3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Çfarë është shirku dhe si manifestohet?

Më të lexuarat

SHIRKU

Shirk do të thotë t’i bashkëshoqërosh Allahut shok dhe ortak në mënyrën e të besuarit, në vepra dhe adhurime. Shirkun mund ta quajmë në shqip idhujtari, paganizëm ose politeizëm dhe ai shfaqet në forma të ndryshme, që nga ato më të dukshmet e deri tek ato që nuk njihen mirë nga pjesa më e madhe e njerëzve. Shirku është mëkati më i madh që ekziston, sepse ai prek të drejtën unike të Allahut, që është njëshmëria e Tij në zotërim, plotfuqishmëri, krijim, sovranitet të plotë dhe në cilësitë absolute e të pakrahasueshme të Tij. Thënë ndryshe, shirku është vepra më e shëmtuar dhe padrejtësia më e madhe, sepse shirku nënkupton t’i dedikosh mangësi Allahut të Lartësuar, duke barazuar dikë tjetër me Të. Prandaj Allahu nuk e fal shirkun. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Vërtet Allahu nuk fal kur Atij i bëhet shirk (shoqërohet shok), por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë.”(En-Nisa, 48). Kjo do të thotë se çdo njeri që vdes me kufër ose shirk, nuk do të përfitojë nga shefaati (amnistia) Ditën e Gjykimit, por do të jetë përgjithmonë në zjarr. Ndërsa gjynahet e tjera të mëdha janë në dorë të Allahut, i Cili mund të dënojë edhe për to, nëse nuk do t’i falë: Mirëpo, në këtë rast dënimi është i përkohshëm dhe vendi përfundimtar i mëkatarit do të jetë Xheneti.

Lloje të shirkut

Idhujtaria apo shirku, shfaqet në forma të shumta dhe të ndryshme, aq sa është e vështirë të përmblidhen të gjitha. Në çdo kohë dhe vend format e idhujtarisë marrin ngjyrime dhe trajta të llojllojshme. Këtu mund të përmendim disa më kryesoret, si p.sh.:

Të besosh se Zoti nuk është një dhe i vetëm, në çfarëdo lloj forme qoftë ky besim; Të besosh se Ai ka bashkëshorte ose fëmijë; Të adhurosh tjetër kënd veç Zotit, ose të përfshish në adhurim dhe në ndërmjetësim, mes teje dhe Zotit, dikë prej krijesave; Të therësh kurban në emër të tij, t’i lutesh atij, të shpresosh prej tij e t’i kërkosh ndihmë e shpëtim për gjëra që ka mundësi t’i bëjë vetëm Allahu: Të besosh në fuqi të mbinatyrshme të tjera, veç Zotit; Te besosh se njerëzit e mirë ose krijesa të ndryshme kanë pushtet mbi jetën, sëmundjen, shërimin, fatin dhe mbarësinë. Po ashtu, të besosh se ata mund të sjellin dëm ose dobi, duke u dhënë kështu atribute hyjnore. Nga kjo lind frika dhe dashuria. Pra, të kesh frikë dikë tjetër, veç Allahut, ose ta duash atë si Zotin ose më shumë; Të besosh se disa njerëz dinë të fshehtën, të besosh fallxhorët dhe parashikuesit e së ardhmes; Te pranosh se mund të ketë gjykues më të mirë apo të ngjashëm me Zotin etj. Të gjitha këto vepra e besime konsiderohen shirk i madh dhe të nxjerrin nga feja.

Marr nga libri: “Udhërrëfyesi ISLAM”
Hoxhë Mustafa Terniqi

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit