9.5 C
Pristina
Monday, May 6, 2024

Betimi i presidentit

Më të lexuarat

13 Tetor 2011

Shkruan: Nexhmedin Spahiu

Në disa qytete të Kosovës po zhvillohet diskutimi publik për ndryshimet kushtetuese lidhur me nenet e Kushtetutës që kanë të bëjnë me institucionin e Presidentit të Kosovës.

Joserioziteti i procesit të kushtetutëbërjes së Kosovës

Pa u mbushur 3 vjet të plotë të hyrjes në fuqi të kësaj kushtetute u mor vendimi koncensual se një pjesë e saj duhet të ndryshohet. Ky fakt tregon se sa joserioz ka qenë procesi i kushtetutëbërjes së Kosovës tre vjet më parë.

Ka 12 vjet që, përmes artikujve në gazeta dhe paraqitjeve në TV, po insistoj që presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet direkt nga populli, sepse kjo gjë përkon me konstruktin tonë mendor dhe me nivelin tonë të zhvillimit, por kjo nuk iu ka bërë përshtypje atyre që diskutimin publik e marrin sa për sy e faqe. U desh që të ndodhin gjithë ato kriza politike që i kushtuan vendit dhjetëra apo qindra miliona euro që të bëhet ajo çfarë është dashur të bëhet që në fillim.

Pikërisht për këtë arsye diskutimi publik duhet të jetë i njëmendtë e jo vetëm formal. Bërja e vendit me kushtetutë duhet të jetë akti më i përgjegjshëm i klasës politike të vendit.

Përzgjedhja e modeleve pa e njohur konstruktin mendor të shoqërisë sonë

Ata që po merren me këtë punë zakonisht hulumtojnë kushtetutat e vendeve të huaja dhe kombinojnë modele. Kjo është një punë e papërgjegjshme. Fatkeqësisht, po e njëjta gjë ndodh me hartimin e ligjeve.

Kushtetuta dhe ligjet për një shoqëri duhet të jenë krahas nivelit të zhvillimit dhe kulturës së vendit përkatës. Ekspertët tanë, zakonisht, i njohin kushtetutat dhe ligjet e vendeve tjera, por eksperienca e deritashme 12- vjeçare tregon se ata nuk e njohin nivelin e zhvillimit dhe kulturën e shoqërisë kosovare, nuk e njohin konstruktin mendor të popullit që i takojnë.

Kushtetuta dhe ligjet për një shoqëri përzgjidhen ashtu sikur përzgjidhen rrobat për fëmijët. Ato nuk duhet të jenë të vogla se i lëndojnë fëmijët, por edhe as shumë të mëdha se nuk mund t’i mbajnë ato. Rrobat duhet të jenë tamam për trupin, por jo bash tamam por pakëz më të mëdha, në mënyrë që fëmija në rritje e sipër të mund t’i përdorë ato sa më gjatë. Pra,, kushtetuta dhe ligjet nuk duhen të jenë të dala kohe, por as edhe shumë të avancuara, por të tilla që nxisin progresin.

Kushtetuta e Kosovës: edhe shumë përpara edhe shumë mbrapa

Kushtetuta e Kosovës derisa në një drejtim u bë aq e avancuar sa edhe u tregua e papërdorshme (është kushtetuta e vetme në Ballkan që lejon martesat mes personave të gjinisë së njëjtë, por që gjatë këtyre 3 viteve në fuqi nuk u shfrytëzua kjo e drejtë nga asnjë qytetar), në çështjen rreth presidentit të shtetit le që nuk ishte bërë pakëz më e avancuar, por as tamam. Kjo kushtetutë prodhoi krizë me presidentin e parë Fatmir Sejdiu, për të vazhduar me presidentin e dytë Behgjet Pacolli dhe solli për president të tretë një grua politikisht krejtësisht të pafuqishme.

Të metat serioze të projektpropozimit aktual

Propozimi i tanishëm që ka dalë në diskutim publik me alternativë të mundshme ka të meta serioze. Ja si propozohet neni 89 (imuniteti): “Presidenti (dhe zëvendëspresidenti) i Republikës së Kosovës gëzon imunitet nga ndjekja penale dhe paditë civile për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të përgjegjësive të presidentit (zëvendëspresidentit) të Republikës së Kosovës”.

Këtu shihet se hartuesit e Kushtetutës së Kosovës nuk e kanë paraparë situatën hipotetike kur zëvendëspresidenti të tentojë të bëjë grusht shteti që ta rrëzojë presidentin, situatë kjo që mund të interpretohet si veprim brenda fushëveprimit dhe ku derisa Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë çështjen grusht shteti veç mund të jetë përfunduar.

Betimi si në Amerikë apo si në Korenë Veriore?

Por, çështja më e rëndësishme në draftin e propozuar është betimi i presidentit. Teksti i betimit është kopjuar pothuaj tërësisht nga teksti i betimit të presidentëve amerikanë vetëm se në tekstin kosovar për dallim prej atij amerikan mungon fjala ZOT. Pra, nuk parashihet që presidenti i Kosovës të betohet në Zot e as të vërë dorën mbi ndonjë libër të shenjtë.

Ky dallim prej 3-4 shkronjash bën që betimi i presidentit kosovar t’i ngjajë betimit të presidentit të Koresë Veriore më shumë sesa atij të SHBA-ve.

Tani a jemi një komb i orientuar kah Perëndimi apo nga Lindja? A jemi me oksidentin apo me orientin?

Neni 8 i Kushtetutës së Kosovës thotë që Republika e Kosovës është shtet laik neutral karshi religjioneve. Atëherë përse betimi i presidentit të Kosovës na u dashka të jetë betim prej ateisti? Përse Kushtetuta e Kosovës të mos ia mundësojë presidentit të ardhshëm të Kosovës të zgjedhur nga populli që të shprehë përkatësinë e vet fetare në betimin solemn duke u betuar në Zot dhe duke vënë dorën mbi Bibël, Kuran apo mbi ndonjë libër tjetër të shenjtë?

President që shkon në kishë e në xhami, por që respekton edhe ateistët

Neni 9 i Kushtetutës thotë: Republika e Kosovës siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së vet kulturore dhe fetare.

Presidenti i Republikës duhet të jetë president i të gjithëve. Pavarësisht nëse ai është mysliman, i krishterë, i ndonjë feje tjetër apo ateist, presidenti duhet të shkojë për Krishtlindje dhe Pashkë në kishë për të nderuar qytetarët e krishterë dhe duhet të shkojë për Bajram në xhami për të nderuar qytetarët myslimanë.

Qytetarët e vendit duhet ta dinë se cila është feja e presidentit. Qytetarët e vendit duhet ta dinë nëse presidenti beson apo nuk beson në Zot. Çështja e besimit është një çështje private derisa je një person privat, por jo edhe kur je një person publik e sidomos kur je president i vendit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës me rol si të ajatollahëve në Iran, por pa besim në Zot

Përmes këtyre ndryshimeve kushtetuese për çështjen e presidentit në mënyrë indirekte po shtohet roli dhe ndikimi i Gjykatës Kushtetuese në jetën politike të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës po merr rolin e Këshillit Suprem të Ajatollahëve në Iran. Kjo gjë është e pakuptimtë pasi Irani është shtet teokratik e Kosova është shtet laik.

Për më tepër, nga përbërja vendore e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, unë e di që vetëm Çukalloviqi beson në Zot (do të dëshiroja që dikush të më demantojë në këtë drejtim).

Është e rrezikshme që njerëzve që nuk besojnë në Zot t’iu jepet aq shumë pushtet. Tek e fundit, nuk është aspak e shëndetshme që në vendin ku përqindja e ateistëve është shumë e ulët, përqindja e tyre në institucione të jetë aq e lartë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit