12.9 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Ballkani Imagjinar vs Ballkani Real

Më të lexuarat

Nga Bled Komini 
Ndryshimet e viteve të fundit janë më të mëdhatë e më të rëndësishmet në Ballkan që prej periudhës së pas viteve ’90. Zgjerimi i NATO-s drejt Ballkanit, pavarësia e Kosovës dhe zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë janë disa nga ngjarjet që kanë riformësuar panoramën ballkanike.

Të gjitha ndryshimet në Ballkan kanë rezultuar të qendrueshme, edhe pse është vështirë ta themi këtë gjë me plot garanci, pasi koha e shkurtër nuk na jep mundësi të bëjmë deklarata të tilla. Sido që të jetë, një pjesë e shteteve ballkanike kanë kapërcyer një moment shumë delikat, e tashmë këtë moment po e kalojnë disa të tjera.

Ballkani imagjinar sipas perspektivës dhe skenarit pozitiv të këtij termi, (i përdorur fillimisht nga studiuesja Maria Todorova në librin “Ballkani Imagjinar”) do ishte ai ku të gjitha shtetet e tij janë anëtare në Bashkimin Evropian dhe anëtare të NATO-s; Kosova është njohur prej Serbisë, Greqia dhe Maqedonia e kanë zgjidhur përfundimisht problemin e emrit të kësaj të fundit, ku Koraci-Sllovenia dhe Greqi-Shqipëria kanë kaluar pengesat e diskutimeve mbi kufinjtë detarë.

Një Ballkan ku minoritetet respektohen dhe gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre, ku korrupsioni, krimi i organizuar dhe droga luftohen me të tëra mjetet dhe kjo luftë ka një sukses të admirueshëm.

Ballkani imagjinar është vendi ku Serbia nuk influencohet më prej ndikimit rus, ajo nuk i ysht më serbët e Republikës Serbe (Republika Srpska) të Bosnje-Hercegovinës për shkëputje prej vendit të tyre; ka zgjidhur problemin me pakicat multi-etnike dhe respektimin e të drejtave të tyre në Vojvodinë, i ka dhënë më shumë të drejta sanxhakasve, dhe në të njëjtën kohë ka ulur ndjeshëm shpenzimet e saj ushtarake.

Ballkani imagjinar do ishte vendi ku Mali i Zi është kthyer në një shtet me dy gjuhë zyrtare, ku shqiptarët e malazezët jetojnë pa probleme, ku të drejtat e shqiptarëve tashmë janë të njëjta me ato të malazezëve. Të dy etnitë punojnë për një identitet të përbashkët dhe në këtë rrugë ato kanë pranuar që edhe serbët t’i bashkëngjiten përpjekjeve për zhvillimin e vendit.

Në Ballkanin imagjinar Greqia i ka dhënë drejtim problemit me Maqedoninë, ajo ka arritur të ketë një detantë me Turqinë, si dhe u ka dhënë të drejta për të ushtruar liritë e tyre dhe për të ndjekur besimin fetar turqëve që jetojnë në territorin e saj. Ka zgjidhur problemin e pronave me popullsinë çame, gjyqet e hapura për çështje pronash kanë shkuar drejt mbylljes, ndërsa nga ana tjetër ka shfuqizuar ligjin e luftës me Shqipërinë dhe ka vendosur që çështja e kufirit detar të zgjidhet në mënyrën më të mirë të mundshme për të dy vendet.

Bullgaria e Rumania, si pjesë e këtij Ballkani imagjinar kanë siguruar qeveri të stabilitetit afatgjatë, kanë luftuar krimin e organizuar si dhe përmes energjisë bërthamore (Bullgaria) dhe nxjerrjes e prodhimit të naftës e gazit natyror (Rumania) kanë ndikuar në rritjen e investimeve jo vetëm brenda vendeve të tyre por dhe në gadishull.

Sipas idesë imagjinare, Turqia është pranuar tashmë në BE, ka ulur ndjeshëm përplasjet me Greqinë dhe bashkëpunon për të mirën e gadishullit edhe pse vet shtrihet më gjerë se Ballkani.

Ajo përpiqet që të investojë në të tëra vendet ballkanike dhe të zgjidh problemin e minoritetit turk në këto vende përmes bisedimeve dhe rrugëzgjidhjeve eficiente. Duke qenë se gjendet në një zonë kufitare e me shumë probleme, Turqia mbetet vendi i vetëm që ruan një ushtri të madhe e me armatime të konsiderueshme. Problemit të 3.5 milion sirianëve që gjenden në Turqi i është dhënë drejtim prej Brukselit duke i akorduar Ankarasë të gjitha ndihmat dhe mjetet financiare që të mos i lërë ata të vuajnë e të kalojnë drejt Ballkanit për në Evropë.

Njëkohësisht ajo e ka zgjidhur problemin me Lëvizjen Gylen, dhe ka hequr gjendjen e jashtëzakonshme. Në karahun tjetër, lidhjet me Rusinë kanë ardhur duke u pakësuar si rezultat i aderimit të saj në BE dhe përmirësimit të marrëdhënieve me SHBA.

Gjithashtu në këtë Ballkan imagjinar, investimet e partnerëve marrin një rol vendimtar për sigurimin e paqes në të; BE implementon projekte afatgjata për zhvillimin e bujqësisë, turizmit dhe prodhimit të produkteve bio, prodhimit të energjisë elektrike prej burimeve të ripërtërishme hidrike, diellore dhe erës; në të cilin rezervat e naftës nxirren dhe përpunohen për t’u shitur brenda tregut të përbashkët si dhe përtej tij.

Në të njëjtin moment, ky Ballkan imagjinar është një vend ku konfliktet fetare pothuajse nuk ekzistojnë dhe divergjencat religjioze janë të pandjeshme. Harmonia dhe mirëkuptimi zënë një vend të pëlqyeshëm, si dhe teknologjia i ka bërë shtetet të bashkëpunojnë si një entitet prej të cilit përfitojnë të tëra palët. Po ashtu, konfliktet e vjetra me baza etnike dhe fetare nuk ekzistojnë më.

Ky Ballkan imagjinar është suksesi më i fundit i bashkimit të shteteve evropiane, që tashmë janë kthyer në një federatë shtetesh. Në mos, ai (Ballkani imagjinar) shfaqet si aneksimi më i madh drejt jug-lindjes i Shteteve të Bashkuara të Evropës.

Kuptohet, ky është Ballkani imagjinar… Po ashtu edhe Evropa e përmendur më lartë, mbetet një Evropë imagjinare… Realiteti nuk na lë të supozojmë kaq shumë sa imagjinata! Ndaj duhet të kthehemi me këmbë në tokë!

Në realitet, të gjitha ato që u përmendën më sipër përfaqësojnë problemet akute e aktuale të vendeve të gadishullit (qoftë me njëri-tjetrin apo dhe përbrenda tyre), ngjashëm me majën e ajsbergut, ku veç një pjesë e vogël ka gjetur zgjidhje. Problematikat e parashtruara vijojnë të mbeten të shumta dhe sfidat për t’i dhënë drejtim atyre kërkojnë energji dhe mjete të ndryshme. SHBA dhe BE janë angazhuar të zgjidhin nga jashtë pjesën më të rëndësishme të problematikave. Ato kanë marrë përsipër të zgjidhin orientimin e këtyre vendeve, duke i dhënë drejtimin e duhur dhe busullën për nga duhet shkuar. Sidoqoftë pjesa tjetër e problemeve kërkon një angazhim madhor prej politikanëve dhe liderëve ballkanas.

Krimi, droga dhe lidhja e politikës me mafien nuk mund të zgjidhen e luftohen vetëm prej SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian. Përpjekja më e madhe duhet bërë brenda vendeve, ku operiacione të ngjashme me ato kirurgjikale duhen kryer pa shumë empati në luftë ndaj këtyre të zezave, që si kancer nuk lënë qelizat e gjakut të zhvillohen normalisht.

Pranimi në NATO i Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, ishte një arritje dhe sukses që ndikoi në largimin e këtyre shteteve prej ndikimit të agjendës ruse. Tashmë, pas zgjidhjes së problemit të emrit me Greqinë, radhën e ka Maqedonia për t’u anëtarësuar në NATO. Por, ndryshe nga rruga për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut Verior, ajo për në Bashkimin Evropian po duket shumë e vështirë, veçanërisht për Shqipërinë e Maqedoninë. Aq më tepër që për Kosovën kjo rrugë mund të zgjasë edhe më shumë dhe mund të shfaqen edhe komplikacione, ku rolin kryesor për t’u bërë pengesë do e ketë Serbia me vëllain e saj të madh (Rusinë).

Ballkani real nuk është ai i bashkëpunimit reciprok, por ai i interesave të errëta e bashkëpunimeve diabolike, që synojnë destabilizimin dhe shkatërrimin e vendeve mes njëri- tjetrit.

Shtyrja për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, tregon se BE-ja nuk është në gjendje të merret momentalisht me zgjerimin e saj, teksa një sërë problematikash të mëdha i kanë zënë derën. Refugjatët sirianë, emigrantët që kalojnë Mesdheun, fuqizimi i lëvizjeve të ekstremit të djathtë në Evropë, etj., janë vetëm disa nga sfidat që po kalon Evropa. Këto, bashkë me luftën tregtare që sapo ka nisur me SHBA-të, na tregojnë se qasja për t’u zgjeruar drejt jug-lindjes do jetë shumë e vështirë.

Sa mund të zgjasi efekti frenues që kanë këto sfida në politikën e jshtme e të brendshme evropiane? Një pyetje, përgjigjia e së cilës nuk dihet! Por ajo që po duket qartë është se viti i ardhshëm mund të jetë një vit kapitullues për politikën e zgjerimit të BE-së. Zgjedhjet që do mbahen në muajin maj 2019 për Parlamentin Evropian, mund të rrisin ndjeshëm përfaqësimin e ekstremit të djathtë në këtë arenë të politikës evropiane. Kjo do të thotë se disa premtime të bëra prej Brukselit, si ajo për zgjerim drejt Ballkanit Perëndimor, mund të vihen në pikëpyetje.

Pas zgjedhjeve të 22-25 majit, Parlamenti Evropian do të përballet me tri sfida të konsiderueshme: 1) një elektorat që është i painteresuar për vendet jashtë unionit; 2) beteja e partive Euroskeptike që duan të dobësojne Bashkimin Evropian nga brenda dhe 3) qeveritë kombëtare që do të rezistojnë ndaj përpjekjeve të BE-së, e cila përpiqet të thellojë integrimin kontinental.

Shanci i Ballkanit Perëndimor për të kapur çastin e fundit të mundshëm për të nisur rrugëtimin real drejt unionit, duket sikur u zvenit me mos hapjen e negociatave të këtij qershori për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ajo se çfarë do ndodh realisht, mbetet për t’u kuptuar pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm të legjislaturës evropiane. Vet fakti se hapja e negociatave u shty për një periudhë që koincidon me postzgjedhjet në Bruksel, tregon se politika e jashtme e Evropës do jetë “me të parë e më të bërë” karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit