15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Bota sipas Ambasadorëve Kosovarë

Më të lexuarat

Një nga ata është mahnitur me komunikimin e kulturuar dhe përplot manire të popullatës vendëse. Tjetrit, vendi mikpritës ia ka ndërruar botëkuptimin për jetën. Njëri edhe ka takuar President aq të interesuar për shqiptarët sa që i ka treguar se e lexon edhe Ismail Kadarenë.

Ndonjëherë është disi më e lehtë të flasësh për punën që e bën, por shumë më e vështirë t’i ndërlidhësh mësimet prej saj me jetën në përgjithësi.

Gazeta Jeta në Kosovë intervistoi gjashtë nga ambasadorët kryesorë të vendit nëpër botë, në prag të Vitit të Ri, të cilët janë përgjigjur në dhjetë pyetje të ngjashme. Kështu, kësaj here, ata nuk i raportojnë vetëm eprorëve të tyre të politikës së jashtme, por publikut.

Dhe është botë magjepse e transformuese, sipas rrëfimeve të tyre.

Avni Spahiu, tash është ambasador në Truqi, por ka qenë i pari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Washingtoni, thotë ai, përveç që është kryeqyteti më i pastër, edhe ka forcuar tek ai sensin e disiplinës dhe të rregullsisë së jetës.

“…ndjenjën e respektit ndaj njeriut dhe ndaj punës, ndaj vlerave të vërteta dhe idealeve të njerëzisë”, shton ai.

Lulzim Pecit, ambasadorit të Kosovës në Suedi, nuk i pëlqejnë periudhat e gjata e pa dritë natyrore, por prapë Stockholmi e ka bërë “më cool”.

Në Belgjikë, ambasadori Ilir Dugolli, fundjavave niset me biçikletë për të gjurmuar skuta e fshatra përreth Brukselit. Ai thotë se ky kryeqytet është goxha i paragjykuar.

Çifti perandorak japonez rrezatonte mirësi kur i takoi, por ish-ambasadorit në Tokio Sami Ukelli, Japonia ia ndërroi në tërësi botëkuptimin për jetën.

Ambasadori Skender Xhakaliu është rritur në Berlin mirëpo u mahnit me interesimin e Presidentit të Gjermanisë për shqiptarët dhe faktin që ai lexonte Ismail Kadarenë.

Roma i duket një Prishtinë e madhe Ambasadores Bukurije Gjonbalaj ndërsa njerëzit e saj sikur prishtinasit me dëshirën për të folur dhe gjestikulimet.

 

 

Washingtoni – zhytje në gjelbërim

Përshkruani Washingtonin me një paragraf.
Avni Spahiu: Është kryeqyteti më i rregulluar dhe më i pastër në botë. Selia e politikës, diplomacisë, ligjbërjes, historisë dhe simbolikës së Shteteve të Bashkuara, e elitave intelektuale, politike, por edhe kulturore dhe shkencore. Qytet i zhytur në gjelbërim, por edhe i një arkitekture të zgjedhur dhe planifikimi të kujdesshëm.

Çfarë ju ka pëlqyer më së shumti në Washington dhe tek banorët e tij, e çka më së paku?
Avni Spahiu: Është për admirim rregulli dhe konvencionet me të cilat jeton qyteti dhe banorët e tij. Një komunikim i kulturuar dhe përplot manire, respekti e nderimi mes vete, por edhe me të huajt. Por vështirë të përpihet fakti se njerëzit janë bërë paksa tepër rob të punës dhe respektimit strikt të rregullave të përditshmërisë dhe fakti se kanë shumë pak kohë për veten dhe familjet.

Ku e pinit kafenë e mëngjesit?
Avni Spahiu: Zakonisht në kafenenë “Illy” në Washington DC, apo në “Waterway” buzë lumit Potomac me një pamje të jashtëzakonshme të “Virginia-s”.

Cila është vepra më e veçantë arkitektonike që e keni parë atje?
Avni Spahiu: Ndërtesa e Kongresit në Kapitol Hill dhe Shtëpia e Bardhë.

Avni Spahiu, ish-ambasador në Washington
Ku i dërgonit ose rekomandoni që të bëjnë vizita mysafirët nga Kosova?
Avni Spahiu: Monumenti i Pavarësisë, Altari i Linkoln-it dhe ai i Jefferson-it , Ndërtesa e Kongresit, Biblioteka e Kongresit, Muzeu i Holokaustit, ai Smithson-ian, pjesa e vjetër e Washingtonit – Georgetown, etj.

Pija dhe ushqimi më mbresëlënës vendor?
Avni Spahiu: Vera e bardhë lokale, lëng mollash – “apple cider” i bërë sipas mënyrës lokale dhe kafe Late. Steku tipik dhe tradicional amerikan me “hash potato” – patate të shtypura të fërguara.

Kush është personaliteti më i veçantë që keni takuar?
Avni Spahiu: Presidenti Barack Obama.

A e përdornit transportin publik?
Avni Spahiu: Nganjëherë, sidomos metronë nga Washington DC në Crystal City në Virginia ku kisha rezidencën.

Çka përcillnit dhe pëlqenit nga pop-kultura vendore?
Avni Spahiu: Koncertet e organizuara jashtë gjatë verës në Washington Mall – fusha e gjerë me Monumentin e Pavarësisë në mes, mbrëmjet kulturore dhe muzikore organizuar në institucione vendore, sidomos në Qendrën Kenedy dhe në Crystal City – sidomos muzika vendore dhe “country”, por edhe xhaz koncertet dhe performancat…

Çka ka ndryshuar ai vend tek ju?
Avni Spahiu: Ka forcuar sensin e disiplinës dhe të rregullsisë së jetës. Ndjenjën e respektit ndaj njeriut dhe ndaj punës, ndaj vlerave të vërteta dhe idealeve të njerëzisë.

 

 

Vendi që të bën më “cool”

Përshkruani Stokholmin me një paragraf.
Lulzim Peci: Venediku i Nordikut përplot me parqe dhe gjelbërim.

Çfarë ju pëlqen më së shumti në Stokholm dhe tek banorët e tij, e çka më së paku?
Lulzim Peci: Më së shumti më pëlqen ambienti i pastër dhe kujdesi i vozitësve ndaj këmbësorëve, ndërsa nuk më pëlqejnë periudhat e gjata pa dritë të mjaftueshme.

Ku e pini kafenë e mëngjesit?
Lulzim Peci: Në shtëpi.

Cila është vepra më e veçantë arkitektonike që e shihni aty?
Lulzim Peci: Padyshim ndërtesa e Parlamentit dhe Pallati Mbretëror.

Ku i dërgoni ose rekomandoni që të bëjnë vizita mysafirët nga Kosova?
Lulzim Peci: Rekomandoj që të vizitojnë qytetin e vjetër – Gamla Stanin dhe arkipelagun e Stockholmit.

Pija dhe ushqimi më mbresëlënës vendor?
Lulzim Peci: Gloggu dhe karkalecat e detit.

Kush është personaliteti më i veçantë që keni takuar?
Lulzim Peci: Mbreti i Suedisë L.T. Carl XVI Gustaf

Lulzim Peci, ambasador në Suedi
A e përdorni transportin publik?
Lulzim Peci: Vazhdimisht.

Çka përcillni dhe pëlqeni nga pop-kultura vendore?
Lulzim Peci: Nuk e përcjell me vëmendje të veçantë, pasi nuk kam kohë.

Çka ka ndryshuar ai vend tek ju?
Lulzim Peci: Më ka bërë më “cool”.

 

 

Biçikleta mjeti më i preferuar i transportit

Përshkruani Brukselin me një paragraf.
Ilir Dugolli: Kryeqytet i shumëfishtë, qendër e institucioneve europiane dhe atyre të NATO-s, vendi me numrin më të madh të diplomatëve. Sipas përshtypjes sime, anash rolit administrativ dhe si seli e një numri institucionesh, duket të jetë vend goxha i nënvlerësuar në shumë aspekte, por që në fakt ka shumë margaritarë të fshehura dhe skuta të cilat kërkojnë kohë, vëmendje e mund për t’i zbuluar.

Çfarë ju pëlqen më së shumti në Bruksel dhe tek banorët e tij, e çfarë më së paku?
Ilir Dugolli: Më pëlqen karakteri kozmopolit i qytetit, fakti se ka numër aq të madh të banorëve nga kultura të ndryshme, se është vend tejet i gjallë dhe përherë dinamik. Te banorët më pëlqen doza e autokritikës dhe humorit të gërshetuar në një – fakti se nganjëherë nuk e marrin veten aq seriozisht dhe dinë të bëjnë më shumë shaka në llogari të vetës sesa të tjerëve.

Ku e pini kafenë e mëngjesit?
Ilir Dugolli: Asnjëherë nuk pi kafe dhe në këtë aspekt e them me shaka se nuk jam përfaqësues i mirë i vendit, për të cilin të gjithë kanë përshtypjen se përgatit kafe të mrekullueshme. Rutina ime është të ha mëngjesin mjaft herët në shtëpi, zakonisht para orës 7, kështu që atëherë, zakonisht edhe pi një çaj dhe vazhdoj për në punë.

Cila është vepra më e veçantë arkitektonike që e keni parë në Bruksel?
Ilir Dugolli: Në fakt nuk ka një të vetme. Më bën përshtypje përmbajtja eklektike e arkitekturës së Brukselit, por kuptohet se veprat e arkitektëve si Horta, Hankar e mjaft të tjerë, nëpër pjesë të ndryshme të qytetit, më duken magjepsëse.

Ku i dërgoni ose rekomandoni që të bëjnë vizita mysafirët nga Kosova kur vijnë në Bruksel?
Ilir Dugolli: Varet nga personi, se sa mirë e njoh dhe çfarë ma merr mendja se do t’i pëlqente. Nëse bëhet fjalë për shëtitje, mund të jenë pjesët rreth Grand Sablon dhe pjesët e vjetra të qytetit që do i rekomandoj. Nëse janë persona që mund të kenë interesime për aktivitete kulturore, atëherë mundësitë janë të shumta. Kuptohet, nëse mysafirët kanë interesim vetëm për blerje a diç të tillë, atëherë është më së lehti.

Ilir Dugolli, ambasador në Belgjikë
Pija dhe ushqimi më mbresëlënës vendor?
Ilir Dugolli: Brukseli (dhe Belgjika përgjithësisht) është vend i birrave dhe të duhen vite të tëra për të shijuar pjesën më të madhe të tyre. Më pëlqejnë birrat belge, pasi përherë i përmbahem rregullës që të konsumoj pije të atij vendi ku gjendem. Edhe në Kosovë, nëse pi birrë, gjithmonë është vendore. Sa i përket ushqimit, kuzhina është vërtet e pasur dhe ka shumë gjëra që më pëlqejnë. Bie fjala, jam befasuar se sa të pranishme janë midhjet dhe llojllojshmëria e përgatitjes së tyre në kuzhinën belge.

Kush është personaliteti më i veçantë që keni takuar?
Ilir Dugolli: Kam njoftuar qindra njerëz, qoftë diplomatë a të tjerë, dhe çdo përvojë është e veçantë. Madje, nganjëherë bisedat me fqinj a qytetarë të rastit mund të jenë më të vlefshme se me diplomatë, pasi prej tyre e fiton përshtypjen se si na shohin, çfarë bindjesh apo edhe paragjykimesh kanë ndaj nesh, pasi këmbimet e tilla janë të zhveshura nga mirësjellja diplomatike. Përherë ndjehem krenar kur takoj pjesëtarë të komunitetit tanë, njerëz të cilët me punë na përfaqësojnë në mënyrën më të mirë në mjediset ku jetojnë e punojnë dhe më gëzon fakti se në Belgjikë ka mjaft të tillë. Më duhet të përmend se jam i privilegjuar që gjatë këtyre viteve në Bruksel kam takuar ca njerëz të mrekullueshëm dhe miq të vërtetë, gjë për të cilën u jam tejet mirënjohës.

A e përdorni transportin publik?
Ilir Dugolli: Po, shpeshherë. Për më shumë se një vit e kam përdorur çdo ditë për të udhëtuar nga banesa në zyrë, për takime e punë të tjera, ndërsa edhe tani e përdori kohë pas kohe. Transporti publik në Bruksel është mjaft i mirë dhe shpeshherë është humbje kohe e shpenzimi të përdoren veturat. Më vjen keq kur me gjithë vëllimin e delegacioneve zyrtare që kemi në Bruksel, nganjëherë jam dëshmitar i averzionit të njerëzve tanë, madje edhe të atyre të rinj në moshë, për të përdorur transportin publik. Më duket se nganjëherë ka salltanet të tepruar dhe për një vend të vogël e me mundësi të kufizuara ekonomike të gjithë ne duhet të jemi më praktikë. Ndonëse e përdor transportin publik, mjeti i preferuar i transportit për mua mbetet biçikleta. Kur gjatë fundjavës nuk kam punë, atëherë me biçikletë vizitoj pjesë të ndryshme të Belgjikës. Me biçikletë kam parë një pjesë të mirë të fshatrave e pjesëve të fshehura.

Çfarë përcillni dhe pëlqeni nga pop-kultura vendore?
Ilir Dugolli: Përcjell pothuajse të gjitha llojet e artit, pa u kufizuar në pop-kulturë ; nga arti kinematografik ku Belgjika ofron mjaft, ai dramatik e çfarëdo që kam kohë të përcjell. Fundjavën e kaluar pash një ekspozitë fotografish, ndërsa në muzikë nga gjeneratat e reja të krijuesve belgë më pëlqen mjaft Selah Sue. Pashmangshëm, kohë pas kohe, u kthehem shkrimtarëve e këngëtarëve të gjeneratave të mëhershme, prej të cilëve Jacques Brel më duket i papërsëritshëm në mënyrën se si i shkrinte emocionet në vargje dhe i interpretonte ato në formë këngësh të paharrueshme.

Çfarë ka ndryshuar ai vend tek ju?
Ilir Dugolli: Nuk besoj se vendi ka ndryshuar diç te unë. Me kalimin e kohës të gjithë ne ndryshojmë dhe ndikohemi nga përvojat, leksionet që nxjerrim, mësimet a pësimet tona, por vet vendi nuk besoj të më ketë ndryshuar në ndonjë aspekt që do e veçoja.

 

 

Roma është një Prishtinë e madhe

Përshkruani Romën me një paragraf.
Bukurije Gjonbalaj: E di që mund të duket e pabesueshme por Romën si atraktivitet mund ta përshkruaj vetëm nga kujtesa e vizitave të mia private të mëparshme sepse prej ardhjes time, në cilësinë e ambasadores së Kosovës në Romë, kam patur shumë punë dhe angazhime në tre rrethet e jetës së secilit diplomat në Romë. Pra kështu duket Roma për mua: rrethi i parë është ai i punës së përditshme në ambasadë, rrethi i dytë është ai i takimeve zyrtare me kolegët e mi ambasadorë e përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë në Romë dhe rrethi i tretë është ai i interaktivetit zyrtar me shtetin mikpritës, më konkretisht me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë dhe institucione tjera zyrtare. Gjithsesi këtu hyjnë edhe takimet e shpeshta me diasporën kosovare.

Çfarë ju pëlqen më së shumti në Romë dhe tek banorët e tij, e çka më së paku?
Bukurije Gjonbalaj: Ajo që më pëlqen më shumë nga Roma janë bukuritë e saj arkeologjike dhe arkitektonike, muzetë e saja. Më në përgjithësi pasuria e saj historiko-kulturore. Por këtë e dinë të gjithë dhe nuk është se po them një diçka të re. Ndërsa deri tani akoma nuk kam hasur diçka që “nuk më pëlqen”. Për aq sa kam pasur mundësi që të vërej, Roma më duket si një Prishtinë e madhe domethënë me një trafik të dendur, me njerëz që flasin me gjestikulacion, dhe me një kujdes dhe dëshirë për biseda. Për shembull kur paguaj në arkë artikujt ushqimorë shpesh më rastis që arkëtarja e panjohur të interesohet për shëndetin dhe punën, njëra prej tyre kur kuptoi që nuk jam vendase më tha se duhet të paguaj “twelve Europe”. E njëjta gjë më ndodh edhe ne postë, me fqinjët e mi apo me policët. Këtu të gjithë mundohen të ndihmojnë të huajt kështu që ndihen të sigurt e s’ka mundësi që dikush të humbas në Romë. Nga ky këndvështrim jam me fat pasi ndihem pothuajse si në Kosovë.

Gjonbalaj në takim me Presidentin italian Giorgio Napolitano
Ku e pini kafenë e mëngjesit?
Bukurije Gjonbalaj: Kafen e mëngjesit e pi ne banesë duke rendur nga një dhomë në tjetrën për tu përgatitur për në zyrë. Të njëjtën kohë e shfrytëzoj edhe për tu informuar për lajmet më të reja nga Kosova, regjioni dhe bota nga agjensionet e lajmeve mbarëshqiptare.

Cila është vepra më e veçantë arkitektonike që e shihni aty?
Bukurije Gjonbalaj: Vepra arkitektonike që më ka bërë më shumë përshtypje (përveç natyrisht monumenteve të njohura të Romës) është Muzeu Maxxi, i ndërtuar kohët e fundit dhe që është i përzgjedhuri i stafit të ambasadës për të organizuar pritjen e Pavarësisë së Kosovës. Është i ndërtuar rishtazi dhe për këtë arsye më përkujton Kosovën.

Ku i dërgoni ose rekomandoni që të bëjnë vizita mysafirët nga Kosova?
Bukurije Gjonbalaj: Mysafirët nga Kosova zakonisht vijnë për punë zyrtare kështu që nuk kanë shumë kohë për të vizituar Romën gjithmonë për shkak të agjendës së tyre të ngjeshur. Megjithatë, po të kishin kohë unë do t’i këshilloja me gjithë zemër të vizitonin komunitetin dhe katundet arbëreshe në jug të vendit.

Pija dhe ushqimi më mbresëlënës vendor?
Bukurije Gjonbalaj: Uji nga Fontanat dhe gurrat e qytetit ndërsa ushqimi ai tradicional si pica dhe spageti. Për më shumë nuk mund të këshilloj pasi drekën e ha të lehtë me kolegët e mi në zyrë. Mund të veçoj kuzhinën arbëreshe që kam pasur rastin ta shijoj gjatë një prej udhëtimeve të mia zyrtare në Kalabri.

Kush është personaliteti më i veçantë që keni takuar?
Bukurije Gjonbalaj: Përpos kolegëve të mi ambasadorë, përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë në Romë, atyre të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë dhe atyre të institucioneve të tjera zyrtare do të veçoja piktorin kosovar nga Klina Mikel Gjokaj, shkrimtarin kosovar Anton Berisha, shkrimtarin e njohur me prejardhje arbëreshe Carmine Abate, Monsignor Vincenzo Paglia të komunitetit të San Egidio, nënsekretaren e Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane Marta Dassù dhe çdo qytetar kosovar që jeton dhe punon këtu.

A e përdorni transportin publik?
Bukurije Gjonbalaj: Në punë çdo ditë shkoj në këmbë por për distanca më të largëta transportin publik e përdor gjithmonë sepse është i organizuar mirë dhe komod. Për shembull në bienalen e Venecias ku Kosova për herë të parë mori pjesë në pavionin e Arkitekturës, unë me stafin tim shkuam me tren nga Roma.

Çka përcillni dhe pëlqeni nga pop-kultura vendore?
Bukurije Gjonbalaj: Për shkak të angazhimeve të shumta, kam shumë pak kohë për të percjellë pop kulturën vendore por do të dëshiroja të përcillja Festivalin e Filmit në Romë, shfaqjet e baletit dhe operat që shfaqen në qiellin e hapur gjatë stinës së verës.

Çka ka ndryshuar ai vend tek ju?
Bukurije Gjonbalaj: Jo shumë deri më tani pasi është një kohë e shkurtër që prej sa kam marrë postin zyrtarisht. Edhe në përfundim të mandatit tim nuk pres ndryshime të mëdha, por një pasurim dhe një përvojë më tepër profesionale.

 

 

Presidenti gjerman lexon Ismail Kadarenë

Përshkruani Berlinin me një paragraf.
Skender Xhakaliu: Berlini është një qytet shumë i veçantë me një të kaluar shumë interesante, sidomos me kohën e “Murit të Berlinit“.

Çka ju pëlqen më së shumti në Berlin dhe tek banorët e tij, e çka më së paku?
Skender Xhakaliu: Berlini ofron shumë mundësi, si Muze të ndryshme, teatro, ekspozita etj. Pëlqej Operën dhe Filarmoninë, e banorët janë njerëz shumë modestë. Në mëngjes nuk më pëlqen trafiku i ngarkuar.

Ku e pini kafenë e mëngjesit?
Skender Xhakaliu: Zakonisht në zyrë, përveç takimeve të mëngjesit me kolegë të ndryshëm diplomatë, apo zyrtarë të qeverisë.

Skender Xhakaliu, ambasador në Gjermani
Cila është vepra më e veçantë arkitektonike që e keni parë aty?
Skender Xhakaliu: Natyrisht Porta e Brandenburgut si dhe Kupola e parlamentit e cila vizitohet nga mijëra turistë.

Ku i dërgoni ose rekomandoni të bëjnë vizita mysafirët nga Kosova?
Skender Xhakaliu: Muzetë e ndryshme, historinë e Murit të Berlinit. Gjatë kohës së verës vlen të bëhet një shëtitje me anije në kanalet e shumta qe i ka Berlini për t’i parë shumë pjesë të bukura të qytetit.

Pija dhe ushqimi më mbresëlënës vendor?
Skender Xhakaliu: Birra është pija e cila përdoret me së shumti, ushqimi është tanimë internacional.

Kush është personaliteti më i veçantë që keni takuar?
Skender Xhakaliu: Prej shumë personaliteteve të ndryshme që i kam takuar, më së shumti më ka lënë përshtypje Presidenti i vendit Joachim Gauck,i cili e njeh shumë mirë situatën në Kosovë dhe i lexon veprat e shkrimtarit tonë Ismail Kadare.

A e përdorni transportin publik?
Skender Xhakaliu: Në disa raste po, sepse Berlini ofron lidhje shumë të mira, sidomos metronë për qytet.

Çka përcillni dhe pëlqeni nga pop-kultura vendore?
Skender Xhakaliu: Për shkak të angazhimeve të shumta nuk më mbetet kohë e lirë, por pëlqej teatrin dhe muzikën e lehtë. Po ashtu festivali i Filmit i cili mbahet ne Berlin – “Berlinale” është një ngjarje shumë me rëndësi e cila duhet të përcillet.

Çka ka ndryshuar ai vend tek ju?
Skender Xhakaliu: Unë kam jetuar dhe jam rritur me këtë kulturë dhe integrim në shtetin gjerman. Ajo çka më së shumti me lë mbresë është koha e saktë dhe përkushtimi për punë të cilën e respektojnë të gjithë.

 

 

Sami Ukelli: Japonia ta ndryshon pikëpamjen për jetën

Përshkruani Tokion me një paragraf.
Sami Ukelli: Tokio është një qytet që nuk fle, por i sigurt. Ndër metropolet më moderne, të mirë-organizuara dhe dinamike ne botë. Përkundër kësaj ndër qytetet më të pastra dhe më të qeta.

Çka ju pëlqente më së shumti në Tokio dhe tek banorët e saj, e çka më së paku?
Sami Ukelli: Tokio është një qytet modern që ka ruajtur dhe pjesën tradicionale me tempuj e shtëpi të tjera lutjesh. Ofron aktivitete shkencore, kulturore, argëtuese për çdo shije. Njerëz shumë të qetë, të sjellshëm, të kujdesshëm, të gatshëm për të të ndihmuar, shumë të organizuar deri në detajet më të vogla, mjeshtër të prakticitetit. Por po nuk fillove të mësosh gjuhën dhe të pëlqesh ushqimin e rregullat e tjera të mirësjelljes, do kalosh nëpër kohëra shumë të vështira…

Ku e pinit kafenë e mëngjesit?
Sami Ukelli: Në mungesë të kohës, kafetë e mëngjesit nuk kishin ndonjë vlerë dhe ishin në “vrap e sipër”. Por në vikend kafetë i pija rregullisht me shoqëri në Segafredo, në pjesën e qytetit të quajtur Hiroo.

Cila është vepra më e veçantë arkitektonike që e keni parë aty?
Sami Ukelli: Në Tokio mund të gjesh statujën e lirisë, kopjen e kulles se Eifelit e shumë eksponate tjera. Sa i përket “origjinaleve” që më kanë pëlqyer, ka shumë, por do veçoja tri: Rainboë Bridge – ura më e bukur, Sky Tree – kulla më e lartë në botë, 634 metra dhe Roppongi Hills, godina ku është realizuar xhirimi i filmit Spiderman.

Ku i dërgonit ose rekomandoni që të bëjnë vizita mysafirët nga Kosova?
Sami Ukelli: Tek pallati perandorak, në Akihabara (qytetin elektronik), në Asakusa (tempull i vjetër dhe treg i gjërave tradicionale). Për xhepa të thellë në Ginza, për jetë nate në Roppongi.

Pija dhe ushqimi më mbresëlënës vendor?
Sami Ukelli: Tokio ka rreth 600 mijë restorante dhe është qyteti me më së shumti listime për restorante ekskluzive në librin Michelin. Ushqimi japonez në përgjithësi më ka lënë mbresa. Mbresa më ka lënë një mollë Fuji 6 Euro dhe një dardhë Nashi 10 Euro.

Sami Ukelli, ish-ambasador në Japoni
Kush është personaliteti më i veçantë që keni takuar?
Sami Ukelli: Padyshim Perandori japonez Akihito dhe Perandoresha Michiko, që rrezatojnë një mirësi të jashtëzakonshme. Nga njerëzit tjerë që do përmendja është edhe Sadako Ogata.

A e përdornit transportin publik?
Sami Ukelli: E kam përdorur transportin publik rregullisht gati dy vjet. Kjo më ka mundësuar të njoh një pjesë të qytetit aq mirë, sa që do mund të punoja edhe si taksist :))

Çka përcillnit dhe pëlqenit nga pop-kultura vendore?
Sami Ukelli: Nuk kam pasur kohe për muzikë.

Çka ka ndryshuar ai vend tek ju?
Sami Ukelli: Gjithçka. Botëkuptimin, pikëpamjen për jetën…/GJNK

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit