3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Avionët nga Kosova do t’fluturojnë së shpejti përmes Shqipërisë, pritet lirim i biletave e shkurtim i kohës së fluturimeve

Më të lexuarat

Koha e fluturimit me avion nga Kosova drejt shteteve të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas, do të shkurtohet, në rast të hapjes së korridorit ajror me Shqipërinë.

Me shkurtimin e kohës – deri në 30 minuta për vajtje-ardhje – do të zvogëlohet edhe çmimi i biletave, thotë Albion Idrizi, magjistër i aviacionit.

Aktualisht, thotë ai, çmimi mestar i një bilete njëdrejtimëshe nga Kosova për në të gjitha vendet e BE-së është 140 euro. Me shkurtimin e fluturimit, ky çmim mund të bjerë deri në 6 për qind, apo 8 euro, thotë Idrizi, ndërmarrës në fushën e udhëtimeve dhe turizmit në Kroaci dhe Kosovë.

Që nga paslufta, më 1999, fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës realizohen vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020.

Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër, por nuk është zbatuar kurrë.

Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Bujar Ejupi, drejtor i përgjithshëm i AAC-së, thotë se KFOR-i e ka dhënë lejen për shfrytëzimin e pikave Kukad dhe Arbër, dhe se ato pritet të lëshohen në shfrytëzim “së shpejti”.

KFOR-i, i cili është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se “ka miratuar mundësinë e hapjes së korridoreve ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”, por nuk jep shumë detaje.

“Pikat Kukad dhe Arbër janë në territorin shqiptar, kështu që institucionet e aviacionit të atij vendi janë autoritetet përgjegjëse për planifikimin dhe menaxhimin e asaj hapësire ajrore”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.

REL-i pyeti Agjencinë Nacionale të Trafikut Ajror të Shqipërisë, Albcontrol, se cilat janë arsyet e mosplanifikimit të fluturimeve përmes Kukadit dhe Arbërit deri më tash dhe kur saktësisht pritet të lëshohen në shfrytëzim këto dy pika, por nuk mori përgjigje.

Me të njëjtat pyetje, iu drejtua edhe Organizatës Evropiane për Sigurinë e Navigacionit, Eurocontrol, e cila në përgjigje tha se “përgjegjësia për krijimin dhe shpalljen e pikave të navigacionit i takon shtetit përkatës [v.j. në këtë rast Shqipërisë] dhe jo Eurocontrol-it”.

Ejupi, nga AAC-ja, pret që dy pikat koordinuese, Kukad dhe Arbër, të shenjëzohen shpejt në hartat e Eurocontrol-it, por nuk jep ndonjë datë të saktë.

Pas finalizimit të kësaj procedure, ai beson se të gjitha kompanitë ajrore që operojnë në tregun e Kosovës, do t’i shfrytëzojnë këto dy pika.

Përfitimet nga korridoret e reja ajrore

Remzi Ejupi, themelues i kompanisë ajrore të Kosovës “Eurokoha”, e cilëson si “jashtëzakonisht të rëndësishëm” korridorin ajror me Shqipërinë.

Ngjashëm sikurse Idrizi, edhe ai thotë se koha e fluturimeve drejt vendeve të BE-së do të shkurtohej për së paku gjysmë ore.

“Të shkurtohet rruga për këto minuta, zvogëlohen [edhe] shpenzimet për karburante dhe kjo automatikisht ul çmimin e biletave”, thotë Ejupi.

Vitin e kaluar, për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” kanë udhëtuar rreth tre milionë qytetarë, me 21.842 fluturime.

Zvicra, Gjermania, Turqia, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë qenë destinacionet më të shpeshta.

Idrizi thotë se korridori ajror me Shqipërinë do ta bëjë Aeroportin e Prishtinës “më konkurrent në rajon” dhe “më joshës për kompanitë ajrore”, për shkak të kostos më të ulët të operimit.

Ai thotë se Kosova duhet të hapë korridor ajror edhe me Malin e Zi, për shkak të pozitës gjeografike që ka ky shtet.

“Korridori me Malin e Zi është edhe më i rëndësishëm se me Shqipërinë, pasi që ky shtet kufizohet me pjesën veriperëndimore të Kosovës – pra, në drejtim të Gjermanisë dhe Zvicrës, që janë destinacionet me të cilat kemi më së shumti trafik ajror. Shkurtimi për çdo fluturim do të ishte 20 minuta në një drejtim”, thotë Idrizi.

Drejtori i AAC-së, Ejupi, thotë se bisedimet me Malin e Zi për këtë çështje janë në zhvillim e sipër, por se “ende nuk ka diçka konkrete”.

Korridori ajror me Serbinë – vend tjetër me të cilin kufizohet Kosova – është pezulluar qysh pas luftës, më 1999.

Edhe pse ka pasur paralajmërime se në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të bisedohet për hapjen e këtij korridori, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Ndryshe nga hapësira e ulët ajrore e Kosovës që menaxhohet nga AAC-ja, hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014 – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999./REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit