medinë, kur armiqtë suleshin nga të gjitha anët dhe nevoja për xhihad ishte e madhe, apo pas shpërnguljes nga Meka në Medinë kur nevoja ishte imediate ngase aty kishte zbarkuar një numër i madh i muhaxhirëve, të cilët kishin ardhur me teshat në trup. Kjo mund të shkaktonte krizë e kaos social sikur të mos ishte mirëmenaxhimi nga ana e të Dërguarit s.a.v.s. dhe stimulimi i besimtarëve për sadakë. Por, me kohën, duke u evituar këto sfida dhe duke u shtuar numri i besimtarëve të rinj, lind nevoja për t’ua mësuar Kur’anin, prandaj vjen inkurajimi për të si vepra më e mirë.
Kësisoj, pra, nuk mund të themi se këto hadithe ishin specifike për personat apo rrethanat e asaj kohe; përkundrazi, edhe sot e kësaj dite vlejnë për personat apo rrethanat e përgjithshme adekuate, të cilave u përshtaten këto hadithe.

Prandaj, njeriu më i mirë është ai që i di dobësitë dhe përparësitë e veta. Dobësitë shkojnë duke i përmirësuar nën dritën e shpalljes, dhe përparësitë që i ka shkojnë duke u forcuar dhe duke u përdorur vetëm për hajr e sevap.
Vallahu teala a’lem.

Burimi: pergjigje.net

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit