MOSPLOTËSIMI I ZOTIMIT
Pyetje: Një grua shtatëzënë u zotua që do të agjëronte një vit rresht, nëse nuk do të kishte komplikacione gjatë lindjes dhe nëse foshnja do të rronte një vit. Dhe me të vërtetë, Allahu i Madhëruar ia plotësoi dëshirën, mirëpo pas kësaj asaj iu kujtua se nuk është në gjendje të agjërojë për një periudhë kaq të gjatë. Ç’duhet të bëjë në këtë rast?
Përgjigje: S’ka dyshim se përmbushja e zotimit për kryerjen e një vepre të mirë është adhurim, ndaj edhe Allahu i Madhëruar i ka lavdëruar ata që i çojnë në vend zotimet e tyre:
“…Ata janë prej atyre që i plotësojnë zotimet e tyre dhe i frikësohen një dite, sherri i së cilës është shumë i madh.” {76:7}
Ndërsa Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) ka thënë në një hadith të saktë:
“Kush zotohet që t’i bindet Allahut le ta plotësojë zotimin e tij; kush zotohet që të bëjë një gjynah, le të mos e bëjë atë.”
Në një hadith tjetër transmetohet se një prej shokëve të Profetit (paqja qoftë mbi të) ishte zotuar që të therrte një deve në një vend të quajtur Beuane. Kur ia tregoi këtë gjë Profetit (paqja qoftë mbi të), ai e pyeti:
“A adhurohet në atë vend ndonjë prej idhujve kohës së injorancës?”
Burri iu përgjigj që jo. Profeti e pyeti për së dyti:
“A festohet aty ndonjë prej festave të idhujtarëve?”
Ai iu përgjigj që jo. Atëherë Profeti (paqja qoftë mbi të) i tha:
“Plotësoje zotimin tënd, pasi mosplotësimi i zotimit lejohet (vetëm në dy raste): nëse është në kundërshtim me urdhërat e Allahut, apo nëse është për diçka e cila nuk është në dorë të njeriut.”
Agjërimi i një viti rresht është, deri diku, i ngjashëm me agjërimin e përhershëm, i cili është i papëlqyeshëm (mekruh), sepse në një hadith të transmetuar nga Buhariu në përmbledhjen e tij, Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) thotë:
“Ai që agjëron gjatë gjithë kohës, as ka agjëruar e as ka ngrënë (d.m.th. nuk merr sevape nga ai agjërim).”
Nga ana tjetër, s’ka dyshim se veprat e papëlqyeshme (mekruh) konsiderohen si gjynahe, ndaj gruaja në fjalë nuk duhet ta plotësojë zotimin e saj. Ibnu Tejmije thotë:
“Nëse dikush zotohet për kryerjen e një adhurimi të papëlqyeshëm (mekruh), si p.sh. falja gjatë gjithë natës ose agjërimi i gjithë vitit, atëherë plotësimi i këtij zotimi nuk është i detyrueshëm.”
Duke u bazuar në ç’ka thamë më sipër, pyetësja duhet ta shlyejë betimin e thyer. Ajo duhet të ushqejë dhjetë të varfër (për çdo të varfër 1.5 kg ushqim nga ushqimi i zakonshëm i atij vendi). Nëse nuk ka mundësi, duhet të agjërojë tre ditë rresht.
Komisioni i Përhershëm i Fetvave